Shtojca për Kulturë

Lufta dhe dështimi i diktatorit serb për sundimin e Kosovës

Lufta në Kosovë

Përshkallëzimi i konfliktit në Kosovë në vitin 1998 nxori në pah dështimin e diktatorit serb për ta sunduar Kosovën. Në fakt, lufta e shtetit serb kundër UÇK-së u përdor nga Serbia për të justifikuar fushatën e dhunës kundër popullatës shqiptare. “Megjithatë dështimi në arritjen e objektivave të tjerë u shoqërua me egërsoi dhe krime çnjerëzore në masë, që nuk ishin parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu, emri i Millosheviqit u bë sinonim i masakrave dhe krimeve çnjerëzore”, shkruan Nevenka Tromp te “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”

 “...të gjithë serbët në një shtet të vetëm”

Në kapitullin e dytë të librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit”, të Nevenka Trompit, analizohen udhëheqësi dhe ideologjia. Qysh para se të niste procesi gjyqësor ndaj Millosheviqit në vitin 2002, në radhët e studiuesve, gazetarëve dhe diplomatëve vazhdonte debati lidhur me shkallën e përgjegjësisë historike dhe politike të tij për shpërbërjes e dhunshme të Jugosllavisë. Shumica e autorëve ende besonin se udhëheqësi serb personalisht kishte pjesën më të madhe të fajit për këtë gjë. Edhe prokurori argumentoi se të gjitha planet politike të akuzuarit të Tribunalit të Hagës buronin nga përpjekja e tij për të krijuar një shtet që do të përfshinte të gjithë serbët, të cilët jetonin në territorin e Jugosllavisë së atëhershme, dhe më tej, se historia e përpjekjeve të tilla për të arritur këtë zgjerim kishte sjellë dhunë dhe krime masive kundër popullsive joserbe. Sipas autores, po ashtu, Prokuroria e TPNJ-së argumentoi se Millosheviqi frymëzoi dhe nxiti ideologjinë serbomadhe. Platforma e partisë së tij të sapoformuar në vitin 1990 i kishin dhënë përparësi mbrojtjes së serbëve që jetonin jashtë Serbisë dhe i kishin dhënë theksin në të drejtën e serbëve për vetëvendosje. Kjo ishte strategjia “të gjithë serbët në një shtet të vetëm”. Autorja pohon se prokuroria e përdori termin “Serbia e Madhe de facto” që përshkruan variantin e Millosheviqit të ideologjisë shtetërore serbe.

Zanafilla e ideologjisë së Serbisë ë Madhe në vitet 1800

Ideologjia e Serbisë së Madhe e ka zanafillën që prej mesit të viteve 1800 dhe që atëherë ka qenë e lidhur ngushtë me formimin e një shteti serb, duke qenë shtysë e fuqishme politike për realizimin e një shteti të madh dhe homogjen serb. Në këtë kapitull Tromp gjithashtu analizon objektivat dhe mjetet me të cilat Millosheviqi tentoi të krijonte një shtet që do të përfshinte të gjithë serbët. Sipas autores, në periudhën 1987-1999, Millosheviqi u përpoq të realizonte pesë objektiva të njëpasnjëshme: Objektivi i parë u arrit me centralizimin e Serbisë, duke hequr autonominë Kosovës dhe Vojvodinës; objektivi i dytë ishte centralizimi i Federatës Jugosllave, por që rezultoi pa sukses për shkak të përmbysjes së regjimit komunist dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Objektivi tretë ishte krijimi i një Jugosllavie më të zvogëluar, përfshirë “territoret e quajtura serbe”, në Kroaci dhe Bosnjë, Në këtë proces, serbët shpallën kauzi-shtetin e tyre, Republikën Serbe. Objektivi i katërt përkon me formimin e Federatës Jugosllave, një shtet i përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi dhe objektivi i pestë vazhdon me përpjekjet e regjimit të Millosheviqit ishte të siguronte sundimin mbi Kosovën dhe ndryshimin e përbërjes etnike në dobi të serbëve.

Por, përshkallëzimi i konfliktit në Kosovë në vitin 1998 nxori në pah dështimin e diktatorit serb për ta sunduar Kosovën. Në fakt, lufta e shtetit serb kundër UÇK-së u përdor nga Serbia për të justifikuar fushatën e dhunës kundër popullatës shqiptare.

“Megjithatë, dështimi në arritjen e objektivave të tjerë u shoqërua me egërsi dhe krime çnjerëzore në masë, që nuk ishin parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kështu, emri i Millosheviqit u bë sinonim i masakrave dhe krimeve çnjerëzore.” (shih f. 103)

Strategjia e viktimizimit të serbëve dhe malazezëve

Në kapitullin e tretë autorja u bën një analizë gjithëpërfshirëse synimeve dhe qëllimeve të Millosheviqit, duke filluar nga qëllimi i parë i politikës hegjemoniste serbe për centralizimi i Serbisë duke përdorur si platformë politike Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, i cili shërbeu si instrument dhe metodë e veprimit politik nga poshtë-lart përmes “ligjit të turmës” viktimizimit të serbëve e malazezëve të Kosovës. Kjo strategji kishte për qëllimin që pas ndryshimit të Kushtetutës ës Serbisë të vitit 1974 të ndryshohej udhëheqja e Kosovës dhe e Vojvodinës si parakusht për miratimin e amendamenteve kushtetuese nga kuvendet në Prishtinë dhe Novi Sad, me çka do të hapej rruga që krahinat “të bëheshin mirëfilli pjesë përbërëse të Republikës së Serbisë.”( (f. 161). Në kontekst të përpjekjeve të Millosheviqit për centralizimin e federatës jugosllave dhe vendosjes së qeverive proserbe në republikat e tjera, “ndodhitë e popullit” u eksportuan jashtë kufijve të Republikës së Serbisë, çka shqetësoi autoritetet federale dhe ato të republikave veriore, para së gjithash të Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat në kontekstin e ndryshimeve demokratike në Evropën Lindore kërkuan legalizimin e pluralizmit politik dhe riorganizimin e shtetit jugosllav në sistem konfederativ. Në kohën kur “ligji i turmës” po vendoste caqet dhe objektivat e politikës së “kasapit të Ballkanit”, suprimimi i autonomisë së Kosovës dhe fjalimi i tij në Gazimestan shënojnë një fitore të madhe politike për Millosheviqin, i cili haptas e bëri të qartë se në agjendën e tij politike nuk përjashtohej as lufta e armatosur në Jugosllavi në përpjekje për krijimin e një Jugosllavie të centralizuar apo Serbie të Madhe. Sipas Trompit, rol kyç në këto përpjekje të Millosheviqit për centralizimin e federatë, përkatësisht për të ushtruar vullnetin e tij politik në nivel krahinor, republikan e federal luajtën çështja e Kosovës dhe veprimtaria aktive dhe viktimizuese e serbëve të Kosovës. Ishte e qartë se aksioni politik i Millosheviqit dhe i eksponentëve të tij politik në Partinë Socialiste të Serbisë mbështetej në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, i cili si lajtmotiv kishte rrënjosjen e thellë të mendësisë dhe miteve viktimizuese të serbëve, mbi nacionalizmin që po ngitej me eufori e që do të kulmonte me dhunë dhe luftëra e krime të papara që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. . “Prandaj, nuk ishte çudi që platforma e programit të SPS-it në vitin 1990 kishte shumë gjëra të përbashkëta me Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (ASHAS)”, konstaton autorja.

Por, dështimi i centralizimit të Jugosllavisë në vitet 1990-ta përmes Lidhjes së Komunistëve erdhi për shkak të mospranimit të opsionit të konfederatës nga Serbia dhe dështimit të Millosheviqit në Kongresin e 14-të të jashtëzakonshëm të LKJ-së, i cili në fakt shënoi fundin e kësaj partie dhe dështimin e përpjekjeve të Millosheviqit që ta shtinte në dorë këtë parti, ashtu siç kishte bërë tashmë me Ushtrinë Popullore Jugosllave, e cilat, siç nënvizon autorja e librit, ishte bërë palë duke ndihmuar rebelimin e serbëve të Kroacisë dhe më vonë dhe më vonë të serbëve të Bosnjës dhe të Kosovës. Por, ky kongres u zhvillua përtej skenarit të përgatitur nga Millosheviqi dhe të eksponentëve të tij, të cilët po ndiqnin një agjendë hegjemoniste, që Jugosllavinë e çoi drejt shpërbërjes së pashmangshme, ndërsa Sllovenia dhe Kroacia, më vonë edhe njësitë tjera federative, ndoqën rrugën e pavarësisë dhe të legalizimit të sistemit shumëpartiak.

“Duke penguar amendamentet sllovene në Kongres, Millosheviqi hodhi poshtë ekzistencën e një federate të reformuar dhe i siguroi përligjje futjes së sistemeve shumëpartike në republika. Madje, edhe aleati i tij i besuar gjatë Kongresit, Borisav Joviq, dëshmoi se sjellja e Millosheviqit në Kongres ndihmoi në shembjen e Federatës, “ rezymon Tromp ( fq. 178).

Dëshmitë e paralajmërimeve për ndryshim kufijsh

Duke u ndalur në çështjen e debatit rreth përgjegjësisë për shpërbërjen e RSFJ-së, autorja sjell një mori dëshmish arkivore përmes të cilave argumenton se Millosheviqi kishte paralajmëruar me kohë që kufijtë mund të rivendoseshin me forcë. Në këtë kontekst, në këtë kapitull bëhen publike detajet e bisedës së presidentit slloven Milan Kuçan me Millosheviqin në margjinat e takimit të Bërdos afër Kranjës në Slloveni, ku pretendohet se presidenti serb i kishte thënë se nuk do ta kundërshtonte largimin e Sllovenisë nga RSFJ-ja, por se në rastin e Kroacisë nuk mund ta linte të largohej pa ngritur pretendime rreth kufijve të saj, ngaqë atje jetonin një numri i madh serbësh. Për më tepër, qysh në fjalimin e tij të mbajtur në Kuvendin e Serbisë më 25 qershor 1990, Milloshevqi po që kishte shprehur qëndrimin se Serbia nuk do të pranonte kurrë propozimin për konfederatë brenda kufijve ekzistues të përcaktuar administrativisht brenda republikave, pasi konfederata konsiderohej se nuk është shtet, por aleancë shtetesh të pavarura. Millosheviqi, në një rast të tillë, në rast se nuk do të kishte Jugosllavi Federale, kishte paralajmëruar se çështja e kufijve të Serbisë mbetej çështje e hapur politike. Bisedat telefonike tregonin se ndërkohë që autoritetet serbe shtireshin se po punonin për të ruajtur RSFJ-në, ato planifikonin bashkërisht rrënimin e themeleve të saj. Duke publikuar të dhëna nga bisedat ndërmjet Millosheviqit dhe Karaxhiqit, autorja pasqyronte zhvillimin e retorikës hegjemoniste serbe lidhur me pavarësinë e Kroacisë, ku dy udhëheqësit përdornin justifikimin se “territoret e quajtura serbe” në Kroaci duhej të mbeteshin në Jugosllavi, në rast se shkëputej Kroacia. “Argumenti i tyre”, konstaton Tromp, “ishte se këto territore nuk po ndaheshin nga Kroacia, por Kroacia po ndahej nga Jugosllavia e zvogëluar në të cilën mbeteshin të gjitha territoret serbe.”(186-187)

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë