Shtojca për Kulturë

“Mirëdita...” përballë Serbisë së nacionalizmit që pret koka

Protestuesit kundër “Mirëdita, dobar dan” në Beograd të enjten më 27 qershor

Protestuesit kundër “Mirëdita, dobar dan” në Beograd të enjten më 27 qershor (Foto: EPA)

Anulimi i një festivali si “Mirëdita, dobar dan!” është vetëm një shenjë. Është një rrëfim – jo premierë – që fshihet pas kësaj. Mbi të gjitha është një paralajmërim. Nacionalistët, edhe pasi u anulua festivali, ua dërguan organizatorëve një kokë derri. Qe një kërcenim. Por jo vetëm. “Nacionalizmi tash po merr format e putinizmit që është fashizëm i përshtatur rrethanave të Serbisë. “Momenti delirant ka qenë para disa kohësh festimi i Ditës Serbe në hapësirat e atij surrogati të Serbisë së Madhe që po quhet 'Bota serbe', e që është kopje e 'Botës ruse’”, thotë kritiku e filozofi Shkëlzen Maliqi. “Shembulli me ‘Mirdita, dobar dan!’ dëshmon që Serbia, fatkeqësisht, akoma nuk është çliruar nga fantazmat e luftës, madje, ato po ushqehen, po frymëzohen dhe po inkurajohen të zgjohen. Dhe kjo është vërtet dëshpëruese, madje e frikshme”, thotë dramaturgu Jeton Neziraj

Koalicioni më i fortë në Serbi është ai midis pushtetarëve dhe huliganëve. Është një gjë e provuar kaherë. S’do fort koment. Por bashkimi ndodh edhe kur një grusht artistësh tentojnë të çojnë në kryeqytetin serb ndonjë shfaqje, një film, pak muzikë dhe të diskutojnë për marrëdhëniet kulturore midis dy shteteve. 

Por politika në Beograd, shpejt i kthehet zakonit të vjetër: atij të propagandës duke u bërë thirrje nacionalistëve, huliganëve e kujtdo tjetër që të çohen në këmbë kundër shqiptarëve. Është një koalicion i përhershëm. Në vitet ‘90 krejt kjo çoi në luftërat që ndodhën në ish-Jugosllavi. Tash ekuacioni është i thjeshtë: pushtetarët dalin nja dy javë më herët në media, bëjnë thirrje që populli të mos lejojë që të mbahet festivali “Mirëdita, dobar dan!” dhe synimi merr fund me nja 100 veta në rrugë që bëjnë thirrje për vrasjen e shqiptarëve dhe me pushtetin që çon duart e thotë nuk mund të ofrojmë siguri. 

Më pas një kokë e prerë derri për organizatorët është kusur. Asi kusuri i Mesjetës. Por tregues i madh për gjendjen e mbi të gjithave, popullit serb.

Polici dhe një pako si kërcënim

Polici tullac vëren një libër. E merr atë ia hedh një sy. Pastaj ia kalon një kolegu që me gjasë e njeh shqipen. E shikon me vëmendje dhe shtron pyetje. Dramaturgu Visar Krusha sqaron se ka përkthyer një dramë të një kolegeje serbe dhe tash po ia dërgon nja dy kopje. Thjesht dhuratë. Dhuratë e një dramaturgu shqiptar që i interesojnë dramat serbe, pasi e do artin dhe nuk e ngjyros me bojëra nacionaliste. Bëhet fjalë për një vëllim me dy drama të Tanja Shjivarit, “Uni Evropa” dhe “Sikur krejt vajzat e tjera”. Dhurata që Krusha e mori me vete nuk arriti në destinacion. Pas kontrolleve në detaje në pikën kufitare në Merdar të rreth 20 vetave, artistë e gazetarë që ia kishin mësyrë, policia i prin autobusit. Fiks 25 kilometra pa hyrë në Beograd, oficerët policorë komunikojnë urdhrin: “Kemi urdhër të mos ju lëmë të hyni në Beograd. Duhet të ktheheni prapa”. Visar Krusha lëviz kokën tek thotë se kjo nuk është normale. Krejt në fillim nuk i besohet se shteti serb ka mbetur i tillë. Por më vonë bindet dhe nis të lidhë copëzat e deklaratave të politikës serbe. 

“Shihet që është skenar për të na kthyer prapa dhe për ta anuluar festivalin”, thotë ai. 

