Shtojca për Kulturë

Një vizitë e harruar e Pamukut në Kosovë

Orhan Pamuk

“Për arsye që nuk varen nga unë, më duhet ta shtyj vizitën time të paraparë për këtë muaj, por definitivisht do të takohemi këtë vjeshtë”, kishte thënë në majin e vjetëm Orhan Pamuk në video-mesazh

Darka private e kryeministrit Kurti me Orhan Pamukun bashkë me përmbajtjen e përshkimit të saj, për ditë të tëra i dha material diskursit publik duke nxitur kërshërinë që rezultoi me diskutime, e nuk kishin munguar as humori e ironia. U rikthye edhe premtimi për vizitën e tij në Kosovë, të paralajmëruar në majin e vjetëm, e shtyrë për në vjeshtë dhe e harruar tashmë

Në fillimqershor, kryeministri Albin Kurti do të ndante një moment të veçantë nga vizita e tij në Stamboll, nga ato që i tejkalojnë protokollet politike. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, njoftoi se kishte darkuar me nobelistin e njohur turk Orhan Pamuk. Kishte shkruar se nuk e ka besuar që shkrimtari Pamuk po e fton për darkë teksa kishte shtuar se kur kjo ka ndodhur, “temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë”. 

Kjo darkë private e kryeministrit bashkë me përmbajtjen e përshkimit të saj nga Kurti, për ditë të tëra i dha material diskursit publik duke nxitur kërshërinë që rezultoi me diskutime, e nuk kishin munguar as humori e ironia. Por mbi të gjitha ky takim tête-à-tête mes Kurtit e Pamukut risjell vëmendjen edhe te vizita e nobelistit në Kosovë, e cila ishte planifikuar të ndodhte vitin e kaluar. Këtë lajm i cili ishte mirëpritur nga shumë lexues të shkrimtarit turk, dhe admirues të letërsisë e kishte konfirmuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nëpërmjet një postimi në Facebook. 

“Kënaqësi e veçantë ta presim në Kosovë shkrimtarin e madh turk, fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi, Orhan Pamuk. I përkthyer në dhjetëra gjuhë, me miliona kopje të shitura, Pamuku është shpërblyer me shumë çmime në fushën e kulturës”, kishte shkruar ministri Çeku në maj të 2023-tës. Ishte paraparë që sipas agjendës ai të qëndronte ne Kosovë prej 24 deri më 26 maj.

Por rreth një javë pas, laureati i çmimit “Nobel” kishte njoftuar personalisht nëpërmjet një video mesazhi se e kishte shtyrë vizitën e tij në Kosovë për në vjeshtë. Konfirmimi kishte ardhur edhe nga MKRS-ja. “Me keqardhje ju informojmë që vizita e planifikuar e shkrimtarit të njohur turk, Orhan Pamuk është shtyrë për në vjeshtë. Edhe pse ardhja e tij ishte e konfirmuar, planifikuar dhe organizuar deri në detajet e fundit, për shkaqe të tij personale, Pamuku ka kërkuar që vizita të aranzhohet për një datë tjetër”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë së Kulturës në Facebook. 

“Për arsye që nuk varen nga unë, më duhet ta shtyj vizitën time të paraparë për këtë muaj, por definitivisht do të takohemi këtë vjeshtë”, kishte thënë në majin e vjetëm Orhan Pamuk në video-mesazh. 

Por shkrimtari i shumë kryeveprave letrare bashkëkohore nuk e shkeli tokën e Kosovës as në vjeshtën e vitit të kaluar. 

Të kontaktuar nga KOHA rreth kësaj vizite, MKRS-ja ka thënë sërish përgjigjen e njëjtë, ndërkaq një riaranzhim i kësaj vizite nuk shihet fare në horizont. Sipas MKRS-së, mbetet në vullnetin dhe agjendën e vetë mysafirit. 

“Ardhja e shkrimtarit të njohur turk, Orhan Pamuk në Kosovë ishte e konfirmuar, planifikuar dhe organizuar deri në detajet e fundit, por për shkaqe të tij personale, Pamuk ka kërkuar që vizita të aranzhohet për një datë tjetër. Sa i përket datës së radhës, agjenda e tij ende nuk është liruar dhe mbetet të shohim për të caktuar vizitën”, ka qenë përgjigjja e MKRS-së për KOHË-n, duke atashuar në e-mail dhe video-mesazhin e Pamukut të datës 18 maj të vitit të kaluar. 

