Më shumë sesa një union politik, Evropa është një vepër e madhe arti, një bastion i mrekullueshëm i ndarjes së të dhënave të inteligjencës, ama po ashtu edhe shtëpi e një trashëgimie të rrezikuar. Kjo trashëgimi është tepër e rëndësishme për t’u humbur. Nuk mund të lejojmë që piromanët ta ndajnë popullin e Evropës. Duhet të kujtojmë se ne, të gjithë bashkë, jemi ndërtues të tempujve e pallateve, krijues të së bukurës. Ky është mësimi që del prej “Notre Damit” këtë javë të shenjtë
Teksa po e shkruaj këtë shkrim nga Berlini, jam i gjunjëzuar përballë pamjeve të zjarrit, shkatërrimit dhe hirit që ka mbërthyer “Notre Dame de Paris” – Zonjën Tonë të Parisit. Ajo është një thesar i civilizimit, si për ata që besojnë në hyjni ashtu edhe për ata që nuk besojnë. Ajo përfaqëson Evropën e së bukurës, të shpresës hyjnore, të madhështisë dhe fisnikërisë. Sikurse ju, si dhe gjithë të tjerët, jam zemërthyer.
Tragjedia ndjell një varg kujtimesh. Përjetësimi i Katedrales në librin e Victor Hugos “Gungaçi i Notre Damit”, natyrisht, bie menjëherë ndërmend. Po kështu, edhe vargjet e Louis Aragonit: “Asgjë s’është aq e fortë, as zjarri, as vetëtima, se Parisi im që i bën ballë rrezikut/ Asgjë s’është më e bukur sesa ky Paris imi”. Shumëkujt i shkoi nëpër mendje edhe vargu hapës i Baudelaires: “Jam i bukur, o të vdekshëm, si një ëndërr në gur”. Vargu nuk qe shkruar për “Notre Dame”, por padyshim mund të ishte.
Kujtimet zgjaten bukur përtej fjalëve të shkruara. Vetë Katedralja ka qenë dëshmitare e gjallë e shekujve të tërë të historisë franceze, përfshirë episodet që janë tani punë legjende. I ka qëndruar përkrah Francës gjatë kalorësisë së saj mistike, lavdisë dhe errësirës së saj. Më shkon mendja të mesha për shënimin e çlirimit të Parisit më 1944 dhe te konvertimi i një motre më të vogël aty. Qaj bashkë me të, siç qaj edhe bashkë me të gjithë të krishterët, të cilët janë detyruar ta shikojnë Kishën e tyre të dukshme të përpihet nga tymi, shtëllunga, që mbase do ta merrte me vete një pjesë të kishës së tyre të padukshme. Mëngjesin tjetër, e mendova ‘Notre Damin” si Francën e Rezistencës. Ajo mishëron shenjtërinë gotike dhe qetësinë e Seines. Është besimi dhe bukuria që u bënë të dukshme.
Dhe, natyrisht, fjalët e Hugos dhe Aragonit janë akoma aty, duke vallëzuar në kokën time të pagjumë. Pyes veten se si do ta përballoj ditën. Si do të përballemi me të nesërmen? Hugo më furnizon me përgjigje: “Koha është arkitekt, por populli janë muratorët”. Deri në mesditë thjesht mund të shpresoja se zjarri është shuar tërësisht. Për një parisien, është torturë të shohësh pamjet e vazhdueshme të zemrës së qytetit tek kapërdihet nga dhuna e flakëve. Kishte rënë më shumë se një Kishë. Në njëfarë mënyre, “Notre Dame” është shpirti i vetë njerëzisë dhe një copë e kësaj njerëzie tani është dëmtuar përjetë. Ne parisienët po besonim që Zonja Jonë e nderuar të jetë e pavdekshme. Megjithatë këtu ajo ra, e plagosur dhe e pafuqishme përballë fatit, siç ishim ne të gjithë teksa shikonim stihinë.
Megjithëkëtë, në valën e këtyre pamjeve pikëlluese buron një dallgë e ndjenjave të tjera. Italianë, suedezë, irlandezë, spanjollë, kinezë, algjerianë – të gjithë qenë bërë një në bashkëndjesinë e tyre me popullin e Francës. Sikur pas një sulmi, të gjithë po thoshin “Je suis Paris”. Në fund të fundit, në djegien e saj “Notre Dami” na kujton brishtësinë e historisë dhe trashëgimisë sonë, pasigurinë e asaj që kemi ndërtuar dhe natyrën e përcaktuar të Evropës së mijëvjeçarit, mëmëdhe i arteve, për të cilën “Notre Dami” është një prej testamenteve më fisnike. Teksa shikojmë përpara, çfarë duhet të mendojmë? Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të shpresojmë se sakrifica e “Notre Damit” do të zgjojë vetëdijen e dremitur; se, nëpërmjet kësaj katastrofe, njerëzit do të kuptojnë se Evropa është një “Notre Dame” i nënkuptueshëm. Më shumë sesa një union politik, është një vepër e madhe arti, një bastion i mrekullueshëm i ndarjes së të dhënave të inteligjencës, por po ashtu shtëpi e një trashëgimie të rrezikuar. Kjo trashëgimi është tepër e rëndësishme për t’u humbur. Nuk mund të lejojmë që piromanët ta ndajnë popullin e Evropës. Duhet të kujtojmë se ne, të gjithë bashkë, jemi ndërtues të tempujve e pallateve, krijues të së bukurës. Ky është mësimi që del prej “Notre Damit” këtë javë të shenjtë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili për dy vjet ka apeluar për unitet në rindërtimin e Evropës, tani po apelon për unitet në rindërtimin e “Notre Damit”. Bashkë, ne duhet ta restaurojmë zemrën e Francës. Revista ime letrare “La Règle du Jeu” do t’i kontribuojë fondit kombëtar për këtë synim. I nxis të gjithë lexuesit që ta bëjnë të njëjtën. Ne populli jemi muratoret asonët.
Bernard-Henri Lévy është njëri prej themeluesve të lëvizjes “Nouveaux Philosophes” (Filozofët e rinj). Ky vështrim ishte shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore” e cila e botoi për herë të parë këtë vështrim, më 18 prill 2019