Një pjesë e artistëve që ishin më herët në kryeqytetin serb, shkaku i provave për shfaqjen “Babai dhe babai”, kanë parë rreth 100 veta me thirrje për vrasjen e shqiptarëve afër organizatës kulturore, “Dorćol Platz”. Policia përreth ka bërë sehir. E udhëheqësi i tyre politik, zëvendësministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, të enjten doli me urdhër: të anulohet mbajtja e festivalit për të ruajtur qetësinë publike. Ajo pjesë e ekipit ka arritur në Prishtinë të premten. Visar Krusha i mban botimet e dramave ende që në një ditë tjetër më të mirë t’i dërgojë në Beograd. Por organizatorët, Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe “Integra” në Prishtinë kanë marrë një tjetër dhuratë. 

Në adresë të udhëheqëses së Iniciativës në Beograd, Sofia Todoroviq ka arritur një pako. Brenda saj ka pasur një kokë derri. Dhuratë e nënshkruar nga “Patrulla popullore”. Është drama më vete. Por asi paralajmërimi që në vitet ‘90 ia ka futur flakën ish-Jugosllavisë. Krejt kjo ndodh pak ditë para se bota të solidarizohet me gjenocidin e shtetit serb në Bosnjë e Hercegovinë. Këtë pranverë Asambleja e Këshillit të Sigurimit votoi Rezolutën që 11 korrikun e bën ditë të përkujtimit të gjenocidit të Serbisë në Bosnjë ku vetëm në një masakër mbetën të vrarë mbi 8 mijë civilë. Atë ditë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq qëndronte i mbështjellë me flamurin serb në sallë. Njashtu kanë qëndruar edhe huliganët të enjten deri vonë para hyrjes së Qendrës Kulturore megjithëse tashmë shteti u kishte dalë në krah duke e anuluar festivalin. 

Para disa vjetësh kur djathtistët protestonin në numër edhe më të madh njësitet speciale kujdeseshin për ta mbajtur rendin. Në një rast njëri prej policëve civilë u kishte thënë organizatorëve: “Mos e ke gajle, të dyja palëve na paguan Vuçiqi. Neve të ju ruajmë e ata që të protestojnë”. Sivjet kjo është vërtetuar goxha zëshëm.

Pjesëtarë organizatash nacionaliste festojnë ndalimin e “Mirëdita, dobar dan!”

“Fashizëm i përshtatur rrethanave të Serbisë”

Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, ka studiuar në Beograd. Ka qenë goxha emër i protestave studentore atje në vitet ‘60 dhe është prej njohësve më të mirë të kulturës dhe politikës serbe. 
Ai thotë se shteti i Serbisë, pas manipulimit (kurdisjes) të zgjedhjeve të fundit është bërë pre e të djathtës ekstreme dhe forcave antiperëndim. 

“Kujtoni vetëm se non-grata Aleksandër Vulin është bërë nënkryetar i qeverisë së kryeministrit të ri Vuçiçeviq, si një degradim i mëtutjeshëm total. Shoqëria e Serbisë është e përçarë, ka pasur me vjet protesta qytetare masive kundër regjimit aktual, por me partitë e opozitës pikë e pesë, shoqëria nuk ia doli të bëjë gjë kundër regjimit të Vuçiqit”, ka thënë ai të shtunën. Vulin prej të parëve i ka fryrë nacionalizmit me t’u caktuar datat e mbajtjes së festivalit sivjet. 

I adresohej edhe popullit serb që të reagojë. Kishte deklaruar se mbajtja e këtij festivali kulturor në ditën e Vidovdanit është “fyerje së cilës shteti i Serbisë duhet t’i përgjigjet”. “Nëse shteti nuk përgjigjet, do të ketë vend që qytetarët të thonë se çfarë mendojnë për një neveri të tillë”, kishte thënë Vulin.

Ka pak media në Serbi të cilat e shpalosin “Mirëdita....” si ngjarje që synon shkëmbimin kulturor.
Gazeta serbe “Politika”, në një tekst pa autor, “zbuloi” se “’Mirëdita, dobar dan!’ midis Beogradit e promovon Kosovën e pavarur dhe UÇK-në terroriste”. Korit të propagandës qeveritare shpejt i ishte bashkuar ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq. 

