Shtojca për Kulturë

Një dhuratë nga shqiptarët e Ukrainës

“Historia e shqiptarëve të Ukrainës është shumë interesante, një pjesë e kombit tonë, me të cilën fatkeqësisht nuk kemi njohuri, por një pjesë e kombit që ka ruajtur traditën. Shqiptarët e kanë ansamblin e tyre, shqiptarët e Ukrainës e kanë ruajtur edhe gjuhën, edhe kulturën e tyre”, thotë Jakup Lecaj njëri prej atyre që i ka dëshmuar, po i dëshmon e po i mban kontaktet me ta. Ai rrëfen shumë detaje, si ai që lidhet edhe me një dhuratë. Për shqiptarët e Ukrainës zbardhin detaje edhe studiuesit Duat Dauti e Salih Mehmeti. Por shqiptarët e Ukrainës tani po përballen me luftën për të mbetur gjallë prej se Rusia e Vladimir Putinit nisi, më 24 mars, pushtimin e shtetit të pavarësuar më 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik

Ende pa u bërë dy muaj nga urimet më të mira me shqipen e paraardhësve të tyre për bashkëkombësit sanembanë botës, shqiptarët e Ukrainës po përballen me luftën për të mbetur gjallë.

“Gëzuar Vitin e Ri. E keni një përshëndes nga shqiptarët e Ukrainës, pikërisht nga fshati Karakurt i Ukrainës”, uron burri në njërin prej video-xhirimeve të postuara në Facebook në faqen “Albanians of Ukraina – “Shqiptarët e Ukrainës” të hapur e administruar nga lipjanasi Jakup Lecaj, njohës i historisë së shqiptarëve të ish-republikës sovjetike.

“Të mos e harrojmë të gjithë shqiptarët se kemi një gjuhë. Për ata, kemi një traditë, kemi një flamur, kemi një traditë që na bashkon. Rroftë Shqipëri etnike!” – shton burri që puth flamurin kombëtar në stilin e Isa Boletinit te “Nëntori i Dytë”.

“Kur kam shkuar në majin e vitit 2008, e kam ditur se nuk do të mund të ndalem vetëm me herën e parë”, kronikon Lecaj lidhjen e tij me shqiptarët e Ukrainës. “Historia e shqiptarëve të Ukrainës është shumë interesante, një pjesë e kombit tonë, me të cilën fatkeqësisht nuk kemi njohuri, por një pjesë e kombit që ka ruajtur traditën. Shqiptarët e kanë ansamblin e tyre, shqiptarët e Ukrainës e kanë ruajtur edhe gjuhën, edhe kulturën e tyre”.

Por, shqiptarët e Ukrainës tani po përballen me luftën për të mbetur gjallë prej se Rusia e Vladimir Putinit nisi, më 24 mars, pushtimin e shtetit të pavarësuar më 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Image
Gjatë festës së vitit 2011 për 200-vjetorin e themelimit të fshatit Karakurt. “Festa e jashtëzakonshme”, kishte zgjatur nga ora dhjetë e paradites deri në njëmbëdhjetë të natës (Foto: Albanians of Ukraina/FB)

“Ne shqiptarët e Ukrainës do të marrim armët në duar...”

Lecaj tregon në telefon komunikimin me shqiptarët e Ukrainës pas fillimit të agresionit rus. Disa prej tyre kanë lëshuar shtëpitë dhe janë strehuar në Moldavi e shtete të tjera evropiane, por shumica prej tyre po qëndrojnë në vatrat e tyre.

Valery Peykov, oficeri me prejardhje shqiptare në Ushtrinë e Ukrainës, i tregon Lecajt në xhirim se është nga fshati Karakurt.

“Që nga fëmijëria, e di se gjuha shqipe është folur këtu”, thotë Peykov pasi pyetet nga intervistuesi për situatën në Ukrainë. Vizita është zhvilluar në shkurt.

“Na shqiptarët e Ukrainës, na, na ngrihemi, marrim armët në dorë dhe mbrojmë Ukrainën”, thotë Peykov, i cili kishte shërbyer edhe në rajonin e Donbasit pas lëvizjeve separatiste të vitit 2013. Ai kishte shërbyer në kuadër të KFOR-it ukrainas edhe në Kosovë. “Më ka pëlqyer populli i Kosovës shumë, dua të kthehem atje”, thotë Peykov, duke treguar se ata tashmë kanë shoqatën e tyre kulturore-artistike, “Obor Chiptar” në qytetin Izmail, me qëllim që t’i ruajnë kulturën e traditat e të parëve.

