Shtojca për Kulturë

Nata dhe dita qenë shumë të zhurmshme. Avionët e NATO-s fare nuk pushuan

Qytetarët shqiptarë shikojnë një re të madhe tymi pasi një aeroplan luftarak i NATO-s thuhet se goditi caqet serbe pranë kufirit midis Shqipërinë e Kosovës në Morinë, në Shqipërinë veriore, të hënën, 31 maj 1999 (Foto: Associated Press / Luca Bruno)

Qytetarët shqiptarë shikojnë një re të madhe tymi pasi një aeroplan luftarak i NATO-s thuhet se goditi caqet serbe pranë kufirit midis Shqipërinë e Kosovës në Morinë, në Shqipërinë veriore, të hënën, 31 maj 1999 (Foto: Luca Bruno)

Foto: Associated Press

“Vetëm gërmadha, ngordhësira, kope bagëtish pa barinj. Askund civilë. Në Suharekë vetëm shumëkatëshet janë në këmbë. Shtimja është bërë rrafsh”, shkruante gazetari Zenun Çelaj në ditarin e luftës më 27 maj të vitit 1999. “Nata dhe dita qenë shumë të zhurmshme. Avionët e NATO-s fare nuk pushuan. Unë nuk e di se cilat objekte ushtarake a strategjike kanë mbetur të pabombarduara.  Fola me djemtë, vëllanë, me Rudinën, kush në Londër, kush në Nju-Jork. Të gjithë më pyesin: “A keni çfarë të hani?” Valdetja ka shkuar për kartonët. Me Nexhdetin po rrinim në banesën e tij, kur nga ballkoni u shfaqën njerëz të panjohur, por në njërin ky identifikoi djalin e fqinjit”, shkruante më 28 maj të 1999-s

Për herë të parë, gjashtëdhjetë ditë pas fillimit të bombardimeve, dola në rrugë. Kisha thënë se do të dal dhe e mbajta premtimin. Të gjitha shtëpitë e lokalet në të dy anët e rrugës, në të cilat janë vendosur formacione ushtarake a policore, më duket se janë shndërruar në sy. Kisha një frikë të papërshkrueshme. Nëpër trotuare automjetet ushtarake sikur kërcënojnë. Te Nehati gjeta edhe të tjerë. Kur më panë bërtitën si në stadium.

Përsëri shumë të dëbuar nga Kosova. Kishte edhe bombardime. Këshilli i NATO-s pajtohet të dyfishojë forcat paqeruajtëse në Kosovë, pas pëlqimit eventual të Jugosllavisë.

Te Qaza u takova me Ramadan Hashanin dhe të bijën, Fatimen. Me Ramadanin kam punuar gati dyzet vjet në “Rilindje”. Ishim jo vetëm të përmalluar, por edhe të shqetësuar. Të gjithë djemtë e tij janë jashtë.

E mërkurë, 26 maj

Qaza ka vendosur të marrë një kufomë në morg, e cila mund të ishte e të vëllait. Kufoma është e karbonizuar. Vetëm një leckë rrobe i ka mbetur, që ndoshta ishte e tij.

Nexhdeti erdhi nga Prizreni. Aty gjendja është më e qetë sesa që thonë radiot. E kishin trishtuar pamjet gjatë rrugës. Vetëm gërmadha, ngordhësira, kope bagëtish pa barinj. Askund civilë. Në Suharekë vetëm shumëkatëshet janë në këmbë. Shtimja është bërë rrafsh.

E enjte, 27 maj

Herët në mëngjes Qaza u nis për në Podujevë me kufomën e supozuar si të vëllait. Shkoi me një automjet që bart të vdekurit. Shoferit serb ia kishte paguar treqind marka. Vetë u kthye pa groposur të vëllain. Këtë punë ua kishte lënë atyre pak të afërmve që kishin mbetur. Për të gjithë ceremoninë do të kujdeset Alija, pra e bija e atij që varrosej.

