Shtojca për Kulturë

“Oscar” midis favoritëve dhe befasive

ceremonia Oscar

Bazuar në një model që përfshin çmimet e industrisë së Hollywoodit, kategoritë ku një projekt, aktor apo regjisor është nominuar, vlerësimet e kritikëve të filmit, tregjet e basteve dhe të dhëna të tjera, këto parashikime besohet të jenë goxha të sakta me preferencat e anëtarëve të “Academy Awards” që i votojnë fituesit për “Oscar”

Sipas një modeli matematikor që merr parasysh çmimet e industrisë, rezultatet e kritikëve të filmit dhe tregjet e basteve, besohet se “Anora” i ka gjasat më të mëdha për ta rrëmbyer çmimin kryesor të dielën mbrëma në edicionin e 97-të të ceremonisë “Oscar”. Te kategoria për “Filmin më të mirë ndërkombëtar” garon dhe filmi danez “The Girl with the Needle” me aktorin shqiptar Besir Zeçiri e sivjet edhe Kroacia pret “Oscar” me filmin e shkurtër “Njeriu që s’mundi të heshtë”

Ben Zauzmer

Çdo sezon i ceremonisë “Oscar” është i veçantë, për shumë arsye të ndryshme, por ky i fundit pritet të kapë një tjetër dimension. Parashikimet e ekspertëve për garën e sivjetme tashmë janë publikuar në mediet online dhe në shumicën e rasteve përkojnë goxha me njëra-tjetrën. 

Bazuar në një model që përfshin çmimet e industrisë së Hollywoodit, kategoritë ku një projekt, aktor apo regjisor është nominuar, vlerësimet e kritikëve të filmit, tregjet e basteve dhe të dhëna të tjera, këto parashikime besohet të jenë goxha të sakta me preferencat e anëtarëve të “Academy Awards” që i votojnë fituesit për “Oscar”. 

Pas disa vjetësh ku fituesi i filmit më të mirë ishte praktikisht i përcaktuar nga fillimi i sezonit, së paku gara e sivjetme ka ofruar disa kthesa dhe ngjarje të papritura. Fillimisht ishte filmi “Emilia Pérez”, i cili pothuajse theu rekord të nominimeve, me 13 sosh, por doli nga lista e favoritëve për ta rrëmbyer trofeun kryesor “Filmi më i mirë”, për shkak të polemikave që shkaktoi nxjerrja në pah e postimeve fyese nga protagonistja e filmit, Karla Sofía Gascón. Më pas ndodhi favorizimi i filmit “Anora” si pretendent kryesor për ta fituar çmimin, ani pse në muajin janar nuk arriti ndonjë fitore të madhe në ceremoninë “Globi i Artë”. Megjithatë triumfoi në kategori të rëndësishme në ceremonitë vijuese, “SAG”, “PGA” dhe “DGA”. Por në javët e fundit, një tjetër kandidat filloi të ngrihej në listën e favoritëve, e ai është filmi “Conclave”.

Aktualisht tre filmat pretendentë për t’u shpërblyer në kategorinë “Filmi më i mirë” janë: “Anora”, “Conclave” dhe “The Brutalist”, derisa pjesë e garës janë edhe projektet: “A Complete Unknown”, “Dune: Part Two”, “Emilia Pérez”, “I'm Still Here”, “Nickel Boys”, “The Substance” dhe “Wicked”.

