Shtojca për Kulturë

Monografi që ringjall shkrimtaret shqiptare

Shkrimtaret shqiptare - Meliza Krasniqi

Qëllimi i studiueses Meliza Krasniqi nuk ishte vetëm analizimi, shqyrtimi, interpretimi e vlerësimi i veprave të shkrimtareve shqiptare, por edhe krijimi i vendit të tyre të merituar në historinë e letërsisë shqipe, do të thotë ringjallja e tyre

Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” e Meliza Krasniqit, (Botoi Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2024, 506 faqe) do të jetë referencë e domosdoshme për këdo që në të ardhmen merret me shkrimtaret shqiptare, për këdo që synon ta luftojë harresën në kulturën tonë, sidomos harresën ndaj nënave tona që na e kanë mësuar gjuhën, ndaj mësueseve tona që na e kanë mësuar shkrimin-leximin, ndaj shkrimtareve tona, që na kanë treguar përmes krijimtarisë së tyre letrare e intelektuale se gruaja shqiptare nuk është thjesht objekt frymëzimi për poetët e shkrimtarët

Kur e pyesin poetin e shquar amerikan, Mark Strand-in se a shqetësohet për harresën që mund ta mbulojë veprën e tij në të ardhmen, ai si me shaka përgjigjet se nuk do ta dijë, meqë do të jetë i vdekur. Pastaj shton se shumica e njerëzve që botojnë libra, do të lexohen për pak kohë e do të mënjanohen, pothuajse gjithsecili mënjanohet për të bërë hapësirë për të renë. Ai mendon se kjo është thjesht e drejtë, por sigurisht që do të donte të ishte i gjallë letrarisht edhe pasi të vdiste fizikisht. Strand shpreson që e reja, pasuesja, të përfshijë edhe poezinë, shkrimin dhe leximin e saj. Për popujt me traditë të gjatë letrare e shumësi poetësh e shkrimtarësh cilësorë, siç është për shembull letërsia angleze e amerikane, mënjanimi e harresa mund të jenë më pak të dhembshme, shumë më pak se për shoqëritë e kulturat, të cilave cilësia e artit të fjalës u kushtëzohet nga drama e kontekstit, siç i ka ndodhur përgjithësisht letërsisë shqipe. 

Nëse drama e kontekstit ka qenë e rëndë për shkrimtarët shqiptarë, shumë më e rëndë ka qenë për gratë shqiptare që kanë synuar të shkollohen, të shkruajnë e të botojnë. Pesha e rëndë e dramës së kontekstit historik, social, kulturor, politik, ideologjik, ekonomik, ka shkaktuar varfëri të thellë te populli shqiptar, për pasojë e ka detyruar shqiptarin të mbyllet për shekuj me radhë në kullën e kodeve e sjelljeve etike fisnore, kanunore, edhe fetare, duke qëndruar në gjendje të vazhdueshme mbijetese e vetëmbrojtjeje, i izoluar, për pasojë i kurthuar në fanatizëm, konservatorizëm, patriarkalizëm. Këtë gjendje gruaja shqiptare e ka paguar tepër shtrenjtë, që jehon e ndikon si pasojë edhe sot e kësaj dite në shoqërinë tonë, sidomos nëse bëjmë krahasime me pozitën e gruas në Evropë.  

Dua ta kujtoj këtu një shkrim të Shtjefën Gjeçovit, “Rnesa e kombit shqyptar ndër malcina”, i vitit 1908, dhe t’i citoj disa radhë për vajzat e gratë shqiptare, që të pikëllojnë: “... Cucës e grues shqyptare i gjendet puna: shpina e saj s’pushon e s’rri pa barrë në prendverë, në verë, në vjeshtë e në dimën. Ajo jeton në shpi jo si bijë, por ma zi se një rrogsh. Në mulli ajo do të shkojë, drutë që digjen në shpi rrokull vjetit, krahas me të tjerat gra ajo do t’i bjerë prej malit; ujët qi duhet për shpi, shpina e saj e bjen me bulierë ... prej kronit. Shkurt, prej kambësh të vogla e mje në pleqni ... s’i hiqet laku prej fytit e, në leftë cucë shqyptare, veç për lak len! Cucën e urdhnon gjithkush, ma i madhi e ma i vogli. Asaj i kërcnohet ma i miri e ma i keqi i shpisë, e kjo cing e ping me gojë s’mund të bajë. Gjithkush mundet me u la, me u kreh, me u veshë e me u ndrrue e me u spitullue, cuca jo; ajo do të rrinë si zhadravele e zhelane nëpër shpi e kudo...”.* 