“Arnautka”, kokrra e fortë e grurit

Por, cila është historia e migrimit të tyre në shtetin që Rusia e Vladimir Putinit po e pushton me pretendimin se Ukraina nuk duhet të ekzistojë si shtet i pavarur?

Salih Mehmeti, historian, thotë se kontaktet e para me Ukrainën u vendosën në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë kur shumë shqiptarë i vendosën në veri të Detit të Zi, nga trevat e Odesës deri në veri të Detit Azov.

“Në shekullin nëntëmbëdhjetë, me intensifikimin e dhunës dhe konflikteve të armatosura ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Ruse, përkatësisht në luftën e Krimesë, evidentojmë një numër jo të vogël shqiptarësh, të cilët iu bashkëngjitën radhëve të parregullta të ushtrisë osmane, dhe kjo ishte pikërisht koha kur shqiptarët lanë një reputacion goxha të egër në mesin e popullatës rusishtfolëse”, thekson Mehmeti. “Nga kjo kohë, kemi në dialektet jugore të Ukrainës fjalën arnautka, që i referohet një kokrre të fortë të grurit, por që sipas shumicës së shqiptarëve bëhet fjalë për shqiptarët dhe temperamentin e tyre nopran dhe të sertë. Dhe është pikërisht ky imazh që edhe një shkrimtar i njohur si Leon Tolstoi i bën jeh në romanet e tij”.

“Ata veten e quanin albans”

Në verën e vitit 1991, kur Bashkimi Sovjetik ishte në grahmat e fundit, gazetarët shkupjanë, Daut Dauti e Shkëlzen Halimi, do të merrnin udhë drejt Ukrainës në kohën kur Jugosllavia ishte në prag të shkatërrimit të përgjakshëm. Ata do të dëgjonin për shqiptarët, të vendosur në brigjet jugore të shtetit që do të pavarësohej nga Bashkimi Sovjetik. Dy vjet më vonë, Dauti do t’u bashkohej Sefer Musliut dhe Afet Miftarit të redaksisë në gjuhën shqipe të Televizionit të Shkupit për të pasqyruar jetën e shqiptarëve të Ukrainës.

“Vizita jonë, si të themi ishte një shok kulturor midis shqiptarëve të Ballkanit dhe shqiptarëve të harruar të atjeshëm. Ne nuk i zbuluam, por vetëm i rizbuluam, sepse kishim harruar se ekzistonin”, thekson Dauti, bashkautor me Musliun i librit “Shqiptarët e Ukrainës”.

“Kjo bëri që ata ta rizgjojnë vetëdijen e tyre, sepse ne kur kemi qenë, ata as që e dinin se shqiptarët quhen shqiptarë. Ata veten e quanin albans, ashtu sikur iu shkruante në dokumente, ashtu sikur u kishte ngelur në kujtesë kur janë shpërngulur dyqind e kusur vjet më parë”, thekson Dauti, duke treguar se besohet se janë rreth tre mijë shqiptarë në rajonin jugor të Ukrainës.

“Edhe shpërngulja e tyre nuk ishte nga Shqipëria, por nga Bullgaria nga Devne, sepse edhe ky fshati, Karakurti, emrin e parë e dytë ka Devenskov pikërisht për shkak të origjinës”.

Edhe Dauti ka kontaktuar me shqiptarët e Karakurtit pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Rajoni i tyre ende nuk është sulmuar nga Ushtria ruse.

“Këta të Karakurtit janë më të gjallë, më të komunikueshëm, më të pranishëm në rrjete sociale dhe kemi komunikim dhe kemi qenë në rrjedha edhe në kontekst të luftës së fundit”, thekson Dauti nëpërmjet një video-interviste. “Disa janë në Gjermani dhe në vende të tjera të Evropës, disa kanë pretendime të nisen për Shqipëri, disa janë nisur edhe drejt Maqedonisë, por me ata të Detit Azov është e vështirë të kontaktosh. E keqja është se një nga dy qytetet që kanë rënë në duar të rusëve është qyteti Militopol, vetëm 40 kilometra larg shqiptarëve të Detit Azov. Ata janë më të rrezikuar, janë më afër Donbasit”.

Një e treta e Karakurtit vdiq nga zia e bukës

Lecaj nuk beson se shqiptarët e Ukrainës do të kthehen përgjithmonë në Shqipëri, sikur ka pasur komente e thirrje në media sociale drejtuar Qeverisë shqiptare. Ai thotë se shqiptarët e Ukrainës kanë përjetuar edhe tmerre të tjera gjatë shekullit të kaluar nën regjimin brutal e vrastar të Joseph Stalinit.

