Shtojca për Kulturë

Panairi i Librit në kërkim të përgjigjes në raport me lexuesin

Me moton “Përgjigjja është libri”, sot (e diel) Panairi i Librit në Prishtinë mbyll kapitullin e 24-t (Foto: Driton Paçarada)

Me moton “Përgjigjja është libri”, sot (e diel) Panairi i Librit në Prishtinë mbyll kapitullin e 24-t

Foto: Driton Paçarada

Ani pse pa shifra zyrtare, emërues i përbashkët i botuesve pjesëmarrës në edicionin e 24-t të Panairit të Librit në Prishtinë, është se ka më pak vizitorë, njashtu siç është i njëzëshëm edhe konstatimi se “Përgjigja është libri”, siç është motoja e sivjetme e ekspozitës më të madhe të botimeve në vend. Por nëse zbërthehet si konstatim për Panairin del se libri është në kërkim të përgjigjes për ta gjetur lexuesin. “Libri është vetëm një zgjidhje”, thotë shkrimtari francez Éric Faye. “Në përgjithësi, mund të them se Panairi e ka vendin e vet”, ka thënë shkrimtari nga Kosova, Ibrahim Kadriu, e kolegu i tij nga Shqipëria Ben Blushi, thotë se “shoqëri që nuk lexon nuk ka. Dhe s’mund të ketë”

Në thelb, Panairi i Librit, që në nëntorin e 1999-s kur ishte mbajtur edicioni i parë, qëllim kryesor kishte promovimin i vlerave kulturore. Ishte nisur si festë për librin. Por përtej kësaj, për një çerekshekulli, edicionet e Panairit kanë qenë një lloj matësi për numrin e lexuesve në vend, që sipas botuesve po bie nga viti në vit. 

Libri konsiderohet përgjigja esenciale në edicionin e 24-t që për pesë ditë ka eksploruar botën e librit me moton “Përgjigja është libri”.

Nëse merret si mostër dita e parafundit e Panairit të Librit në Prishtinë, imazhi është se ka lexues e interesim për librin. Por tri ditët paraprake, që nga e mërkura kur u hap Panairi, kanë qenë të zbehta. 
Paraditja e së shtunës ka qenë fillimi i një tjetër etape të këtij edicioni për sivjet. Për shitësit në shtande e përfaqësues të shtëpive botuese dita nis me rivendosjen e librave varg. Jo pak vizitorë janë aty të bëhen përgatitjet finale, për nisjen e një dite të re. 

Përtej kushteve jo të duhura në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve – jo veç për Panairin, por për krejt ngjarjet e institucionet kulturore që këtë hapësirë e kanë adresë të vetme – hapësira e pamjaftueshme mbetet sfidë. 

Sa i përket anës teknike, imazhi mbetet i pandryshuar nga edicionet e kaluara: Salla e Kuqe, Atelieja, korridori që i ndan këto të dyja, janë hapësirat ku kanë zënë vend shtandet e shtëpive botuese. Të ngushta janë korridoret që i ndajnë ato derisa një numër i konsiderueshëm shtandesh është strehuar në tendën në Platenë e Pallatit. Aty janë edhe botimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. 

Korridori në katin e sipërm, si edicionet e kaluara, ka qenë vendtakim i ngjarjeve që shënojnë përvjetorë autorësh, promovime librash e panele diskutimi. Këto ngjarje e përmbushin Panairin si organizim. Sivjet në agjendë ka qenë shënimi i 300-vjetorit të lindjes së Jul Varibobës, 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit sikurse edhe i Jup Kastratit, 100-vjetori i Franz Kafkës dhe 90-vjetori i lindjes së Ali Aliut. Organizatorët janë shprehur se këto ngjarje i shërbejnë ruajtjes, kujtesës e traditës së letërsisë. Por nuk kanë pasur fort jehonë. 