Gara e ngushtë te regjisorët dhe aktorët

Kokë më kokë për çmimin “Regjisori më i mirë” duket se garojnë, Sean Baker me filmin “Anora” dhe Brady Corbet me filmin “The Brutalist”. Që të dy regjisorët kanë arritur të triumfojnë në këtë kategori, në ceremonitë e këtij sezoni të shpërblimeve. Por jo të gjitha fitoret konsiderohen të barabarta. Në veçanti, triumfuesit e ceremonisë “DGA”, çmime që i ndan shoqata e regjisorëve të Hollywoodit, gëzojnë reputacionin e pretendentëve më të sigurt për t’i rrëmbyer çmimet “Oscar” në çdo kategori. 
Parashikimet për kategorinë “Aktori më i mirë” janë të njëjta nga pjesa më e madhe e ekspertëve të filmit. Adrien Brody duket se është rrugës për ta fituar shpërblimin e dytë “Oscar” të karrierës, për performancën e shkëlqyer në filmin “The Brutalist”. Pretendenti tjetër për ta rrëmbyer trofeun për “Aktorin më të mirë”, konsiderohet Timothée Chalamet, me filmin biografik “A Complete Unknown”. Triumfi në ceremoninë “SAG” ia rrit shanset yllit 29-vjeçar për ta fituar çmimin e parë akademik, të dielën mbrëma. Kuptohet, ai e portretizon një ikonë të jetës reale, që është Bob Dylan, dhe po ashtu këndon në film, gjë të cilën aktorët posaçërisht duan ta vlerësojnë. Pjesë e garës janë edhe aktorët, Colman Doming me filmin “Sing Sing”, Ralph Fiennes me “Conclave” dhe Sebastian Stan me filmin “The Apprentice”.

Në kategorinë “Aktorja më e mirë” parashikimet e favorizojnë aktoren veterane, Demi Moore. Ajo është vlerësuar jashtëzakonisht lart për performancën e saj në filmin “The Substance”, duke i rrëmbyer çmimet e kësaj kategorie në pothuajse të gjitha ceremonitë e këtij edicioni si, “Globi i Artë”, “Critics Choice Awards”, “SAG” dhe të tjera. Kjo mjafton për ta konsideruar pretendenten kryesore për çmimin “Aktorja më e mirë”. Në rast se ndodh ndonjë e papritur, gjasat për ta rrëmbyer këtë shpërblim i ka edhe ylli i filmit “Anora”, Mikey Madison, pas triumfit të saj në ceremoninë “BAFTA”. Gara e ngushtë pritet të jetë mes këtyre dy aktoreve, derisa në këtë kategori të nominuara janë edhe, Cynthia Erivo me filmin “Wicked”, Karla Sofía Gascón me “Emilia Pérez” dhe Fernanda Torres me “I’m Still Here”.
Ndryshe nga kategoritë kryesore të aktrimit, kategoritë për role dytësore të këtij viti janë relativisht të drejtpërdrejta. Po, është gjithmonë e mundur të ketë befasi, por sipas llogaritjeve të ekspertëve, gjasat janë shumë të vogla. Për kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor”, ku sivjet garojnë yjet Yura Borisov, Kieran Culkin, Edward Norton, Guy Pearce dhe Jeremy Strong, parashikohet që fitues të shpallet aktori, Kieran Culkin, për performancën e jashtëzakonshme në filmin “A Real Pain”. Ai i ka rrëmbyer çmimet e kësaj kategorie në secilën ceremoni të këtij sezoni, dhe konsiderohet favorit i fortë për ta mbyllur këtë rrugëtim të suksesshëm me një trofe “Oscar”.

Ekziston një teori, sipas së cilës, polemikat rreth aktores meksikane Karla Sofía Gascón, mund të ndikojnë negativisht në garën e Zoe Saldañas për çmimin “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, ani pse vlerësimet për performancën e saj në “Emilia Pérez” kanë qenë shumë të mira, duke ia fituar këtë trofe në pothuajse të gjitha ceremonitë e këtij sezoni. Megjithëkëtë, ekspertët parashikojnë që në garën e përbërë nga aktoret, Monica Barbaro, Ariana Grande, Felicity Jones, Isabella Rossellini dhe Zoe Saldaña, kjo e fundit i ka gjasat më të mëdha për të triumfuar. 

Skenari i Sean Bakerit për filmin “Anora” është një zgjedhje më e popullarizuar në garën për skenarin më të mirë origjinal. Megjithëkëtë, ekspertët presin të ndodhë ndonjë befasi në këtë kategori. Pika më e fortë e filmit “Anora” është fitorja në ceremoninë “Writers Guild Awards”, ku e mundi pretendentin tjetër të këtij çmimi, “A Real Pain”. Marrë parasysh triumfin e filmit “The Substance” në ceremoninë “Globi i Artë”, dhe atë të “A Real Pain” në ceremoninë “BAFTA”, sivjet gara në këtë kategori duket se do të jetë më e paparashikuara.  