“Ne po bashkëndjejmë me shqiptarët e Ukrainës, por edhe me popujt e tjerë në Ukrainë”, thekson Lecaj. “Shqiptarët e Ukrainës kanë kaluar gjatë më shumë se 200 vjet nëpër kohëra shumë të vështira. Lufta e Dytë Botërore ka marrë shumë viktima, do të thotë uria e vitit 1946, në Rusi kanë vdekur 25 milionë njerëz, në fshatin Karakurt, një e treta e fshatit ka vdekur dhe kanë kaluar nëpër periudha të vështira”.

Por ai ngulmon se shqiptarët e Ukrainës asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem pse janë shqiptarë. Megjithatë, ai beson se ukrainasit në përgjithësi po i dëshmojnë botës se do të luftojnë me çdo çmim për lirinë dhe pavarësinë e tyre.

“E gjithë bota ka pasur frikë të përballet me Putinin, ndërsa qytetarët e Ukrainës jo”, thotë Lecaj.

Image
Në Odesë, të themeluar më 1794 nga perandoresha ruse, Katerina e Dytë, ka dy rrugë që mbajnë emrat “Rruga e madhe e arnautëve” dhe “Rruga e vogël e arnautëve”

“Velyka Arnautska” dhe “Mala Arnautska” të Odesës

Në Odesë, të themeluar më 1794 nga perandoresha ruse, Katerina e Dytë, ka dy rrugë që mbajnë emrat “Rruga e madhe e arnautëve” dhe “Rruga e vogël e arnautëve”. Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë raportuar ditëve të fundit se si qytetarët e Odesës janë përgatitur në rast të sulmeve ruse, që ta mbrojnë qytetin e tyre.

Dauti thotë se ishte mahnitur me bukurinë e qytetit bregdetar. “Odesa është një qytet mbresëlënës. Vetë shtrirja në det e bën çdo qytet atraktiv”, thekson Dauti, i cili së fundmi iu është rikthyer reportazheve të atëhershme, duke përshkruar në gazetën “Koha” kujtimet nga vizita në Ukrainë. “Në përgjithësi kur të hysh në ato rrugët e Odesës sheh se ka një arkitekturë tërheqëse dhe e bën qytetin të bukur me atë larushi stilesh”.

“Kjo ka bërë që të grumbullohen tregtarë të shumë popujve dhe vendeve dhe nikoqirët tanë ku kemi qenë, edhe herën e parë, edhe herën e dytë, edhe herën e tretë, na kanë bërë të ditur një fakt interesant se në Odesë ka më shumë se 40 kombësi të ndryshme”, kujton Dauti. “Në dokumente personale iu shkruante edhe përkatësia etnike, dhe shqiptarët që i kemi takuar, na i kanë nxjerrë pasaportat, në të cilat u shkruante kombësia”.

Më 1997, do ta vizitonte përsëri Odesën me një ansambël shqiptar të Shkupit, ku do të takonte edhe furrtarë me prejardhje shqiptare, paraardhësit e të cilëve kishin migruar në kohën e Perandorisë Osmane.

Lecaj, i cili dhjetëra orë xhirime gjatë vizitave të ndryshme në Ukrainë, tregon një xhirim gjatë festës së vitit 2011 për 200-vjetorin e themelimit të fshatit Karakurt. “Festa e jashtëzakonshme”, kishte zgjatur nga ora dhjetë e paradites deri në njëmbëdhjetë të natës. “Ansamble profesionale nga shumë vendbanime të tjera e këngë e valle ukrainase, ruse, bullgare, moldave. Karakurti ishte qendra e atij rajoni, ku po festohej 200-vjetori i themelimit me mysafirë nga shumë vendbanime e nga qyteti Bollgrad, Izmail”.

Edhe shqiptarët e shpërngulur në qytetet e mëdha, si Odesa e Kievi, ishin kthyer për të nderuar rrënjët e tyre. Kryetarja e Karakurtit, Elena Zheqeva, flet ukrainisht e shqipe të vjetër me Lecajn.

Image
“Unë u dërgoj shumë shëndet albanc nga Shqipëria, nga Kosova, tere anet ku ron, ku ron shqiptarët”, uron në video-xhirimin oficeri shqiptaro-ukrainas, Valery Peykov (Foto: Albanians of Ukraina/FB)

“Fryma shqiptare e Ukrainës”

Gjatë ekspozitës “Fryma shqiptare – shqiptarët e Ukrainës” në marsin e vitit 2010, në qytetin Izmail, organizatorja Tanja Supjur, e fton Lecajn të flasë para të pranishmëve. Nikoqirët ngulmojnë që ai të flasë shqip.

