Shtojca për Kulturë

Marrëveshja e Kumanovës, Ivani diku në një fshat të braktisur shqiptar

Solitaire Mystery

Librin “The Solitaire Mystery”, të autorit Jostein Gaardet, Ivani e ka shpallur si “shoqëria e luftës” për shkak se nuk është ndarë as edhe një ditë prej tij. E ka mbajtur vazhdimisht në xhepin e majtë. Në faqen e parë bosh shkruhet 10 qershor. Data e fundit që ka regjistruar është 12 qershor, ora 4.30: “Jam duke shkuar për Nish. Kundërmim bliri”

Kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës më 9 qershor 1999, Ivani ishte në këtë moment në kufirin me Shqipërinë, diku në Koshare, në një fshat të braktisur shqiptar, më duket se quhej Smolnica. Njësia e tij, po mendoj, se ka qenë një nga të parat që ka filluar të tërhiqet. Ata kaluan nëpër Prishtinë. Rastësisht, një rezervist nga Prishtina me të cilën ai rrinte gjithë kohës, njoftoi Nebojshan, kolegun tim të Fondacionit, se Ivani kishte arritur në Prishtinë. Nebojsha na mori menjëherë në telefon. Çdo gjë dukej joreale. Llogaritëm se për sa kohë do të mund ta linte Kosovën. Rreth mesditës morëm lajm edhe nga Nishi

Për qëllime të mbrojtjes kombëtare sekuestruan një automobil nga Fondacioni. Më duket se ishte një “Pasat” i bardhë. Një muaj më vonë na informuan se makina ishte vjedhur. Pra, ujku hëngri gomarin! Makinën e drejtonte një nënkolonel. Kam vënë re se Lejtnant-Kolonelët preferojnë makina të bardha, kurse majorët kanë më shumë qejf makinat e kuqe. Në Qendrën e Medias në Beograd të gjitha të kujtonin “Kasablankën”. Përveç se aty, unë nuk e gjeja dot Humphrey Bogartin dhe, veçanërisht Ingrid Bergmanin. Çdo gjë dukej e marrë fund dhe krejt e pashpresë. Shumica shprehej se nuk kishte më asnjë mënyrë se si Millosheviqi ta kalonte këtë batërdi. Askush nuk arrinte të mendonte se pas Marrëveshjes së Kumanovës (53) do të shpallte me zë të lartë fitoren. Kjo lloj ideologjie apo psikologjie që na rrethon, po e mban ende në fuqi qeverinë e Serbisë. Kreu i propagandës dhe i marrëdhënieve me publikun, në frontin e ushtrisë ishte Gjeneral Aleksandar Bakoçeviq (54). Komanda e tij ishte e vendosur në Shtëpinë e Ushtrisë në afërsi të Qendrës së Medias. Këtu afër vepronte edhe një tjetër qendër e pararojës patriotike – Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë, saktësisht “Francuska 7” (55). Mbaj mend se disa shkrimtarë u organizuan me mençuri për të ofruar shërbimet e tyre letrare dhe të informacionit në mënyrë që të shmangnin sa të qe e mundur mobilizimin. Në fakt, kjo doli të ishte reciprokisht e dobishme. Unë, vetë, nuk shkoja shumë shpesh në Qendrën e Medias, më mërziste turma dhe ritregimi i vazhdueshëm i asaj që kish ndodhur ose parashihej të ndodhte. Kjo i jepte Bakonjës, shefit të propagandës, ndjesinë e një koncerti të freskët variete. Po çfarë kishte mbetur më për t’u bërë nga propaganda që nuk ishte bërë tashmë nga individë të tillë si Zheljko Mitroviq dhe Julovacët (56). 

Ne telefononim andej-këndej, te të gjithë ata që njihnim duke i pyetur vazhdimisht nëse dinin diçka më shumë, se kur do të nënshkruhej armëpushimi, e se kur do të fillonte ushtria të kthehej pas në kazerma. Ndonjëherë zërat matanë telefonit të inkurajonin, kurse nganjëherë të zhysnin edhe më tej në dëshpërim. Lajmet që na mërzisin më shumë, ishin ato që vinin nga njerëzit e afërt, që e dinin fatin e Ivanit tonë, dhe që shpesh na përgjigjeshin me nervozizëm se nuk dinin asgjë, apo se për këtë informacion shërbenin negociatat midis Millosheviqit, Martyit dhe Chernomyrdinit (57), dhe na përplasnin menjëherë receptorin. Për t’i justifikuar e kemi interpretuar sjelljen e tyre si frikë se mos i përgjonin. Çmenduri e pastër. Dhe, e dinim mirë se ata mund të përgjonin çdo gjë dhe gjithkënd ndaj dhe njerëzve tanë u duhej të bënin kujdes. 