Tepisoni i kuq përshkon që nga hyrja e Pallatit dhe gjithë dyshemenë prej dërrasash të cilat kërcasin e lëvizin kur vendoset hapi. As mënyra e ekspozimit të librave nuk ka ndryshuar shumë. Botime ka me bollëk, aq sa edhe oferta në çmime, që janë tradicionale në organizim të Panairit. Botimet KOHA këtë vit janë dalluar me zbritje prej 80 për qind. 

Mega-libraria në zemër të Prishtinës ka mbledhur mbi njëqind botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

“Libri është vetëm një zgjidhje”

I ftuar i nderit sivjet ka qenë shkrimtari francez Éric Faye. Ai është shprehur i befasuar me gjallërinë në Panairin e një vendi, gjuha e të cilit është vetëm e një kombi. 

“Jam pak i befasuar sepse, të mos them se është gjuhë minoritare, por nuk ka miliona njerëz që e flasin, dhe në të njëjtën kohë ka shumë vitalitet dhe mbledh shumë njerëz. Shihet se është shumë efektiv”, ka thënë ai. 

Ka thënë se në nivel global ngjan me rënie të interesit të lexuesve për librin. Në lidhje me temën e sivjetme, se a është libri përgjigja, ka thënë shkurt: “Libri është vetëm një zgjidhje”. 

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, që e organizon Panairin e Librit në Prishtinë, ka thënë se motivi i ftesës së shkrimtarit Faye ka qenë për peshën që ka autori në fushën e letërsisë si dhe për lidhjen që ka me letërsinë e kulturën shqiptare. 

“Ai kishte vizituar Kosovën në vitet ’70, gjithashtu Shqipërinë disa herë. E ka njohur nga afër letërsinë e Rexhep Qosjes e të Ismail Kadaresë. Mund të themi lehtësisht që është mik i madh i shqiptarëve sepse kur nevojitej depërtimi i diskursit dhe narrativës shqiptare në botën perëndimore, ajo mund të bëhej vetëm përmes emrave që vepronin në vendet përkatëse. Për Francën specifikisht, Éric Faye luante rol të rëndësishëm”, ka thënë Zeneli, derisa është shprehur se prania e Faye ka qenë edhe përpjekje për ndërgjegjësimin e lexuesit me vepra me peshë letrare. 

Sivjet në Panair kanë qenë rreth gjashtëmijë tituj të rinj të botuar viteve të fundit dhe rreth dymijë botime gjithsej nga viti i kaluar deri në panairin e sivjetmë.

Migrimi, paralajmërimi i vonuar, 48 orë parapërgatitje...

Prej arsyetimeve të përvitshme për ndikimin e rënies së lexuesve që konsiderohet të jenë gjendja ekonomike e rrjetet sociale, sivjet migrimi si rrjedhojë e liberalizimit të vizave dhe paralajmërimi i vonshëm për edicionin e sivjetmë të Panairit kanë qenë shkaqe shtesë. Kësisoj të paktën sipas botuesve. 

Edon Zeneli që është edhe botues, ka thënë se kjo ka ndodhur si rrjedhojë e telasheve me sigurimin e lejes nga Pallati i Rinisë dhe ngjarjeve aty deri në dy ditë para datave të caktuara për Panairin. 

“Sivjet ka qenë problem në hallkë sepse në fillim të vitit Pallati i Rinisë nuk na aprovonte dot kërkesën për organizimin e Panairit sepse parashihej renovimi i Sallës së Kuqe dhe Ateliesë. Në ndërkohë e kishim problemin në organizimet paraprake. Për herë të parë na u mundësua vetëm 48 orë parapërgatitje sepse ishte ngjarja paraprake ‘DokuTech’. Këto kanë bërë që ne të jemi të rezervuar në plasimin e informacionit sepse fatkeqësisht për ne Pallati vijon të jetë i vetmi ambient ku mund të organizohet një ngjarje e tillë. Prishtina vijon të jetë ndoshta qyteti i vetëm në Evropë që nuk ka një sallë panairesh dhe ne obligohemi që ta kthejmë një hapësirë që në parim nuk është i dedikuar për ngjarje të tilla”, ka thënë Zeneli. 