“Ai di rusisht dhe ne kemi dy përkthyes, tre në fakt, por dëgjojeni si tingëllon shqipja. Nuk është e ngjashme me gjuhët e tjera. Është gjuhë indo-evropiane. Prandaj është shumë interesante”, thekson Supjur, derisa Lecaj bashkëbisedon me burrin në krahun e tij të majtë. “I përshëndes të gjithë të pranishmit. I falënderoj të gjithë që më kanë njohur”, thekson Lecaj, derisa përcillet me përkthim rusisht nga burri në të majtë. Por turma kërkon zhurmshëm që të mos përkthehet fare fjalimi i tij shqip.

“I përshëndes të gjithë të pranishmit dhe i falënderoj të gjithë që erdhën të njohin kulturën shqiptare në Ukrainë”, thekson pastaj zëshëm Lecaj. “I falënderoj të gjithë ata që ndihmuan këtë ekspozitë në mënyrë që të kemi ura të bashkëpunimit ndërmjet dy popujve”.

Prej andej nuk do të kthehej duarthatë. Tani në zyrën e punishtes së tij të drurit në dalje të Lipjanit, Lecaj tregon me krenari dhuratën e kornizuar e të varur në mur.

“Këto pllakata kanë qenë të vendosura në gjithë qytetin Izmail, do të thotë ‘Fryma shqiptare – shqiptarët e Ukrainës’”, tregon Lecaj para kornizës me shkrimin ukrainisht me alfabet cirilik. “Do të thotë ekspozita e kulturës shqiptare të shqiptarëve të Ukrainës. Ka qenë një ekspozitë ku janë paraqitur të arriturat e shqiptarëve të Ukrainës në kulturë, traditë, në muzikë, ka qenë ansambli shqiptar i Ukrainës, ka pasur mysafirë. Në këtë qytet janë shtatë galeri të arteve. Ka pasur mysafirë deri të nivelit të deputetit të Ukrainës, artistë të jashtëzakonshëm. Ka qenë diçka impozante”.

1 Shtatori i Karakurtit

Lecaj, i cili në Facebook ka postuar edhe fotografi të mikpritjes në shkurt në shtëpinë e karakurtasit Valei Zheqev, gjahtar, peshkatar e rrëfimtar anekdotash, thotë se ndër festat kryesore të shqiptarëve të Ukrainës është Dita e Shën Gjergjit më 6 maj.

“Është një traditë shumë e vjetër, ku secili zot shtëpie pa zbardh dita e merr një dele ose një kingj e prenë. Gjatë ditës, disa shtëpi e pjekin nëpër furrat, ose hurrat e tyre, sikur u thonë ata, dhe në mbrëmje dalin e grumbullohen, takohen e bisedojnë”, thotë ai, duke shtuar se të gjithë festojnë bashkërisht në Karakurt.

“Në ditën e parë të shtatorit, ata i thonë përvjetori i fshatit. Fshati Karakurt është themeluar në vitin 1805-1811, dhe kjo domethënë festohet çdo vit me program kulturor me këngë dhe valle shqipe dhe të nacionaliteteve të tjera, ku vijnë edhe mysafirë nga asamble dhe fshatra të tjera. Ka edhe gara sportive, dhe sporte të tjera. Shumë me rëndësi është sporti i mundjes, ku marrin pjesë nga fshatra dhe rajone të tjera. Fituesi e merr një dele ose një kingj sipas kategorisë dhe peshës që kanë”, tregon Lecaj.

Dauti, bashkautor i librit “Shqiptarët e Ukrainës”, thotë se pas vizitave të gazetarëve shqiptarë, nisën të interesoheshin edhe institucionet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, duke organizuar vizita për grupe të rinjsh shqiptarë nga Ukraina.

Dauti tregon disa fotografi të vizitës së disa të rinjve nga rajonet shqiptare të Ukrainës në Shkup para katër vjetësh. Ata veshur me kanotiere-flamur, takuan drejtuesit e Komunës së Çairit në Shkup, Çarshinë e Vjetër me shtatoren e Skënderbeut në krye të saj dhe shtëpinë muze të Nënë Terezës matanë Vardarit.

