Shtojca për Kulturë

Masakra e Tivarit, raporti i Haxhi Lleshit dhe dëshmitarët

Detaj i ilustrimit nga novela grafike “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari”, e autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta

Detaj i ilustrimit nga novela grafike “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari”, e autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta

“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht në masë si gjatë luftës dhe pas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë dhe agjenti i Qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhtari Koci Xoxe”, shkruhet në dokumentin e Sigurimit të Shtetit që akuzon Koçi Xoxen për Masakrën e Tivarit. Gjithashtu në dosjen hetimore depozitohet një raport i Ministrit të Mbrojtjes Haxhi Lleshi ku i raportohet Qeverisë Shqiptare vrasja e 1000 kosovarëve nga forcat e OZNA-s në territorin shqiptar. Dëshmi e gjallë është ajo e Azem Hajdinit. Dëshmitë e qytetarëve të Tivarit japin detaje të mizorisë së ushtruar nga popullsia serbo-malazeze në përkrahje të masakrës. Akte të tilla si Masakra e Tivarit nuk kanë zënë vend në Historinë e Shqipërisë, mbasi shkrimi i historisë shtetërore është trajtuar si akt ideologjik dhe kundër historisë kombëtare

Raporti i Haxhi Lleshit

Mbi Masakrën e Tivarit nisja e kolonave nga Kosova me 4000 rekrutë të paarmatosur nisi në datat 17 dhe 18 mars 1945, njoftimet e para të kësaj ngjarjeje vijnë kryesisht nga dëshmitarët okularë si narrativë e burimeve gojore.

Në gjyqin e Koçi Xoxes 1949-1950 do të jepeshin dëshmi nga disa ish-drejtues të Sigurimit të Shtetit mbi karvanët e drejtuara nga veriu i Shqipërisë për në Tivar. Gjithashtu në dosjen hetimore depozitohet një raport i Ministrit të Mbrojtjes Haxhi Lleshi ku i raportohet Qeverisë Shqiptare vrasja e 1000 kosovarëve nga forcat e OZNA-s në territorin shqiptar.

Dokumenti i Sigurimit të Shtetit që akuzon Koçi Xoxen për Masakrën e Tivarit të 30-31 marsit të vitit 1945, në atë kohë Ministër i Brendshëm ishte Haxhi Lleshi. Ndërsa Koçi Xoxe, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit – akronimi përkthim i OZNA-s jugosllave.

Haxhi Lleshi, dokumenti 19 shtator 1950

“Tepër sekret”, Drejtoria e Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë: “E frymëzuar nga ndjenjat nacionaliste dhe shoviniste, Qeveria jugosllave ka terrorizuar në mënyrën më barbare pakicat nacionale dhe veçanërisht, popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Metohisë të përbërë prej 1 000 000 shqiptarësh. Kjo popullsi shqiptare është masakruar me metoda shumë më të egra dhe barbare nga ato të përdorura nga kralët e Serbisë dhe Gestapoja hitleriane. Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar ilegalisht në masë si gjatë luftës dhe mbas luftës. Në këto masakra ka marrë pjesë dhe agjenti i Qeverisë jugosllave në gjirin e Qeverisë shqiptare, tradhtari Koci Xoxe, i cili me cilësinë e tij si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, në fillimin e vitit 1945, autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (AMPB, F. 1, Hetimor-Gjyqësor, Dosja e hetimit dhe Procesi kundër Koçi Xoxes, 1949, fl.1-2)

Monopoli i Duhanit, vendi ku u krye Masakra e Tivarit

Raporti i Islam Kadeshit, shifrant i Komiteti Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë për masakrat e Tivarit

Në Artikullin “Për Masakrat e Tivarit faji është edhe i KQ të PKSH”, botuar në revistën “Zëri” të Prishtinës, më 16 dhjetor 1995, Islam Kadeshi gjatë detyrës së tij të shifrimit pranë UNCL, në Kosovë jep dëshminë e tij për dhënien e informacionit Komandës së Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë për plojën e Tivarit, të fundmarsit dhe fillimit të prillit 1945.

