Shtojca për Kulturë

“Manifesta 15” në Barcelonë me artin si katalizator ndryshimesh

“Manifesta 15” në Barcelonë

“Tre tymtarët”, vendi kryesor i “Manifesta 15” në Barcelonë

Barcelona do të jetë nikoqire e “Manifesta 15” – pas Prishtinës, ku u mbajt prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit 2022, që shtetit i kushtoi 4 milionë euro dhe sot nuk ka asnjë shenjë – me një program i cili qëmton se si arti dhe arkitektura mund të trajtojnë shqetësimet urgjente si ndryshimet klimatike, padrejtësinë sociale ekonomike. Festivali, i cili ka vizituar qytetet evropiane përgjatë 30 vjetëve të fundit, ka për qëllim të nxisë debatin rreth çështjeve urgjente globale

Pau Esteban po përpiqej të shpjegonte rreziqet me të cilat përballej një nga ligatinat më të mëdha të mbrojtura të Evropës nga intervenimet për zgjerimin e Aeroportit të Barcelonës, kur zhurma e motorëve të avionëve bëri që të thahej.

Ai përmbledh në mënyrë të përkryer betejën që po shpërthen midis ambicieve private për të zgjeruar Aeroportin e qytetit dhe zemërimit të publikut se si kjo mund të shkatërrojë një vend të shenjtë për florën dhe faunën e mbrojtur nga Komisioni Evropian. Se kush do të fitojë mund të varet po aq nga vendimet e marra në Bruksel, sa nga politikanët dhe vendasit në qytetin spanjoll.

Dilema midis kompanive private dhe publikut është një nga debatet në qendër të “Manifesta 15” në Barcelonë, Bienales e cila do të qëndroj në kryeqytetin katalunas prej 8 shtatorit deri më 24 nëntor.

Festivali, i cili ka vizituar qytetet evropiane gjatë 30 vjetëve të fundit, synon të nxisë debatin rreth çështjeve urgjente globale përmes artit dhe arkitekturës.

Fuqia e shoqërisë

“Manifesta 15” do të fokusohet në mjediset metropolitane, duke trajtuar shqetësimet urgjente si ndryshimet klimatike, pabarazitë sociale dhe pabarazitë ekonomike. Në vend që të përpiqet të tërheqë më shumë turistë në Barcelonë, “Manifesta” këtë herë kërkon të nxisë debatin midis vendorëve nëpërmjet kulturës.

Artistë, arkitektë dhe urbanistë të njohur nga Spanja dhe Portugalia do të marrin pjesë në këtë edicion të Bienales dhe do të fokusohen në mundësitë për strukturën e decentralizuar, burimet natyrore dhe rrjetet e lëvizshmërisë.

“Institucionet kulturore të qytetit janë të gjitha në qendër të Barcelonës, duke ushqyer 23 milionë turistë”, ka thënë për “Euronews Culture”, Hedwig Fijen, drejtoreshë e “Manifestas”.

Ajo ka thënë për 5 milionë njerëz që jetonin në Barcelonë, kishte pak interes kulturor në periferi dhe ata duhej të udhëtonin në qendër në muze, galeri arti ose teatër.

Manastiri i Sant Cugat del Vallès, qytet në veri të Barcelonës

Shqetësime publike, ambicie private

Pas tre vjetësh kërkimi, Fijen ka thënë se “Manifesta” identifikoi tri zona jashtë qendrës së qytetit, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët.

Ato ishin Delta de Llobregat që përfaqësonte konfliktet balancuese midis ambicieve private dhe publike mbi ligatinat kundrejt zgjerimit të Aeroportit.

Në veri të qytetit, ndodhet manastiri i Sant Cugatit IX, i cili përfaqëson një vendstrehim për njerëzit nga Barcelona. Ndodhet në Parkun Natyror Collserola, i cili shtrihet në 8 mijë e 300 hektarë hapësirë ​​të hapur që përmban 940 lloje kafshësh.

Në perëndim të qytetit, ka “Three Chimneys” (Tre tymtarët) një ish-termocentral i papërdorur, i ngjashëm me stacionin e energjisë Battersea në Londër.

Kjo ndërtesë e madhe, si fantazmë, mund të përdoret në të ardhmen si një hapësirë ​​kulturore për banorët vendas në Badalona, ​​një qytet që po bëhet i famshëm dita e ditës, por që ka probleme me lidhjet e dobëta me qendrën e Barcelonës.

“’Manifesta’ është nomade dhe është një inkubator për ndryshim. Ne mendojmë se kultura mund të ketë një strategji inkubatori për ndryshim, ndoshta për ndryshim social”, ka thënë Fijen. “Sapo kemi ardhur nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës. Aty menduam të krijonim një infrastrukturë kulturore, por njerëzit donin një qendër kulturore për të treguar historitë e luftës (Kosovës)”.

“Manifesta 15” do të bashkojë 11 hapësira që rrethojnë Barcelonën në një përpjekje për të krijuar një infrastrukturë kulturore dhe për të eksploruar çështjet sociale.

Arsimi është një nga çështjet që festivali dëshiron të shqyrtojë. Bienalja do të shqyrtojë rëndësinë e Escola del Mar, Escola del Bosc dhe Vil-la Joana.

Këto ishin tri shkolla, të cilat u hapën në vitet 1920, për të ofruar arsim të përzier dhe arsim special për familjet e klasës punëtore.

Qëllime ambicioze

Bienalja gjithashtu do të shqyrtojë dhe kolektivin e mësuesve Batec në vitet 1930 dhe Escoles en Lluita, një lëvizje shoqërore nga fundi i viteve 1970 që kërkonte të krijonte zona alternative arsimore që vënë theksin në drejtësinë sociale, punën në komunitet dhe aktivizmin.

Ekipi artistik i “Manifesta 15” përbëhet nga specialistë vendës dhe nga emra ndërkombëtarë të cilët do të bëhen bashkë në Barcelonë.

Në delta e Llobregatit, ku një nga lumenjtë kryesorë të deltës së Barcelonës derdhet në det, ka një ndjenjë rrethimi. Ka 923 hektarë ligatina që shtrihen përgjatë plazhit. Por shumë afër është aeroporti që është e pamundur të shmanget.

Çdo pesë minuta apo më shumë, biseda shuhet nga breshëria e zhurmës nga avionët që zbarkojnë ose ngrihen më pak se një kilometër larg.

Esteban, nga këshilli i Prat de Llobregat, autoriteti lokal, po shpjegonte se ligatina është tashmë në rrezik – kur ai u ndërpre në mënyrë të vrazhdë nga një nga problemet më të mëdha të tij – avionët jumbo.

Kur zhurma u ndalua, ai tha: “Ka tri probleme për ligatinën: regresioni i vijës bregdetare, uji i keq në vetë deltën në laguna dhe mungesa e lidhjes ekologjike midis projekteve aty pranë”.

Esteban ka thënë se delta nuk është e lidhur siç duhet me hapësira të tjera të hapura për shkak të projekteve të bëra nga njeriu.

“Zgjerimi i Aeroportit do ta dëmtojë edhe më shumë deltën, sepse është e cenuar pas projekteve të njëpasnjëshme të zgjerimit”, shtoi ai.

Grupet ekologjike dhe shoqatat e banorëve kundërshtojnë çdo zgjerim të Aeroportit sepse, sipas tyre, do të dëmtojë ligatinat.

Megjithatë, grupet e biznesit dhe disa parti politike, veçanërisht Partia Popullore Socialiste dhe Konservatore, favorizojnë planin në mënyrë që Aeroporti të mund të ofrojë më shumë fluturime në distanca të gjata. Katalonia do të përballet me zgjedhje rajonale më 12 maj, pas të cilave, qeveria e ardhshme rajonale mund të vendosë të ardhmen e ligatinave.

Marrë nga “Euronews”. Përktheu: Enis Bytyqi