Shtojca për Kulturë

Mali i Zi – vendi më multinacional në Evropën Juglindore

Shpërndarja territoriale e popullsisë në Mal të Zi, sipas përkatësisë kombëtare identike, si në vitin 2003

Shpërndarja territoriale e popullsisë në Mal të Zi, sipas përkatësisë kombëtare identike, si në vitin 2003

Publikimi përfundimtar i rezultateve nga regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, i mbajtur në vitin 2023, eliminoi spekulimet në lidhje me ndryshimet e mundshme në strukturën kombëtare të popullsisë, sepse kemi të bëjmë me të dhënat pothuajse identike sikurse në vitin 2011, duke dëshmuar se ky është vendi më multinacional në Evropën Juglindore

Opinioni i gjerë është informuar se të dhënat paraprake mbi regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe të banesave në Mal të Zi, që është mbajtur prej 3 deri më 28 dhjetor 2023, nga ana e MONSTAT-it u prezantuan më 25 janar, ku numri i përgjithshëm i popullsisë është 633.158 banorë apo për 2.1% më tepër se në vitin 2011 (620.029 banorë). Në Mal të Zi janë 217.441 ekonomi familjare dhe 396.873 banesa.

Ndërsa me një vonesë të konsiderueshme të dhënat definitive u prezantuan në konferencën për media më 15 tetor, që kanë të bëjnë me strukturën kombëtare të popullsisë, gjinisë, moshës, gjuhës, fesë e shtetësisë.

Spekulime me strukturën e popullsisë

Pikërisht në mungesë të publikimit zyrtar të strukturës së popullsisë në kohën e duhur nga individë të ndryshëm janë prezantuar informata sa i përket strukturës kombëtare të popullsisë. Një çështje e tillë ka të bëjë kryesisht në lidhje me numrin e të deklaruarve në aspektin kombëtar si malazezë dhe serbë, sepse në sajë të raporteve politike, viteve të fundit në Mal të Zi kjo çështje është politizuar shumë. 
Ndërsa, nëse analizojmë të dhënat nga regjistrimet e kaluara të popullsisë (1948-2011) ka fakte të mjaftueshme se janë bërë falsifikime numerike në këtë drejtim, e atë kryesisht në favor të malazezëve e në dëm të popujve të tjerë, që ishte në kundërshtim me realitetin në këtë mjedis multinacional. Në këtë aspekt falsifikime janë bërë edhe ndaj shqiptarëve që dëshmohet nëse analizohen të dhënat sipas vendbanimeve të banuara me popullsi shqiptare në viset e tyre si popullsi autoktone në këtë mjedis, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë.

Struktura e gjinisë, moshës dhe e shtetësisë

Sipas strukturës gjinore, në Mal të Zi 316.862 e banorëve janë femra (50.8%), ndërsa 306.807 (49.2%) janë meshkuj. Mosha mesatare e popullsisë në Mal të Zi është 39.7 vjet, që është për 2% më e lartë se në regjistrimin e vitit 2011, ndërsa femrat në mesatare janë më të moshuara për 2.5 vjet, sesa meshkujt. Në Mal të Zi janë 78,4% e popullsisë madhore.

Shtetësinë e Malit të Zi e kanë 565.804 individë apo 90.73%, ndërsa atë të dyfishtë 10.691 (1.71%). Po ashtu duhet cekur se këtu janë 46.878 (7.52% shtetas të huaj me vendqëndrim në Mal të Zi, ndërsa 240 (0.04%) janë pa shtetësi të asnjë shteti, ndërsa 20 banorë nuk janë deklaruar.

Struktura kombëtare e fetare pa ndryshime të mëdha

Sipas strukturës kombëtare janë deklaruar: malazezë 256 436 (41.1%) serbë 205.370 (32.9%), boshnjakë 58. 956(9.45%), shqiptarë 30.978 (4.97%), myslimanë 10.162 (1.63%) romë 5.629 (1%) dhe kroatë 5150 (0.97%) dhe nuk kanë dashur të deklarohen 17.907 (2.88%). Në këtë kategori kësaj here bëjnë pjesë edhe rusët 12824 (2.06%).

Ndërsa sipas strukturës fetare janë deklaruar: ortodokse 443.394 (71.1%), islame 124.668 (19.9%), katolike 20.408 (3.2%), ateist/agnostik 14.260 dhe nuk janë deklaruar 10.691.

Ndryshime për gjuhën amtare

Si gjuhë amtare që e kanë gjuhën malazeze janë deklaruar 215.299 qytetarë (34.52%), serbe 269.307 (43.18%), boshnjake 45.500 (7.30%), shqipe 32.725 (5.25%), ruse 14.731 (2.36%), serbokroate 13.232 (2.12%) dhe nuk janë deklaruar 10.691 (1.71%).

Nëse krahasojmë të dhënat për përkatësinë kombëtare e atë gjuhësore, del qartë se te malazezët ka defekte identitare, sepse rreth 6% e malazezëve nuk janë deklaruar se gjuhën malazeze e kanë amtare por e kanë atë serbe(!). 

Nga ana tjetër serbët në këtë aspekt kanë rritje të dukshme për 10% që dëshmohet se gjuha serbe është e para në Mal të Zi. Dhe një konstatim i tillë është në favor të partive politike serbe të cilat janë deklaruar se do të përpiqen që gjuha serbe të jetë gjuhë zyrtare në Mal të Zi, sepse atë e flet numri më i madh i qytetarëve në këtë mjedis. Po ashtu edhe te boshnjakët numri i atyre që gjuhën boshnjake e kanë gjuhë amtare është më i ulët se ata që janë deklaruar të tillë në aspektin kombëtar për 2.48%.

Ndërsa e kundërta në këtë aspekt është duke ndodhur me shqipfolësit, të cilët në aspektin gjuhësor janë më të numërt se ata të cilët deklarohen në aspektin kombëtar, për 0.28%, çështje e cila meriton një analizë të veçantë, për ato komuna ku shqiptarët janë popullsi autoktone.

Gjysma e popullsisë në katër komuna

Më së shumti banorë ka Podgorica – 179.505, e më pas Nikshiqi 65.705, Tivari 45.812 dhe Bjello Pole 38.662 banorë. Në këto katër komuna është e koncentruar 52.9% e popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi.

Më së paku banorë kanë Shavniku 1.569, Plluzhina 2.177, Zhabjaku 2.941 dhe Andrijevica 3.910 banorë.
Në krahasim me vitin 2011, nëntë komuna kanë rritje të numrit të banorëve, ku rritjen më të lartë e ka Budva.

Ndryshime në aspektin regjional

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë, në aspektin regjional, del se regjioni Verior në Mal të Zi, është i përfshirë nga dukuria e shpopullimit sepse për pesëdhjetë vjet 1971-2023, numri i banorëve ka rënë për 70.617 (30.66%) nga 230.309 (1971) në 159.662 (2023).

Nga ana tjetër, regjioni Qendror ka pasur rritje për 106.944 banorë (34.54%) nga 202.612 (1971) në 309556 (2023). Po ashtu rritje ka pasur edhe regjioni Jugor për 65.277 banorë (39.81%) nga 96.683 (1971) në 163.960 (2023). 

Dukuria e tillë e shpopullimit të popullsisë, dëshmon pabarazinë e zhvillimit ekonomik në aspektin regjional, e cila në sajë të parashikimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku më atraktivë do të jenë regjioni Qendror e ai Jugor.

Shpopullimi – dukuri shqetësuese

Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2011 në Mal të Zi ishin 43 vendbanime pa banorë (3.3%) ndërsa tash ky numër është rritur në 74 (5.1%) e numrit të përgjithshëm në Mal të Zi.

Nga ana tjetër është rritur dukshëm edhe numri i vendbanimeve nga 10 banorë e më pak që janë 304 (20.8%) ndërsa në vitin 2011 ishin 120 apo 9.2%. Një e dhënë e tillë dëshmon se për disa vjet në vijim një e katërta e vendbanimeve do të jenë pa banorë, që është dëshmi e migrimit të popullsisë, përkatësisht e shpopullimit të vendbanimeve!

Regjistrimi më transparent deri më tash

Duke marrë parasysh se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, sipas marrëveshjes të cilën e kanë nënshkruar faktorët politikë, janë realizuar dy procese të veçanta, dhe atë në kontrollin e të dhënave, ku qytetarët kanë pasur mundësi t’i realizojnë përmes softverit (1-7 tetor) të dhënat për veçoritë etniko-kulturologjike, por edhe kontrollit të të dhënave nga përfaqësuesit e partive politike, andaj me të drejtë mund të thuhet se kemi të bëjmë me regjistrimin më transparent deri më tash, me tërë mekanizmin kontrollues, si asnjëherë deri më tash.

Këtij konstatimi duhet shtuar të dhënat se procesi i regjistrimit të popullsisë u politizua nga partitë politike e sidomos ato serbe, por një veprim i tillë nuk ndikoi në ndryshimin mekanik të strukturës kombëtare të popullsisë, sepse ajo mbeti pothuajse identike si në regjistrimin e vitit 2011 pa ndryshime të mëdha që është pranuar nga strukturat politike e qeveritare në vend, nga del se Mali i Zi vazhdon të jetë mjedisi më heterogjen në aspektin kombëtar, gjuhësor e fetar në Evropën Juglindore.