Trajtimi i tillë i vajzave dhe grave shqiptare nuk bëhej vetëm në malësi, por fatkeqësisht, pak a shumë edhe në qytete. Kjo nuk do të thotë që djemtë e burrat shqiptarë e kishin punën mirë, por do të thotë që vajzat e gratë e kishin jetën shumëfish më të vështirë, në çdo aspekt.

Duke e njohur mirë gjendjen e gruas shqiptare, në të kaluarën dhe në të tashmen, edhe në familje, edhe në jetë, edhe në kulturë, sidomos në letërsi, Meliza Krasniqi ia ka vënë vetes mision të hulumtojë, të gjejë dhe të analizojë e të vlerësojë të gjitha veprat letrare të shkruara e të botuara nga shkrimtaret shqiptare, jo vetëm në periudhën 1954-1990, si dëshmi se gruaja shqiptare është gjysma e barabartë e natyrshme e shoqërisë, e familjes, e jetës, e kulturës, edhe e letërsisë shqipe, dhe nga ajo vajza e gruaja me lak në fyt, ka arritur përgjatë dekadave të shekullit të njëzetë ta shfaqë e ta krijojë identitetin e vet kulturor përkundër shumë pengesave. Ideja për t’u marrë me gratë shkrimtare të një periudhe kohore mjaft të gjatë, mund t’i nxjerrë fare mirë dy, ndoshta edhe tri monografi shkencore, por Meliza Krasniqi ka zgjedhur ta sfidojë numrin e konsiderueshëm të shkrimtareve dhe shumësinë e veprave të tyre: mbi gjashtëdhjetë shkrimtare dhe diku mbi dyqindetridhjetë vepra. Përgjatë javëve e muajve e viteve pasuese të idesë fillestare të paraqitur e të miratuar në Degën e Letërsisë, Meliza Krasniqi ka hulumtuar në biblioteka, kombëtare e lokale, librari, stenda librash, panaire, kudo ku ka dëgjuar se mund të gjejë librat e shkrimtareve shqiptare, sepse një pjesë e madhe e veprave të shkruara e të botuara në atë kohë, nuk kanë bërë jetë të mëpastajme publike, nuk janë ribotuar, do të thotë janë harruar dhe ia ka filluar punës në analizimin, shqyrtimin, interpretimin, vlerësimin e tyre. Duhet vetëbesim i madh dhe kompetencë e lartë profesionale për t’u marrë me tërë ato libra, ashtu që rezultatet të përfshihen brenda kapakëve të një monografie, në një afat kohor katër vjet e disa muaj, aq sa ishte kohëzgjatja e projektit të punës. Meliza e ka edhe vetëbesimin, edhe kompetencën profesionale dhe ia ka dalë që punën ta realizojë në nivel të shkëlqyer. Ia ka dalë që qëllimin e saj ta shndërrojë në një monografi të lexueshme edhe nga ekspertët, por edhe nga lexuesi i gjerë. 
Cila është mënyra e operimit të studiueses Krasniqi në këtë monografi për ta realizuar qëllimin e parashtruar? Monografia, pos Hyrjes dhe dy kapitujve teorikë e historikë-letrarë, ka katër pjesë të mëdha. Në pjesën e parë i analizon shkrimtaret shqiptare të Shqipërisë, në pjesën e dytë shkrimtaret shqiptare të Kosovës, në pjesën e tretë, shkrimtaret shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe në pjesën e fundit, shkrimtaret shqiptare të Italisë. Renditja e shkrimtareve bëhet sipas kriterit kronologjik. Vlerësimi shihet që bëhet përmes vëmendjes së kushtuar shkrimtareve të caktuara dhe veprave të tyre. Pra, shkrimtareve më të mira dhe veprave të tyre u jepet më shumë hapësirë. Monografia mbyllet me paraqitjen e rezultateve të hulumtimit, një bibliografi mjaft të vlefshme të shkrimtareve shqiptare, që nga libri i parë i botuar në vitin 1939 (nga Musine Kokalari “Siç më thotë nënua plakë”) e deri në vitin 1990, dhe me literaturën e gjerë të shfrytëzuar: libra teorikë, historikë-letrarë, shkrime, recensione, kritika, intervista të ndryshme. 

Meliza përdor të kombinuara një varg teorish letrare për t’iu qasur teksteve, duke e pasur për bazë teorinë e studimeve gjinore nga rrjedhin edhe kritika gjinore (gjinokritika), edhe metoda e studimeve gjinore; e ka përdorur metodën sociologjike për t’i bërë biografitë e shkurtra të shkrimtareve dhe për ta ndërtuar kontekstin e jetës së tyre; metodën e analizës së tekstit për t’i shkokluar elementet përbërëse të veprave, deri në hollësitë më të imta stilistike e metrike e për t’i parë pastaj prapë si funksionojnë në tërësi; mund të thuhet se herë-herë e përdor edhe metodën psikologjike që nganjëherë merr edhe nuanca psikanalitike, për të arritur deri në thellësitë metaforike-figurative të poezive dhe mendjen e shpirtin e personazheve kryesore kryesisht vajza e gra të prozës, për t’i interpretuar pastaj si reflektim gjendjesh emocionale, shpirtërore e racionale të autoreve krijuese; e fut në punë metodën e krahasimit për të bërë krahasime mes veprave të një shkrimtareje të caktuar, si evoluim krijues-letrar ndër vite, mes veprave të shkrimtareve shqiptare në tërësi, por edhe për të bërë krahasime mes shkrimtareve shqiptare të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut, sepse ndryshonin edhe kontekstet socio-politike e ideologjike, pra ndryshonin edhe mënyrat e krijimit letrar në secilin vend; përdor edhe mënyrat e analizimit të tekstit që rrjedhin nga teoria e narratologjisë, për të analizuar teknikat narrative të tregimeve, novelave dhe romaneve. Duhet thënë se në këtë monografi, studiuesja, Dr. Meliza Krasniqi, shqyrton edhe studimet letrare, kritikat e monografitë shkencore të shkruara e të botuara nga gratë në periudhën në fjalë, pra ajo, përveç analizës letrare të veprave artistike (poezi, prozë, dramë), shkruan edhe metakritikë. 

Duke u nisur nga biografia e duke depërtuar deri në thelbin e letraritetit të veprave të shkrimtareve shqiptare, kjo monografi merr vlera edhe të një teksti historik për shkrimin letrar femëror. Merr vlera të tilla sepse qëllimi i studiueses Krasniqi nuk ishte vetëm analizimi, shqyrtimi, interpretimi e vlerësimi i veprave të shkrimtareve shqiptare, por edhe krijimi i vendit të tyre të merituar në historinë e letërsisë shqipe, do të thotë ringjallja e tyre. Nxjerrja e tyre në pah dhe mbrojtja nga harresa. Kjo monografi është prijatare në këtë drejtim. 

Meliza Krasniqi ka bërë punë të madhe, të jashtëzakonshme dhe mendoj se kjo monografi do të jetë referencë e domosdoshme për këdo që në të ardhmen merret me shkrimtaret shqiptare, për këdo që synon ta luftojë harresën në kulturën tonë, sidomos harresën ndaj nënave tona që na e kanë mësuar gjuhën, ndaj mësueseve tona që na e kanë mësuar shkrimin-leximin, ndaj shkrimtareve tona, që na kanë treguar përmes krijimtarisë së tyre letrare e intelektuale se gruaja shqiptare nuk është thjesht objekt frymëzimi për poetët e shkrimtarët, por subjekt veprues në jetë, në punë, në shoqëri, në letërsi e në kulturë.

* Shtjefën K. Gjeçovi, “Rrnesa e kombit shqyptar ndër malcina”, në: “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (Mbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën K. Gjeçovi), Akademia e Shkencave e RPSSh. Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989, f. 491-492.