Thuhet se çdo grafist me përvojë ndërton veprimet e veta teknike të cilat i hapin horizonte të reja për të zbërthyer temat dhe idetë, teknikat dhe proceset. Fatmir Krypa është përqendruar tek akuatinta, bakërshkrimi dhe teknika e kombinuar dhe këto i fisnikëron deri në përsosmëri duke gjetur qasjen e vet origjinale, duke selitur metodat e manipulimit me mundësitë e pllakës, acideve e shtypit dhe duke gjurmuar me vëmendjen dhe durimin e alkimistëve ndërhyrjen e ngjyrës
Kur flasim për rrugëtimin e grafikës në Kosovë, e cila pas viteve ‘70 gjeti shtrirje të ndjeshme dhe vuri bazat e një orientimi të gjerë te një pjesë e artistëve tanë pamorë, e kemi gjithnjë parasysh dhe rolin e Fatmir Krypës, artist e pedagog, fund e majë grafist, i cili me shembullin e tij u dha krahë të tjerëve dhe kontribuoi që ajo të ngrihet në rrafshin që është sot, me një plejadë individualitetesh, krijuesish, artistësh të denjë për t’u prezantuar me shumë autoritet në përballje elitare dhe manifestime prestigjioze të grafikës dhe grafikëve botërorë.
Duke mos dashur të bëjmë krahasime, e as të mbivendosim raportet e njohura tashmë, por të ngremë e të vlerësojmë, në nivelin që e meritojnë, gjenerata të tëra të grafikëve që dolën nga përkujdesja e Krypës dhe kolegëve të tij të Fakultetit të Arteve, mund të themi se krijuan një shkollë më vete grafike të Kosovës, të njohur e të respektuar në botën e artit gjithandej nga u ftuan dhe ekspozuan. Është e domosdoshme të përmendet ky rol i pedagogut, sepse është i rëndësishëm në nxitjen e gjithë atyre individualiteteve që e ngritën këtë art në pozitën ku është sot, në kohën kur flitet aq shumë për zhvillimin e informatikës dhe inteligjencës artificiale, digjitalizimit mbase edhe të artit e të dizajnit.
Pikërisht këto i kishte për bazë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që krahas ekspozitave të kohëpaskohshme të pikturës e skulpturës, që organizon në ambientet e saj, të ketë dhe një ekspozitë grafike, duke qenë se edhe në radhët e saj ka pasur dhe ka emra që përveç tjerash janë marrë me këtë gjini të arteve pamore. Përzgjedhja e Fatmir Krypës, gjithsesi, është dhe mirënjohje e punës dhe kreativitetit të tij, e rezultateve tashme të konfirmuara dhe të vlerësuara nga kritikë e studiues të artit, i dalluar në veçanti për një qasje origjinale, të njohur e të rinjohur jo vetëm në rrethin dhe ambientin tonë.
E mira e grafikës është që realizohet me numër (të kufizuar) kopjesh, varësisht nga teknikat e shumta të praktikuara (akuatinta/mezzotinta, bakërshkrimi, teknika të kombinuara, litografi, linotip... deri te teknikat digjitale) edhe pse secila kopje konsiderohet origjinale, ndaj kemi mundësi ta ndeshim në disa ambiente, duke pasur gjithnjë përshtypjen e “dorës së parë”, për të soditur e studiuar shkathtësitë e përpunimit të pllakës, ndërhyrjen e ngjyrës, nuancave, teksturës dhe njohjen e fshehtësive të këtyre mjeshtërive të shtypit.
Ajo që bie menjëherë në sy në fillimet e grafikës së Fatmir Krypës është ngërthimi i elementeve etnografike, në veçanti i atyre të Hasit të thatë, të bartëseve të ujit, si dhe të Dukagjinit, figura e femrës me veshjet tipike të këtyre anëve, apo të malësorëve pranë mureve a rrënojave të kullave shekullore. Në gjithë këtë thesar etnografik ndërhyn mjeshtëria e vizatuesit dhe paleta e gjerë të ngjyrave, një spektër më se i begatë, për të cilin, për ata që e njohin dhe studiojnë grafikën, e kanë parasysh se nevojitet njohuri e thellë e fshehtësive të saj për ta sjellë bindshëm dhe gjerësisht imponues. Duke zbërthyer këtë thesar etnografik të veshjeve dhe aksesorëve, Krypa me një dorëshkrim të rinjohshëm, zbërthen një gamë nuancash, thurjesh e teksturash, që dëshmojnë jo vetëm ndjeshmërinë e shkathtësinë e artistit, por edhe një kreativitet par excellence….