I është bashkuar ankesave dhe mendimeve të botuesve në këtë aspekt. E ka vlerësuar fatkeqësi që e gjithë skena kulturore ka ngelur brenda një hapësire. 

Loreta Berhani nga shtëpia botuese “Pegi” nga Shqipëria ka thënë se ka hasur në vizitorë që nuk e dinin se po mbahej Panairi. 

“Duke qenë se nuk vijnë shumë njerëz ka edhe më pak blerje, normalisht. Kam vënë re se kishte njerëz që nuk paradinin se kishte Panair. Por e qartë është se ka rënie të blerjes së librit. Shkak mund të jetë migrimi, ka më pak njerëz dhe rrjedhimisht ka më pak lexues. Apo vënia e datave në moment të fundit për Panairin, mosinformimi”, ka thënë Berhani.

Titujt e botuesit e rinj – risi të vetme të Panairit

Shkrimtari Ibrahim Kadriu ka thënë se risia e vetme e Panairit sivjet kanë qenë titujt dhe botuesit e rinj. Ka thënë se i kishte bërë përshtypje hapja në prani të një publiku të vogël në numër e një varg fjalimesh nga udhëheqës institucionesh. 

“Por e vërteta është se, siç lexova diku, ishte se hapja e Panairit të sivjetmë ishte në prani të publikut më të paktë. Më bëri përshtypje. Isha në hapje, vërtetë kishte më së paku publik. Kishte shumë fjalamanë. Njerëz që flisnin me rend, më përngjante në një fushatë zgjedhore. Hapjet janë solemne por duhet qenë shumë koncizë, të mos i jepet gjithkujt hapësirë, për gjëra që dihen se çfarë do të thonë”, ka thënë shkrimtari Kadriu. 

Sipas tij Panairi i sivjetmë ka qenë i suksesshëm sa i përket vizitorëve. 

“Në përgjithësi në bisedë me botuesit, kanë shprehur nervozë se nuk kanë shitje. Por në anën tjetër shihja blerës që merrnin libra. Nuk mund të pajtohesha me mendimet e tyre se nuk ka lexues. Botuesit gjithmonë janë të interesuar të kenë sa më shumë shitje. Në përgjithësi, mund të them se Panairi e ka vendin e vet. Edhe kësaj radhe mund të them se ka qenë i suksesshëm, bazuar në njerëzit këtu”, ka thënë ai më tej. 

Shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se Panairi sivjet ka qenë më i zbehtë dhe se kjo nuk ka të bëjë me kulturën por se shkak kryesor është gjendja ekonomike. 

“Sivjet, krahasuar me Panairet paraprake është më i zbehtë. Fluksi i vizitorëve është më i vogël se vitet e tjera. Arsyet nuk i di. Në stendë kemi interesim kryesisht për tituj të autorëve të huaj që i kemi përkthyer në gjuhën shqipe”, ka thënë Apolloni, gjithashtu udhëheqës i “BardBooks”. 

Eronita Kçiku nga kjo shtëpi botuese ka thënë se ka pasur momente gjatë qëndrimit në Panair kur krejt kush ka mbetur në sallë kanë qenë vetëm përfaqësuesit e shtëpive botuese dhe shitësit. 

“Nuk mund të ankohemi për shitjen, por për interesimin dhe numrin e lexuesve që është shumë më i vogël se sa vitin e kaluar. Gjithmonë themi se ditët e para janë më pak të frekuentuara, por me të vërtetë salla shumë shpesh ka qenë e thatë, kemi mbetur vetëm përfaqësuesit e shtëpive botuese. Nga ajo që kemi shitur, duket se lexuesit po shkojnë më shumë nga faktografia dhe dokumentariteti”, ka thënë ajo.

Nëse merret si mostër dita e parafundit e Panairit të Librit në Prishtinë, imazhi është se ka lexues e interesim për librin. Por tri ditët paraprake, që nga e mërkura kur u hap Panairi, kanë qenë të zbehta (Foto: Driton Paçarada) 

Paralelja me Tiranën e festës madhështore

Liridona Bytyçi nga “Dukagjini” ka thënë se për dallim nga edicioni i kaluar e veçmas nga ai në Tiranë numri i vizitorëve është dukshëm i ulët.

“Prej Panairit të kaluar ku kemi qenë në Tiranë ka goxha dallim, por është diçka e ditur sepse ka më shumë njerëz dhe hapësira është më e madhe. Këtu ka më pak. Në këtë Panair, për dallim nga ai i kaluari kemi vërejtur se ka më pak vizitorë e blerës”, ka thënë ajo. 

Adriatik Duka, nga shtëpia botuese “Dituria”, që e organizon Panairin në Tiranë, ka thënë se në kryeqytetin shqiptar ngjarja është festë më madhështore dhe i përmasave më të mëdha si për nga vizitorët e botuesit. 

“Patjetër se atje është me përmasa shumë më të mëdha se këtu. Madje kemi vizitorë, grupe të organizuara që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Tuzi. Tirana thith më shumë vizitorë, ndryshe nga këtu dhe shtëpitë botuese janë në numër më të madh. Mbase sepse është ambienti më i madh. Është më festë”, ka thënë Duka. 

Edhe Florjan Alidemaj nga “Tenda” ka theksuar prezencën e paktë të lexuesve sivjet. 

“Dallimi vërehet shumë pasi vitin e kaluar ka pasur fluks pak më të madh. Sivjet e kemi vërejtur më shumë zbrazëti. Në përgjithësi të gjithë mund t’i pyesni, por të gjithë e kanë të njëjtën arsye. Mendoj se ka rënie drastike”, ka thënë ai.

“Shoqëri që nuk lexon nuk ka. Dhe s’mund të ketë”

Agjenda e Panairit ka qenë e ngjeshur të shtunën krejt ditën me promovime librash. Në stendën e “Dukagjinit” ka qëndruar paradite shkrimtari Ben Blushi. Vizitorët kanë pasur mundësi të diskutojnë rreth romanit të fundit të tij - “Komploti”. Romani çon dy dekada para në kohë ku Shqipëria “pushtohet” nga afganët ku lindin konflikte e komplote që lidhen kryesisht me Kosovën. 

Blushi ka thënë se romani “Komploti” është mendim i tij se si mund të shkojë Shqipëria nëse vazhdon vala e lartë e migrimit. 

“Nëse ikin, siç them në libër, Shqipëria do të jetë më e vogël mbas 20 vjetësh. Popuj të tjerë do të vijnë të jetojnë në Shqipëri. Unë kam vendosur disa afganë në Shëngjin meqë aty Shtetet e Bashkuara sollën rreth tremijë afganë në vitin 2022 kur ikën nga Afganistani. Tani aty është vendosur të jetë një bazë e të gjithë emigrantëve nga Afrika. Në qoftë se një pjesë e tyre qëndrojnë në Shëngjin, atëherë për 20 vjet Shëngjini mund të jetë një bashki multietnike që mund të qeveriset nga ta”, ka thënë Blushi. 

Ka qenë hera e parë për të pjesëmarrja në Panairin e Librit në Prishtinë. Blushi ka thënë se ka rënë interesi për librin dhe se kjo i detyron ata si shkrimtarë t’u përshtaten shijeve të lexuesve. 

“Kjo na detyron ne shkrimtarëve të ndryshojmë mënyrën si shkruajmë, të adaptohemi me shijet e lexuesit. Shpresoj se këtë kam bërë me librin e fundit ‘Komploti’. E kam shkruar në një mënyrë të tillë që të duket si film ku sa mbaron një aksion, fillon një tjetër. Libri ka pjesën e vet të progresit të shoqërisë, por shoqëri që nuk lexon nuk ka. Dhe s’mund të ketë”, ka thënë Blushi. 

Sipas tij Shqipëria ka traditë më të konsoliduar në fushën e letërsisë. 

“Mendoj se Shqipëria ka një traditë më të konsoliduar letërsie për arsye të ndryshme. Që nga Rilindja Kombëtare vendlindja ka qenë kryesisht në tokat e Shqipërisë së sotme. Kjo traditë është konsoliduar dhe mbase është një diferencë e lehtë. Unë nuk i ndaj shkrimtarë të Kosovës dhe Shqipërisë. Për aq sa konsumojnë të njëjtën gjuhë, janë shkrimtarë shqiptarë”, ka thënë Blushi. 

Shkrimtari britanik që tash e një kohë jeton në Kosovë, Robert Wilton, gjithashtu ka zhvilluar takime me lexuesit. Libri i tij “Helmim në Paris” si dhe “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e Ag Apollonit, përkthyer nga ai në gjuhën angleze kanë qenë titujt e rinj në Panair. 

Wilton ka thënë se romani i tij është zbavitës, romantik, përfshin mister e monodramë. Sipas tij, librat janë lehtësim i jetës së tyre. Se i çojnë jashtë vetes e jetës së përditshme. Ka konsideruar se bota e librit ndryshon nga viti në vit dhe se kjo e sfidon punën e shkrimtarëve. 

“Është një pyetje mbarëbotërore se a po bie numri i lexuesve? A ka krizë në botën e botimit? dhe më duket se kjo pyetje shtrohet çdo vit tash e sa dekada. Natyrisht bota e librave ndryshohet nga viti në vit, evoluon. Kjo është sfidë për shkrimtarët dhe shtëpitë botuese se si t’i përshtaten lexuesit. Besoj se ende kemi lexues të mjaftueshëm pasi që ka goxha qarkullim. Ka shumë fëmijë, diçka interesante në Kosovë ka interesim mbase më shumë se në disa vende të tjera”, ka thënë Wilton. 
Sipas tij, “libri është një nga përgjigjet esenciale”. 

“Përgjigjja është libri” ka qenë konstatimi i sivjetmë i Panairit të Librit në Prishtinë.

“Prej pyetjeve ekzistencialiste deri te rezultatet e PISA-s”

Organizatori i ngjarjes, Edon Zeneli ka thënë se edhe dija mund të jetë përgjigja por se materializohet në librin si produkt. 

“Me të vërtetë përgjigja është libri. Sikur kur flasim për pyetjet ekzistenciale në raport me jetën. Kur flasim për dëshirën për të mësuar, për ta kuptuar veten, tjetrin. Për ta kënaqur veten në aspektin estetik, për ta mësuar historinë, komunikimin me njerëz. Koha e pamundëson takimin fizik por atë që e kanë menduar, ideuar e konceptuar si mendje mund ta gjejmë nëpërmjet librit. Deri në tema krejt praktike si ajo se çfarë ndikimi do të ketë Inteligjenca Artificiale në jetët tona e pse dalim keq në rezultatet e PISA-s?”, ka thënë ai. 

Loreta Berhani nga “Pegi” ka thënë se libri është përgjigje për çdo lloj pyetjeje. 

“Çfarëdo lloj pyetje të kemi, një përgjigje në libër e gjejmë. Kështu që, natyrisht se përgjigja është libri. Pastaj se sa dëshirojnë ta dëgjojnë të rinjtë apo brezat tjerë që janë deri diku të disiluzionuar, kjo është tjetër çështje. Por unë thelbësisht në esencën time më të thellë mendoj se gjithmonë përgjigja është libri”, ka thënë ajo. 

Adriatik Duka nga “Dituria” ka thënë se nuk ka diskutim se libri është përgjigja e një pyetjeje.

“Janë shkruar libra me pyetjen ‘Pse?’. Sterjo Spasse ka shkruar një libër ‘Pse’ dhe patjetër se është përgjigja e një pyetjeje, një argumenti të caktuar, zgjidhje e një problemi në kohëra të vështira. Libri pos se është qetësues, relaksues, është terapi për këdo, nga fëmijët te të moshuarit”, ka thënë Duka.

Por në Panair libri kërkon përgjigjen në raport me lexuesin.