Kategoritë e paparashikueshme dhe vota për aktualitet

Vjetëve të fundit, Akademia pëlqen të nderojë regjisorë në kategoritë për “Skenarin më të mirë”. Kanë kaluar 14 vjet që kur për çmimin “Skenari më i mirë origjinal” nuk është përfshirë regjisori i filmit në listën e të nominuarve, dhe shtatë vjet për garën e “Skenarit më të mirë të adaptuar”. E favorit për ta rrëmbyer “Oscarin” në këtë kategori sivjet po konsiderohet Peter Straughan, për adaptimin emocionues të romanit të Robert Harrisit, “Conclave”.

Chris Sanders me filmin “The Wild Robot” e kryeson listën e favoritëve për çmim “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë i animuar”, por nuk përjashtohet mundësia që fitues të shpallet dhe filmi “Flow”. Pjesë e kësaj gare janë edhe projektet “Inside Out 2”, “Memoir of a Snail” dhe “Wallace & Gromit: Vengeance Most Fowl”

Kategoria për çmimin “Dokumentari më i mirë”, ka relativisht pak parashikues të besueshëm në krahasim me të tjerët në listë. Të nominuar janë dokumentarët “Black Box Diaries”, “No Other Land”, “Porcelain War”, “Soundtrack to a Coup d’Etat” dhe “Sugarcane”. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet një nga çështjet më të rëndësishme globale, prandaj ekspertët e industrisë parashikojnë që trofeun e artë në këtë kategori ta rrëmbejë një dokumentar që përqendrohet në konfliktin tragjik. Favoriti i ekspertëve është “Porcelain War”.

Komentet që ndryshuan qasjen për “Filmin më të mirë ndërkombëtar”

Një garë e fuqishme për çmimin “Oscar” konsiderohet ajo për “Filmin më të mirë ndërkombëtar”. Në shikim të parë, filmi “Emilia Pérez” doli përpara me një epërsi të madhe, i nxitur nga 13 nominimet e tij. Por më pas filluan polemikat rreth komenteve fyese të Karla Sofía Gascónit ndaj Akademisë për ndarjen e çmimeve “Oscar”, komenteve islamofobe dhe kritikave të ashpra ndaj rastit të George Floydit, dhe parashikimet e ekspertëve ndryshuan po ashtu. Ata besojnë se për herë të parë në historinë e “Oskarëve”, gara e ngushtë për këtë kategori do të zhvillohet mes dy filmave, “Emilia Pérez” dhe “I’m Still Here”, të cilët po ashtu janë në garë për çmimin kryesor të ceremonisë, atë “Filmi më i mirë”. 

Në tre vjetët e fundit ka pasur fitues të fuqishëm dhe epikë në kategorinë për “Muzikën më të mirë origjinale”, duke filluar nga filmat e errët e dramatikë si “Dune”, “All Quiet on the Western Front” dhe “Oppenheimer”. Edhe sivjet mund të vazhdojë kjo tendencë me triumfin e filmit “The Brutalist” dhe kompozitorin Daniel Blumberg. 

Kurse parashikimet për çmimin “Kënga më e mirë origjinale” janë në favor të filmit “Emilia Pérez”. Kënga “El Mal” ka fituar më së shumti çmime të kësaj kategorie gjatë sezonit të shpërblimeve në Hollywood, por ndoshta Akademia më në fund do të vendosë t’ia dhurojë këtë trofe kantautores, Diane Warren, e cila garon me këngën “The Journey”, kolonë zanore e filmit “The Six Triple Eight”. 
Parashikimet e kategorive për filmin, animacionin dhe dokumentarin më të mirë në metrazh të shkurtër, nuk janë shumë të sigurta, mirëpo në mesin e favoritëve nga ekspertët e filmit janë vlerësuar projektet, “The Man Who Could Not Remain Silent” dhe “Wander to Wonder” dhe “I Am Ready, Warden”.

Marrë nga “The Hollywood Reporter”