Rrëfimi gjen vend duke u zhvendosur plot shkathtësi midis arratisjeve imagjinare dhe së vërtetës brutale. Një ilustrim i vërtetë i kufirit fare të hollë që e ndan shpresën dhe dëshpërimin, është qasje krejt e veçantë e regjisorit maqedonas Vardan Tozija me filmin “M”. “Në rregull, e dimë në çfarë vendesh jetojmë por nganjëherë duhet ta largojmë mendjen nga realiteti, dhe kështu doli edhe ky film”, ka thënë Tozija
Kur i bëhet një rishikim sipërfaqësor krejt peizazhit të filmbërjes në Ballkan në së paku dhjetë vjetët e fundit, “M” i regjisorit maqedonas Vardan Tozija del krejt jashtë margjinave. Dhe mirë bën. Në fakt ai me këtë film e fiton agjendën e vet duke mos ngjarë me asnjë film, as në temë e as në trajtimin kinematografik që i bën.
Kjo dramë, e përthyer me përpjekjet fanta-shkencë, jep vazhdimisht mesazhe, por gjuha filmike ka frakturë të ashpër metaforike. Ani pse skenari përmban rreshta domethënës, porositë jepen direkt por pa u bërë e qartë adresa, e si rezultat, gjeneron pikëpyetje të shumta për shikuesin. Por duhet të pranohet që para së gjithash është sfidues si film. Sfidues në të kuptuarit e tij, si i tillë rezultoi edhe për audiencën e “PriFestit”. Kishte shumë nga ta që lëshonin sallën gjatë kohës së shfaqjes së filmit të shtunën mbrëma në natën e parafundit të edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit.
Gjithsesi bota distopike në “M” edhe pse ka vend për çdokënd, nuk është edhe aq ftuese. Shikuesi mund ta imagjinojë veten në një pyll plot vegjetacion me gjethet që tajisin vazhdimisht një lloj lëngu, e ku ndjesia e mjegullimit mbizotëron. Atmosferë e mbinatyrshme e mbi të gjitha e zymtë. Këto janë skenat e para të filmit, por nuk bëhen me lule as tutje, në fakt shëmtia e peizazhit ndërron nivel vazhdimisht. E mban shikuesin në një atmosferë e këndvështrim që kërkon vëmendje maksimale për të kuptuar zhvillimet në narrativë.
Historia zhvillohet rreth Markos, një djali të vogël, që veç ndërgjegjes së pastër të një fëmije ka dhe imagjinatën vivide që i bën rojë në distopinë ku gjendet. Bashkë me të atin paranojak ata jetojnë të izoluar brenda një pylli të kalbur. Marrëdhënia e tyre është qendra, tensioni e vetmia janë dy aspektet që e karakterizojnë atë. Marko udhëzohet nga i ati që të mos e kalojë pyllin kurrë, sepse e përtejmja nga pylli sjell veç ligësi. Por ajo çfarë del në sipërfaqe mbi gjithçka tjetër është pafajësia dhe njëfarë këmbëngulje e verbër me plot guxim e Markos.
Një nga pikat e forta të filmit është përdorimi i realizmit magjik për të vënë përballë botën e fantazisë së Markos me realitetin e zymtë të vendit ku ai banon. Rrëfimi gjen vend duke u zhvendosur plot shkathtësi midis arratisjeve imagjinare të Markos dhe së vërtetës brutale të mjedisit që e rrethon. Një ilustrim i vërtetë i kufirit fare të hollë që e ndan shpresën dhe dëshpërimin. Metafora vjen e shtohet kur prezantohet edhe personazhi i Mikos. Një djalë me sindromën Down, që bëhet shok i Markos, si shëmbëlltyrë e një zemre të pastër kundër shtypjes sistematike, çfarëdo qoftë ajo. Dyshja vihet në kërkim të së ëmës. Babai i Markos zhvillohet tuje si personazh duke u ballafaquar me luftën me krijesat që në dukje i ngjasojnë njeriut, një version “zombie” që përfaqëson të keqën e njerëzimit. Por përtej narracionit të pasur, atë e pasurojnë edhe më elementet vizuale dhe audio duke e rritur dukshëm ndikimin e tij narrativ. Ia jep atmosferën e të magjishmes, por asaj distopike që ndjell ngaherë dhe neveri. Është e zorshme t’i bëhet bisht udhëtimit bashkë me Markon.
