Shtojca për Kulturë

Një vepër apologji për vlerën e sakrificës

Në veprën “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” – përgatitur nga Sabri Novosella, “Dukagjini”, Prishtinë, 2023 – ne shohim se guximi i Demaçit për qëndresë brenda së pamundurës është nyja ontologjike e lidhjes së ndërgjegjes morale e intelektuale të Rexhep Qosjes me Demaçin. Është kjo nyjë lidhëse e cila do të sigurojë që marrëdhënia mes tyre asnjëherë të mos e ketë fatin e marrëdhënies së Sartërit me Kamynë për t’u rrëgjuar deri në “prishje”

Hyrje

Në përvjetorin e 5-të të vdekjes së Adem Demaçit u përurua libri “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” përgatitur nga Selatin Novosella. Duke e përuruar këtë vepër, përvjetorin e vdekjes së Adem Demaçit e shënojmë në mënyrë aktive, ashtu siç ishte vetë Demaçi në jetë, si dhe ashtu siç dëshironte Demaçi që të jetë aktive jeta mendimore e veprimore e kombit shqiptar.

Pse është e rëndësishme vepra “Rexhep Qosja për Adem Demaçin”?

Çfarë përfaqëson Adem Demaçi për jetën mendimore e morale të Rexhep Qosjes?

Pse janë të rëndësishme për ne sot ndjenjat, mendimet dhe vlerësimet e Rexhep Qosjes për Adem Demaçin?

Ndjenjat, mendimet dhe vlerësimet e Rexhep Qosjes për Adem Demaçin, të cilat i gjejmë në mënyrë të përmbledhur në këtë libër, janë të rëndësishme, sepse janë një mundësi vetëreflektimi racional:

për gjendjen e vetëdijes sonë politike dje dhe sot; dhe

për gjendjen e marrëdhënies së vetëdijes sonë politike e kulturore me vlerën e sakrificës, si bazament i idesë së lirisë.

“Ne ishim prishur me njëri-tjetrin. Një prishje s’është asgjë – qoftë edhe sikur të duhet që të mos shiheni më. Ajo është një tjetër mënyrë për të jetuar së bashku, pa e humbur njëri-tjetrin nga vështrimi në botën tonë të ngushtë që na është dhënë. Por, kjo s’më pengonte të mendoja për të, t’ia ndieja vështrimin mbi faqen e librit, mbi gazetën që lexonte, dhe të thosha me vete: ‘Po ai, ç’mendon për këtë? Ç’mendon në këtë çast?” .

Këto janë fjalët mortore të Zhan Pol Sartërit të shqiptuara prej tij me rastin e vdekjes tragjike të Albert Kamysë. Përmes këtyre fjalëve të përzgjedhura, Sartëri përpos që e pohon të vërtetën për marrëdhënien kundërshtuese deri në armiqësi që kishte me Kamynë, ai këtu e shqipton edhe një të vërtetë më thelbësore, e cila e përcaktonte këtë marrëdhënie: të vërtetën e përmasës së pranisë së Kamysë në ndërgjegjen e tij.

Vepra “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” na shpërfaq gjithë realitetin e pranisë së Adem Demaçit në ndërgjegjen morale e krijuese të Rexhep Qosjes. Përkundër Sartërit dhe Kamysë, marrëdhënia e të cilëve në jetën e tyre intelektuale e veprimore kishte përjetuar momentin e “prishjes”, prej librit “Rexhep Qosja për Adem Demaçin”, mund të shohim se marrëdhënia midis tyre, edhe atëherë kur ata nuk kishin kontakte të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin; edhe atëherë kur ata bashkëvepronin dhe nuk pajtoheshin në vlerësime për mënyrat e veprimit në momente të caktuara; edhe atëherë kur ishin në distanca më të gjata kohore të veçuar nga njëri-tjetri, kurrë, asnjëherë, marrëdhënia e tyre nuk do të rezultonte me “prishje”.

Përputhja në rrafshin botëkuptimor

Bashkimet dhe lidhjet ashtu si edhe dallimet dhe ndarjet ideore e botëkuptimore – përkundër lidhjeve apo ndarjeve biologjike, sociale, klasore etj., të cilat janë jetëshkurtra – janë bashkime e lidhje në njërën anë, apo, ndarje afatgjata në anën tjetër. Idetë janë përfaqësimi më i lartë i vullnetit të personave. “Prishja” e Sartërit dhe Kamysë bazën e vet e kishte në dallimet e thella konceptuale e botëkuptimore që ata kishin për njeriun dhe botën. Koncepti i ekzistencializmit humanist të Sartërit nuk mund të bashkëjetonte e të alternohej me filozofinë e absurdizmit të Kamysë. Njëri koncept, i cili e afirmonte idenë se njeriu është përgjegjës për qëllimet, për zgjedhjet dhe lirinë e vet, kurse tjetri, i cili e afirmonte idenë se ekzistenca njerëzore nuk drejtohet prej asnjë qëllimi racional, s’kishte se si të mos krijonte përplasje edhe mes personave, si përfaqësues të atyre koncepteve.