“Ta shohim se çfarë do të ngjajë. Unë kam thënë se është ngjarje me rrezikshmëri të lartë. Bëhet fjalë për hapësirë që nuk është publike. Nuk kanë qasje organet tona shtetërore. Ne bëjmë apel që të anulohet. Çfarë masash do të ndërmarrë shteti në këtë moment, nuk mund ta them”, kishte thënë Daçiq në programin e mëngjesit në televizionin “Pink”. Sipas uebfaqes së këtij mediumi, Daçiq kishte shtuar se ky manifestim po mbahet tash e sa vjet, por ai mendon se “tash nuk është koha për të”.
Shkëlzen Maliqi thotë se nacionalizmi tash po merr format e putinizmit që është fashizëm i përshtatur rrethanave të Serbisë. “Momenti delirant ka qenë para disa kohësh festimi i Ditës Serbe në hapësirat e atij surrogati të Serbisë së Madhe që po quhet 'Bota serbe', e që është kopje e 'Botës ruse' që aspiron ringjalljen e Perandorisë Ruso-Sovjetike e këta të hegjemonisë serbe në Ballkan. Ëndrra!”, thotë Maliqi. 

Sipas tij, ashtu sikurse në Rusi kultura dhe OJQ-të shtypen dhe ndalohen, këtë e bën edhe regjimi në Serbi, duke hequr të gjitha maskat e mëparshme se Beogradi i Vuçiqit është për “Ballkanin e hapur” dhe për komunikime pa pengesa në të gjitha fushat e jetës dhe ekonomisë, ku kultura dhe takimet e të rinjve ka qenë një kohë mjet për demonstrimin se fqinjësia e mirë mund të kultivohet në raportet e acaruara mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Por për këtë grupet ekstremiste serbe prej kohësh kanë bërë pengesa, për shembull duke ndaluar ekspozitën e artit të ri kosovar në vitin 2008, pastaj edhe disa shfaqje dhe filma”, thotë ai. 

Gjendjen e tanishme me rastin e ‘Mirëdita, dobar dan!’ e sheh si tregues se grupet ekstreme fashiste tani diktojnë politikën serbe, apo se ideologjia e tyre është në pushtet. 

“Kjo më nuk është një luftë e ngrirë, por ngrirje totale e raporteve që mund të jetë përgatitje për skenarë në ekstreme… Për fat, nuk e kanë lehtë që të nisin një skenar si të Ukrainës… por duhet pasur kujdes dhe duhet kultivuar mirëbesimin me NATO-n”, porosit Maliqi.

Letra e përbashkët Vuçiq-Rama dhe edicionet e radhës

Të paktën sa i përket festivalit “Mirëdita, dobar dan!” dallimi ka qenë krejt tjetër. Ta zëmë në vitin 2014 atmosfera ishte ndryshe. Numëroheshin në gishta ata që e kundërshtonin përderisa edhe salla e Orkestrës Simfonike të Beogradit ishte e hapur për përformancën e Rona Nishliut. Gjithçka kishte nisur në frymë të Bekim Fehmiut. Në edicionet e mëvonshme vazhdimisht ka pasur ulje e ngritje tensionesh. Më 2016 madje nëpërmjet një letre të përbashkët presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishin përshëndetur këtë iniciativë. 

“Dëshirojmë të nderojmë idetë e artistit dhe humanistit të madh Bekim Fehmiu, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Bekimi la gjurmë të pashlyeshme si te shqiptarët, ashtu edhe te serbët… Jeta e tij, arti përmes të cilit ai jetoi, na tregoi se ne mund ta kuptojmë njëri-tjetrin, se mund të mësojmë nga njëri-tjetri, të jemi të lidhur dhe se së bashku duhet të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat e ardhshëm. Bekim Fehmiu është dëshmitar se çfarëdo rruge që të zgjedhim në jetë, për të lidhur dy popujt tanë, do të jenë gjithmonë të dobishme, si për njërin, ashtu edhe për tjetrin. Si për shqiptarët, ashtu edhe për serbët”, shkruhej asokohe në letrën e përbashkët që ishte lexuar nga Veran Matik, udhëheqës i shtëpisë botuese “Samizdat B92”. Matiq pak para këtij edicioni kishte dalë me një letër të hapur. Përshkruante se si në edicionin e dytë ishte edhe vetë asokohe ministri i Informacionit dhe Kulturës, Ivan Tasovac, i cili e hapi festivalin “Mirëdita, dobar dan” në Beograd me fjalët: “Pa bashkëpunim kulturor është e pamundur e as të imagjinohet pajtimi i një shoqërie thellësisht të ndarë”.

“Çfarë ndodhi, që tani disa duan ta kthejnë prapa rrethin në përpjekje për të na kthyer në të kaluarën? Ndalimi i ‘Mirëdita, dobar dan!’ është një ide e rrezikshme, e prapambetur dhe e papranueshme. Është naive të besosh se do të përfundojë me kaq dhe prandaj duhet kundërshtuar. Dhe prandaj ngre zërin dhe protestoj në këtë mënyrë”, ka shkruar Matiq.

Rrethimi i vendit ku do të hapej “Mirëdita....” të enjten e 27 qershorit në Beograd (Foto: AP)

“Fantazmat e luftës po frymëzohen dhe po inkurajohen”

Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se rasti i sivjetmë tregon se Serbia po hy në një fazë të re të radikalizimit shoqëror e politik, se po i kthehet folesë së dikurshme, nacionalizmit primitiv me më shumë agresivitet, e që ta kujton periudhën e viteve të 90-ta. 

“Shembulli me ‘Mirdita, dobar dan!’ dëshmon që Serbia, fatkeqësisht, akoma nuk është çliruar nga fantazmat e luftës, madje, ato po ushqehen, po frymëzohen dhe po inkurajohen të zgjohen. Dhe kjo është vërtet dëshpëruese, madje e frikshme”, thotë ai. 

Sipas Nezirajt, pasojat e kësaj skizofrenie politike atje, më së pari do t’i paguajë vetë shoqëria serbe. Ka shtuar se në fakt, ata veçse po i paguajnë, shumica natyrisht, pa qenë të vetëdijshëm. 

“Sepse, aparati shtetëror i propagandës ka vite që punon, prodhon armiq të rremë – që në këtë rast janë shqiptarët. Niveli i propagandës nuk dallon nga ai i viteve ‘80 dhe ’90, janë ndërruar vetëm taktikat. Nuk ka më ‘burra serbë që shqiptarët ua fusin shishet në bythë’, nuk ka më ‘gra serbe që dhunohen’, nuk ka më fotografi ‘të grave serbe që me pushkë në krah, me foshnjë në gji e kënata në duar, shkojnë të mbushin ujë’”, thotë Neziraj. 

Sipas tij, tani ka lajme çdo sekondëshe në paçavuret mediale për “jetë të vështirë të serbëve në Kosovë”, lajme për “popa serbë që u duhet t’i ruajnë në vetmi manastiret serbe të mbetura shkret”, ka imazhe për “pensionistët që s’mund të tërheqin dinarët e tyre, por medet, duhet t’i konvertojnë në euro”. 

“Dhe krejt kjo përkthehet në ‘vuajtje’, të cilën, natyrisht ata ua faturojnë shqiptarëve. Asnjë shembull për shqiptarët e serbët që diku ndoshta edhe bashkëjetojnë normalisht, asnjë lajm për pensionistët shqiptarë, që po ashtu jetojnë në kushte të mjerueshme, sepse kanë pensione të vogla. Ky lloj demonizimi i Kosovës, i shqiptarëve, që politika serbe e bën me kaq ngulm, në fakt, është mjet kontrolli politik, është mjet dhe taktikë që politikanët serbë kanë zgjedhur për ta ushqyer e mirëmbajtur pushtetin e tyre”, thotë Neizraj. Krejt kjo thotë se bëhet në dëm të Kosovës, por mbi të gjitha, në dëm të Serbisë. “Në dëm të demokracisë dhe të emancipimit politik e shoqëror. Dhe në dëm të së ardhmes së shoqërisë serbe”, përfundon ai. 

Organizatorët e Festivalit kanë lëshuar një komunikatë të gjatë ku me detaje kanë treguar se çfarë ka ndodhur. Kushtrim Koliqi që udhëheq me “Integran” thotë se ajo çfarë ka ngjarë është dëshpëruese dhe zhgënjyese. 

“Alarmuese se si politika, huliganët dhe policia janë bërë bashkautorë të një skenari të tillë”, thotë ai. Fundi i skenarit qe një kokë derri për organizatorët. Krejt kjo e pritshme pasi ata që dalin kundër një kapitulli arti të shtetit fqinj, luajnë me koka. E Serbia edhe 25 vjet pas luftës së fundit ku në Kosovë ka vrarë mbi 10 mijë civilë, i bashkohet zyrtarisht valles së kokave.