Mes të qenit pak komercial, kryesisht artistik, ”M” nuk përkon me idenë e aktivizimit si qasje në filmbërje. Për regjisorin maqedonas ky stil i trajtimit të filmit duhet inkurajuar më tepër.
“Jemi një grup i vogël regjisorësh nga ky regjion dhe e kemi këtë frustrim se gjithmonë eksporti që pritet nga ne është trajtimi ekzotik i Ballkanit, këto dramat e zeza që paraqesin vuajtje të rënda. Në rregull, e dimë në çfarë vendesh jetojmë, por nganjëherë duhet ta largojmë mendjen nga realiteti, dhe kështu doli edhe ky film. Njëfarë eksperimenti që përzien dramë, artistiken dhe “zombiet” në të njëjtin vend. E kemi bërë dhe jemi të lumtur që arritëm ta realizojmë atë”, ka thënë regjisori Tozija për KOHËN pas premierës.
Në “PriFest” ai kishte qenë edhe herë të tjera, këtë radhë garon për çmimin kryesor me “M”. Në fjalën e tij para se të niste filmi zgjodhi të bëjë një homazh për Vjosa Berishën, themeluese edhe drejtoreshë e “PriFestit”, e cila vdiq në vitin 2022 dhe kujtohet përherë gjatë festivalit.
E, për Tozija foli edhe pas premierës. Me sy të njomur kujtoi bashkëpunimin me të ndjerën duke e vlerësuar për kontributin e saj në skenën e filmit.
“Unë kam qenë në këtë festival vite më parë me filmin tim ‘Amok’, dhe jam takuar edhe me Vjosën. E kam njohur atë si njeri me zemër të madhe dhe mendje të hapur. Në fakt, njerëz si Vjosa u duhen vendeve tona. Ajo ishte një punëtore e madhe dhe një njeri i mirë. Ajo ka lënë ‘PriFestin’, këtë festival që nuk e di se sa mbështetje merr, sepse qeveritë tona nuk investojnë shumë në kulturë, por që mund ta shohim se sa shumë e duan njerëzit”, ka shtuar ai.
Audienca pas premierës është parë e befasuar nga përmbajtja. “M” nuk është për shijet që shenjtërojnë masat.
Henrika, një e huaj e cila po kryen një praktikë në Kosovë erdhi në premierë, por filmi i doli si një befasi e këndshme. I papritur.
“Isha e surprizuar nga përmbajtja e filmit, sepse nuk kam shikuar as trailer ose diçka para se të vij, por defintivisht më la me shumë pyetje në kokë. Ishte pak i ngarkuar sa i përket emocioneve, kishte ndryshim atmosfere vazhdimisht”, ka thënë ajo.
Ngjashëm e kishte përjetuar dhe mikja e saj, Melanie.
“Filmi ishte një befasi sinqerisht. Por në fakt ishte pak dhe shqetësues në disa raste. Nuk dija se çfarë të prisja, por si përfundim mendoj që më pëlqeu”, ka thënë ajo.
“M” është një film që ka kapacitetin e plotë që mahnit vizualisht. Ka raste kur është gati sfilitës emocionalisht, por kjo bie në binarë kur kuptohet se krejt fabula është një mori pikëpyetjesh që lindin nga asocime të ndryshme përgjatë filmit. Ofrohet një imazh i një të ardhmeje të njerëzimit e cila nuk duket larg po qe se humbet pastërtia e imagjinatës së Mikos e Markos. Është një thirrje e qartë për dhembshuri.