Përkundër kësaj, botëkuptimi iluminist-humanist do të bëhet nyja e marrëdhënies së pandashme dhe të respektit të ndërsjellë midis Qosjes dhe Demaçit. Emërues i përbashkët i tyre është ndjenja e detyrës – si objekt qëllimor – për konstituimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare në pjesët e kombit shqiptar të mbetur që nga viti 1912 nën kolonializmin jugosllav. Të dy këto personalitete do të jenë të bindura se kalimi nga të qenit objekt në të qenit subjekt në histori, arrihet përmes formësimit të vetëdijes kombëtare. Vetëdija kombëtare për ta nuk është një entitet afektiv, por një aktivitet i vazhdueshëm i të menduarit reflektues racional. Përmes vetëdijes kombëtare, si aftësi vetëreflektuese, në botëkuptimin e tyre politik e kulturor, një popull jo vetëm që bëhet i aftë të zotërojë kuptimin racional të statusit të vet në një moment të caktuar historik, por ai gjithashtu është i aftë t’i kuptojë interesat e veta thelbësore në histori. Formësimi dhe ngritja e vetëdijes kombëtare, për ta, do të jetë kushti për ngritjen e vetëdijes dhe kulturës politike në procesin e bërjes së kombit dhe të shtetit të përbashkët shqiptar.

Image
Vepra “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” është një thirrje e zëshme për nevojën e ngritjes së kulturës sonë politike përmes ngritjes së aftësive të vetëdijes vlerësuese historike me qëllim të zotërimit të kuptimit që ka vlera e sakrificës për bërjen e kombit shqiptar subjekt në histori

Që të dy këto personalitete rolin e vetëdijes kombëtare për shndërrimin e popullit shqiptar nga të qenët objekt në subjekt në histori, do ta shohin të ndërlidhur me rolin subjektiv të njerëzve në rrafshin e të vepruarit brenda praktikës politike, shoqërore e kulturore. Për sendërtimin e kësaj vetëdijeje që në fillim të viteve, ‘60 Demaçi do të angazhohet në praktikën politike, duke flijuar aftësitë dhe talentin e tij krijues letrar të dëshmuar që në vitet ‘50. Qosja, ndërkaq, nga mesi i viteve ‘60, angazhimin e tij do ta përqendrojë në rrafshin e praktikës kulturore e shkencore, për t’iu kthyer më pas edhe praktikës politike në mesin e viteve ‘80 të shekullit që lamë pas, por pa u shkëputur asnjëherë nga veprimi në praktikën kulturore e shkencore. Ishte bindja e tyre e palëkundur se vetëm përmes angazhimit në praktikën politike dhe kulturore, të udhëhequr nga botëkuptimi iluminist-humanist, arsyeja emancipuese kombëtare do të bëhet busulla orientuese e popullit dhe do ta nxisë iniciativën e popullit që ai ta ndryshojë statusin e vet historik: nga të qenit objekt në të qenit subjekt në histori.

Respekti ndaj guximit të Demaçit: dallimi midis trimërisë dhe guximit

Përtej dhe më në thellësi të lidhjes së tyre, si rrjedhojë e botëkuptimit të tyre të përbashkët iluminist-humanist me bazë në trashëgiminë e frymës së Rilindjes Kombëtare, ajo që do ta përcaktojë të qenit të Adem Demaçit aq i pranishëm në ndërgjegjen e Rexhep Qosjes, do të jetë respekti i thellë deri në përulësi morale i Qosjes, për guximin e Demaçit në sakrificë me qëllim të sendërtimit të idealit kombëtar edhe në kushtet e pamundësisë së ekzistencës së atij ideali. Përulësia morale, të cilën Qosja e shfaq në raport me personalitetin e Demaçit, nuk është e kundërta e lartësisë morale. Përkundrazi, është e ngjashmja e lartësisë morale.

Ideja e lirisë, qëndrueshmëria në guxim dhe gatishmëria në sakrificë janë trinomi-shënjues i jetës morale të një kombi. Sakrifica është masa e vullnetit në lëvizje që e synon aktualizimin e vetes në liri. Akti i sakrificës shënon pikën e takimit midis së zakonshmes me të jashtëzakonshmen, të reales me idealen, të imanentes me transcendenten. Sakrifica është cilësi, por jo gjendje vlerore, sepse vlera nuk është e njësishme me cilësinë. Sakrifica është tipar i trimërisë dhe heroizmit, por vetëm në dhe përmes virtytit të guximit sakrifica kuptimësohet si vlerë.

