Shtojca për Kulturë

Nëntor, 1916: Paraudha e revolucionit

Korçë, 1916

Korçë, 1916

Në qoftë se shpallej pavarësia e Korçës, shteti i ri do të ishte një luftues në krahët tanë, do të na jepte trupa, gjë që do të na lejonte të mbanim një hapësirë të madhe të vendit, me një minimum ushtarësh frëng. Prej mendimeve të zhvilluara më sipër, nxora në shesh se modus vivendi i ynë në Shqipëri duhej të kishte për bazë shoqërimin e interesave: në qoftë se interesi i shqiptarëve i shtynte të përfitonin nga qëndrimi ynë në Korçë për ta plotësuar revolucionin e tyre nacionalist, interesi ynë ishte t’i lëmë ta bënin këtë revolucion

Gjeneral Henri Descoins

Kërkova, më 23 nëntor (1916 v.j.), shpërndarjen e çetës Kondak. Z. Argjiropulo la Korçën të nesërmen në ora pesë e mëngjesit. Këto dy fakte, patën përfundimin e tyre të njëhershëm: më 24 nëntor, në ora pesë e mbrëmjes, Themistokliu u paraqit te pararojet frënge dhe kërkoi të më takonte. I lajmëruar me telefon për çapin e tij, dhashë urdhrin ta drejtonin te lokali i prefekturës greke, ku e prita. Me fizionomi të sinqertë dhe të hapur, i madh, me pamje të pashme dhe me sjellje shumë të mira, i veshur korrekt me një palë rroba gjahu kaki, Themistokliu më bëri përshtypjen më të mirë. 

Më tha pikërisht: “Jam një patriot shqiptar. S’kam asnjë arsye armiqësie kundër francezëve. S’kam qenë kurrë kundër jush, por, me ata, që duket se nuk garantojnë lirinë e atdheut tim. Grekët i shikoj si armiqtë tanë më të këqij, është për t’i luftuar dhe kam marrë armët. Tani që autoritetet frënge larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, s’kam asnjë arsye të rri në mal. Vij pra te ju me besnikëri. Më shfrytëzoni. Nuk dua tjetër veçse t’ju ndihmoj dhe të vë në shërbimin tuaj ndikimin që kam në popull”.

Vura re se ky ndikim ishte shumë i vërtetë: në gjithë kohën e komandës sime, Themistokliu bëri çfarë mundte të bëhej që të më ndihmonte. 

Nënshtrimi i Themistokliut, përbënte një ngjarje të re, me shumë rëndësi në pikëpamje ushtarake si dhe në pikëpamje politike. Për këtë arsye, më 26 nëntor, ia drejtova komandës një raport të ri, që merrej po me ato çështje si ai i datës 23. Po nxjerr sa më poshtë:

Qetësia po vjen në qytetin e Korçës. Çdo ditë, kam vizitën e krerëve ose të përfaqësueseve të kolektiveve të organizuara (dhoma e tregtisë, këshilli i mjekëve, këshilli i avokatëve, etj. ). Të gjithë më thonë se okupimi me anën e trupave frënge, ishte shkoqitja më e mirë që të mbretëronte qetësia në vend. Të gjithë vijnë vullnetarisht të vihen nën mbrojtjen e Francës, dhe presin, s’bëhet më mirë përfaqësuesin e ushtrisë frënge. 

Bisedimet me Themistokliun morën fund të mbarë. Çetat nën urdhrin e tij u shpërndanë. Ai vetë i lidhur me kauzën tonë, vë në shërbimin tonë ndikimin e tij moral, për të vepruar ndaj Sali Butkës, për ta sjellë që t’i ulë armët edhe ai.

Nuk do të flas më gjatë kësaj të thëne, mbi plumbat që pararojat dhe vëzhguesit shkëmbyen çdo ditë me rojat armike. Do të tregoj vetëm ngjarjet ushtarake që kanë peshë mbi qenien e përgjithshme. 

Nga fundi i muajit nëntor, kjo dukej se do të ndryshonte mjaft shpejt, si në pikëpamje ushtarake, ashtu edhe në pikëpamje politike. 

Në pikëpamje ushtarake, Themistokliu kishte nisur të na sillte Sali Butkën dhe bënte çmos për t’ia arritur qëllimit. 

Sali Butka, kishte zënë vend vetë në teqenë e Melçanit. Më 29 nëntor, në mëngjes, më lajmëruan ardhjen e babës së teqesë në pararojat tona. Ma solli me formalitetet e zakonshme. 
Vinte nga ana e Sali Butkës që të më jepte sigurimin, që ky i fundit nuk do të nxirrte asnjë pushkë kundër trupave frënge. Duhej bërë prova. Po atë ditë, një detashment i fortë u nis prej Korçe vajti gjer në Devoll, afër Maliqit: çetat e Sali Butkës zunë majat e brigjeve që komandojnë udhën, u vunë mirë në dukje, por s’bënë kurrgjë për ta ndaluar lëvizjen e detashmentit. Kjo gjë duhej shfrytëzuar menjëherë. Një oficer i Shtatmadhorisë së Selanikut, do të vinte në Leskovik, të takohej me një oficer ndërlidhës të Kryeshtatmadhorisë së Përgjithshme. Nuk mund të lija këtë oficer të nisej pa bërë njohje të udhës që do të merrte. Me anën e Themistokliut, lajmërova Sali Butkën, çetat e të cilit mbanin Qafën e Qarit, se një detashment frëng do të kalonte atë qafë. Sali Butka më dërgoi përgjigjen se detashmenti do ta gjente rrugën e lirë. Me te vërtetë, një pararojë kalorësie e komanduar prej adjutantit Guerin, u nis më 1 dhjetor, dhe u kthye në Korçë më 6, pasi përmbushi misionin. Detashmenti kish vajtur gjer në Leskovik, ku kish takuar trupat italiane. Në asnjë moment detashmenti s’qe trazuar nga çetat e Sali Butkës. Vetëm një incident ngjau gjatë rrugës, dhe ky ish shkaktuar nga grekët. 

Për të vajtur prej Korçe në Leskovik, duhet shkuar nëpër Ersekë. E dija prej një burimi të sigurt, se ky qytet ishte gjithnjë i okupuar prej afro 200 xhandarësh mbretërorë grekë, të komanduar prej një oficeri. Dërgesa e këtij detashmenti në Shqipëri qe bërë me pretekstin e okupimit të Korçës nga autoritetet venizeliste. Ikja e këtyre të fundit, kish hequr çdo vlerë këtij preteksti. Qëndresa e xhandarëve grekë në Ersekë, s’kishte tjetër arsye përveç mbajtjes së lidhjeve të drejtpërdrejta të Athinës me armiqtë tanë. 

Kisha në dispozicion, për ca ditë, një oficer grek, që shërbente në radhët tona si i huaj, z. Zakarakis. Ia kisha shtuar pararojës të adjutantit Guerin, dhe i kisha dhënë një letër për oficerin e xhandarmërisë greke të Ersekës, ku e ftoja tërhiqej. Si e prisnim, oficeri grek u përgjigj se do të pyeste qeverinë e tij dhe se do të më dërgonte përgjigjen në Korçë. Kjo përgjigje nuk erdhi kurrë. Z. Zakarakis, që vajti gjer në Leskovik me adjutantin Guerin, mësoi me kohë, se xhandarët grekë kishin ndërmend ta ndalonin pararojën kur të kthehej. Meqë e dinte fare bukur vendin, ai mundi t’i tregonte adjutantit Guerin një udhë tjetër, nëpër shtigje mali, dhe kështu që pararoja mundi të kthehej në Korçë pa vështirësi. 
Edhe më tepër, se sa në pikëpamje ushtarake, gjendja ndryshohej në pikëpamje politike. 

Siç e thashë edhe më sipër, kur arrita, kisha ndërmend ta mbaja status quon administrative, sepse më dukej se përputhej me arsyet ushtarake të qëndrimit tim në Korçë. Për këtë qëllim kisha siguruar në mënyrë të përgjithshme, ecjen e shërbimeve të ndryshme publike, duke përdorur, personelin grek që ishte më parë në detyrë. U kërkoja vetëm një gjë: të merreshin me administrimin e vendit. 

Po kjo nuk u vinte mbarë krerëve të partisë greke: donin medoemos të bënin politikë. Çfarë ngjyrë kishte kjo? Mbretërore apo venizeliste? Në atë kohë, ishte shumë vështirë të bëhej një kufizim i qartë midis dy tendencave, mbasi zemra e shumë grekëve, të marrë një nga një, ishte gjysmë mbretërore, gjysmë venizeliste. (6) 

Në Korçë, krerët grekë, mundoheshin të dëshmonin se sistemi administrativ, i vendosur prej komandës frënge, nuk ishte në gjendje të ecte mirë dhe se duhej kthyer medoemos në sistemin e mëparshëm grek. 

Midis këtyre krerëve, kryesorët ishin pikërisht z. Gjini dhe z. Dardha. Njëri dhe tjetri, punonin aktivisht kundër komandës frënge. Z. Gjini ishte një zanatçi i intrigës. I pëlqente të “peshkonte në ujë të turbullt’’. Detyra e tij – inspektor i shkollave greke, i jepte fonde – do me thënë, mjete veprimi: arka që thuhej e “shkollave” dhe të cilën e mbante vetë, ishte në të vërtetë një arkë propagande. 
Sa për doktor Dardhën, nën pretekstin e drejtimit të një spitali, dispononte një lokal të madh, ku s’kishte asnjë të sëmurë, po ku çdo natë mblidheshin andartë, të gatshëm për të ecur. 
Isha i informuar mbi gjithë sa kam thënë më sipër, sepse masa e popullatës, ishte larg nga idetë e krerëve grekë. Ishte e vërtetë, si ma kishte shkruar z. Argjiropullo, se ajka e popullatës megjithëse nuk ishte prej race greke, kishte një kulturë helenike. Ishte gjithashtu e vërtetë, se kjo ajkë popullate, pasi duroi administratën turke dhe më vonë atë të Princit Vid, ajo kishte thirrur me gjithë shpirt regjimin grek. 

Po ky kishte prishur shpresat e vëna mbi të. Fisnikëria e Korçës ishin tani me një mendje të kritikonin administratën greke se u solli më ngacmimtare se ajo turkja, dhe se s’kishte bërë kurrgjë për vendin, dhe se i falimentoi financat. 

Përkundrazi qëkur zuri vend në Korçë administrata frënge, popullata kuptoi që diçka qe ndërruar në sistemin administrativ. Ajo shihte autoritetin ushtarak që mundohej të zgjonte zellin e nëpunësve, t’i detyronte të merrnin me vëmendje detyrat e tyre, dhe të punonin me të vërtetë. Ajo vinte re se nën regjimin frëng, asnjë nga besimet nuk qe i shtypur prej një tjetri, asnjë nga gjuhët e vendit nuk qe e ndaluar. Ajo miratonte disa masa liberale të marra prej komandës ushtarake lokale, veçanërisht formimin e një komisioni që merrej me punët financiare dhe e përbërë prej parësisë së vendit. 

Me pak fjalë, me përjashtim të disa agjitatorëve, asnjëri në Korçë nuk uronte kthimin e regjimit grek. Si gjithkush dëshironte jo vetëm mbajtjen e status quos por më shumë ecjen ndaj një drejtimi nacionalist shqiptar. 

Prefekti Themistokli Gërmenji (djathtas i veshur me kostum) i cili drejtonte xhandarmërinë dhe trupat vullnetare për ruajtjen qetësisë dhe rregullit në Krahinën Autonome dhe Henry Descoins (majtas), komandanti i garnizonit francez në Korçë në një foto të realizuar në periudhën 24-27 janar 1917. Në foto dallohet edhe ndërtesa e cila sot quhet “Shtëpia e Flamurit”, si dhe flamuri i ngritur më 10 dhjetor të vitit 1916 (Foto nga Arkivi i Fotografisë dhe Trashëgimisë i Ministrisë së Kulturës të Francës)  

Ky evolucion mund të bëhej më ngadalë: një hap personal i Sali Butkës, që vëzhgonte dhe vazhdonte me interes aspiratat e bashkatdhetarëve të tij, që nga Teqeja e Melçanit, i nxitoi ngjarjet. 

Më 3 dhjetor, mora një letër prej tij, ku më thoshte se ishte gati t’i linte armët në qoftë se komanda frënge ishte gati të proklamonte independencën e Kazasë të Korçës, nën mbrojtjen ushtarake frënge. 
S’e kisha në dorë të merrja masën e dëshiruar prej Sali Butkës, po e kisha për detyrë të studioja tërësisht çështjen, për t’ia referuar komandantit të përgjithshëm, i cili mund të vendoste. 

