Shtojca për Kulturë

Një “Serbi e Madhe” para emrit të Jugosllavisë

Serbia

Harta e cila më 7 janar të vitit 1992 u botua në revistën “Epoha” të Partisë Socialiste të Serbisë, e cila ilustronte shtetet e mundshme jugosllave pa Slloveninë

Sipas Nevenka Tromp, autore e librit “Gjykimi i papërfunduar i Slobodan Milosheviqit”, strategjia e Milosheviqit në përgjigje ndaj pavarësisë së Kroacisë ishte ripërcaktimi i kufijve të brendshëm të federatës dhe afishimi i udhëheqjes sllovene dhe kroate si përgjegjëse për rrënimin e shtetit shumëkombësh jugosllav. Ishte e qartë se kreu shtetëror politik serb kishte një plan të qartë për zhbërjen e Jugosllavisë dhe krijimin e një Serbie të Madhe

Në kapitullin e katërt të librit “Gjykimi i papërfunduar i Slobodan Milosheviqit” të Nevenka Trompit trajtohen përpjekjet e udhëheqjes serbe për të mbajtur një Jugosllavi të cunguar, prapa së cilës fshiheshin dy qëllime të qarqeve politike dhe ushtarake serbe: krijimi i Serbisë së Madhe para emrit të Jugosllavisë dhe që përmes këtij emri të ruheshin vazhdimësia dhe privilegjet e një shteti që nuk ekzistonte më në sistemin ndërkombëtar.

Nisur nga këto premisa, si dhe me instruksionet e Milosheviqit, kreu politik dhe ushtarak nisi realizimin e planit për ngritjen e një Jugosllavie të tillë të cunguar përmes krijimit të “Rajoneve Autonome Serbe” përgjatë kufijve të projektuar perëndimorë të shtetit të ardhshëm serb.

Përpjekjet për të vendosur kontroll mbi territoret serbe në Kroaci filluan përmes mbështetjes politike dhe ushtarake të Beogradit, që pikënisjen e kishin te demonstratat viktimizuese, që u bënë të njohura me emrin “revolucioni i trungjeve”, për shkak se si barrikada u përdorën trungjet si barriera për depërtimin e policisë kroate. Sipas autores, kjo formë e rebelimit të serbëve të Kroacisë shënoi fillimin e një konflikti të armatosur me tipare kriminale, prapa së cilës qëndronte jo vetëm JNA-ja si institucion federal, por edhe Ministria Federale e Punëve të Brendshme, si dhe Ministria Serbe e Punëve të Brendshme. Vlen të tërhiqet vëmendja se forma e sjelljes agresive të Beogradit ndaj Kroacisë dhe mënyra e përdorimit të serbëve si instrument për arritjen e qëllimeve politike të serbëve të Kroacisë ndiqnin të njëjtën strategji të cilën e kishte aplikuar Beogradi në rastin e instrumentalizimit dhe viktimizimit të serbëve të Kosovës gjatë viteve 1980. Ngjashëm si në rastin e Kosovës, në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës elita intelektuale serbe e kishte dramatizuar pozitën e serbëve në Kroaci, duke pohuar se mbijetesa e tyre po përballej me kërcënimin më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. Intenca serbe ishte krijimi i një territori ekskluziv serb në territorin kroat, i cili do të bëhej pjesë përbërëse e Serbisë dhe kjo ishte arsyeja përse Ushtria Popullore Jugosllave e ndihmoi rebelimin e tyre. Në këtë kontekst, autorja e librit, artikullin e revistës “Epoha”, botuar nga SPS-i i Milosheviqit, në të cilën përfshiheshin disa harta që ilustronin shtetet e mundshme jugosllave pa Slloveni, i konsideron si prova të rëndësishme që vërtetojnë se dhuna e luftës në Kroaci nuk ndodhi rastësisht, por ishte planifikuar paraprakisht nga udhëheqja politike serbe, gjë e cila mundi të vihej në jetë gjatë viteve 1991-1992, kur forcat serbe kryen krime në masë kundër kroatëve. Sipas Tromp, strategjia e Milosheviqit në përgjigje ndaj pavarësisë së Kroacisë ishte ripërcaktimi i kufijve të brendshëm të federatës dhe afishimi i udhëheqjes sllovene dhe kroate si përgjegjëse për rrënimin e shtetit shumëkombësh jugosllav. Ishte e qartë se kreu shtetëror politik serb kishte një plan të qartë për zhbërjen e Jugosllavisë dhe krijimin e një Serbie të Madhe. “Biseda tregonte se Milosheviqit dhe Karaxhiqi parapëlqenin shpërbërjen, por nuk donin të shiheshin si palë përgjegjëse për këtë, në vend të kësaj, ata ishin të vendosur që fajin për shpërbërjen e Jugosllavisë t’ua faturonin udhëheqësve të Sllovenisë e Kroacisë”, thotë autorja. Sipas dokumenteve të Tribunalit të Hagës, të cilat prezantohen në këtë libër, në përpjekje për arritjen e objektivave politike dhe ushtarake të Milosheviqit, mbledhja e 143-të e Kryesisë së RSFJ-së më, më 1 tetor 1991, shërbeu si moment kulmor për shpërbërjen e RSFJ-së dhe përdorimin e APJ-së së serbizuar. Paralelisht me këto zhvillime jepen detaje të shumta dhe dëshmi nga Tribunali i Hagës, të cilat hedhin dritë mbi rrethanat dhe objektivat e formimit të strukturave paraushtarake serbe, përkatësisht të kampit stërvitor nën drejtimin e Zhelko Razhnatoviq, i njohur ndryshe si “Arkani”, komandant i njësisë paraushtarake serbe të njohur me emrin “Tigrat”.

Plani për ndarjen e Bosnjës midis Serbisë dhe Malit të Zi

Kapitulli i radhës, i pesti me radhë, shqyrton luftën në Bosnjë-Hercegovinë, krimet e kryera atje kundër joserbëve në kuadrin e strategjisë serbe të ndarjes etnike dhe krijimin e territorit të kontrolluar nga serbët, që u bë i njohur si Republika Srpska (RS), e cila në fakt shënoi jetësimin e objektivit të katërt të planit të Milosheviqit. Në këtë kuadër, autorja u referohet qëllimeve, takimin e Karagjorgjëve (mars 1991) midis Milosheviqit dhe Tugjmanit, i cili shpërfaq tendencën për të zgjidhur çështje të rëndësishme midis serbëve dhe kroatëve dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe për ta trajtuar Bosnjë-Hercegovinën si objekt të një zgjidhjeje serbo-kroate. Lidhur me këto zhvillime, si referencë përmendet ish-kryeministri i RSFJ-së, Ante Markoviq, i cili pohoi se Milosheviqi dhe Tugjmani kishin bërë plane për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës midis Serbisë dhe Malit të Zi. Inspirues dhe ideologë të planeve të Serbisë së Madhe në Bosnjë-Hercegovinë ishin Radovan Karaxhiq, më pas i dënuar për krime lufte në Tribunalin e Hagës dhe Partia Demokratike Serbe. Autorja u kushton vëmendje të veçantë ngjarjeve që i paraprinë agresionit kundër Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, duke analizuar njëkohësisht marrëdhëniet e ngarkuara dhe konfliktuale serbo-kroate për çështje historike dhe të kufijve, të cilat shpeshherë tejkaloheshin ose liheshin mënjanë kur bëhet fjalë për Bosnjën-Hercegovinën.