Pse themi kështu? Trimëria është një cilësi e gjendjes shpirtërore që shfaqet e plotë në një moment të caktuar duke mos e njohur frikën. Guximi është virtyti më i lartë i vetëdijes që zgjedh dhe vendos e motivuar nga një shkak racional, pavarësisht nga këshillat e frikës. Karakteri i marrëdhënies së një subjekti me të pamundurën e përcakton të qenit e akteve të tij ose trimërore ose të guximshme. Në veprën “Sarkozy, emri i ç’gjëkafshe është?” Alain Bodiou (Alen Bodië), duke e bërë dallimin në mes të heroizmit dhe guximit thotë se heroizmi është përballja me të pamundurën. Akti i përballjes është çast. Guximi është virtyti i qëndresës së vetëdijshme brenda së pamundurës. Sipas Bodiesë, lënda e guximit është koha, sepse vetëm në shtrirje kohore guximi dëshmohet si virtyt qëndrestar brenda së pamundurës. Guximi, prandaj, nuk është çast, por proces që ndërtohet me vetëdije derisa vetë vetëdija përbrendësohet në guxim. Akti i futjes në guxim e zhbën ç’guximin.

Në historinë tonë më të re politike Adem Demaçi do të jetë i guximshmi i përhershëm dhe i vetmi, asnjëherë i ç’guxuar, sepse vetëdija kombëtare dhe tërë qenia e tij do të përbrendësohet në virtytin e guximit. Guximi dhe vetëdija kombëtare do të jenë identike në identitetin e personalitetit të Demaçit. Prandaj, i pangjashëm me askënd dhe askush i ngjashëm me të. Demaçi nuk do të jetë Perikleu – i cili sigurimin e mirëqenies së qytetarëve athinas e shihte duke i rritur kushtet e ndërveprimit produktiv shoqëror, ekonomik, kulturor etj., – por Spartaku, i cilin qëndron brenda së pamundshmes së idesë së lirisë për skllevërit në kohën kur skllavëria konsiderohet një e dhënë nga Zeusi, e përhershme dhe e pandryshueshme. Heronjtë (guximtarët, vër. ime!) – thotë Niçe – në marrëdhënie me kohën janë sikur prindi me fëmijën e tij: fëmijës i duhet kohë e gjatë për të arritur në moshën e shtyrë të prindit të vet. Virtyti i qëndresës në të pamundurën Demaçin e bën të jetë prindi ynë historik, sepse ishte shumë, shumë kohë para nesh dhe shumë, shumë lart nesh që ne të arrijmë në lartësinë e pjekurisë së tij morale kombëtare.

Në veprën “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” ne shohim se guximi i Demaçit për qëndresë brenda së pamundurës është nyja ontologjike e lidhjes së ndërgjegjes morale e intelektuale të Rexhep Qosjes me Demaçin. Është kjo nyjë lidhëse e cila do të sigurojë që marrëdhënia mes tyre asnjëherë të mos e ketë fatin e marrëdhënies së Sartërit me Kamynë për t’u rrëgjuar deri në “prishje”.

Rexhep Qosja, Adem Demaçin do ta cilësojë “Apostull të lirisë”. Apostullizmi këtu nuk përdoret si koncept kristian. Duke u mbështetur në konceptin e filozofisë së historisë të Hegelit, Demaçi për Rexhep Qosjen nuk është individi, por agjenti i shpirtit të popullit shqiptar në histori, e cila, duke përparuar nëpër faza të ndryshme, përmes individualiteteve si Demaçi, e realizon veten e vet. Individualitetet, sikur Demaçi, janë gur themel i individualitetit dhe subjektivitetit të kombeve të tyre në kohë. Ato e lartësojnë shpirtin e kombit të tyre në histori. Prandaj, për Rexhep Qosjen lufta kundër Adem Demaçit gjatë kohës së kolonializmit jugosllav ashtu sikur edhe përpjekja e vazhdueshme për izolimin e tij duke e degraduar e përçmuar deri në fyerje guximin e tij në sakrificën, e kjo do të thotë mohimin e qenies së tij, që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar e deri në vdekjen e tij, është luftë kundër vullnetit të synimeve të kombit shqiptar në histori.