Orhan Pamuk, romancieri, skenaristi dhe akademiku turk, u lind në vitin 1952 në Stamboll. Ai ndoqi mësimet e para në prestigjiozin “Robert College” në Stamboll, dhe vazhdoi studimet për arkitekturë në Universitetin Teknik të Stambollit. Pas tre vjetësh ai e braktisi shkollën dhe iu përkushtua plotësisht shkrimit. Pamuk u diplomua në vitin 1977 në Institutin e Gazetarisë të Universitetit të Stambollit, por kurrë nuk punoi si gazetar.

Në vitin 1982 botoi romanin e tij të parë, “Cevdet Bey and his sons” (Xhevdet beu dhe të bijtë), e cila vendosej në kontekstin gjatë krijimit të republikës turke. Romani u nderua me çmimin letrar “Orhan Kemal” dhe “Milliyet”. Ndërsa në vitin 1983 ai botoi romanin e tij të dytë “Sessiz Ev” (Shtëpia e heshtjes), që mori çmimin “Prix de la découverte européene” në vitin 1991. “My Name Is Red” (Unë jam e Kuqja), u botua në vitin 1998. Ky roman fitoi çmimin francez “Prix du meilleur livre étranger”, italianin Grinzane Cavour (2002) dhe çmimin letrar Ndërkombëtar IMPAC Dublin (2003). Ndryshe Pamuk njihet edhe si një shkrimtari i cili ka përdorur pendën e tij të përçoj dhe mesazhe politike. Në vitin 2005 Pamuk dha një intervistë për një gazetë zvicerane me deklarata të forta për katastrofën armene si dhe problemet e vazhdueshme të Turqisë me pakicën e saj kurde, grupin etnik më të madh në botë pa atdhe. Kështu ai u bë objektiv i kërcënimeve me vdekje dhe u detyrua të largohej nga shtëpia e tij në Stamboll. U kthye për t'u përballur me ndjekjen penale sipas një ligji të ri që ishte miratuar në qershor të 2005-s. Më pas procesi u pezullua. Në vitin 2006, Pamuk u nderua me çmimin “Nobel” për letërsinë. Në banketin ku ishin ndarë çmimet në Stokholm, pas ceremonisë së dhënies së çmimeve, Pamuk kishte mbajtur fjalimin e tij. Kishte ndarë motivin e tij kryesor pse ai ka zgjedhur shkrimin dhe fuqinë që ka letërsia. “’Pse shkruani?’ Kjo është pyetja që më është bërë më shpesh në karrierën time. Në shumicën e rasteve ata thonë këtë: Çfarë kuptimi ka, pse i jepni kohën tuaj këtij aktiviteti të çuditshëm dhe të pamundur? Pse shkruan… Duhet të japësh një justifikim, një apologji për të shkruar… Kështu jam ndjerë sa herë që e kam dëgjuar këtë pyetje. Por sa herë jap një përgjigje tjetër… Ndonjëherë them: Nuk e di pse shkruaj, por padyshim që më bën të ndihem mirë. Shpresoj të ndieni të njëjtën gjë kur më lexoni! Ndonjëherë them se jam i inatosur dhe prandaj shkruaj. Shumicën e kohës dëshira është të jesh vetëm në një dhomë, prandaj shkruaj. Në fëmijërinë time doja të bëhesha piktor. Pikturoja çdo ditë. E kam ende atë ndjenjën fëmijërore të gëzimit dhe lumturisë sa herë që shkruaj. Unë shkruaj për të ndjekur atë lumturinë e vjetër fëmijërore dhe kjo është arsyeja pse për mua letërsia dhe shkrimi janë të lidhura pazgjidhshmërisht me lumturinë, ose mungesën e saj…palumturinë”, kishte thënë në vitin 2006 në pranimin e çmimit “Nobel” për letërsinë, shkrimtari veprat e të cilit janë përkthyer në 63 gjuhë.