Shkëlzen Gashi “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Admovere & Integra, 30 €, 819 faqe
Mund të duket e habitshme që, në kohën që ka kaq shumë konflikte nëpër botë, me u kthy 25 vjet mbrapa te lufta në Kosovë – por pikërisht këtë e bën ky libër. Ai dokumenton masakrat që u kryen gjatë konfliktit që shënoi fazën e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1998-‘99.
Pse duhet të shqetësohemi me iu kthy të kaluarës së afërt, kur e tashmja ka mjaft tmerre të vetat?
Autori, Shkëlzen Gashi, i cili ia ka kushtu pesë vjet këtij libri, thotë se “synon t’u bëjë homazh të gjitha viktimave të luftës në Kosovë, pa dallim etnie, feje a orientimi politik… dhe ta nxisë lexuesin të avokojë për paqen dhe të punojë me parandalu përsëritjen e këtyre krimeve të tmerrshme”.
Të paktën, të parin e këtyre qëllimeve e ka arritë. Është vështirë me pasë ndonjë besim në përmbushjen e të dytit: idenë se mund të themi që “janë nxjerrë mësime” nga këto ngjarje dhe se herën tjetër do të veprojmë më mirë. Por, të paktën mund të reflektojmë se ç’ndodhi në një konflikt; të vdekurit meritojnë bile kaq.
Kosovën e kam vizitu disa herë para dhe pas luftës; gjatë konfliktit shkova te pikat kufitare nga të cilat po dilnin refugjatët. (Duhet të shtoj se më vonë u martova me një shqiptar nga Kosova.) Nuk isha dëshmitare e pasojave të masakrave, ndonëse pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, në shoqërinë e një prifti dhe një ipeshkvi shqiptar, më çuan të shihja një kamion ku ishin hedhë trupat e tre shqiptarëve; më kujtohet që njëri e kishte këmbën të këputur poshtë gjurit si dhe ajo era e ëmbël e mishit që kalbet. Klerikët, së bashku dhe qetë, bekuan trupat, qofshin ata muslimanë a të krishterë.
Më kujtohet edhe atmosfera e tendosur dhe kërcënuese në të cilën u gjendën civilët sërbë, përfshi klerikët ortodoksë, mbasi u kthyen shqiptarët e zhvendosur. Një familje e tillë klerikësh u largua një ditë pasi i takova, si shumë sërbë të tjerë. Pronat e shumë sërbëve u përvetësuan nga shqiptarët. Takova edhe një familje shqiptare, të cilës djalin ia kishin marrë serbët që po iknin nga shtëpitë e veta dhe për të cilin nuk u mor vesh më kurrë.
Qendra për të Drejtën Humanitare, e drejtuar nga aktivistja e jashtëzakonshme sërbe për të drejtat e njeriut, Nataša Kandić, vlerësoi se numri i të masakruarve ishte 10,333: prej të cilëve 8692 ishin shqiptarë, 1196 serbë, 141 romë e egjiptianë, dhe mbetja nga grupe të tjera etnike. Këto janë shifrat; ky libër përshkruan në shqip, sërbisht dhe anglisht atë që ndodhi me 3,443 prej tyre në 83 masakra dhe përmban fotografi, kryesisht të bëra nga agjenci të huaja lajmesh.
Shumica e masakrave u kryen nga forcat jugosllave/sërbe në vazhdën e bombardimeve të NATO-s – nga policia, ushtria dhe, në disa raste, paramilitarët. Autori dokumenton edhe sulmet hakmarrëse kundër sërbëve, të cilat u kryen kryesisht pasi forcat sërbe u larguan nga Kosova. (Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës megjithatë po shqyrton raste për përgjegjësinë e krerëve të UÇK-së për vrasjet e civilëve.) Për t’u konsideru masakër, vrasjet duhet të jenë "mizore, të qëllimshme dhe të motivuara politikisht" dhe kundër joluftëtarëve që nuk mund të mbrohen.
Shumë masakra u kryen pasi UÇK-ja vrau policë serbë; ishin civilët ata që mbartnin peshën e hakmarrjes. Në prill 1999, në Mejë, fshat katolik (rreth 2-3% e popullsisë së Kosovës është katolike), UÇK-ja vrau një komandant policie dhe tre nga oficerët e tij sërbë. Policia sërbo-jugosllave sulmoi Mejën dhe fshatrat përreth, duke dëbuar banorët. Ata rrëmbyen rreth 300 burra, kryesisht të moshës ushtarake, dhe i vranë; kur u gjetën trupat, i kishin eshtrat të thyera dhe ishin pa kokë.
Një burrë, Daniel Berisha, i tregoi një fqinji se ç’kishte ndodhë – para se edhe ai të vritej. “Axha i Danielit u lutej atyre”, kujton burri, “i pyeti serbët, ‘A nuk jeni edhe ju njerëz si ne? A nuk jeni njerëz? Pse doni me na vra?” Ai shqiptoi një lutje dhe bëri shenjën e kryqit. Bajo [komandanti] ia ktheu: “Tani është shumë vonë për ju”. I urdhëroi burrat t'ia kthenin shpinën dhe i qëlloi nga një distancë e afërt me armë automatike.
Kjo nuk është masakra më e tmerrshme, por ka karakteristikat e pothuajse të gjithave; ishte e projektuar si hakmarrje brutale për vrasjet e policëve ose ushtarëve, por ishte projektuar edhe për të terrorizuar civilët nga shtëpitë e tyre. Një projekt politik ishte vënë në punë. Askush nuk është gjyku për vrasjet.
Lexuesi mund t'i drejtohet edhe masakrës së 14 civilëve sërbë të paarmatosur, duke përfshi një djalë 14-vjeçar, në Staro Gracko. Askush nuk u gjykua as për këtë. Vetëm në dhjetë nga 82 masakrat në libër autorët janë vënë përpara drejtësisë.
“Masakrat në Kosovë” është një lexim tmerrues. Por ndonjëherë duhet ta detyrojmë veten ta mendojmë Kainin duke e vra Abelin. Ky libër është i papërballueshëm dhe i nevojshëm.
“Masakrat në Kosovë” është i disponushëm nga Libraria Dukagjini: dukagjinibooks.com
Përktheu nga anglishtja: Gazmend Bërlajolli