“Atë ditë erdhi një telegram, një shifër nga komisari i Divizionit të Pestë, Ramiz Alia, i cili njoftonte se sot herët në mëngjes, një turmë e madhe disa mijëra njerëzish, shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes të dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan që të gjithë. Në momentin kur unë e dorëzova këtë telegram, në zyrë e gjeta Koçi Xoxën dhe Enver Hoxhën. Ua dhashë telegramin në shifër të përkthyer. Isha i tronditur, sepse tjera gjëra kishin thënë, e tjera dolën, që u bënë me popullin shqiptar të Kosovës. Për këtë ngjarje u hesht. Turp dhe krim i madh për ta. Më vonë, në një tubim të ngushtë, u mor vesh për këtë masakër. Popullit nuk iu dha asnjë njoftim, nuk dihej se sa ishin vrarë, në ç’rrethana, ku dhe sidoqoftë fakt ishte se 8 000 shqiptarë u vranë me miratimin e krerëve të Partisë Komuniste të Shqipërisë.”

Raporti Zyrtar i Ushtrisë Jugosllave mbi Masakrën e Tivarit

Në dokumentin shkruar në serbisht për Masakrën e Tivarit, shënohet ndërprerja e masakrës nga ardhja e disa forcave të misionit ushtarak amerikan pajisur me makina “Jeep”.

Raporti Zyrtar i Shtabit të Divizionit të 46-të të Serbisë, datë 8. 4. 1945, dërguar Shtabit Operativ për Kosovë e Metohi, lidhur me depërtimin e Eshalonit të dytë në Tivar

“…nga të gjitha anët binin bombat, shtihej nga të gjitha armët, kurse në qitje kanë marrë pjesë edhe këshilltarët, infermierët me një fjalë, të gjithë ata të cilët rastësisht në atë çast u gjenden aty dhe të cilët kishin armë. Qitja u ndërpre atëherë kur asnjëri nga turma e njerëzve nuk u ngrit ose nuk lëvizte. Në gjithë këtë ishin të pranishëm edhe komandanti dhe komisari i brigadës X dhe gati të gjitha entet ushtarake dhe civile, të cilat gjendeshin në Tivar. Shumë prej tyre kanë marrë pjesë aktive në këtë pushkatim të njerëzve. Sipas fjalëve të dëshmitarëve ngjarja ishte më tepër se trishtuese ... Që kjo të jetë edhe më keq, në çastin e qitjes ka ardhur një xhip automobil me amerikanë deri në afërsi ku ka ndodhur e tërë ngjarja. Fatmirësisht disa nga udhëheqësit tanë janë gjetur aty dhe i kanë kthyer në drejtim të Ulqinit. Janë parë edhe disa civilë të cilët gjithë këtë e kanë fotografuar, por më vonë janë tretur në këtë rrëmujë, prandaj për gjithë këtë janë duke u bërë hetime ( dr. Hakif Bajrani. Arkivi i Kosovës, Vjetar XVII XIX, Prishtinë, 1994)

Dëshmitë e gjalla: Azem Hajdini pohon se janë 4310 shqiptarë të zhdukur

Dëshmitë e qëmtuara janë dy llojesh; dëshmi aktuale, marrë në kohën e ngjarjes (1945) dhe botuar postume në vepra të veçanta si te vepra e Prenk Grudës, (Eurorilindja, 1997), dëshmi okulare të Veli Arifit dhe të Azem Hajdini-Xani: në librin e botuar nga shqiptarët e diasporës politike në Gjermani më 1991 “The Bar Tragedy”. Në botimin e dytë Prishtinë 1998, Azem Hajdini - viktimë dhe protagonist i dëshmisë më të qartë të Masakrës së Tivarit, i mbijetuar i Eskalionit të dytë të nisur nga Prizreni për në Tivar jep këtë statistikë për numrin e rekrutëve të nisur nga Kosova në Tivar dhe numrin e viktimave sipas tre Eskalioneve (kolonave me rekrutë kosovarë të nisur për në frontin e Kroacisë për të luftuar nazifashistët).

“Pas numërimit një nga një gjatë hyrjes në ndërtesë është konstatuar se të gjallë kemi mbetur vetëm 810 veta, kurse sa i përket numrit që janë nisur nga Kosova oficeri më          regjistër në dorë na ka komunikuar se nga Kosova jemi nisur 4.700 veta, gjë që do të thotë se gjatë rrugës dhe në plojën e Tivarit janë mbytur, vrarë, masakruar dhe zhdukur 3.890 shqiptarë të Eshalonit {Kolonës} të dytë,

420 të Eshalonit të parë; gjithsej 4310.

AMPB, Haxhi Lleshi: “Relacion mbi terrorin dhe persekutimet në Kosovë”, fl.1-2.

Edhe pse gjakatarët e kishin në plan likuidimin e të gjithëve, në mënyrë që nga kjo plojë të mos mbetej asnjë dëshmitarë i gjallë për të dëshmuar, për fat këta 810 të rinj shqiptarë e mbijetuan plojën. Nga likuidimi i përgjithshëm shpëtuam në sajë të disa vëzhguesve amerikanë, që në atë çast, me një xhip u dukën atypari, afër vendit të ngjarjes, si dhe të disa njerëzve të paidentifikuar civilë, që u dukën dhe e fotografuan tërë ngjarjen. Nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta ndërprisnin plojën. Nga njerëzit që kanë mbetur gjallë nga kjo tragjedi dhe sipas asaj që kam vërejtur vetë, mbi 90 për qind kanë shpëtuar ata që kanë qenë brenda në ndërtesë, sepse mundësitë për shpëtim në oborr dhe shesh kanë qenë minimale. I gjallë ka mbetur aty-këtu ndonjëri që është fshehur ndër kufoma dhe vetëm pse nuk kanë arritur t’i transportojnë para territ. Natën, ata që kanë qenë të plagosur, kanë mundur më lehtë të dalin nga kufomat dhe të ikin në drejtime të ndryshme. Ka raste që edhe në shesh kanë shpëtuar, por ato janë shumë të rralla”.

Dëshmitë e qytetarëve të Tivarit japin detaje të mizorisë së ushtruar nga popullsia serbo-malazeze në përkrahje të masakrës, institucionet lokale morën pjesë në goditjen me armë të rekrutëve shqiptarë dhe gjatë transportit të të vrarëve nga oborri i fabrikës së Monopolit të Duhanit u krijuan grumbuj kufomash që digjeshin në shkëmbinj. Gjithashtu raportohet se mjaft kufoma ishin hedhur në det dhe plisat e bardhë pluskonin me ditë të tana nëpër valë.

Azem Hajdini, kronisti i Masakrës së Tivarit

Akte të tilla si Masakra e Tivarit nuk kanë zënë vend në Historinë e Shqipërisë, mbasi shkrimi i historisë shtetërore është trajtuar si akt ideologjik dhe kundër historisë kombëtare. Masakra e Tivarit ndonëse përmendet në gjyqin kundër Koçi Xoxes viti 1949, nuk është trajtuar nga historianët tanë deri në vitin 1990.

Pas vitit 1990 me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri dhe në Kosovë, trajtohet gradualisht. Në shtypin e Shqipërisë shkrimet e Zef Grudës u botuan nga shtëpia botuese “Eurorilindja” më 1997 dhe në gazetën “Rilindja”, botimi i Tiranës. Vetëm në vitin 2010 do të botohej monografia “Masakra e Tivarit” nga Uran Butka.

Ky libër është përfshirë për herë të parë në listat e “Literaturës së përzgjedhur ndihmëse” hartuar nga bordi i Ministrisë së Arsimit në vitet 2011-2013.