Image
Sikurse në shumicën e kryeqyteteve botërore, edhe në Tiranë, Shkup e Prishtinë shqiptarët kanë protestuar kundër agresionit rus ndaj ish-Republikës Sovjetike, të pushtuar pse përqafoi vlerat demokratike perëndimore

Solidarizimi me protesta

Lecaj thotë se edhe politikanët shqiptarë i kanë paragjykuar shqiptarët e Ukrainës për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Kievi zyrtar e përkatësisë etnike sllave të popullit ukrainas. Lecaj ka dorëzuar edhe kërkesa zyrtare në institucionet e Kosovës për ta ndihmuar për fuqizimin e lidhjes me shqiptarët e Ukrainës, por as që i kanë kthyer përgjigje.

Gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me forcat maqedonase të sigurisë më 2001, Qeveria e atëhershme pro-ruse e Ukrainës kishte furnizuar ushtrinë e shtetit fqinj me helikopterë e tanke kundër kryengritësve shqiptarë që kërkonin të drejta të barabarta në shtetin multietnik të dalë nga Jugosllavia.

“Rrjedhimisht, ndjeshmëritë e shumë shqiptarëve rreth këtij bashkëpunimi duhet mirëkuptuar, mirëpo nuk duhet të harrojmë që realitetet e sotme politike në Ukrainë, realitetet sociale dhe sidomos kulturore janë krejt të ndryshme nga ajo kohë”, thekson historiani Mehmeti. “Shumica e popullatës së sotme në Ukrainë shpreh simpati drejt Perëndimit”.

Edhe Dauti thotë se nuk duhet ngatërruar mbështetjen e Qeverisë së atëhershme ukrainase, pro-ruse, me popullin ukrainas pro-perëndimor.

Megjithatë, sikurse në shumicën e kryeqyteteve botërore, edhe në Tiranë, Shkup e Prishtinë shqiptarët kanë protestuar kundër agresionit rus ndaj ish-Republikës Sovjetike, të pushtuar pse përqafoi vlerat demokratike perëndimore.

Marigona Shabiu, drejtoreshë e organizatës Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut – që organizoi protestën para Zyrës ruse në Prishtinë, thotë se pamjet e refugjatëve dhe bombardimi i qyteteve ukrainase ia kanë ringjallur kujtimet e luftës në Kosovë.

“Por në të njëjtën kohë edhe traumën”, thekson ajo. “Kështu që definitivisht në të njëjtën kohë ka qenë edhe surreale se diçka e tilla po ndodh kaq afër nesh, edhe në Evropën demokratike, le të themi ashtu, ndodhi aq shpejt dhe pak ka qenë e pabesueshme...”, thekson ajo në zyrën e organizatës në Prishtinë.

“Kurban” i Perëndimit demokratik

Lecaj, në periferi të Lipjanit, në murin prapa tavolinës së punës mban portretin e Nënë Terezës. Ai është i sigurt se Vladimir Putini e ka lidhur fatin e tij politik me pushtimin e Ukrainës. Por, është i bindur se të gjithë qytetarët e Ukrainës do të luftojnë me çdo çmim për lirinë e tyre. Ukrainasit e liderët e tyre thonë se u tradhtuan nga Perëndimi në aspiratën e tyre për integrim në Evropën e vlerave demokratike.

“Gjithë bota ka pasur frikë të përballet me Putinin, derisa populli i Ukrainës, jo”, përsërit Lecaj. “Sot e kemi një konflikt: bota në njërën anë, Putini në anën tjetër. Ama, viktimat dhe rolin kryesor dhe barrën kryesor e ka Ukraina. Duhet t’i ndihmojmë ata njerëz se janë në një situatë vërtetë të rëndë. Pamjet e Alepos në Siri, pamjet e Groznit në Çeçeni po i pret Kievi sot. Kievi, fatkeqësisht ka me qenë tragjedia e radhës”, paralajmëron Lecaj në fund të intervistës, duke e mbyllur: “Kievi ka me qenë çështje nderi e kësaj lufte. Nëse ukrainasit e humbin Kievin, nuk e humbin luftën, por nëse Putini nuk mundet me marrë Kievin, përfundimisht ka me humb luftën dhe ka me degradu shumë”.

“Unë u dërgoj shumë shëndet albanc nga Shqipëria, nga Kosova, tere anet ku ron, ku ron shqiptarët”, uron në video-xhirimin oficeri shqiptaro-ukrainas, Peykov, i cili tani mund të jetë në ndonjë postbllok a istikam duke komanduar luftëtarët e lirisë së Ukrainës kundër pushtuesve rusë.