Në saje të urrejtjes patologjike nga masakrat e kryera nga serbët e malazezët e pësuan shqiptarët në Plavë-Guci, Pejë, Gjakovë, Lumë, Dibër e të tjerë. Ngjashëm ndodhi edhe pas Luftës së Parë Botërore përsëri në Plavë-Guci dhe Rugovë (1919), ku u masakruan një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, ndërsa ata që mbetën gjallë emigruan në Shqipëri
Në aspektin gjeopolitik hapësira etnogjeografike shqiptare ishte në qendër të vëmendjes së diplomacisë së Fuqive të Mëdha nga pjesa e dytë e shekullit XIX dhe më pas. Ishte koha e ngjarjeve të mëdha në aspektin regjional dhe atë evropian, ku shqiptarët nën Perandorinë Osmane ishin të parët që u flijuan për interesat e të tjerëve. Ishin pikërisht fqinjët tanë sllavët dhe grekët që u zgjeruan territorialisht në dëm të tokave shqiptare që u verifikua në Kongresin e Berlinit (1878). Ishte koha kur monarkitë ballkanike filluan legalizimin e spastrimin etnik, duke u bazuar në programet shtetërore (Naçertania e Megalo idea). Në saje të aleancës ballkanike të shteteve ortodokse kundër Perandorisë Osmane në vitet 1912-13, shqiptarët përjetuan masakra me përmasa të gjenocidit, sepse aleanca ballkanike synim parësor kishte ndarjen, përkatësisht aneksimin e territoreve shqiptare. Në saje të urrejtjes patologjike nga masakrat e kryera nga serbët e malazezët e pësuan shqiptarët në Plavë-Guci, Pejë, Gjakovë, Lumë, Dibër e të tjerë. Ngjashëm ndodhi edhe pas Luftës së Parë Botërore përsëri në Plavë-Guci dhe Rugovë (1919), ku u masakruan një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, ndërsa ata që mbetën gjallë emigruan në Shqipëri. Një veprim i tillë nuk ishte i rastit, por në saje të politikës gjenocidale për spastrim etnik të tyre krahinave shqiptare në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS. Këto masakra paralajmëronin se njëjtë do të veprohej edhe në viset e tjera në Kosovë e gjetiu ku ka shqiptarë, sepse territoret e aneksuara sllavët i donin pa shqiptarë.
Rugova, krahinë etnografike
Krahina etnografike e Rugovës gjendet në pjesën perëndimore të Kosovës, me sipërfaqe prej 195 km2, me 13 vendbanime dhe një popullsi prej 2451 banorësh, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1981. Ndërsa duke marrë parasysh së në vitin 1991 shqiptarët e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë, regjistrimi zyrtar i radhës është mbajtur në vitin 2011, ku në Rugovë janë evidentuar 203 banorë (ESK, 2011). Një e dhënë e tillë dëshmon se në saje të luftës (1998-1999) dhe pas saj ky mjedis ka pësuar rënie të popullsisë rreth 90 për qind, duke migruar përkatësisht duke u vendosur kryesisht në Pejë e gjetiu në Kosovë, por edhe në botën e jashtme.
Në të kaluarën për Rugovën janë publikuar artikuj, studime dhe botime të veçanta. Ndonëse një krahinë e vogël për nga sipërfaqja dhe numri relativisht i vogël i banorëve, ka qenë e kushtëzuar nga morfologjia e relievit malor dhe ka përjetuar gjenocid të dyfishtë në dekadën e dytë të shekullit XIX, nga ana e serbëve dhe malazezëve, me pasoja të mëdha për popullsinë vendase (1912 dhe 1919). Në saje të të dhënave të deritashme, për këto masakra del se kanë ekzistuar të dhëna të kufizuara sepse në pushtetin monist temat si këto nuk ishin të preferuara për hulumtim dhe publikim të ngjarjeve të tilla. Andaj, angazhimi i studiuesve të ndryshëm për të hulumtuar këto ngjarje duhet mbështetur, sepse opinioni i gjerë e jo vetëm ai shkencor duhet të njoftohet me të vërtetën e këtyre masakrave nga serbët e malazezët, si dhe politikën e tyre gjenocidale kundër shqiptarëve, duke aplikuar në praktikë spastrimin etnik ndaj një krahine të populluar ekskluzivisht prej shqiptarëve.