Shumica e tyre që gjallonin ishin si të tulatur dhe cinikë. Doli lajmi për disa kërmij gjigandë, një fenomen shumë i pështirë natyror, që fare lehtë mund të lidhej me bombat me uranium të varfëruar dhe grafit. Në qershor u shfaq moria e pilivesave që dukej si një reagim spontan ndaj përhapjes së forcave natyrore në këtë përdhunim të përgjithshëm që po i bëhej jo vetëm materies por edhe mendjes. As nuk e prisnim fare, kur pranvera na u shfaq sërish. Shtëpia mbushej vazhdimisht plot. Arrinte që gatuhej për deri dhjetë persona. Gorana nuk lidhej shpesh me ne. Në rrugë qëllonte të na ndalte ndonjë nga të njohurit me të cilët s‘kishim pasur ndonjë lidhje të ngushtë, për të na pyetur se çfarë po ndodhte me Ivanin.

Sllavko Quruvinë dhe Brankon i takova së bashku rreth një javë para se Sllavkon ta vrisnin. U ndalëm te farmacia në cep dhe biseduam për rreth dhjetë minuta përballë ndërtesës së gazetës “Politika”. U fola për Ivanin dhe se ne nuk kishim asnjë lajm prej tij. Ishte ditë e qetë, e ngrohtë, ndoshta e diel. Kur mësuam se Sllavko u vra, vërtet u habitëm. Nuk ndjeva asnjë frikë, pata vetëm një si tërbim. Sidomos kur dëgjova se te “Politika”, në katin e katërt, ishin festuar Pashkët. Kjo për mua ishte vërtetë e pakuptueshme, edhe pse i njihja mirë njerëzit që ishin përfshirë aty. Mbaj mend funeralin te Varrezat e Reja dhe heshtjen e mallkuar që peshonte ngado, e që shtypte çfarëdo gjë që ishte normale.
Marrëveshja e Kumanovës u nënshkrua më 9 qershor 1999. Ivani ishte në këtë moment në kufirin me Shqipërinë, diku në Koshare, në një fshat të braktisur shqiptar, më duket se quhej Smolnica. Njësia e tij, po mendoj se ka qenë një nga të parat që ka filluar të tërhiqet. Ata kaluan nëpër Prishtinë.

Rastësisht, një rezervist nga Prishtina me të cilën ai rrinte gjithë kohës, njoftoi Nebojshan, kolegun tim të Fondacionit, se Ivani kishte arritur në Prishtinë. Nebojsha na mori menjëherë në telefon. Çdo gjë dukej joreale. Llogaritëm se për sa kohë do të mund ta linte Kosovën. Rreth mesditës morëm lajm edhe nga Nishi. Kjo ndodhi rreth datës 12 qershor 1999.

Të nesërmen, kur Ivani na mori sërish në telefon, u nisëm vetë për në Nish. Ia dola nëpërmjet një miku nga Nishi të marr rosto derri për Ivanin dhe shoqërinë e tij. Ishte punë mjaft e vështirë, sepse çdo gjë kishte avulluar nga tregu. Mbaj mend se vetëm buka dhe birra ishin ende të mjaftueshme.

PËRSHKRIMI i IVANIT

I nxirë, i dobësuar rreth gjashtë apo shtatë kile më pak, por me humor të mirë, gjendje normale pa as edhe një tik, dhe, siç kuptohet shumë, shumë i palarë. Çuditërisht, nuk mban erë. Ka me vete edhe një libër, që i ka bërë shoqëri gjatë luftës.

Librin “The Solitaire Mystery”, të autorit Jostein Gaardet, e ka shpallur si “shoqëria e luftës” për shkak se nuk është ndarë as edhe një ditë prej tij. E ka mbajtur vazhdimisht në xhepin e majtë. Në faqen e parë bosh shkruhet 10 qershor. Data e fundit që ka regjistruar është 12 qershor, ora 4.30: “Jam duke shkuar për Nish. Kundërmim bliri”

Në kazermën (Panteleimon), ku i kanë vendosur, dhe ku vazhdimisht derdhen ushtarë të rinj, nuk ka as energji elektrike, as ujë. Për telefon as që mund të flitet. (Sot më 15 qershor, Ivani na njoftoi se uji megjithatë ishte dukur në rubinet.) Regjimi në kazermë është jashtëzakonisht anarkist. Ushtria hyn e del nëpërmjet portës kryesore apo gardhit, që në shumë vende është i përshkueshëm. Qyteti është i mbushur me ushtarë. Është e lehtë të kuptosh, apo dallosh kush vjen nga Kosova dhe kush qëndronte nëpër klubet e Nishit. Para së gjithash prej këpucëve dhe uniformave. Ivani thotë se në kohë paqeje ka qenë e paimagjinueshme të dilte ndonjëherë i katandisur kështu në qytet. Shumica dalin pa as edhe një dokument me vete. Gjëja kryesore është të kthehesh në kazerma brenda orës 19:00. Dhe, vërtet, nuk ka ujë dhe energji elektrike, por nuk ka as kuzhinë. Kështu, regjimi ushtarak mbahet ende me mish të konservuar dhe byrek. Kush ka të holla ha jashtë – mish të pjekur mirë dhe birrë!

Më kujtohet se si Sasha i lau Ivanit flokët dhe qafën mbi një lavaman të vogël në restorantin ku shkuam për drekë. Kur u larguan nga Kosova, Ivani gjithë kohën ka qenë në pragjet e dëmtuara të shtëpive nga u shmangën me fytyra të ekspozuara ndaj erës dhe zërat e zhurmshëm prej tollovisë. Kështu edhe fytyra e tij dhe flokët ishin thjesht të mbushur me këtë!

Në oborrin e kazermës, bërë copë-copë nga bombat, një major me një këmishë me mëngë të shkurtra, po i vërdalliset përqark një Mercedesi të ri të kuq lbyrës me targa Gjakove. I vjen e i rivjen qark pa ndalur. Oborri është në fakt një park i tejmbushur që strehon një flotë të çuditshme: kamionë frigoriferikë, furgonë, kamionë, makina të zakonshme... të gjithë nga i njëjti vend. A janë këto thjesht automjetet private të zyrtarëve dhe oficerëve ushtarakë apo plaçkë e zakonshme e luftës? Unë nuk mund ta vërtetoj dot.

Përktheu nga origjinali: Ben Andoni. Botohet me leje të autorit. 
 



Velimir Ćurgus (1948, Novi-Sad – 11 nëntor 2018, Beograd). Gazetar dhe personalitet i njohur i publicistikës serbe. Drejtor i “Ebart Consulting” që nga viti 2002. Ishte redaktor i kolonës kulturore në gazetën “Politika” nga viti 1988 deri në 1996. Para kësaj, punoi si redaktor dhe botues për tetë vjet në Qendrën Kërkimore dhe Botuese të Rinisë serbe në Beograd. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë dhe autori i rreth dhjetë librave me prozë dhe ese me temën e kulturës dhe politikës kulturore. Esetë dhe librat e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, polonisht, japonisht dhe disa gjuhë të tjera më të vogla. Ai është autor i disa librave mbi marrëdhëniet me median, politikën dhe kulturën dhe po ashtu hartues i disa projekteve në fushën e kërkimit të mediave dhe kulturës. Velimir Ćurgus ka marrë Çmimin Ndërkombëtar për Ese në “Lettre International”, në Weimar, në vitin 2000. Ishte anëtar i Qendrës serbe – PEN prej vitit 1987. Por, Ćurgus ishte gjithashtu piktor, veçanërisht në llojin e teknikës së kombinuar në letër. Me emrin e tij janë të lidhura pesë ekspozita. Ai ishte edhe autori i dy skenarëve të filmave të shkurtër.


Fusnotat 

(53) Marrëveshja Teknike Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe Qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë (e njohur zakonisht si Marrëveshja Teknike Ushtarake ose Marrëveshja e Kumanovës) ishte një marrëveshje e lidhur në 9 qershor 1999 në Kumanovë, që përfundoi luftën e Kosovës.

(54) (Uzhice, 8 nëntor 1928 - Beograd, 13 janar 2007), aktivist i njohur social-politik, ish-kryetar i Parlamentit të Republikës së Serbisë dhe qytetit të Beogradit. Por pak kohë edhe gjeneral.

(55) Adresë e kthyer në simbol. Është adresa ku gjendet një godinë, me të cilën lidhet historia e letërsisë dhe përkthimit serb. Po ashtu, një vend, ku janë pritur shumë prej emrave më të njohur të artit e të kulturës nga bota, ftuar nga autoritetet sllave.

(56) Julovacët janë anëtarë të grupit më të urryer të personave në Serbi (anëtar i partive politike JUL, persona kyç të cilët ishin Mirjana Markoviq, gruaja e Sllobodan Millosheviqit, dhe Ljubisha Ristiq, ish-drejtor i talentuar teatër). Ky grup i njerëzve janë të njohur dikur si uzurpues të pushtetit, vjedhje, sjellje të vrazhdë, duke organizuar mafien, kontrabanda, për shkak monopoli në shumë biznese, duke përfshirë edhe disa kanale televizive të njohura.

(57) Ishte koha kur serbët i dhanë një shkëlqim shpresës së dokumentit të sjellë në Beograd nga Presidenti finlandez, Martti Ahtisaari dhe i dërguari rus Viktor Chernomyrdin, duke theksuar se "konfirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë".