Do të vinte në Kosovë në dimër, sikurse edhe kësaj radhe, për t’i takuar njerëzit të cilët e kishin frymëzuar që ta shkruante librin. I kishte parë në gjendje shumë të keqe nëpër kampe. Donte të kuptonte se çfarë ishte jeta e tyre në liri dhe nën mbrojtjen e forcave të NATO-s, kur thuajse gjithçka ishte shkatërruar, dhe duhej nisur nga e para. Ajo vizitë e rrumbullakoi dëshirën dhe mundin e saj për ta lënë për kujtim një libër shkruar nga një gazetare, dëshmitare e asaj që ndodhi më 1999
Po ritakohemi pas një viti pauze të detyrueshme në ceremoninë tonë të përvitshme. Më vjen mirë që me jepet mundësia për t’ju uruar mirëseardhje në këtë ngjarje kulturore ku, me shpërblimin që e mban emrin e Rexhai Surroit, i veçojmë gazetarët dhe shkrimtarët më të mirë të vitit 2021
Me këtë rast, më lejoni ta falënderoj jurinë, e cila mbi një muaj e gjysmë lexoi, analizoi dhe në fund vendosi kujt t’ia ndante çmimet. Bashkëpunimi me anëtarët e jurisë qe i jashtëzakonshëm, kurse vendimet e tyre ishin të njëzëshme.
Ndërkohë, përderisa KOHA solli për herë të parë pakon Premium – parapagimin online në përmbajtjet tona dhe e pasuroi programin e vet televiziv me emisione të reja, vazhdoi edhe me veprimtarinë botuese që sivjet solli një duzinë titujsh shumë interesantë.
Të fundin për këtë vit po e përurojmë sot këtu.
* * *
E gjitha nisi në prill të sivjetmë me një porosi nga Shkëlzen Gashi në msng: “A ke dëgju për Ana Exposito Valle, një gazetare spanjolle?”
Jo, nuk kisha dëgjuar për të, dhe nuk dija asgjë për të. E aq më pak që e kishte shkruar një libër për Kosovën. Kur Shkëlzeni ma nisi kopertinën, disi ramë në hall duke mos ditur prej ku në Spanjë saktësisht ishte Ana, dhe në cilën gjuhë ishte shkruar libri.
Për ta hequr dilemën, Xeni ma përcolli emailin e saj dhe e kontaktova. I tregova se më kishin bërë me dije se e kishte shkruar një libër për Kosovën dhe se do të doja ta lexoja edhe eventualisht ta botoja në gjuhën shqipe. Marrëveshja me të qe e lehtë, sikurse edhe me shtëpinë e saj botuese, ngase tashmë kishin kaluar 20 vjet qëkur ishte botuar libri origjinal.
Libri është shkruar në galicishte, gjuhën amtare të Anës, gjuhë në të cilën kishte raportuar nga kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe në Shqipëri për televizionin e Galicisë. E Galicia është një rajon në veriperëndim të Spanjës që, për ta thjeshtëzuar, e flet një spanjishte të përzier me portugalishte.
Fatmirësisht, leximi i tekstit nuk qe aq i rëndë. E rëndë ishte përmbajtja e asaj që Ana kishte zgjedhur të përshkruante në librin e saj, ngase një pjesë e rrëfimeve përfundonin me dhimbje e pikëllim.
Kisha në duar një tekst të rrallë me një vlerë të jashtëzakonshme dokumentare për luftën e Kosovës, shikuar me sytë dhe përshkruar me emocionet e një gazetareje që bashkëndiente me dhembjen e personazheve me të cilët bashkëbisedonte dhe që i kishte zgjedhur me rastësi.
Kjo ishte lufta e tretë të cilën po e mbulonte si korrespondente e luftës (pas Kroacisë dhe Bosnjës) dhe tashmë e dinte se të ishe në atë terren, nuk ishte vetëm punë raportimi për atë që dihej e shihej. Por ishte punë zbulimi dhe përshkrimi të përjetimeve individuale të njerëzve të rëndomtë, që të gjendur në tokë të huaj, jetonin me bindjen se tashmë i kishin humbur të gjitha, përfshirë fëmijët, familjarët, shtëpitë dhe krejt çfarë kishin pasur.
Personazhet që Ana i përfshiu në libër janë nga komunat e ndryshme të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Obiliqin, Lipjanin, Vushtrrinë, Mitrovicën, Vitinë e Istogun, e që mbase në mënyrën më të thjeshtë e vërteton se dëbimi i dhunshëm i popullatës nga Kosova ka qenë i planifikuar deri në detaje dhe ka pasur për qëllim ta përfshinte të gjithë vendin.
Rrëfimet jo të gjata, por tejet përmbajtjesore flasin më së miri, nëpërmjet të personazheve të Anës, për vuajtjet që shumë kosovarë i kishin përjetuar – ngase sistemi i dhunës i aplikuar nga forcat serbe gjithkund kishte qenë thuajse i njëjti dhe kishte pasur të njëjtin qëllim. Kushdo nga ne që do ta ketë kaluar Bllacën, do ta gjejë vetën në të. Ashtu si edhe ata që kishin mbetur të ngujuar nëpër vendbanimet e tyre duke u fshehur për ta shpëtuar jetën. E sidomos ata që me të kthyer pos shkatërrimit masiv që e përjetuan, do të nisnin kërkimin e familjarëve të tyre të vrarë dhe të zhdukur.
Me një stil shumë të rrjedhshëm dhe dorë të lehtë, Ana ia del që në secilin rrëfim ta kombinojë atë që kishte gjetur dhe zbuluar mes njerëzish nëpër kampe, me atë që do të gjente në Kosovë, në shtëpitë e tyre me t’u kthyer pas përfundimit të luftës.
Do të vinte në Kosovë në dimër, sikurse edhe kësaj radhe, për t’i takuar njerëzit të cilët e kishin frymëzuar që ta shkruante librin. I kishte parë në gjendje shumë të keqe nëpër kampe. Donte të kuptonte se çfarë ishte jeta e tyre në liri dhe nën mbrojtjen e forcave të NATO-s, kur thuajse gjithçka ishte shkatërruar, dhe duhej nisur nga e para. Ajo vizitë e rrumbullakoi dëshirën dhe mundin e saj për ta lënë për kujtim një libër shkruar nga një gazetare, dëshmitare e asaj që ndodhi më 1999.
* * *
Tash Anën e kemi këtu me ne. U kthye në Kosovë pas 20 e ca vjetësh. Kësaj radhe për t’i takuar personazhet apo familjarët e tyre – dhe që nëpërmjet rrëfimeve të tyre që tregojë se ku ka mbërritur Kosova dy dekada pas luftës.
Në përcjellje të përkthyesit të saj nga koha e luftës, Nexhad Bexheti, dhe ekipit të KOHËS, Ana i ritakoi shumë nga njerëzit për të cilët kishte shkruar para sa vjetësh dhe të gjitha këto mbetën të regjistruara me kamerë. Pra është material që do të shërbejë për realizimin e një dokumentari, i cili do të transmetohet si në Kosovë ashtu edhe në Galici. Me këtë rast, dua ta falënderoj Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur që e përkrahu projektin, të cilin e quajtëm sipas librit: “Mirupafshim në Kosovë!”
Vetë Ana ka 35 vjet që merret me profesionin e gazetarisë që e kishte zgjedhur që në fëmijëri. Në misionin e saj të parë ishte dëshmitare e rrëzimit të Murit të Berlinit, e më pas e luftërave në ish-Jugosllavi, për të vazhduar tutje raportimin nga Iraku, Palestina, Republika Demokratike e Kongos dhe Ruanda. Është fituese e disa shpërblimeve për punën e kryer në terren. Megjithatë, në kohë të lirë shkruan libra kryesisht për fëmijë e të rinj ngase siç thotë vetë, ndonjëherë duhet ikur realitetit të hidhur duke i përqafuar iluzionet. Pasion e ka të dëgjojë rrëfime. Dhe ky libër është shembulli më i mirë se sa bukur mund t’i shndërrojë ato rrëfime në kujtime që mbesin të përjetshme.
* * *
Për mua si përkthyese ishte sfidë e jashtëzakonshme që ta shqipëroja një libër nga një gjuhë që nuk e flas, por që mund ta kuptoja me të lexuar. Porse libri e kishte një sfidë shtesë – ballafaqimin me të kaluarën e hidhur, e të qenit vetë person i dëbuar, dhe të gjithë traumën që e rikthejnë kujtimet nga lufta. Për mua si botuese ishte një fat i madh që të mund t’ia ofrojmë publikut kosovar një libër që e thotë të vërtetën për luftën, të tillë çfarë ishte, me fjalët e një reportereje të paanshme dhe një shkrimtareje shumë të mirë.