Politika gjenocidale serbe kundër shqiptarëve
Tashmë dihet se politika gjenocidale serbe në programin e tyre politik të Naçertanies (1844) ishte identike si ajo e grekëve (Megalo Idea), me të vetmin qëllim për zgjerim territorial, duke ëndërruar Serbinë mesjetare. Dhe në praktikë një ide e tillë filloi të realizohej nga viti 1876-1878, duke u legjitimuar në saje të vendimit të Kongresit të Berlinit (1878). Fjala është pikërisht për Sanxhakun e Nishit, ku ndaj shqiptarëve u bë spastrim etnik, duke dëbuar rreth 150.000 shqiptarë, nga gjithsej 614 vendbanime, ku nga to 370 ishin të banuara vetëm nga popullsia shqiptare, si dhe 244 vendbanime të tjera që ishin të përziera (shqiptarë, serbë e çerkezë) (Uka, 1991:89-95).
Pikërisht gjatë operacioneve luftarake të ushtrisë serbe kundër Perandorisë Osmane në Sanxhakun e Nishit në fund të vitit 1877, komanda ushtarake shpërndau një proklamatë, ku në mes të tjerash thuhet se “sa ma tepër të shpërngulni shqiptarë, meritat juaja ndaj atdheut janë më të mëdha” (Uka, 1991:66), duke mbetur thënie raciste për tërë politikën serbe nga shekulli XIX e deri në ditët tona, ku dëshmi është edhe lufta e fundit në Kosovë (1998-1999).
Ngjarjet e zhvilluara me vonë dhe harta e zgjerimit territorial të Serbisë e dëshmojnë më së miri një konstatim të tillë. Kemi të bëjmë me një politikë fashiste, e cila, varësisht prej rrethanave të kohës, paraqitej në modalitete të ndryshme, por objektivi mbetej i njëjtë: ekspansion territorial dhe spastrim etnik e demografik, kryesisht kundër shqiptarëve, por edhe të atyre që nuk ishin ortodoksë, ku pjesëtarët e fesë islame e kanë përjetuar në lëkurën e tyre.
Në mënyrë identike ka vepruar edhe principata e Malit të Zi, gjatë luftës kundër Perandorisë Osmane (1876-1878), përkatësisht kundër shqiptarëve në ato vise e vendbanime që iu dhuruan nga Kongresi i Berlinit (Draga, 2017: 25-63).
Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës
Shqiptarët gjatë Luftës së Parë Botërore e sidomos në përfundimin e saj ndodheshin në një situatë jashtëzakonisht të rëndë. Gjendja ishte aq alarmante, sa që paraqitej rreziku real për ekzistencën e shtetit të pavarur shqiptar. Fuqitë e Mëdha ngadhënjyese të luftës dhe shtetet shoviniste fqinje kishin hartuar projekte e kishin nënshkruar marrëveshje, përmes të cilave jo vetëm njiheshin dhe sanksionoheshin traktatet e mëparshme antishqiptare, por kërkohej edhe copëtimi i Shqipërisë gjysmake. Këtyre planeve të Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje kundër shtetit të pavarur shqiptarët u përpoqën që t’i kundërviheshin me të gjitha mundësitë dhe potencialin që kishin (Culaj, 2009:186).
Në skenë dolën forca të rëndësishme patriotike dhe demokratike që u vunë në ballë të shtetit, duke bërë përpjekje dhe sakrifica për ruajtjen e tërësisë tokësore, për bashkimin e territoreve shqiptare në një shtet të lirë dhe të pavarur, si dhe për demokratizimin e jetës së vendit. Gjithsesi këtu vlen të veçohet Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, i cili luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen e interesave të kombit dhe shtetit shqiptar, kundër pretendimeve të Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje, e posaçërisht kundër planeve dhe politikës antishqiptare të shovinistëve serbomëdhenj.
Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, si organizatë politike me program të përcaktuar politik, u themelua në Shkodër më 1 maj 1918, në kushte tepër të rënda të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ky Komitet u formua kryesisht nga patriotët kosovarë, të cilët, për shkak të rrethanave të caktuara historike, kishin mbetur brenda kufijve të Shqipërisë politike, por që përpiqeshin më tërë forcën e tyre për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare dhe krijimin e një Shqipërie etnike dhe të pavarur. Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës qëndroi gjithnjë në ballë të punës për t’i zgjidhur me sukses detyrat e shpëtimit të Shqipërisë, për zhvlerësimin e traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, për sigurimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje, shpresonte në bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të lirë e sovran. Se çfarë qëndrimi kishte Komiteti i Kosovës ndaj çështjes kombëtare këtë e dëshmon programi themeltar i kësaj organizate kombëtare (Culaj, 1997:187).
Ndonëse mbante emrin e një përfaqësie krahinore, në realitet ishte një organizatë e fuqishme politike kombëtare mbarëshqiptare dhe kishte pamjen e një partie të organizuar mjaft mirë, e cila nuk i përfaqësonte e nuk i mbronte vetëm të drejtat e interesat e emigrantëve kosovarë e të popullit të Kosovës, por të mbarë kombit shqiptar.
Përveç veprimtarisë diplomatike, Komiteti i Kosovës, me qendër në Shkodër, bënte edhe organizimin e lëvizjes nacionalçlirimtare, do të thotë rezistencën e armatosur të popullit (Skendi, 1992: 42).
Vazhdimësia e politikës gjenocidale kundër shqiptarëve
Masakra e Rugovës nuk duhet trajtuar si vepër kriminale e izoluar, por vazhdimësi e politikës gjenocidale të serbëve e malazezëve ndaj shqiptarëve, e cila ishte kundër eliminimit fizik të popullsisë së kësaj krahine. Kujtojmë me këtë rast masakrat e malazezëve në krahinën e Plavës e Gucisë (1912-1913), sidomos atë të datës 4 mars 1913 në vendin e quajtur Previ, si dhe konvertimin e shqiptarëve e boshnjakëve nga feja islame në atë ortodokse, dukuri e panjohur deri atëherë (Plava: 2002, 119-123, Harapi:2004, 45-65, Cana: 1996, 94-139). Realizimi i dy masakrave në këtë krahinë (1912, 1919) brenda shtatë vjetëve dëshmon një konstatim të tillë.
Pas përfundimit të LPB-së, pikërisht në vjeshtë të vitit 1918 ndodhi riokupimi serb i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, tash në kuadrin e Mbretërisë SKS. Ishte kjo koha ku në viset shqiptare si Plava, Gucia dhe Rugova filloi rezistenca e popullit shqiptar të këtyre krahinave, duke marrë përmasa në vitin 1919. Qëllimi i pushtuesve ishte që kjo popullsi të dorëzojë armët, që ta kishte me lehtë okupimin dhe vendosjen e pushtetit të tyre. Por, popullsia e Rugovës nuk ishte e këtij mendimi, sepse përvoja nga vitet e kaluara 1912-15 ishte ende e freskët dhe plagët ende të pashëruara nga dhuna dhe masakrat e kryera prej tyre.
Lidhur me situatën në Rugovë, burimet serbe cekin se “raporte jo të këndshme po arrijnë nga fronti shqiptar. Më lajmëruan mbi lëvizjen e 1000 shqiptarëve nga Rugova drejt Pejës. Lëvizja është përgatitur edhe në Plavë e Guci, ku gjenden rreth 5000 shqiptarë të armatosur”. (Monografia Rugova, f.28).
Nga raportet ushtarake serbe që ka të bëjë me fillimin e shkurtit 1919, del se përcillej gjendja në Rugovë e rrethinë dhe lëvizja e popullsisë vendase për t'iu kundërvënë forcave okupuese serbe. Madje ceket se “në rrethin e Pejës dhe të Gjakovës situata është shumë kritike, se shqiptarët kanë filluar kryengritjen e organizuar në baza shumë të gjera”. (po aty, f.28).
Nuk ka dilemë se ky ishte alarm i mjaftueshëm për dërgimin e forcave ushtarake për masa represive kundër shqiptarëve.
Për ta shtypur kryengritjen në Rugovë, Plavë e Guci, ushtria serbe dërgoi forca të mëdha nga Peja, kurse malazezët sulmuan nga veriperëndimi. U zhvilluan luftime mes shqiptarëve dhe ushtrisë serbe. Gjatë depërtimit të tyre në këto vise ushtria serbe bëri masakra duke vrarë njerëz e djegur fshatra. Sipas të dhënave, bëhet fjalë për 864 persona të masakruar dhe 410 shtëpi të djegura. Më së shumti e pësoi fshati Shtupeq i Madh. (Monografia Rugova, f.29).
Ndërsa në saje të raporteve që i dërgoheshin Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në Shkodër prej datës 17-25 shkurt 1919, bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve në Plavë e Guci jepnin 844 veta. Pastaj raportohej se serbët e malazezët kishin djegur Plavën e Rugovën dhe se rreth 15000 shqiptarë kishin ikur në bjeshkë. Ata që nuk kishin mundur të iknin, nga pleqëria apo sëmundjet , të gjithë ishin masakruar.(H. Muja, Në fenë e të parëve, f. 258).
Në bazë të të dhënave nga Komiteti i Kosovës në Plavë e Guci, vrasja e shqiptarëve vazhdoi edhe në vitin vijues, 1920, ku jepen të dhënat për 537 të vrarë. (Po aty, 259.). Ndërsa, sipas një burimi tjetër, gjatë periudhës janar-shkurt 1919 në Kosovë janë vrarë 12.373 shqiptarë dhe mbi 8000 shqiptarë janë shpërngulur në Turqi (F. Buçinca-F. Dibrani, “Mizoritë serbe në Vushtrri dhe rrethinë” 1919-1956, f.87).
Me shpërthimin e kryengritjes në Rugovë janar-shkurt të vitit 1919, filloi njëherësh përgatitja e kryengritjes së përgjithshme, e cila duhet të shpërthente në pranverë, meqenëse situata ndërkombëtare konsiderohej e favorshme dhe kishte gjasa që të korrigjoheshin padrejtësitë e vitit 1913, kur u përcaktua kufiri i Shqipërisë. Fjala është për Konferencën e Paqes në Paris, ku u përcaktuan kufijtë politikë në Evropë pas përfundimit të LPB-së. Por, siç dihet kërkesat e shqiptarëve për përmirësimin e kufijve nuk u morën parasysh sepse çdo gjë u vendos sipas interesave gjeopolitike të Fuqive të Mëdha, që ishin në kundërshtim flagrant të së drejtës së shqiptarëve për bashkim me shtetin kombëtar.
Në saje të këtyre masakrave, krahina e Rugovës u shpopullua tërësisht, sepse ata që patën fat të mbesin gjallë u larguan nga Rugova, duke u vendosur kryesisht në Shqipëri e gjetiu, për t’u rikthyer vetëm pas vitit 1924 dhe rifilluar jetën në vendlindjen e tyre.
Çështje të veçantë paraqet numri i saktë i të masakruarve dhe atyre të cilët kanë emigruar si nga Plava, Gucia e Rugova, si dhe rikthimi i tyre i mëvonshëm në vendlindjet e tyre. Kujtojmë me këtë rast se në Shkodër u themeluan vendbanimet e reja me emrin Gucia e Re, Gruda e Re, Hoti i Ri, duke dëshmuar origjinën e popullsisë nga krahinat qe kanë përjetuar masakra nga serbët e malazezët, nga viti 1912 e më pas. Ndonëse nuk u themelua vendbanimi i ri me emrin Rugova e Re, nuk do të thotë se popullsia e Rugovës nuk u vendos në vendbanime e krahina të ndryshme të Shqipërisë, por ata kishin një shpërndarje më të gjerë territoriale, por me bindje për rikthim si të krijohen kushtet, duke i mbetur besnik vendlindjes së tyre.
Nuk ka dilemë se qëllimi gjeostrategjik i pushtuesve serbë dhe malazezë ishte spastrimi etnik i këtij territori të okupuar dhe shpërngulja e popullsisë së Rugovës si element i rrezikshëm në këtë mikroregjion, për të ndërprerë lidhjen unike të arealit shqiptar në këtë zonë kufitare. Ngjarjet e mëvonshme në tërë Kosovën e dëshmojnë një konstatim të tillë, ku ekzistojnë dëshmi të shumta të dokumentuara, se politika e spastrimit etnik ishte mision shtetëror i pushtuesve serbë në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Përfundime
Masakrat e serbëve dhe malazezëve në Rugovë nuk duhet të trajtohen si krim i izoluar, por si një vazhdimësi e politikës gjenocidale, e programuar në qarqet shtetërore nga shekulli i kaluar. Ndërsa është çështje për hulumtim të veçantë strategjia e politikës serbe e malazeze në regjionet kufitare sikurse janë Rugova, Plava e Gucia, të cilat nga viti 1912 e deri në 1919 kanë përjetuar dy herë gjenocid vetëm pse ishin shqiptarë. Dhe në saje të krimeve të tilla te popullsia vendore ndodhi procesi i emigrimit të dhunshëm të popullsisë vendase. Pikërisht në këtë aspekt e dhëna se nga masakrat serbe në vitin 1919, ku janë evidentuar 844 viktima, e deri në vitin 1924 në Rugovë nuk kishte njëri të gjallë, dëshmon në mënyrë transparente politikën e tokës së djegur dhe të spastrimit etnik, që paraqet rast unik në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Por, më pas ata që kishin emigruar në vise të ndryshme shqiptare u kthyen në vendlindje duke rifilluar jetën në Rugovë, dhe në varësi të rrethanave të ndryshme shoqërore mbijetuan deri në ditët tona, duke dëshmuar vitalitetin etnik e antropologjik si rrallëkush në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Dy propozime:
1. Vendet e qytetëruara që respektojnë të kaluarën dhe sakrificat e mbijetesës, nderojnë individët, ngjarjet dhe ata përjetësohen në monumente të ndryshme. Pikërisht, në rrethana të reja në Kosovën e pavarur, në vendin e masakrës në Rugovë duhet të vendoset një monument me rastin e 100-vjetorit të saj, të gdhendur aty emrat e viktimave. Dhe një monument i tillë duhet të jetë dëshmi për kohën e kaluar dhe kohën tonë për masakrat nga pushtuesit serbë në Kosovë. Një veprim i tillë është borxh për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës.
2. Duke marrë parasysh se në të kaluarën shqiptarët kanë përjetuar masakra të ndryshme në nivel të gjenocidit, propozoj që të iniciohet botimi një vëllimi të veçantë, ku do të përmblidhen të gjitha masakrat e kryera nga serbët e malazezët në të kaluarën. Botimi i tillë përveç se në gjuhën shqipe, duhet të përkthehet edhe në gjuhë të tjera, si anglisht, gjermanisht, spanjisht, arabisht, turqisht, rusisht, serbisht etj. Vetëm një botim i tillë do të jetë dëshmi në demaskimin e politikës gjenocidale të serbëve e malazezëve ndaj shqiptarëve, përkatësisht të politikës së vazhdueshme të spastrimit etnik të fqinjëve tanë, në hapësirën etnogjeografike shqiptare.
Bibliografia kryesore:
1.Elmaz Plava, Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Tiranë, 2002
2.Rugova(monografi etnografike), ASHAK, Prishtinë, 1987
3.Limon Rushiti, Lëvizja kaçake në Kosovë 1918-1928, Prishtinë, 1981
4.Hakif Bajrami, Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë 1918-1941, Prishtinë, 1981
5.Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913,Dokumente, Prishtinë, 1996
6.Hajrudin Muja, Në fenë e të parëve, LOGOS-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2013
7.Hasan I.Gjonbalaj, Paria e Krahinës së Plavës dhe e Gucisë(1878-1945), Drenusha, Prishtinë, 2009
8.Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”,ASHSH,Tiranë, 2004
9.Raymond Poincare, Lufta e Parë dhe e Dytë Ballkanike si dhe Konferenca e Londrës 1912-1913, LOGOS-A, Shkup-Prishtinë-Tiranë, 2009
10.Lush Culaj, Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1924,IA,Prishtinë, 1997
11.Lush Culaj, Çështja Shqiptare në Konferencën e Parisit 1919-1920, IA,Prishtinë, 2010
12.Ž.Andrijašević-Z.Stanojević, Pokrštavanje Muslimana 1913, Podrgorica, 2003
13.Vakat Zuluma, Plav-Gusinje 1912/1913, Almanah br.55-56, Podgorica,2013
14.Sabit Ukaj, Shpërngulja e shqiptarëve nga Serbia Jugore 1877-78 dhe vendosja e tyre në Rrafshin e Kosovës,Botoi:“Zëri“,Prishtinë,1991
15.Nail Draga, Etnia dhe hapësira, Art Club, Ulqin, 2017
16. Zef Mark Harapi, Ditt e trishtimit n' Pejë e nder rrethe 1912-1913, Dukagjini, Pejë, 2004
17. Eqber Skendi,Hoxhë Kadri Prishtina,Prishtinë, 1992
18.F.Buçinca-F.Dibrani,Mizoritë serbe në Vushtrri dhe rrethinë 1919-1956,Prishtinë,2009
19.Rexhep Dedushaj,Krahina e Plavës e Gucisë nepër shekuj,Nju Jork, 1993
20.Enti Statistikor i Kosovës, 2011