Sot duhet të pajisemi me ca kartonë të gjelbër. Me ta duhet të legalizohen identiteti dhe vendi i banimit. Me ta tani policia do ta ketë më lehtë të gjejë ata që i kërkon. Unë vendosa të mos e plotësoj.

Gjykata e Hagës ka ngritur aktakuzën kundër Millosheviqit. Aq sa më gëzoi vendimi, edhe më trembi. Tani ky s’ka çka të ruajë. Mund ta zvarrisë edhe marrëveshjen. Kush do të ulet a të nënshkruajë marrëveshje me një kriminel lufte?

E premte, 28 maj

Nata dhe dita qenë shumë të zhurmshme. Avionët e NATO-s fare nuk pushuan. Unë nuk e di se cilat objekte ushtarake a strategjike kanë mbetur të pabombarduara.

Fola me djemtë, vëllanë, me Rudinën, kush në Londër, kush në Nju-Jork. Të gjithë më pyesin: “A keni çfarë të hani?” Valdetja ka shkuar për kartonët. Me Nexhdetin po rrinim në banesën e tij, kur nga ballkoni u shfaqën njerëz të panjohur, por në njërin ky identifikoi djalin e fqinjit. Ky kishte hyrë disa herë në banesën e Nexhdetit. Kur e pyeti se ç’kërkonte, ai iku shkallëve teposhtë.

Alija u nis të shkonte te motra e Mahijes, kunata e Qazës, diku në qytet. Por, sa del në rrugë e ndal një person i uniformuar. Kërkon ta identifikojë dhe e shoqëron deri në banesë. Mirëpo, sa e sheh Qazën largohet pa folur. Kur kjo përsëri merr rrugën, në këndin afër shkollës fillore “Hasan Prishtina”, ai i rishfaqet: “Duhet të vish në stacionin e policisë!”, i thotë. Duke e ditur se aty nuk kishte stacion policie, ia lë dokumentet në dorë dhe ikën me vrap drejt ushtarëve, që ishin vendosur aty afër, në lokalet përdhese të shumëkatësheve. “M’u mor goja. Fillova t’i flisja ushtarit shqip. I thashë më ndihmo. Ai duket kishte qenë serb nga Kosova dhe ma ktheu po ashtu shqip dhe më këshilloi të mos trembesha. Pas më vinte njeriu me uniformë të zezë dhe me dokumentet në dorë, të cilat sa u afrua i hodhi dhe iku” – na shpjegoi ajo shumë e tronditur për atë që i kishte ndodhur.

Refugjatë nga Kosova, të shqetësuar dhe frikësuar qajnë ndërsa presin në një fushë për t’u futur në autobusë pasi kanë mbërritur në Shqipëri në pikën kufitare në Morinë, të mërkurën, 12 maj 1999. Refugjatët vazhdojnë të vërshojnë në Shqipëri përballë një fushate serbe të spastrimit etnik në Kosovë (Foto: Associated Press / Santiago Lyon)

Në mbrëmje, pas orës 22, radiot njoftojnë: “Millosheviqi ka pranuar parimet themelore të Grupit 7+1, me kusht që Këshilli i Sigurimit të njohë sovranitetin dhe integritetin territorial të RF të Jugosllavisë”, që nga bashkësia ndërkombëtare asnjëherë nuk është kontestuar. Ishte një shenjë se ai është lodhur.

E shtunë, 29 maj

Perëndimi shfaq rezerva ndaj premtimit të Millosheviqit. Ai kërkon plotësimin e pesë kushteve të njohura. Kjo do të thotë se ende duhet të presim të dalim nga ankthi.

Gati tërë ditën e kalova te Nehati.

Zaimin me njërin djalë, Arianitin, i kishin liruar. Albinin do ta nxjerrin para gjyqit.

Për herë të parë biseduam me Fahriun (Musliun) në Beograd.

