Vdekja e prof. Nuhi Vincës, përveçse humbje e madhe për familjen, gjithashtu lë një zbrazëtirë të veçantë edhe në fushën e folkloristikës dhe në kulturën shqiptare përgjithësisht. Ai ishte dhe mbetet një autoritet në këtë fushë, përkrah figurave të shquara në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte kënaqësi e fat i veçantë për të gjithë ne që e njohëm dhe që ishim bashkëpunëtorë e miq të një shkencëtari të shquar të folkloristikës siç ishte ai
Më 9 korrik 2024 ndërroi jetë prof. dr. Nuhi Vinca. Kjo ngjarje e hidhur ka tronditur thellë familjen dhe gjithë kolegët e shokët e tij të shumtë. Ai ishte doktor i letërsisë popullore, shkencëtar, poet, përkthyes e pedagog, i cili nga 93 vjetët e jetës së vet, 7 dekada i ka kaloi me krijimtari shkencore, letrare, e pedagogjike. Deri tash para lexuesit ka dalë me rreth njëzet vepra poetike e gati me po aq libra shkencorë, kurse është paraqitur me më shumë se njëqind kumtesa në tubime të ndryshme shkencore, sesione, simpoziume e kongrese në vend dhe jashtë nga fusha e krijimtarisë gojore dhe e shkruar. Vepra këto që dëshmojnë pasionin e krijuesit dhe të studiuesit të zellshëm, pa të cilin sot ngeli kultura jonë.
Prof. dr. Nuhi Vinca lindi në Veleshtë të Strugës në vitin 1931 (Maqedoni). Si pedagog ka punuar në arsimin fillor, e që nga dita e parë e hapjes së Gjimnazit të Strugës (1960) si profesor i parë i atij gjimnazi deri më 21 prill 1969, kur sistemi monist ia merr të drejtën e edukimit dhe të arsimimit të brezave të rinj, padrejtësi kjo që përsëritet edhe në vitin 1973 në Ferizaj. Bashkë me ndalimin e ushtrimit të profesionit në arsim, iu ndalua edhe udhëtimi jashtë ish-Jugosllavisë për njëzet vjet, nga viti 1970 e deri më 1991 kur erdhi koha e pluralizmit politik.
Prof. Vinca njihet si poet i parë me vepër të botuar lirike për të rritur në gjithë trevën e Strugës me librin “Dallge Jugu”, i cili konsiderohet njëra nga veprat e para shqipe për të rritur në Maqedoni. Ka botuar më shumë se 20 vepra me poezi për të rritur dhe për fëmijë. Disa nga këto poezi janë prezantuar nëpër antologji e janë përkthyer në anglisht, maqedonisht, frëngjisht, turqisht, kroatisht.
Ai pranohet në punë në Institutin Albanologjik të Prishtinës si magjistër i shkencave filologjike më 1977 dhe punon pa ndërprerë deri në pensionim (1991). Aty boton vepra shkencore dhe artikuj studimorë në revistën ”Gjurmime albanologjike”. Është pro¬mo¬vuar doktor i shkencave më 5 maj 1987 në Rektoratin e Uni¬versitetit të Prish¬tin¬ës. Gjatë viteve boton 12 vepra të veçanta, nga të cilat tri janë monografi shkencore e tri antologji që kapin mbi 2000 faqe studim. Po ashtu ka botuar edhe ll2 artikuj shkencorë e eseistikë nëpër revista të ndryshme të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në diasporë. Disa nga këta artikuj janë paraqitur nëpër sesione, seminare, simpoziume ballkanike, kongrese folklorike ndërkombëtare mbajtur në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, ish-Jugosllavi e diasporë.
Prof. Vinca bën pjesë në radhët e punonjësve që me zell iu përkushtua studimit të folklorit shqiptar, megjithatë, veprat monografike si “Lirika popullore shqiptare e dashurisë”, “Lirika popullore shqiptare në trevën e Strugës”, “Poetika e lirikës popullore shqiptare”, përmbledhjet me punime studimore, artikuj dhe vështrime “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” dhe “Vështrime për krijimtarinë gojore e të shkruar” , kontributet për vëllimet folklorike dhe antologjike “Këngë të ndryshme popullore” , “Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë” dhe “Antologji e lirikës popullore shqiptare” përbëjnë kontributet më të rëndësishme në fushën e folkloristikës. Po ashtu ka të përkthyera romane, poema e poezi, tregime nga letërsia kroate, serbe, polake, maqedonase etj., për lexuesit shqiptarë. Ishte anëtar i SHSHSH-së së Maqedonisë, i LSHK-së dhe kryetar i Klubit të shkrimtarëve që përfshin penat e shquara të komunës së Strugës, të komunës së Veleshtës, të komunës së Ohrit dhe të Dollogozhdës.
Krijimtaria e prof.dr. Nuhi Vinces ka qenë objekt shqyrtimi nga ana e penave të njohura e të afirmuara të letërsisë dhe të shkencës si: Akademik Rexhep Qosja, Esad Mekuli, prof. dr. Shefqet Pllana, prof. dr. Zihni Sako, dr. Petro Janura etj. Pos tyre kanë shkruar për veprën poetike të tij edhe Hasan Mekuli, Vehap Shita, Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Deva, Odhise Grillo, dr. Lush Gjergji, Rifat Kukaj, Azem Shkreli, Perikli Jorgoni etj. Për veprat më të reja botuar nga viti 2000 e këndej kanë shkruar edhe prof. Iljaz Prokshi, dr. Izain Murtezani, dr. Petrit Fetahu, dr. Lutfi Turkeshi, Kujtime Kica, P. Muça, V. Nasufi, Din Muça etj.
“Personalisht, kam vite që e kam njohur këtë shqiptar të shquar dhe ruaj për të konsideratën më të lartë. Në sytë e mi, me punën e tij, me mirësinë që e dallon dhe për vitet që mban mbi supe, ai është shndërruar në një intelektual që si pakkujt i shkojnë fjalët e Talmudit se “I lumtur është ai njeri që del nga jeta i pastër ashtu siç ka hyrë”, shkruan poeti i njohur Shpend Topollaj për prof. Nuhi Vincën
Me pak fjalë veprimtaria shkencore e prof. dr. Nuhi Vinces është komplekse edhe si trajtim, edhe si cilësi. Ai mbetet i veçantë në punën e tij, me përkushtimin e posaçëm në trajtimin e shumë çështjeve në folkloristikë e gjithsesi edhe me gjuhën e rrjedhshme dhe me stilin e tij origjinal.
Ai me punën e vet të pandërprerë shkencore, e afirmoi edhe Institutin Albanologjik në rrafshin e folkloristikes sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare.
Në sajë të punës dhe falë aftësive shkencore, duke iu përmbajtur rigorozisht etikës shkencore prof. dr. Nuhi Vinces në Institutin Albanologjik u nderua, në vitin 2009 me mirënjohje për kontribut të jashtëzakonshmen në fushën e albanologjisë.
Vdekja e prof. Nuhi Vincës, përveçse humbje e madhe për familjen, gjithashtu lë një zbrazëtirë të veçantë edhe në fushën e folkloristikës dhe në kulturën shqiptare përgjithë¬sisht.
Ai ishte dhe mbetet një autoritet në këtë fushë, përkrah figurave të shquara në Kosovë dhe Shqipëri.
Duke qenë për një kohë të gjatë punonjës i Institutit Albanologjik, përveç vëllimeve të botuara me firmën e IA, kumtesave të paraqitura e diskutimeve të bëra në aktivitetet shkencore të organizuara nga instituti, në mesin e kolegëve do të mbahet në mend edhe si një njeri i mirë, parimor, koleg shumë i respektuar.
Ne sot po ndahemi nga prof. Nuhi Vinca vetëm fizikisht, sepse trashëgimia që la pas e bëjnë emrin e këtij shkencëtari, profesori, edukatori, intelektuali dhe humanisti të mbetet gjallë për breza të tërë. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar, ashtu si dhe vepra e tij shkencore. Duke e përmbyllur këtë fjalë, në emër të Institutit Albanologjik u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, ish-nxënësve, kolegëve, bashkë¬punë¬torëve të shumtë dhe të gjithë atyre që e kanë njohur prof. Nuhi Vinca, që e kanë nderuar punën e tij si folklorist, si intelektual dhe si veprimtar.
Ishte kënaqësi e fat i veçantë për të gjithë ne që e njohëm dhe që ishim bashkëpunëtorë e miq të një shkencëtari të shquar të folkloristikës siç ishte prof. Nuhi Vinca.
Lë të jetojë përherë kujtimi për familjarin, mikun, kolegun dhe studiuesin prof. Nuhi Vinca. Lavdi e përjetshme intelektualit prof. Nuhi Vinca!
Fjalë e mbajtur në mbledhjen komemorative për prof. dr. Nuhi Vincën më 11 korrik në Institutin Albanologjik të Prishtinës