Arsyetimi me “ortodoksizmin” e myslimanëve boshnjakë

Në këtë kontekst vihet në dukje se midis dy vendeve e kontestonin në shumë pikëpamje ekzistencën e Bosnjë-Hercegovinës si shtet edhe boshnjakët si komb shtetformues. Derisa për Milosheviqin, Bosnjë-Hercegovina ishte entitet artificial dhe i paqëndrueshëm dhe se shumica e myslimanëve boshnjakë kishin qenë ortodoksë përpara se t’i detyronin të ndërronin fenë, pothuaj në të njëjtin këndvështrim edhe Tugjmani e shihte Bosnjë-Hercegovinën si një anomali historike si pasojë e pushtimeve osmane në shekullin e 15-të. Ishte e qartë se as Kroacia dhe as Serbia nuk e dëshironin një shtet të përbashkët boshnjak, sepse ekzistenca e tij konsiderohej pengesë për planet e tyre për të formuar shtetet e tyre të përbashkëta brenda kufijve, ku secili shtet do të përfshinte territore të caktuara në Bosnjë–Hercegovinë. Megjithëkëtë, autorja tërheq vëmendjen se nuk mund të vihet shenja e barazimit ndërmjet politikës kroate dhe asaj serbe ndaj Bosnjë-Hercegovinës për faktin se Kroacia kishte pranuar bashkëpunimin e saj me autoritetet e ligjshme të Bosnjë-Hercegovinës që nga marsi i 1993-s, përderisa Serbia nuk e njohu pavarësinë e Bosnjë-Hercegovinës derisa kufijtë e Republikës Serbe, të vendosur me luftë, u çimentuan me Marrëveshjen e Daytonit (1995). Politika serbe pa dyshim shfaqi brutalitetin më të madh në Bosnjë-Hercegovinë, ngase qëllimet e politikës së Serbisë së Madhe ishin spastrimi etnik i territorit nga elementet joserbe.

Çimentimi i pushtimeve ushtarake territoriale serbe

Në këtë kuadër Tromp i kushton vëmendje të veçantë qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj agresionit dhe gjenocidit në Bosnjë-Hercegovinë, e cila nëpërmjet nismave të saj në fakt e legjitimoi dhe e favorizoi ndarjen etnike të Bosnjë-Hercegovinës. Një praktikë e tillë është e dukshme që nga fillimi, domethënë nga Planet Cutileiro, Vence-Owen, Owen-Stoltenberg e deri te Marrëveshja e Daytonit, e cila ndodhi vetëm pas muaj pas gjenocidit serb në Srebrenicë. Gjithashtu, autorja analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse ndikimin dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Milosheviqit në vendimmarrjen e udhëheqjes serbe të Bosnjë-Hercegovinës, duke e identifikuar atë si politikanin që luajti rol vendimtar në formësimin e politikës serbe të Bosnjës. Prandaj, nuk ishte rastësi që Milosheviqi doli në qendër të skenës si negociator kryesor i të gjithë serbëve në Konferencën e Daytonit, e cila po ashtu legjitimoi krijimin e Republikës Serbe të krijuar mbi politikat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit, respektivisht 49 për qind të territorit. “Marrëveshja e Paqes së Daytonit e pranoi situatën në terren si fakt të kryer, duke çimentuar pushtimet ushtarake territoriale serbe si bazë për ndarjen e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës dhe duke përligjur objektivat serbe të luftës dhe mënyrën se si u arritën”, vë në dukje autorja.

Në fakt në Dayton, politika serbe, pos anashkalimit të çështjes së Kosovës, në përgjithësi arriti të realizonte qëllimet politike të miratuara nga Kuvendi i RS-së në maj të vitit 1992 dhe i njohu si Gjashtë Objektivat Strategjike, sipas të cilave serbët i bënë të qarta synimet për spastrime etnie, për kufij të rinj dhe korridore mes serbëve të Kroacisë dhe Bosnjës, si dhe synimet për sigurimin e një daljeje në det për Republikën Serbe. Kur analizohen këto objektiva serbe të duket qartë një koincidencë jo e rastësishme me kërkesat serbe ndaj territoreve shqiptare në Konferencën e Londrës 1912/13, kur Serbia pasi kishte pushtuar Kosovën kërkonte Durrësin dhe daljen në detin shqiptar. Andaj, mund të thuhet se këto kërkesa ishte vazhdimësi e kërkesave serbe të parealizuara në konferencat e Londrës dhe Versajës.

“Korridoret e përmendura në Gjashtë Objektivat Strategjike ishin vendet ku do të kryheshin krimet më të rënda gjatë luftës. Cilësimi i tyre si ‘territore serbe’ në bazë të rëndësisë strategjike dhe jo të përbërjes etnike, do të thoshte që këto zona shpesh kishin popullata të mëdha joserbe”, thekson Tromp.

Fshehja e dokumenteve pas rënies së Milosheviqit

Në këtë kapitull të librit, autorja na sjell fakte dhe dëshmi interesante se Serbia edhe pas rënies së Milosheviqit mori masa për fshehjen e dokumenteve, që ajo i konsideronte rrezik për “interesin jetik të shtetit”. Sipas autores një gjë e tillë u realizua në bisedimet ndërmjet Prokurorisë së Hagës dhe Beogradit lidhur me kushtet për dorëzimin e dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes. Sipas autores, arsyeja për një ndërmarrje të tillë të Beogradit dhe Hagës ishte që të parandalohej dalja në publik e dokumenteve, të cilat Bosnjë- Hercegovina do të mund t’i kishte përdorur në padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 1993. Dhe përderisa po Gjykata kishte caktuar mbajtjen e seancës gjyqësore më 3 qershor 2003, me mbështetjen e kryeprokurores së TPNJ-së, Carla del Ponte, e cila ndoqi qasjen politike me udhëheqjen e Serbisë, arriti një kompromis i cili në procesin e marrjes së Këshillit Suprem të Mbrojtjes pranonte të mbronte pjesë të dokumentacionit të tij. “Më 24 maj, në kundërshtim me rekomandimin me shkrim të prokurorit Geoffrez Nice, i cili ishte përgjegjës për shqyrtimin gjyqësor-kryeprokurorja e TPNJ-së, Carla del Ponte i dërgoi një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Goran Svilanoviq, ku pranonte mbrojtjen e pjesëve të përzgjedhura të dokumenteve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes. Del Ponte, e cila më pak se një dekadë pas ndërhyrjes së NATO-s, në vitin 2008, në librin e saj me kujtime ngriti pretendime se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë mbi të gjitha, trafikimin e organeve njerëzore, sipas prokurorit të atëhershëm Nice, nuk kishte asnjë bazë ligjore për letrën dërguar Svilanoviqit. Këtë rrethanë autorja librit e sheh si favor të madh për Serbinë, e cila në GJND, ku u konfirmua se në Bosnjë-Hercegovinë ishte kryer gjenocid, ia doli të shmangte përgjegjësinë për gjenocid, porse ishte përgjegjëse vetëm “për mosndalimin e tij në bazë të Konventës së Gjenevës.”(f.316).

Megjithëkëtë, Tromp vë në dukej se dokumentet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes nxirrnin në shesh përpjekjet e bëra nga Beogradi për të kontrolluar zhvillimet ushtarake në “Republikën Serbe të Krajinës” dhe në Republikën Serbe të BH-së. Bëhet e qartë se ndihma financiare, ushtarake dhe politike e Beogradit për RS dhe “RSK” pati rëndësi jetike për ngritjen dhe ruajtjen e kapaciteteve të formacioneve ushtarake serbe në pushtimin e territoreve joserbe në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Madje kjo ndihmë, ngjashëm siç po ndodh edhe tani në Kosovë, vazhdoi për një kohë të gjatë edhe pas përfundimit të luftës në Bosnjë dhe në Kroaci në vitin 1995.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë