Është zhvendosje pas Luftës së Dytë Botërore, njeriu përhumbshëm kërkon të kthehet në të shkuarën sepse e tashmja ia ka mjegulluar realitetin e aty s’e gjen dot veten. Në të tashmen i flet njeriut në botën e iluzioneve e të shtirjes ku kanë dorë edhe rrjetet sociale. “Martesa”, siç është titulli i shfaqjes, bazuar në dramën e Witold Gombrowiczit, është vetëm një episod. “Është një shfaqje e veçantë sepse është një lloj ëndrre, një lloj tranzicioni a stuhi e mendjes ku karakteri kryesor është një lloj metafore e çdo njeriu sot derisa kërkon të gjejë autenticitetin e tij pas luftës”, ka thënë Norbert Rakowski, regjisori i shfaqjes e cila me premierë ka hapur sezonin e Teatrit Kombëtar të Kosovës
“Martesa” me tekst të mjeshtrit polak të dramës psikologjike dhe të absurdit, Witold Gombrowicz, ka zbarkuar në Prishtinë si kërkim i identitetit të njeriut. Shfaqja 90-minutëshe shpërfaq hipnotizimin e njeriut dhe artificialitetin e tij. Futet në një botë të marrë në skenat që mjegullohen bashkë me realitetin.
Përtej një vendimi e akti, martesa është filozofi për tranzicionin e njeriut në situata të caktuara e gjërat që mbesin peng. Me premierën e shfaqjes të adaptuar dhe nën regji të polakut Norbert Rakowski, Teatri Kombëtar i Kosovës ka hapur sezonin e ri.
“Martesa”, produksion i TKK-së, përthekon problematikat e shoqërisë pas Luftës së Dytë Botërore e që gjëllijnë edhe sot. Aty është drama e njeriut që kërkon autenticitetin e tij. Në shfaqje ai është aktor në teatrin e përditshëm të jetës. Çështjet komplekse e filozofike shtrohen me gjuhë të ashpër.
Shfaqja ka në qendër Henryn, një i ri ushtar që nëpërmjet ëndrrës së tij kthehet në atdhe në një kafene që drejtohet nga prindërit e tij. Ngjarjet në ëndërr ngjajnë të jenë një luftë paralele në realitetin e tij. Karakteret shpesh duken të hipnotizuara, si kukulla në skenën e jetës. Bëhen misteriozë.
Gjendet në një situatë krejt tjetër nga se e kishte lënë familjen e tij para se të nisej ushtar për në Francë. Prindërit e tij kanë qasje tjetër ndaj tij ndërsa situata ka ndryshuar në raport me të fejuarën e tij. Nisin konfliktet.
Kryepersonazhit Henry, rol që e luan aktori Armend Smajli, çdo gjë i duket e pakuptimtë. Aktori Smajli ka thënë se “Martesa” shfaq një absurditet që sillet me anë të dramaturgjisë klasike.
“Janë disa linja që në gjithë atë absurditetin, si artistë mundohemi të nxjerrim konkretizim. Është një djalë i ri që kthehet nga lufta. Ne nuk e dimë çfarë ka ndodhur me të para se të shkojë në luftë dhe se çfarë ka ndodhur me familjen dhe ish-të fejuarën e tij kur është kthyer nga lufta. Është në kërkim të diçkaje, në kërkim të riparimit të jetës së kaluar që e ka pasur. Pastaj shtrohen shumë pyetje: a jemi ne përgjegjës për shumë gjëra në jetë që nuk varen prej nesh. Kjo është një ndër rrafshet që prek shfaqja, pastaj prek edhe një lloj pretendimi që ne e kemi ndaj situatave të caktuara”, ka thënë aktori Smajli.

Ka thënë se është shfaqje për atë që kurrë s’e themi siç duam ta themi, por vetëm atë që e konsiderojmë të duhur për t’u thënë.
“Flet pak edhe për hipokrizinë në shoqëri. Është shkruar pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon të ketë shumë gjëra aktuale që sot në botë ndodhin. Një djalë totalisht i hutuar që kurrë nuk e dimë a është në ëndërr, në realitet a në makth, janë disa përgjigje që as ne nuk i dimë edhe sikur njëqind herë ta lexojmë veprën”, ka thënë ai, derisa dramën e polakut Gombrowicz e ka konsideruar prej më të vështirave për t’u inskenuar.
Ka thënë se rolin e tij lirshëm do t’ua dedikonte ushtarëve në vend dhe prindërve të tyre. Procesin e përgatitjes së shfaqjes e ka konsideruar të vështirë, ndërsa e ka vlerësuar stilin e regjisorit Rakowski.
“Ka qenë proces interesant, i çuditshëm, jo i lehtë. Është asi teksti që kur e lexon mund të duket interesant, por gjatë rrugës e sheh sa komplikimet i ka. E mira është që me regjisorin, kemi parë disa shfaqje të tij, ia kemi gjetur stilin e tij, e ka shumë të rëndësishëm imazhin dhe gjendjen emocionale që krijon prej një imazhi. Refuzon të krijojë emocion aktori direkt në skenë, por prej një tërësie tenton të përçojë emocionin”, ka thënë ai më tej pas shfaqjes.
Babai i Henryt bëhet mbret, pijaneci bëhet ambasador ndërsa vetë ai një diktator. Të parin rol e luan aktori Mensur Safçiu që është rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar pas rreth dhjetë vjetësh.
“E vlerësoj shumë punën dhe përkushtimin e kolegëve të mi, veçanërisht punën e regjisorit. Ka qenë proces i jashtëzakonshëm nga i cili kemi dalë të fituar si me përvojë, si mendërisht, shpirtërisht e intelektualisht”, ka thënë ai derisa shfaqjen e ka konsideruar shumë më ndryshe nga të tjerat.
“Është një përplasje midis absurdit dhe filozofisë, një ëndërr në vegim i Henryt i cili futet nëpër skutat e mendjes së vet, korridorit, trurit të tij të plaguar nga lufta. Duhet të flitet gjatë për biografitë e roleve, duhet të hyhet në vertikale për ta sipërfaqësuar këtë muhabet. Ma merr mendja që publiku e nuhati këtë punë, por sidoqoftë, është shfaqje shumë më ndryshe”, ka thënë aktori Safçiu.
Martesa është tema e herëpashershme. Ëndërrimtari planifikon të martohet me të fejuarën e tij në një dasmë mbretërore. Jo rrallë dyshon edhe në vlefshmërinë e ëndrrës.
Pijaneci, që luhet nga aktori Shkelzen Veseli, shpesh debaton me kryepersonazhin dhe krijon situata me të cilat Wladzio (Ylber Bardhi) duket se po i vardiset të fejuarës së tij. Kështu Henry merr postin e babait të tij, për të qenë i gjithëfuqishëm dhe për ta testuar këtë, i kërkon mikut të tij të sakrifikohet. Ai pajtohet ta vrasë veten, Henry pendohet për atë që ka bërë dhe martesa anulohet.
Regjisori i shquar polak, Norbert Rakowski, ka thënë se nga përvoja e tij si regjisor ka parë se aktorët angazhohen maksimalisht për të luajtur sa më mirë dhe se kjo ka ngjarë edhe me ata të trupës së TKK-së.

“Është shumë e rëndësishme të përzgjidhen aktorët e duhur për karakteret përkatëse. Kasta është shumë e rëndësishme dhe bashkëpunimi ishte i mirë. Ajo çfarë më befasoi më së shumti ishte sesi punuan në një tekst kaq të vështirë të Gombrowiczit, që nuk është i njohur në Kosovë. Vepra është shkruar në vitin 1947, pas Luftës së Dytë Botërore dhe tani drejtuesit e Teatrit vendosën që kjo do të ishte shumë e duhur për rrethanat këtu”, ka thënë regjisori Rakowski, i cili si regjisor teatri ka debutuar në korrik të 1999-s me shfaqjen e tij origjinale “Suddenly”.
Ai ka thënë se midis disa shfaqjeve që kishte propozuar te menaxhementi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, “Martesa” ishte ajo që donte më së shumti ta punonte. Kjo pasi sot, sipas tij, njerëzit jetojnë në një botë ku krijohen shumë iluzione, veçmas në rrjete sociale.
“Secili krijon këto iluzione dhe ne nuk e dimë çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. Paradoksalisht, teatri është vendi ku mund të gjejmë diçka që është shumë më e vërtetë. Është një shfaqje e veçantë sepse është një lloj ëndrre, një lloj tranzicioni a stuhi e mendjes ku karakteri kryesor është një lloj metafore e çdo njeriu sot derisa kërkon të gjejë autenticitetin e tij pas luftës. Supozoj se për të rinjtë, lufta nuk është kohë shumë e njohur, por shumë të rinj në Kosovë, njohin disa pjesë të saj, për dallim nga ajo që njohim ne nga Lufta e Dytë në Poloni”, ka thënë Rakowski.
Dramaturgjia është punuar nga Zoga Çeta-Çitaku ndërsa në shfaqje luajnë edhe Sheqerie Buçaj, Era Balaj dhe Adhurim Demi. Loja mjeshtërore me drita (Bogumil Palewicz) dhe në skenografi (Maria Jankowska) krijon atmosferën e realitetit paralel te “Martesa”. Është bërë e ditur se ky produksion do të shfaqet në Poloni në ngjarjen që mban emrin e autorit të shfaqjes “Martesa”, në festivalin ndërkombëtar “Gombrowicz”. Sivjet mban edicionin e 17-të prej 10 deri më 19 tetor. Sipas programit, “Martesa” e inskenuar nga TKK-ja do të shfaqet më 18 tetor nga ora 19:00.
“Martesa” vjen si rrëfim sesi të formohet vetvetja e marrëdhëniet me të tjerët dhe si të bjerë maska e njeriut të shtirur. Krejt historia e shfaqjes tregohet në një atmosferë të pasigurt. Një e tillë që mbahet nga frika se në çdo moment rrëfimi do të ndërpritet nga prishja e kësaj ëndrre.
“Martesa”
Autor: Witold Gombrowicz
Adaptimi dhe regjia: Norbert Rakowski
Luajnë: Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buçaj, Era Balaj, Adhurim Demi
Dramaturge: Zoga Çeta-Çitaku
Asistent regjisor: Skender Podvorica
Kompozitor: Tomor Kuçi
Skenografe: Maria Jankowska
Kostumografe: Paula Grocholska,
Dizajni i dritave: Bogumil Palewicz
Video artist: Wojciech Kapela
Udhëheqëse teknike: Rrezarta Basha
Asistente e kostumografes: Alba Bytyçi
Inspicient: Mursel Haziri
Ndriçues: Bujar Bekteshi
Toni: Arben Aliu
Fotografe: Mrinë Godanca
Dizajn grafik: Nita Qahili