Shtojca për Kulturë

“Nga Aeroporti në Sllatinë ngrihet re tymi”

Zenun Celaj

Refugjatët shqiptarë mbërrijnë në këmbë në Maqedoni, në prill të vitit 1999, pasi u dëbuan me forcë nga treni në Kosovë (Foto: AFP)

Përmes ekraneve televizive në banesat tona futen kampet me kosovarë në Shqipëri e në Maqedoni. S’di kush e ka më vështirë: ata atje, ne këtu, apo ata me armë dhe me qindra mijë fëmijë, gra e pleq të zhvendosur nëpër male. Ibrahim Rugova shndërrohet në personalitet tragjik të Kosovës. Shfaqet në ekrane krah për krah me Millutinoviqin gjithmonë me buzëqeshjen neveritëse. Para kamerave deklaron se “kemi gjetur gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Kosovës” në kohën kur me të ishte konfrontuar e gjithë bota, pa vendet që drejtohen nga diktatorë”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 29 prill, 1999

E mërkurë, 28 prill

Nga Aeroporti në Sllatinë ngrihet re tymi. Edhe në qiellin, që shfaqet mes dritareve nga veriu duken shtëllunga të zeza tymi. Më parë ishte dëgjuar zhurma e avionëve, pastaj detonimet. Por, nga pika ku banoj nuk mund të shihet se çfarë është qëlluar.

Pavarësisht nga goditjet, ankthi vazhdon. Vërtet frikacaku vdiska disa herë, kurse trimi vetëm një herë. Kjo është përparësia e këtij të fundit. Sado që veten e llogaris ndër të parët, jam i vendosur të rri këtu. Kosovën e dua më shumë se çdo gjë.

E enjte, 29 prill

Përmes ekraneve televizive në banesat tona futen kampet me kosovarë në Shqipëri e në Maqedoni. S’di kush e ka më vështirë: ata atje, ne këtu, apo ata me armë dhe me qindra mijë fëmijë, gra e pleq të zhvendosur nëpër male.

Ibrahim Rugova shndërrohet në personalitet tragjik të Kosovës. Shfaqet në ekrane krah për krah me Millutinoviqin gjithmonë me buzëqeshjen neveritëse. Para kamerave deklaron se “kemi gjetur gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Kosovës” në kohën kur me të ishte konfrontuar e gjithë bota, pa vendet që drejtohen nga diktatorë.

Arianiti më thotë të dal edhe unë në Maqedoni. “Edhe ashtu s’mund të bësh ndonjë gjë aty: as mund lufton, as mund e ndal ndjekjen e njerëzve” – më thotë.

Sot u nisën në drejtim të Maqedonisë dy vajzat e Nehatit (Islamit) me burrat për në Maqedoni. Shkojnë me autobusë, që drejtohen nga serbë. E garantojnë largimin. Secili udhëtar paguan nga 200 DM. “Kosovatransi” i jep autobusët me qira ditore 500 DM.

Valdetja ka blerë dy herë bukë. Kemi bukë mjaft. Edhe Mevlydja e Ibrahimit kishte gatuar te Sabriu (Kadriu). Ishte Mexhit Syla me Ibrahim Demirin. Mexhiti më informon se Adnan Merovci ishte kthyer nga Shkupi, ku me sa duket kishte shkuar për të gjetur njerëz për “qeverinë e kërkuar nga Millosheviqi”.

Ndër refugjatë m’u duk sikur pash Ramiz Kelmendin. Asgjë nuk di për të. Migjenit ia kam ndie zërin.

E premte, 30 prill

Është zgjatur dita e moti ngrohur. Bombardimet zgjatën më shumë seç mendoja. Po mësohemi edhe me këtë jetë. Vajzat e Nehatit me burrat kishin mbërritur pa therrë në këmbë. Nesër niset gjurmëve të tyre edhe Alban Bujari. Shkuan të gjithë. Po zbrazet edhe zemra.

Sot u nisën edhe dy vajzat e Qazës, por nuk kishin gjetur vend. Nesër sërish do të provojnë. Pa to do të jemi më të qetë. Po flitet se serbët po dhunojnë shqiptare.

Bisedova me Elez Biberajn. Më tha se nëse dal në Shkup, pastaj për mua do të kujdesej ai. Por, unë jam i vendosur të rri këtu. Dhëndri i vëllait, Fadili, përpiqet të më bind të provoj të iki. Gabova që i thashë se sipas informacioneve të afërmit mund t’i tërheqin refugjatët në Amerikë. Mund ta josh.

Më shqetësoi shumë njoftimi se Eminja, vajza e tezës sime nga Klina, ndodhej në Tiranë. Ajo e të bijtë kërkonin të dinin për Ramën (Morinën) ku mund të ndodhej. Për motrën, Zylfijen dhe dy djemtë e saj me familjet ende nuk di gjë. Njoftimet i marr përmes djalit, Arianitit, nga Londra.

E shtunë, 1 maj

Më zgjuan detonimet e fuqishme të NATO-s. Nuk mund të dimë se cilat caqe janë goditur. Beogradi nuk informon, kurse mediumet e huaja s’kanë mundësi të dinë.

Sot nuk mund u lidha me telefon me djalin, Arianitin. Shumë u mërzita.

Albani e ka kapërcyer kufirin. Rrugës, në Çagllavicë, i kishin dalë autobusit përpara katër serbë të armatosur, i kishin nxjerrë katër të rinj, i kishin shtrirë përdhe dhe ua kishin vënë grykat e automatikëve pas qafe. Shefqet Mustafa, që i kishte përcjellë atë dhe djalin e vet, më tregoi se serbët u kishin kërkuar fillimisht dhjetë mijë marka “U pëlqen të shihni si vriten djemtë tuaj? Nëse i doni të gjallë, paguani?!” Këta kishin mbledhur 300-400 DM dhe në fund i kishin liruar.

Nëpër ekrane televizive të qendrave botërore sillen pamjet e një ure të goditur, të autobusit me njerëz të vrarë. Njoftohet nga burimet shqiptare për një masakër në Meje të Gjakovës.

Shkova të fqinji, Kërxhiqi. Biseduam gjatë. Nuk ma kap mendja si është e mundur të mos e kuptojë gjithë tragjedinë që po u ndodhte shqiptarëve. “Vatikani e ka bërë mendjen t’i zhduk serbët” – më thotë. Me të diskutoj pa frikë dhe e quaj qesharake mendimin. Vinka, e shoqja, është më pragmatike. Ajo thotë se kjo është tragjedi për të gjithë ne.

E diel, 2 maj

Axha i Fadilit, dhëndrit të vëllait, sot m’i futi ethet në palcë. Në orën shtatë e tridhjetë minuta i ra ziles së derës me aq ngulmim, sa thashë vetëm policia do të jetë. Ai kishte ardhur për ta vizituar të nipin. Prej tij mora vesh se edhe Isuf Ulaj, një kushëri imi, neuropsikiatër, kishte dalë në Maqedoni, por fëmijët e prindërit i ka në Vuthaj.

Valbona, mbesa ime, erdhi të më njoftonte se nesër do të niseshin bashkë me prindërit dhe vëllezërit e burrit.

- Keni ndonjë arsye shtesë? – e pyeta.

- Të gjithë shkuan! – m’u përgjigj pavullnetshëm.

Fadili e miraton me kokë vendimin e Kajtazëve. Vetëm Valdetja kundërshton. I shoqi zemërohet: “Ti do të jesh përgjegjëse, nëse na u ndodh gjë fëmijëve!” Tani dilemat e shkuarjes ose të mos shkuarjes lidhen me mua. Vajzat e vëllait nuk duan të më lënë vetëm. Unë përpiqem t’i liroj nga kjo barrë. U them se tani janë këtu Ibrahimi me Mevlyden. Po edhe në mbetesha vetëm,bukë kam, po shkuat ju, edhe për dy muaj. Do t’ia bëj disi.

Sot kam simptomat e sëmundjes sime të moçme, Sindroma e Zollingerit. Po më shtrëngoi si ndonjëherë, si do t’ia bëj?

Ibrahimi me Mevlydën kanë shkuar te Nehat Islami. Ka mbetur vetëm me gruan e vjehrrën. Nuk është mësuar kështu.

E hënë, 3 maj

Fadili me Valdeten janë bërë gati për rrugë, por ende nuk e dinë se me çfarë mjeti udhëtimi. Thanë se dje nuk kishte shkuar asnjë autobus. Valdetja me Qazën shkuan te drejtori i “Kosovatransit” nëse mund të siguronin aty udhëtimin. Kajtazët nga Aktashi njoftojnë se ishte bërë gati për të shkuar e gjithë lagjja.

Sot m’u bë sikur dëgjova zërin e mbesave: Bardhës e Rozafës. “Edhe ti gjysh…!” m’u duk se më qortuan. Më kapën emocione dhe për pak qava. Gjithë ditën më mbajti shqetësimi. Biseda me Iliren në Strugë më rëndoi edhe më shumë. Ajo kishte biseduar me Lirakun në front dhe ai i kishte thënë se njerëzit po përballeshin me urinë.

Valdetja u kthye dhe dukej e gëzuar që nuk kishte gjetur rrugëdalje për të ikur.

Sot më ndodhi diçka e papëlqyer. Myberaja, e motra e pronarit të banesës ku bisedonim me telefon, duke e parë se banesa e të vëllait ishte kthyer në central telefonik, më tha se vetëm unë kisha të drejtën të përdorja telefonin dhe askush më. Ndërkohë erdhi Emine Alaj, bashkëshortja e Sadri Alajt dhe kur unë i thashë kështu e pashë se nuk po më besonte. E ndjeva veten shumë keq. Ajo sot nuk mund të bisedonte me fëmijët. Sa shkoi u kthye. “Ti edhe përpara i rrije gati çelësit” dhe vetëm sa nuk më tha se unë isha ai që nuk doja t’ia jepja çelësat. Më lehtësoi me sjelljen e saj, sado që e kuptoja zemërimin.

E martë, 4 maj

Në orën gjashtë të mëngjesit lëshova radion. Më interesonte rezultati i bisedimeve Çernomirdin-Klinton. Vetëm një fjali jepte shpresa: Po afrohen pikëpamjet e ndërmjetësuesit rus dhe Aleancës…” për një zgjidhje të shpejtë të problemit të Kosovës.

Vajzat e Qazës, Rudina e Dafina, të cilat tash sa herë provojnë pa sukses të ikin nga Kosova, sot u nisën me autobus. Qaza u kthye shumë i mërzitur. Ofshante dhe ndezte cigare pas cigareje. I shkuan lotët. Edhe unë qava. Tani jemi bërë si një familje. Fadili është edhe më i nxehtë të ikë: “Po tutem mos i ndajnë burrat prej grave e fëmijëve… s’e kam për tjetër”.

RTS-ja e trumbeton goditjen e një autobusi nga avionët e NATO-s. Nuk besoj të jetë qëlluar nga NATO. Po të ishte qëlluar me raketë, copa s’do t’i kishte mbetur atij autobusi, më thotë mendja, si ai në Lluzhan (ndërmjet Prishtinës e Podujevës) ditë më parë. Zëdhënësi i NATO-s demanton pohimet serbe për goditjen e autobusit.

Kërxhiqi kishte paguar në emër të vëllait tim faturat për rrymë dhe ujë.

Biseda me Arianitin ma ktheu shpirtin, por shpejt u shqetësova. Mora vesh se ishte larguar Hivzi Islami. Kur dëgjoj për intelektualë që ende kanë mbetur në Prishtinë, trimërohem dhe më përshkon optimizëm: “Këtu jemi…”

E mërkurë, 5 maj

Fadili me Valdeten i kanë bërë çantat gati. Markat i kanë qepur nëpër rroba. Kanë marrë bukë e ushqime që nuk prishen. Presin rastin. Herët në mëngjes erdhi dhëndri i tij me gruan. Rrëfimi i tij dukej i pabesueshëm. Atë e kishin dëbuar nga shtëpia në Dragodan dhe pastaj një muaj kishte bredhur nëpër male – Gllovicë te Mareci, e prej andej prapë i kishin ndjekur për në Prishtinë. Kishin shkuar në një shtëpi të huaj, sepse në të veten nuk i lejonin. Gruaja ende i kishte plagët e hapura në këmbë nga udhëtimi i gjatë dy ditë e dy net.

Fadili me Valdeten e fëmijët u nisen papritmas. Qamë të gjithë. Ndarja ishte e dhimbshme dhe pa shpresë të shiheshim më. Erdhi edhe Valbona të na njoftonte se edhe ajo nesër do të nisej me tren. U përshëndetem me lot. I vjehrri i saj, Halili (Kajtazi) më tregoi se si serbët i kishin hyrë në shtëpi doktor Ukmatës dhe e kishin rrahur atë, të shoqen e kunatën, sepse nuk kishte pasur para t’u jepte. Më tha se ky rast e kishte thyer shpirtërisht edhe Zekeria Canën, i cili ka mbetur në Prishtinë dhe ndonjëherë merr guxim e del e grindet me njerëzit që duan të largohen.

Me Arianitin mezi fola. Jam shumë i shqetësuar nga vetmia. Pasi shkuan të gjithë e mbylla derën filli vetëm. Mora hapa qetësues dhe u shtriva për të ëndërruar një jetë tjetër. Por, erdhi Qaza dhe më mori. Aty e kalova gjithë pasditen. Në mbrëmje papritmas ra zilja. Ishin Valdetja dhe Fadili. U gëzova pa masë. Ata kishin shkuar me autobus deri në Kaçanik, prej nga i kishin kthyer në stacionin e policisë në Ferizaj, e pastaj – në Prishtinë. “Pasi u kthyem shëndosh, hallall po ia bëj markat atij shoferi” – tha Fadili, kurse Valdetja sikur mezi kishte pritur ta plotësonte: “Më nuk do të provojmë të shkojmë kund.” Ajo pastaj më tregoi se sa mirë i kishin pritur në Ferizaj. Doli populli në rrugë dhe na dha bukë, ujë e të gjitha të mirat, - tregoi Valdetja.

Lajmet njoftojnë se Ibrahim Rugova me familje e të afërm, që i kishte pasur në shtëpi, kishte mbërritur në Itali. Kishin dalë ta presin D’Alema dhe funksionarë të tjerë italianë. Tani nuk është më i detyruar të flasë si t’i thonë të tjerët. Të shohim.

Millosheviqi jep shenja përmes zëdhënësve të vet se do t’i pranojë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.

E enjte, 6 maj

G-tetëshi ka miratuar kornizat e një marrëveshjeje për Kosovën, e cila duhet të jetë bazë për rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Është e rëndësishme se për të ka votuar edhe Rusia. Ngjallen shpresat. Optimizmin erdhën ta ndajnë me mua edhe Nehati me Ibrahimin. Qaza e festoi me uiski. Nehatit, kur ia përmenda djalin, të cilin nuk e ka parë tash disa vjet, iu mbushën sytë me lot. Ai nuk e dinte se Dardani kishte ardhur nga Kanada në UÇK. Nuk ka djalë tjetër.

Rugova foli. Sipas mediumeve të huaja elektronike në gjuhën shqipe ai kërkon tërheqjen e forcave serbe, vendosjen e atyre ndërkombëtare dhe kthimin e të ndjekurve. Asnjë fjalë për “arrestin shtëpiak” siç e kanë trajtuar të huajt mbajtjen e tij nën kontrollin policor. Adnani, truproja, vazhdon të flasë në emër të tij.

As Valbona e Kajtazët nuk kanë shkuar. Maqedonia ka mbyllur kufirin dhe mirë ka bërë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë

Shkëputur nga kapitulli “Ditari luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020. Titulli i këtij artikulli është i Redaksisë