Demaçi – mishërim i marrëdhënies së pandarë të idesë së lirisë me idenë e sakrificës

Në këtë vepër, Rexhep Qosja, duke e çmuar deri në përulësi morale guximin e Demaçit në sakrificë, në mënyrë implicite, e vendos gishtin në plagën më të rëndë të trupit moral të kombit shqiptar: në plagën e rëndë e të thellë morale që shkakton çrregullimi dhe shpërfytyrimi hermeneutik i vetëdijes sonë kombëtare e shtetërore për përcaktimin e marrëdhënies së idesë së lirisë me idenë e sakrificës, si mbështetëse e idesë së lirisë. Një gjendje e tillë çrregullimi është tregues i aftësive të munguara të vetëdijes sonë vlerësuese historike për vetë idenë e lirisë. Për shkak të të qenit për një kohë të gjatë të robëruar, vetëdija jonë vlerësuese edhe sot e kësaj dite, jo vetëm që nuk ka arritur të përcaktojë kritere objektive për vlerësimin e sakrificës si bartëse e lirisë, si ide dhe vlerë, por as nuk ka arritur ta formojë një ide të qartë për marrëdhënien e idesë së lirisë me idenë e sakrificës. Në mungesë të përcaktimit të një kriteri të qëndrueshëm e objektiv, që do ta maste sakrificën si vlerë, vetëdija jonë vazhdon të mbetet në një gjendje të rënduar paqartësie përballë antipodeve të idesë dhe vetë vlerës së lirisë: karrierizmit politik, demagogjisë politike, relativizimit të të vërtetave për meritorët e lirisë dhe për penguesit e zhvatësit e saj. Kjo paqartësi vazhdon sot dhe, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë për shumë e shumë kohë edhe në të ardhmen të mbetet një pamundësi e vetëdijes sonë politike për identifikimin e interesave themelore kombëtare shqiptare, si dhe për orientimin e kombit shqiptar në histori në përputhje me ato interesa.

Vepra “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” është një thirrje e zëshme për nevojën e ngritjes së kulturës sonë politike përmes ngritjes së aftësive të vetëdijes vlerësuese historike me qëllim të zotërimit të kuptimit që ka vlera e sakrificës për bërjen e kombit shqiptar subjekt në histori. Nuk mund të merret me mend ekzistenca e një kulture në përgjithësi, si dhe ekzistenca e një kulture politike emancipuese në veçanti, pa idealin e lirisë dhe pa kriterin vlerësues të sakrificës, si bazament i lirisë.

Çështjet e ngritura sot në debatin publik, si ajo: se a ishte Skënderbeun GUXIMTAR i lirisë apo “bukëshkalë i Sulltanit”; se a ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit projekt i kombit shqiptar apo vullnet “dashamirës” i Perandorisë Osmane ndaj shqiptarëve; se e drejta historike a ishte në anën e Fan Nolit e Bajram Currit apo Ahmet Zogut; se e drejta historike a ishte në anën e partizanëve apo të ballistëve; se e drejta historike a ishte në anën e paqësorëve apo të luftëtarëve të UÇK-së; të gjitha këto çështje flasin, jo vetëm për gjendjen e konfuzitetit mendor dhe të paqartësisë sonë hermeneutike e aksiologjike për dhe rreth vlerës së lirisë, por edhe për shkaqet dhe për jetëgjatësinë e kësaj paqartësie, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon t’i pamundësojë aftësitë tona mendore për zotërimin e kuptimit të interesave thelbësore si komb në histori. Kjo gjendje mendore nuk mund të shërohet me vendime administrative. Tejkalimi i kësaj gjendjeje paqartësie kërkon një moral të ri epistemologjik për zhbërjen e paradigmës skllavërore, si ontologji e gjendjes sonë mendore, e cila, edhe në kushtet e sotme të lirisë së jashtme, vazhdon t’i mbajë peng ngurtësisht në konfuzitet aftësitë tona të brendshme për reflektim racional e emancipues për vlerën e lirës dhe veten tonë si komb.

Fjalët e Rexhep Qosjes për Demaçin në librin “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” janë ftesë që i bëhet virtytit të guximit të kombit shqiptar për vetëreflektim vlerësues brenda së pamundurës së realitetit të shpërfytyruar mendor që ne kemi krijuar për marrëdhënien midis idesë së lirisë dhe idesë së sakrificës. Qartësia kuptimore e një marrëdhënieje të tillë ndërtohet përmes një episteme kombëtare, si bazament për ngritjen e aftësive të vetëdijes sonë vlerësuese historike me qëllim të zotërimit kuptimor për atë se çfarë është e rëndësishme dhe e vlefshme për bërjen e kombit shqiptar subjekt në histori. Pa këtë epistemë orientimi ynë në histori do të mbetet gjithnjë i fragmentuar dhe konfuz.

Personaliteti i Adem Demaçit është epistema kombëtare që u jep qartësi kuptimore qëllimit dhe orientimit tonë si komb në histori!

Fjalë e mbajtur më 26.7.2023 në Institutin Albanologjik në përurimin e librit “Rexhep Qosja për Adem Demaçin” me rastin e shënimit të 5-vjetorit të vdekjes së Adem Demaçit. Botohen me lejen e autorit.