Nuk besoj që ndonjëri nga ne është futur në grevë me dëshirë. Personalisht e kam shumë të sikletshme dhe nuk ndihem aspak mirë të futem në grevë. Jo për shkak se kërkohet ndonjë guxim i veçantë por më duket që është një akt ku transmetimi i saj përkthehet në një gjuhë të llojit “po hyni në grevë për para”. Si individ dhe si artist ky shtrembërim që plasohet me terma transaksionalë më trazon, më shqetëson, më prek në sedër, me tjetërson, më duket se edhe më dehumanizon. Nuk do të doja të isha në grevë se vetë fjala “grevë” është e rëndë, domethënia e saj është “goditje”. E dua teatrin dhe punën që bëj e jo grevën, por ja ku jemi.
Tashmë janë bërë dy javë prej kur si aktorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, kemi hyrë në grevë, si mjeti i fundit me qëllim të adresimit dhe reflektimit institucional mbi kërkesat tona.
Kjo është hera e dytë për mua që përfshihem në një grevë si aktor i Teatrit Kombëtar. Hera e parë ishte në vitin 2018. Asokohe, njësoj si sot, bëhen shumë diskutime mbi grevën: nëse është e drejtë apo jo, nëse është e nxituar apo jo, nëse ka tendenca të tjera prapa saj apo jo. Këto lloje pyetjesh dhe komentesh më vijnë nga shumë njerëz – artdashës, miq dhe familjarë – të cilët duan të kuptojnë më mirë pse po e bëjmë këtë grevë.
Përgjigjet nuk janë të thjeshta. Ndaj, ndiej të nevojshme të jap një kontribut personal dhe të ndajë reflektimin tim mbi këtë grevë.
Se çdo rol, çdo provë, çdo premierë mbart një pjesë të shpirtit tim dhe të kolegeve të mi. Puna jonë nuk është vetëm një profesion, por është një thirrje, një përkushtim për të sjellë në skenë historitë që prekin zemrat dhe mendjet e njerëzve. Por ky përkushtim kërkon sakrifice – jo vetëm kohë dhe energji, por edhe siguri që puna jonë të vlerësohet dhe të trajtohet me respekt.
Nuk besoj që ndonjëri nga ne është futur në grevë me dëshirë. Personalisht e kam shumë të sikletshme dhe nuk ndihem aspak mirë të futem në grevë. Jo për shkak se kërkohet ndonjë guxim i veçantë por më duket që është një akt ku transmetimi i saj përkthehet në një gjuhë të llojit “po hyni në grevë për para”. Si individ dhe si artist ky shtrembërim që plasohet me terma transaksionalë më trazon, më shqetëson, më prek në sedër, me tjetërson, më duket se edhe më dehumanizon.
Nuk do të doja të isha në grevë se vetë fjala “grevë” është e rëndë, domethënia e saj është “goditje”. E dua teatrin dhe punën që bëj e jo grevën, por ja ku jemi.
Teatri Kombëtar është institucioni më i lartë teatror në vend. Pra është institucioni më i rëndësishëm teatror në vend dhe gjatë nivelizimit të pagave që është bërë në të gjithë Kosovën në këtë mandat qeveritar aktorët e këtij institucioni nuk i ka përfshirë kjo ngritje. Pra, pagat e aktorëve të TKK-së kanë mbetur aty ku kanë qenë që prej vitit 2018. Por kemi pritur që një vit e gjysmë që ky ekuivalentim do të ndodhë.
Pra, nuk jemi zgjuar në një mëngjes për t’u futur në grevë. Ajo çfarë ne kemi kërkuar dhe po kërkojmë është pozicionimi i aktorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës ashtu siç e ka statusin TKK-ja.
Kur rëndom qeveritë flasin për një çështje të caktuar, bëjnë krahasime sidomos me vendet e rajonit. Nëse e marrim këtë qasje krahasimore është e rëndësishme të dihet që aktori i TKK-së paguhet më së paku në rajon. Nuk po shkoj më larg se në Shqipëri. Aktorët në Teatrin Kombëtar në Shqipëri paguhen sa dyfishi i aktorit në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E në vend që të vihet theksi te kërkesa kryesore, me ose pa dashje qarkullojnë argumente e arsyetime të tjera që në një formë kanë për qëllim të godasin kërkesën kryesore të aktorëve.
Arsyetimet e argumentet kundër janë më të ndryshmet. Një pjesë e madhe nuk qëndrojnë, e një pjesë nëse edhe janë të sakta ato janë totalisht çështje që meritojnë trajtim ndarazi më të cilat probleme duhet të merren menaxhmenti i Teatrit dhe MKRS-ja. Unë nuk e mohoj që ka probleme në TKK, mbase ka edhe të tillë që nuk e meritojnë të jenë në TKK. Mbase ka të tillë që edhe nuk janë as të denjë për të qenë pjesë e TKK-së, por është gabim shumë i madh të neglizhohet rregullimi i statusit të aktorit të TKK-së duke u reduktuar në gjetjen e arsyeve tjera sepse me këtë parim në asnjë institucion nuk do të duhej të kishte gradim meritor e vleror si pasojë e ndonjë imbecili aksidental që mund të ketë futur kokën disi aty.
Kjo nuk do të duhej të ishte tema tash, sepse ne po flasim për një parim, pozicionim, meritokraci dhe hierarki që duhet ta ketë aktori i Teatrit Kombëtar. Problemet e brendshme, duhet të zgjidhen ashtu siç duhet të zgjidhet dhe vendoset aty ku duhet aktori i TKK-së.
Ka vetëm një Teatër Kombëtar të Kosovës në këtë shtet. Ashtu siç ka vetëm një Filharmoni Kombëtare, ashtu siç e ka vetëm një Balet Kombëtar, ashtu siç e ka vetëm një Galeri Kombëtare, ashtu siç e ka vetëm një Muze Kombëtar. Teatri Kombëtar ka qenë, është dhe duhet të jetë me i rëndësishmi në skenën teatrore në vend dhe si i tillë duhet të trajtohet.
Injorimi i kërkesave është zhvlerësim i institucionit e jo injorim i individëve që janë aty. Sot jam unë aty. Ai ose ajo. Nesër unë mund te largohem. Por pozicioni dhe vlera që duhet ta gëzojë pozita e aktorit të Teatrit Kombëtar duhet të njihen. Argumentet dhe informacionet e pasakta që prodhojnë përplasje dhe ndasi, duke e minuar kërkesën e drejtë të aktorëve, nuk ndihmojnë në tejkalimin e situatës. Teatri, ansamblet dhe komuniteti teatror e kanë një rrugëtim kompleks dhe kushdo që mendon që ky problem tejkalohet me zgjidhje e improvizime të arnuara, gabon. Kabineti dhe MKRS-ja duhet të këshillohen dhe të informohen drejtë nga vartësit e tyre.
Një ndër argumentet tjera që përmendet është edhe koha e grevës, duke tingëlluar kështu si një moment jo i përshtatshëm sepse Kosova gjendet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Rrjedhimisht duke parë ambientin tonë publik e medial, që është i përfshirë totalisht në atmosferë politike, deri diku është edhe e kuptueshme që ky perceptim mund të krijohet.
Por edhe ky argument, përveç perceptimit, nuk qëndron sepse duhet theksuar se këto kërkesa janë artikuluar dhe adresuar në formë të shkruar tash e sa muaj në drejtim të MKRS-së. Ne kemi pasur mirëkuptim dhe jemi duke pritur që një kohë të gjatë për këtë pozicionim që quhet ekuivalentim. Pra kjo betejë vetëm politike nuk është dhe nuk duhet të shihet e perceptohet ashtu. Ne kemi pasur durim dhe mirëkuptim të madh e të gjatë. E dikush mund të thotë “por ministri ka bërë punë të mira”.
Po, ja që unë personalisht pajtohem që ministri Çeku që ka bërë punë të mirë sa i përket për shembull me mbështetjen e skenës së pavarur, ligjin për kinematografi, themelimin e muzeut të artit bashkëkohor, trashëgimi e shumë punë të tjera që meritojnë njohje e vlerësim por ja që natyrshëm në shoqëritë perëndimore e demokratike theksi vihet të diçka që nuk është bërë. Edhe nëse ajo është e vetmja gjë.
Unë besoj që kjo grevë ka mundur të shmangej sikur vullneti verbal i ministrit të bëhej me një zotim në letër ku MKRS-ja kërkon mirëkuptim në një periudhë kohore të caktuar ku do të rregullohet ekuivalentimi i pozicionit të aktorëve në TKK. Sidoqoftë tashmë, greva filloi ashtu siç ishte paralajmëruar dy muaj më herët. Tash jemi ku jemi dhe duhet të shohim përpara.
Ministri është e rëndësishme që të mundësojë mënyrën e duhur për zgjidhjen e këtij problemi. Unë dua të vazhdoj të besoj që ministri me vullnetin dhe kurajën që ka shprehur, do të gjejë rrugë ta konkretizojë këtë çështje.
Nuk duhet të ushqehemi nga jehona apo luftimi i jehonës së kësaj greve. Por duhet të gjejmë zgjidhje. Kjo duhet te jetë beteja. Ministria e ka nën ombrellën e saj vetëm këtë Teatër, prandaj është urgjente që kjo gjë të mos injorohet. Nuk është koha për të treguar forcë dhe pushtet.
Andaj unë, si aktor i këtij teatri, kërkoj dhe i bëj thirrje të sinqertë ministrit, kabinetit të tij, Këshillit Drejtues të TKK, udhëheqësve të TKK-së por edhe vetes sime, kolegëve të mi dhe të gjithë anëtarëve të sindikatës që të gjejmë forcë e të bëjmë një hap tutje dhe të zgjidhim këtë histori. Çdo tendencë e shpërfilljes së kësaj çështjeje duke injoruar njëri-tjetrin, duke e sabotuar njëri-tjetrin, kam frikë që do ta thellojë këtë problem edhe më shumë. Andaj, le të bëjmë të gjithë nga një hap. Edhe nëse kanë ekzistuar keqkuptimet dhe keqinformimet me te thella, të gjitha ato, ju Ministër duhet t’i hidhni prapa dhe ta tejkalojmë këtë. Dhe të përmbyllet ky tregim. Ta tejkalojmë dhe të dalim sipër diskutimit zemërngushtë e polarizues që po mbizotëron në hapësirën e në shoqërinë tone. E kemi obligim meqë quhemi, të paktën në letra, KULTURË.
Le ta bëjmë këtë për teatrin, për artin, për kulturën. Për njëri-tjetrin!
Autori është aktor rezident i Teatrit Kombëtar të Kosovës
© KOHA Ditore