E diel, 30 maj

Njoftimi se Millosheviqi dhe kreu serb janë pajtuar me planin e G-8-shit, nuk më entuziazmon, sado secili nesh këtu ndihemi si në ferr. Më ngjallet dyshimi se mos do të jetë një lojë e tij, që mund ta pranojë bashkësia ndërkombëtare për të dalë nga një gjendje, që as vetë nuk e kishte pritur. Duhet të pajtohemi me zgjatjen e ankthit dhe ndoshta ndonjë fat individual më pak të lumtur.

Perëndimi shfaq rezerva ndaj deklarimeve serbe për pajtim me planin e G-8-shit. “Duam veprime konkrete, jo fjalë” – thonë ata që e kanë në dorë marrjen e vendimit. Fatkeqësisht gjithnjë e më shpesh flitet për një ndarje të Kosovës, e cila në asnjë variant nuk do t’u shkonte në favor shqiptarëve.

Rugova u kthye në Itali, ndonëse më parë ishte njoftuar se do të mbetej në Gjermani, ku kishte një bazë e një mbështetje në njerëz e para. Në Gjermani do të ishte edhe më pranë kancelarive të vendosjes. Ishte edhe në Maqedoni dhe për disa minuta pa edhe një kamp, por jo në Shqipëri ku janë shumica e të dëbuarve nga Kosova. Shpjegimet për ndonjë arsye janë fare të pakuptimta.

E hënë, 31 maj

Disa herë patëm ndërprerje rryme, kurse uji është ndalur më herët. Ç’bëjnë a thua ata që nuk i kanë as këto, as bukën, as kulmin, as shtrojën, as mbulojën? Thonë kërcënon katastrofa humanitare, e në fakt ajo vepron.

Një detonim i fuqishëm, rreth orës 4 të mëngjesit, na prishi gjumin. Thashë ra mbi ne. Pastaj u bë qetësi.

Edhe një masakër në Staradran të Istogut. Shumë të vrarë edhe në Shalë të Bajgorës. Një fqinj i Nehatit thotë se nga Dragodani po tërhiqen ushtria dhe policia. Po të jetë lajmi i vërtetë, atëherë puna po kryhet. Por, njerëzit këtu flasin edhe ato që u pëlqejnë, jo ato që janë të vërteta.

Njëri që ishte liruar nga Burgu i Lipjanit kishte thënë se aty ka parë Flora Brovinën, Halil Matoshin, Albin Kurtin… Lajmi më gëzon. Ata janë gjallë. Për Halilin dhe Bardh Hamzën kisha menduar shumë herë dhe për herë të parë marr vesh për Halilin. Blerimit (Shalës) sikur ia kam dëgjuar zërin nga Maqedonia. Ua them edhe djemve të mi, të cilët komunikonin me mjetet shqiptare të informimit – Kosova Presin dhe Kosovën e Lirë, po edhe me mjete të huaja të informimit. Të paktën të dihet se Halili është në burg.

E martë, 1 qershor

Dje gabimisht kisha shënuar në ditar datën 1 qershor, megjithëse këtu po numërojmë edhe minutat. Ditët fatkeqësisht u ngjajnë atyre që kanë shkuar: të gjata, të rënda, plot lajme trishtuese.

Njëri që erdhi nga Prizreni për të biseduar me telefon nga banesa e Nexhdetit më tha se e kishin dëbuar për Shqipëri edhe dr. Dautin, simbolin e mjekësisë shqiptare ndër ne. Nexhdeti më kishte treguar se ditë më parë në Prizren e kishte parë kur derisa po priste në radhë për bukë, shitësi e kishte shërbyer pa rend. Është njeri që respektohet nga të gjithë.

Esat Stavileci, i veshur pak më ndryshe se zakonisht, bashkë me të atin plak e të sëmurë kishte mbërritur në Tetovë. I ati i kishte vdekur një javë më vonë. Po ashtu edhe Iljaz Kurteshi kishte mbërritur në Maqedoni.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë shkëputur nga kapitulli “Ditari i luftës: Ferri para lirisë” i librit “Udhëtim në të shkuarën” i Zenun Çelajt, Botimet KOHA, tetor 2020

LEXO EDHE: