Shtojca për Kulturë

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Kajro: Një tryezë kushtuar Besnik Mustafajt

Në janar të çdo viti nis seria e panaireve ndërkombëtare të librit në Lindjen e Mesme. Kjo seri fillon në Kajro, e vazhdon në kryeqytete të ndryshme deri në dhjetor në Bejrut. Sivjet prej 24 janarit deri më 6 shkurt mbahet Panairi Librit, i 55-ti me radhë në Kajro, me pjesëmarrjen e nja një mijë e 200 botuesve nga 70 vende të botës, kurse mysafir nderi, sivjet është Norvegjia. Si çdo vit, mbahen shumë aktivitete, tryeza të ndryshme, e ndahen shumë shpërblime letrare.

Këtë vit mund të thuhet se ky panair do të jetë nikoqir i prezantimit të letërsisë shqipe si asnjëherë më parë që nuk mbahet mend. Kështu, sivjet mysafir është shkrimtari Besnik Mustafaj, për nder të të cilit organizohet një tryezë për romanet e tij që u botuan në arabisht më 26 janar. Vlen të përmendet se deri me tani u botuan në arabisht dy romanet “Një sagë e vogël për burgun” (Amman 2021) në përkthim të Ibrahim Fadullait dhe “Daullja prej letre" (Latakia 2023) në përkthim të Adanan Muhamedit, kurse sivjet botuesi sirian “Dar al-Hiwar” prezanton në Panair dy romane të tjera: romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” i Besnik Mustafajt në përkthim të Adnan Muhamedit si dhe roman “Vdekja e Anilës” i Ibrahim Kadriut, përkthyer po nga Adnan Muhamedi.

Image
“Në emër të nënës e të birit”, “Vdekja e Anilës” dhe “Vehbi Ismaili, pionier i përkthimit të letërsisë shqipe më arabisht”, botuar në arabisht

Po ashtu, sivjet botuesi egjiptian “al-Arabi” promovon romanin “Valsi i lumturisë” (doli me titull “Ëndrra italiane”) të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj në përkthim të Shaban Rexhepit, i cili është romani i dytë i autorit pas atij “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” që doli më parë.

Image
Besnik Mustafaj në Panairin e Librit në Kajro

Botuesi jordanez “Al'an” prezanton dy libra nga letërsia shqiptare: libri i parë është “Vehbi Ismaili pionier i përkthimit midis letërsisë shqipe dhe arabe”, që përfshin edhe përmbledhjen e parë me tregime të Ernest Koliqit dhe Qamil Gurnjakut që u botua në Kajro më 1949, që ishte libri i parë nga letërsia bashkëkohore shqipe në arabisht. Libri i dytë është “Jetë në vazhdime – Antologjia e poezisë bashkëkohore e Kosovës” në përkthim të Muhamed Mufakut, që përfshin poezi të zgjedhura të 18 poetëve të Kosovës, në mesin e të cilëve Adem Gashi (1953-2024) që vdiq para disa ditësh.