Thuhet se çdo grafist me përvojë ndërton veprimet e veta teknike të cilat i hapin horizonte të reja për të zbërthyer temat dhe idetë, teknikat dhe proceset. Krypa është përqendruar tek akuatinta, bakërshkrimi dhe teknika e kombinuar dhe këto i fisnikëron deri në përsosmëri duke gjetur qasjen e vet origjinale, duke selitur metodat e manipulimit me mundësitë e pllakës, acideve e shtypit dhe duke gjurmuar me vëmendjen dhe durimin e alkimistëve ndërhyrjen e ngjyrës. Sepse, është e domosdoshme, kur flasim për grafikën, të marrim parasysh njohjen e këtyre proceseve, punën me pllaka dhe thartirat që shndërrohen në eliksir për të zbërthyer forma e tekstura, që artistët e mirëfilltë grafikë i studiojnë me shumë zell, për të krijuar veprat sa më origjinale
Në gjithë krijimtarinë e tij, që tashmë ka rrumbullakuar gjashtë dekada (gjykuar nga ekspozita e parë e pavarur, në Pejë në vitin e largët 1963), të përqendruar kryesisht te grafika, pas përfundimit të Akademisë së Arteve, dhe për më tepër te teknika e akuatintës, ose te teknika e kombinuar, të cilën vjen gjithnjë duke e idealizuar dhe perfeksionuar, Fatmir Krypa vepron me cikle preokupi¬¬mesh e subjektesh që vijnë rrathë-rrathë, por që në përgjithësi kanë vulën dhe dorëshkrimin e tij. Ndonjëherë subjekte dhe preokupime të tij bëhen ngjarje dhe problematika të shoqërisë, që diku-diku do të identifikohen edhe me tituj (Variola, Tebdilet, Emancipimi, Hasianet, Malësorët, Kullat, Kovidi…) ndonjëherë me subjekte të shkëputura nga natyra shqiptare, si teksturat e shkëmbinjve, me gjurmë lashtësie mbi to, të trungjeve, rrënjëve, degëve, që të shpien drejt një përfytyrimi të qëndresës, vjetërsisë, autoktonisë, porosi që krahas kësaj mbështetjeje te tematikat, na shpijnë te mundësitë e zbërthimit të një spektri, te mozaiku i gjetjeve më se të thelluara dhe të ndërtuara figurative që dalin nga dora dhe fryma e një artisti që edhe në këtë moshë s’pushon të kërkojë dhe të gjejë thesare gërshetimesh të figurës e fakturës, për të dëshmuar edhe një herë se sundon në mënyrë mjeshtërore proceset dhe njeh thellësisht punën me pllakat e zinkut dhe shtypin e presës grafike.
Janë veçanërisht mbresëlënëse strukturat në prag të abstraktes, që nuk lidhen me tema e subjekte të cikleve dhe nuk i venë në plan të parë ato, por që shpërfaqin shpërthime emocionale me shkathtësinë vizatuese të ngërthyer e të aftë të lidhin nyjë një mikrokosmos gjetjesh, vijash, thurjesh, që krijojnë tablo të gërshetuara dendur, por edhe të kompozuara harmonishëm, me ndërhyrje të drejtpërdrejta mbi pllakë, e që rezultojnë me struktura tërheqëse dhe të këndshme për syrin por edhe të thella e të mistershme, duke na mbyllur shpesh në vorbujt e labirinteve magjikë.
Në erën e kompjuterizimit dhe inteligjencës artificiale mbase duket se është e mundur të arrihen shumë zgjidhje të mistershme dhe mbase mund të mendohet se do të krijohen zgjidhje alternative për të vënë në plan të dytë apo për të imponuar të flitet më pak për artin e pllakave. Por është pak e mundur, duke marrë parasysh se grafikët, disenjatorët apo gjithë ata që i rezultojnë kërkimet e tyre në shtypin e çfarëdo forme qoftë – më përgatitje janë piktorë, vizatues, janë artistë që kanë frymën dhe frymëzimin e krijuesit, ndaj edhe vepra që krijojnë është vepër arti e jo kartë e shtypur dhe e krijuar ftohtë. Mbase me qasjet e reja mund të arrihen e do të arrihen rezultate interesante, por ato “vepra” nuk mund të kenë asnjëherë frymën dhe shpirtin e krijuesit, e artistit.
Fatmir Krypa i takon gjeneratave të para të atij që e kemi quajtur brezi i artë i arteve tona pamore. Pothuaj të gjithë ata, që fillimisht kishin dalë nga kavaletat e Shkollës së Mesme të Artit në Pejë, të specializuar në akademitë e arteve të viteve 60-70, u angazhuan në embrionin e Akademisë së Arteve të Universitetit të Prishtinës, (më vonë Fakulteti i Arteve) dhe krijuan gjenerata artistësh, piktorë, skulptorë, grafikë, artistë të artit konceptual e dizajnit, që tashmë e kanë afirmuar gjithandej artin pamor që krijohet te ne. Falë një vitaliteti të pashoq, maestro Krypa vazhdon sot e kësaj dite, pothuaj me të njëjtën forcë dhe vullnet të realizojë vepra që pasurojnë edhe më tej opusin e gjerë e të veçantë, një pjesë të të cilit kemi rastin të shohim në këtë ekspozitë në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Nëntor, 2024