Për të bërë këtë studim, shikoja sendet nën këndin ushtarak, d.m.th. peshova përfundimet që mund të kishte mbi operacionet ushtarake, pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës. 

Asnjë argument nuk dilte për mosokupimin e Korçës nga ne, përkundrazi çdo gjë na detyronte të ndodheshim atje me fuqi. Arsyetimi që më kishte bërë Themistokliu, më 24 nëntor, shprehte ndjenjat e masës. Shqiptarët nuk kishin qenë kurrë kundër nesh. Po duke vazhduar idenë e mëkëmbjes së Atdheut të tyre, ata do të ishin me ata që do t’i garantonin më mirë kundër mundësisë së rikthimit të regjimit grek, që nuk e dëshironin me asnjë mënyrë dhe në asnjë formë. Kishin ardhur te ne, në kohën kur marrja e Manastirit ua kishte dhënë përshtypjen e fuqisë tonë, dhe besim në fitoren tonë. Po ngjarjet e fundit në Athinë dhe Bukuresht i kishin tronditur. Propaganda mbretërore greke hapte fjalën se Korça do të goditej prej ushtrisë greke e ndihmuar prej ushtrisë austriake. Në mendjen e atyre që na ishin qasur lindte frika nga hakmarrjet që kishin derdhur kaq herë gjakun në atë rreth. Po të mos donim të komprometonim gjendjen tonë ushtarake në Korçë, duhej të bënim për banorët më shumë se ç’kishim bërë gjer tani, duhej të bënim diçka që ta lidhte popullin shqiptar me neve në mënyrë definitive. 

Në qoftë se shpallej pavarësia e Korçës, shteti i ri do të ishte një luftues në krahët tanë, do të na jepte trupa, gjë që do të na lejonte të mbanim një hapësirë (7) të madhe të vendit, me një minimum ushtarësh frëng. 

Prej mendimeve të zhvilluara më sipër, nxora në shesh se modus vivendi i ynë në Shqipëri duhej të kishte për bazë shoqërimin e interesave: në qoftë se interesi i shqiptarëve i shtynte të përfitonin nga qëndrimi ynë në Korçë për ta plotësuar revolucionin e tyre nacionalist, interesi ynë ishte t’i lëmë ta bënin këtë revolucion. (8) 

* * *

Në këtë kohë e sipër, arritën në Korçë dy personalitete diplomatike frënge. 

Këta ishin, z. Bargeton, nëpunës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i mobilizuar si toger në Shtatmadhorinë e Selanikut dhe z. de Berne-Lagarde, ish konsull i Francës në Manastir (9). Që të dy, kishin dijeni të thellë në çështjet ballkanike. 

I vura në dijeni për situatën në Korçë, dhe se si e shihja. I luta të shkonin në Selanik dhe t’ia shpjegonin gjendjen, gojarisht, gjeneralit Sarrail. Vura këmbë në faktin se nuk mund të thuhej se përfundimet e mia ishin të shtytura nga helenofobia. Vendosëm që në rast se kryegjenerali do të ishte i mendjes që duheshin plotësuar dëshirat e shqiptarëve, do të ma dërgonte me urgjencë, me anën e z. de Berne-Lagarde, një telegram personal që do të thoshte: “Lërini të veprojnë”. 

Z. Bargeton dhe z. de Berne-Lagarde lanë Korçën më 5 dhjetor. Të nesërmen më 6, vura Komandën në dijeni të gjendjes ushtarake dhe politike, me anën e një raporti të ri, në të cilin gjendja politike është përkufizuar si më poshtë: 

Nën ndikimin e sigurimit moral dhe material të krijuar prej okupacionit frëng, ka lindur në shpirtin e një numri midis parësisë të vendit, ideja se Shqipëria mund të rimëkëmbet nën mbrojtjen ushtarake të Francës ose Ingliterës, pasi asnjëra nga këto fuqi nuk ka prapamendim aneksoni në këtë rreth. Administrata ushtarake frënge, nuk paraqet asnjë karakter shtypës si administrata greke. Në anën tjetër gjendja politike e Greqisë, duket se do t’i heqë çdo shpresë mundësie mbajtjeje të Epirit të Veriut, në kohën kur fundi i luftës do të sjellë ndryshime në kartën e Evropës. Për këto dy arsye, patriotët shqiptarë nuk druhen të shprehin aspiratat e tyre. Pranojnë që sot për sot u është e pamundur shqiptarëve të qeverisen vetvetiu; ata urojnë të kenë diçka që i përngjan sistemit që po provojnë sot, (administratë vendëse nën autoritetin ushtarak frëng) me kusht që nëpunësit civilë të jenë zgjedhur në mënyrë që të paraqesin sa të jetë e mundur më mirë opinionin publik shqiptar, dhe jo atë të partisë aneksioniste greke (mbretërore ose venizeliste). Pranojnë gjithashtu se do t’u ishte e pamundur të bëjnë në një të afërme të shpejtë një shtet të pavarur që mund të rrojë, po besojnë se do të ishte lehtë të krijohet në Korçë, me formulën e shënuar më sipër, një grup krahinor, që mund të shërbejë si shembull lidhjes së grupeve të tjera të njëjta. 

Është një shprehje e re e ndjenjës kombëtare shqiptare. Ky ka qenë i heshtur prej okupimit grek, po s’ka qenë prishur. Shumica e popullatës shqiptare pret vetëm një rast që ta nxjerrë në shesh. 
Duhet paraparë pra, që tani, se çështja shqiptare, me gjithë mundimet e mia për ta lënë mënjanë në mënyrë absolute në fushën ushtarake dhe administrative, do të dalë në lëmë, së shpejti në mënyrë të atillë, që do të jetë e pamundur të mos merret parasysh. 

Po ky raport, ia shpjegonte Komandës masat e marra në vend, për vënien në udhë të shërbimeve publike të ndryshme dhe të sigurimit të ushqimit të popullatës civile.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë 
 



Henri Vincent Descoins, i lindur më 10 janar 1869 në Cambray (Francë), vdiq më 10 maj 1930 në Algjer (Algjeri) ishte gjeneral brigade dhe shkrimtar ushtarak francez. Si kolonel i kalorësisë gjatë Luftës së Parë Botërore, luajti një rol të rëndësishëm në vendosjen e forcave franceze në Korçë (1916 – 1920). Ndër të tjera, shkroi edhe raportin “Six Mois d’histoire de l’Albanie – Novembre 1916 Mai 1917” të cilin e përktheu dhe e botoi në shqip, Vasil Gërmenji (1908 – 1988). Ky tekst i përkthyer prej tij e që botohet me vazhdime në Shtojcën për kulturë, është marrë nga monografia “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” me autor Elez Osmanin, Botimet KOHA, tetor 2024


Fusnotat:

(6) Ishte si një e thënë në ushtrinë e Orientit se midis grekëve, çdo partizan i mbretit ishte gjermanofil dhe ç’do venizelist frankofil. Përkufizime kaq të thjeshta martohen lehtë me mentalitetin tonë perëndimor, po s’i përgjigjen së vërtetës. Shpirti lindor në përgjithësi, dhe shpirti grek veçanërisht, janë shumë më të ngatërruar.

(7) Duhej të zgjeroheshim, veçanërisht për të prerë komunikatat e Oborrit të Athinës me perandoritë qendrore. Nuk mjaftonte të prisnim vijat telefonike dhe telegrafike, si e bënim gjer atëherë, sepse këto vija ndreqeshin, me të prishur. Për ta arritur rezultatin e kërkuar duhej okupuar Erseka, dhe të ishim të ndërlidhur gjithnjë me trupat italiane.

(8) Pasi interesi ushtarak ishte në rrezik, njoftimi më i thjeshtë i detyrës profesionale, detyronte Komandën ushtarake të Korçës, të mos merrte parasysh asnjë faktor tjetër,

(9) Na solli lajmin e ngjarjeve të fundit të Athinës: gjaku frëng qe derdhur prej plumbave që me gjithë se mbretërore ishin greke. Pikërisht kjo gjë nuk na shtynte që ne, të bëheshim në Korçë, kampionët e kërkesave greke, në dëm të interesit tonë ushtarak të ditës.

 

Lexo edhe: