Shtojca për Kulturë

“Louvre i vogël” në Milano bashkon trashëgiminë dhe artin modern

Vizitorët në një sallë të muzeut “Brera Modern” në Milano, të shtunën më 7 dhjetor 2024 (Foto: AP)

Vizitorët në një sallë të muzeut “Brera Modern” në Milano, të shtunën më 7 dhjetor 2024 (Foto: AP)

Galeria e artit “Brera” në Milano, e konceptuar nga Napoleoni si një “Louvre i vogël”, më në fund po pasurohet me vepra të artit modern, me hapjen e shumëpritur të muzeut “Brera Modern”, që gjendet pranë galerisë. Një zgjerim i tillë ishte parashikuar para më shumë se gjysmë shekulli

Në Palazzo Citterio, një ndërtesë historike në Milano që dikur shërbente si rezidencë private dhe hapësirë e koleksionistëve të artit, drejtori i galerisë së artit “Brera”, Angelo Crespi, qëndron para veprës “Human Flood” nga Giuseppe Pellizza da Volpedo.

Ky është një moment i madh për galerinë, duke shënuar përfshirjen e shumëpritur të artit modern.

Galeria e artit “Brera” në Milano, e konceptuar nga Napoleoni si një “Louvre i vogël”, më në fund po pasurohet me vepra të artit modern, me hapjen e shumëpritur të muzeut “Brera Modern”, që gjendet pranë galerisë. Një zgjerim i tillë ishte parashikuar para më shumë se gjysmë shekulli.

Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, mbajti fjalim gjatë hapjes së muzeut në ndërtesën historike “Palazzo Citterio”

Përfundimi i këtij projekti, i cili është përballur me ndryshim prioritetesh, periudha neglizhence dhe së fundmi një vizion të pasuksesshëm arkitektonik u bë prioriteti kryesor për drejtorin e galerisë “Brera”, Angelo Crespi, kur ai mori detyrën e udhëheqësit në janar të vitit 2024.

Në një organizim për media më 6 dhjetor, Crespi foli për sfidat e hasura në realizimin e projektit.

“Gjëja më e rëndësishme ishte të motivonim, jo vetëm njerëzit e galerisë, por edhe të tjerët përreth. Sepse askush nuk e besonte që ishte e mundur, që pas 50 vjetësh, Palazzo Citteroo të hapej. Dhe gjëja më e vështirë ishte të qëndronim të fokusuar në qëllimin tonë dhe të bindnim të tjerët që kjo do të ndodhte vërtet”, ka thënë ai.

Ministri i Kulturës në atë kohë caktoi datën 7 dhjetor, ditën kur festohet Shën Ambrogio, patroni i Milanos, si datën e hapjes së muzeut, duke i dhënë Crespit vetëm disa muaj kohë për të zgjidhur çështjet strukturore dhe për të instaluar mbi 300 vepra arti të dhuruara për galerinë “Brera” dekada më parë nga koleksionistët e artit, Emilio Jesi dhe Lamberto Vitali. Këto koleksione formojnë zemrën e koleksionit të ri të muzeut “Brera Modern” në Palazzo Citterio.

“Brera Modern” është gjithashtu shtëpia e veprave të mëdha nga shekulli XX, duke përfshirë vepra nga artistë ikonikë si, Giorgio Morandi, Pablo Picasso dhe Marino Marini. Ndër më të spikaturat është “Human Flood” nga Pellizza da Volpedo, një shembull i fuqishëm i teknikës së pikturimit me pika.

Dy vizitorë përpara pikturës “Human Flood” të artistit Giuseppe Pellizza da Volpedo

Marina Gargiulo, kuratore përgjegjëse për koleksionet e shekullit XX të “Breras”, shpjegon rëndësinë e kësaj vepre.

“‘Human Flood’ nga Giuseppe Pellizza da Volpedo është një pikturë që, ndonëse e punuar me teknikën e pikturimit me pika, është një kryevepër e penelatës së ndarë, me të cilën artisti eksperimenton dhe arrin në një mënyrë të jashtëzakonshme të japë vibracionet e lëvizjes, ngjyrës dhe dritës që krijojnë dialog”, ka thënë ajo.

Gjithashtu në koleksionin e muzeut të porsahapur përfshihen disa vepra nga Amedeo Modigliani, përfshirë këtu “Head of a Young Woman” dhe “The Fat Child”.

Këto kryevepra moderne qëndrojnë krah pikturës “Metaphysical Still Nature” të Giorgio Morandit, një nga veprat e tij më të njohura të natyrës së qetë.

“Do t’i menaxhojmë të gjitha këto hapësira në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin komunikim, të njëjtën dëshirë për të prezantuar vlerat që qëndrojnë pas punës sonë, angazhimit tonë, e që janë ato të ruajtjes së trashëgimisë, identitetit dhe gjithashtu të qëndrueshmërisë”, ka thënë Crespi.

Skulptura “The drinker” e artistit Arturo Martini, qëndron e ekspozuar në muzeun e ri të Milanos, “Brera Modren” 

Kalimi i veprës “The Last Supper” në kujdesin e galerisë së artit “Brera”, është vlerë shtesë në koleksionin gjithnjë në rritje të kryeveprave ikonike të Milanos, qytet ky që ofron një sistem muzesh të drejtuar nga shteti. Crespi beson se kjo do të ndihmojë në zgjerimin e shtrirjes kulturore të qytetit.

Galeria e artit “Brera”, e themeluar në vitin 1809, përmban kryevepra nga Canova, Caravaggio, Raphael dhe Hayez. Por shumë nga veprat e saj moderne ishin zhvendosur prej kohësh në depo.

Më në fund, trashëgimia dhe moderniteti i Milanos janë bashkuar, duke formuar një vizion të ri për të ardhmen kulturore të qytetit.