Të dhënat e publikuara nga CEDEM-i, nga mesi i muajit dhjetor në vitin e kaluar, gjatë hulumtimit të opinionit në mes të tjerash kanë paraqitur të dhëna në lidhje me strukturën kombëtare të popullsisë në Mal të Zi, ku për shqiptarët kanë prezantuar shifrën prej 4.6 për qind në kuadër të popullsisë së përgjithshme, nga del se është më e ulët për 0.3 për qind nga regjistrimi i popullsisë i mbajtur në vitin 2011, çështje e cila mbetet e diskutueshme deri në regjistrimin e rregullt të popullsisë që duhet të mbahet gjatë këtij viti, nëse në ndërkohë nuk vendoset ndryshe
Ka kohë që CEDEM-i merret me hulumtimin e opinionit publik në Mal të Zi, duke prezantuar të dhëna me interes për opinionin, ku përveç analizës së spektrit politik, ofron të dhëna në lidhje me strukturën kombëtare të popullsisë. Duke marrë parasysh se regjistrimi i fundit në Mal të Zi është mbajtur në vitin 2011, ndërsa regjistrimi i rregullt që është dashur të mbahet vitin e kaluar, të dhënat për strukturën kombëtare të popullsisë në këtë mjedis janë me interes edhe për shqiptarët, ku sipas hulumtimit të tyre, shqiptarët momentalisht paraqiten me 4.6 për qind të popullsisë së përgjithshme në Mal të Zi.
Anketimi si test i momentit
Bëhet me dije se këto rezultate janë të ngjashme me ato të anketimit të muajit qershor, dhe diferenca e vogël është në kuadër të mundësisë së gabimit statistikor prej 3.1 për qind. Në anketimin e qershorit si shqiptarë deklaroheshin 4.1 për qind e të anketuarve, dhe rritja në 4.6 për qind nuk do të thotë rritje e numrit të tyre. Megjithatë, të dy këto anketime tregojnë përqindje më të ulët të shqiptarëve se në regjistrimin e vitit 2011, kur si të tillë deklaroheshin 4.9 për qind e popullsisë së Malit të Zi.
Se shqiptarët kanë rënie të numrit të tyre askush nuk e vë në dyshim, sepse krahas rrethanave të pavolitshme shoqërore, në tre vjetët e fundit kemi pasur goditje nga pandemia COVID-19, që as shqiptarët nuk janë përjashtim. Por, sa është vërtet numri i shqiptarëve dhe sa mund të trajtohen si reale të dhënat nga ana e CEDEM-it, mbetet çështje për diskutim.
Në pritje të regjistrimit të rregullt të popullsisë
Pa mohuar angazhimin e hulumtimit të opinionit nga ana e CEDEM-it, të dhënat e publikuara janë të rastit, por nuk mund të injorohen sepse kemi të bëjmë me një subjekt serioz në Mal të Zi, që ka një përvojë në këtë fushë të hulumtimeve.
Madje, deri në regjistrimin e rregullt të popullsisë që sipas gjasave do të mbahet gjatë këtij viti, nëse në ndërkohë nuk vendoset ndryshe, ky subjekt mund të organizojë ndonjë hulumtim tjetër, duke na ofruar të dhëna të tjera. Por, nuk ka dilemë se valide do të jenë të dhënat nga regjistrimi zyrtar i popullsisë, pavarësisht se sa do të jetë përqindja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme në Mal të Zi.
Por, zhgënjyese është e dhëna që ka të bëjë me ndryshimin e shqiptarëve në aspektin e përkatësisë kombëtare, si dhe të gjuhës amtare. Një dukuri e tillë nuk është e panjohur, sepse ka ndodhur edhe më herët ku numri i shqiptarëve që gjuhën shqipe e kanë gjuhë amtare është më i lartë, sesa i përket përkatësisë kombëtare. Andaj, një e dhënë e tillë pa dilemë do të jetë identike edhe në këtë regjistrim të popullsisë, madje do të ishte sensacion të ndodhë e kundërta. Është çështje tjetër pse ka qenë e pranishme një dukuri e tillë, si veprim subjektiv i regjistruesve apo të qëndrimit indiferent të të intervistuarve në ditët e regjistrimit të popullsisë.
Diaspora e përjashtuar nga regjistrimi!?
Ashtu si në regjistrimin e kaluar të popullsisë, edhe kësaj radhe janë gjasat që diaspora do të mbesë jashtë këtij procesi me rëndësi të veçantë shoqërore. Nuk ka dilemë se në saje të të dhënave që disponojmë, shqiptarët janë populli i cili më së shumti ka emigruar duke dëshmuar për pozitën sociale e shoqërore të tyre të pavolitshme në Mal të Zi. Ndërsa pas shqiptarëve, të dytët janë pjesëtarët e popullit boshnjak, e më pas janë malazezët e serbët.
Mosgatishmëria e Qeverisë që të evidentohet në regjistrimin e popullsisë edhe diaspora, dëshmon qartë politikën denigruese të pushtetit ndaj qytetarëve të cilët kanë lindur dhe kanë kontribuar në aspektin shoqëror dhe ekonomik në vendlindjen e tyre.
Përjashtimi nga regjistrimi i popullsisë i paraprinë fshirjes nga evidentimi i vendbanimit të lindjes dhe nga regjistri zgjedhor, për të marrë pjesë në zgjedhje, qofshin ato lokale apo parlamentare. Diaspora nuk e meriton një qasje të tillë, sepse kujtojmë me këtë rast se votat e tyre ishin vendimtare në referendumin për pavarësi të Mali të Zi, të mbajtur më 21 maj 2006.
Regjistrimi i popullsisë jo vetëm çështje statistikore
Pa marrë parasysh se kur do të mbahet regjistrimi i popullsisë gjatë këtij viti, partitë politike të shqiptarëve që janë parlamentare duhet të angazhohen që përmes amendamenteve të ndikojnë në Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive shtëpiake dhe banesave, i cili duhet të miratohet nga Parlamenti gjatë muajve në vijim, të evidentohet edhe diaspora në këtë rast në mënyrë të veçantë ajo shqiptare. Një veprim i tillë duhet të jetë obligim politik, moral dhe kombëtar, sepse ajo është pjesë e pandarë e identitetit tonë kombëtar, sepse regjistrimi i popullsisë nuk është vetëm çështje statistikore.
Po ashtu, në Komisionin në përgatitjen e regjistrimit të popullsisë, shqiptarët duhet të jenë pjesë e tij me individë profesionistë që njohin çështjet demografike, jo vetëm në procesin e regjistrimit, por edhe në atë të përpunimit dhe të publikimit të tyre, të cilat janë zyrtare për këtë proces të rëndësishëm shoqëror dhe jo vetëm statistikor në këtë mjedis.