Shtojca për Kulturë

Lisbona e harmonisë së stileve, aromave dhe tingujve të “fados”

Panoramë e Lisbonës para tërmetit të 1755-s, e ekspozuar në Muzeun kombëtar të pllakave të qeramikës, Lisbonë

Panoramë e Lisbonës para tërmetit të 1755-s, e ekspozuar në Muzeun kombëtar të pllakave të qeramikës, Lisbonë

Sado e shëmtuar që do të mund të tingëllonte, Lisbona ia pa hairin tërmetit të vitit 1755. Në krye të Qeverisë e kishte një njeri me vizion të jashtëzakonshëm dhe inxhinierë ushtarakë që me shpejtësi e kishin hartuar një plan rindërtimi të bërthamës së qytetit. De Pombal zgjodhi t’i ikte stilit të ndërtimit nga mesjeta dhe ta rindërtonte qytetin me forma gjeometrike. Stili i planifikimit dhe i ndërtimit mori emrin “pombalina”, dhe për më tepër, pjesa e poshtme e qytetit për nder të tijin quhet Baixa Pombalina, apo thjesht Baixa (e ulëta). Dhe këtu vazhdon shëtitja nëpër qytetin e Lisbonës, edhe me aromën e vaniljes e të kanellës të “Pastel de nata”, e me tingujt e fados

Më 1755 Lisbona u godit nga tërmeti, që vlerësohet të ketë qenë, sipas matjeve bashkëkohore, midis 8 dhe 9 shkallë të Rihterit. Sikur kjo të mos mjaftonte, pasoi cunami me valë deri në 30 metra lartësi. Rezultati: qyteti buzë lumit i shkatërruar thuajse krejtësisht dhe shumë viktima në njerëz.

Mbreti José I me familjen kishin shpëtuar, për shkak se një ditë më herët kishin vendosur të shkonin në pushimoren familjare jashtë qytetit. Me t’u kthyer në Lisbonë, mbreti pallat më nuk kishte. Por në krye të Qeverisë e kishte një njeri me vizion të jashtëzakonshëm dhe inxhinierë ushtarakë që me shpejtësi e kishin hartuar një plan rindërtimi të bërthamës së qytetit. 

Sebastião José de Carvalho e Melo (Sebastian Zhoze de Karvalo e Mello), apo Marquês de Pombal – pra Markezi i Pombalit, kishte qenë sekretar i shtetit 27 vjet, gjatë së cilës kohë, ndër të tjera, e kishte ndaluar importimin e skllevërve nga kolonitë dhe, ajo që do të mbetet shumë e dukshme, do ta rindërtonte Lisbonën e shkatërruar.

Ikja nga Mesjeta

Sado e shëmtuar që do të mund të tingëllonte, Lisbona ia pa hairin tërmetit. 

De Pombal zgjodhi t’i ikte stilit të ndërtimit nga mesjeta (rrugë të ngushta, shtëpi të ngjeshura, pak ajrosje...) dhe ta rindërtonte qytetin me forma gjeometrike. Për të shmangur dëme eventuale nga tërmetet që do të mund të pasonin, zgjodhi që ndërtesat mos të ishin më të larta se katër kate, ku pjesa e hyrjes do të dedikohej për tregti dhe shërbime. I udhëzoi ndërtuesit që të siguronin mbrojtje sizmike të objekteve dhe të përdornin pllakat e qeramikës në vend të fasadës. Krijoi rrugë të gjera dhe sheshe ku zhvillohej aktiviteti shoqëror.

     Fasadat karakteristike në Baixa Pombalina (Foto: KOHA)                                  
 

Stili i planifikimit dhe i ndërtimit mori emrin “pombalina”, dhe për më tepër, pjesa e poshtme e qytetit që nis në Praça do Comércio dhe mbërrin te Cais do Sodre (Keji i Sodres) nga ana e majtë dhe Alfama nga e djathta, quhet, për nder tijin, Baixa Pombalina, apo thjesht Baixa (e ulëta).
Dhe këtu vazhdon shëtitja nëpër qytetin e Lisbonës.

Harku i Rua Augusta, fundi i rrugës së mbyllur për këmbësorë që çon në Praça do Comércio (Foto:  KOHA)

Me ta kaluar harkun e Rua Augusta, që lidhet me Sheshin e Tregtisë, hyhet në rrugën homonime – më të madhën të mbyllur për qarkullim veturash dhe kushtuar vetëm kalimtarëve. Është e gjerë dhe në të dyja anët është përplot dyqane e restorante. E edhe nëse qëllimi nuk është për të pirë kafe, mjafton ecja e atyre rreth 700 metrave për ta shijuar bukurinë si të ndërtesave ashtu edhe të rrugës që është e shtruar me “calçada portuguesa” (kalsada portugeza) apo kalldrëmin portugez. 

Arnavut kaldırımı (kalldrëmi shqiptar) e quajnë turqit kalldrëmin me të cilin ne jemi rritur e mësuar, por dallimi mes dy kalldrëmeve është shumë i madh: ky portugezi jo vetëm që krijon figura gjeometrike, por i jep një sharm unik qytetit, sepse kjo nuk është rruga a trotuari i vetëm i dekoruar në Lisbonë.

  Mostra kalldrëmi portugez në qytet (Foto:  https://magazine.guiadacidade.pt/calcada-lisboeta/)
 

Megjithatë, është një aromë e këndshme, një përzierje e vaniljes dhe kanellës, që patjetër të josh që t’u afrohesh dyqaneve pranë të cilave kalon. Pashmangshëm, “ndeshesh” me të famshmin “Pastel de nata” (tekstualisht: ëmbëlsirë kremi), që gatuhet me vezë, qumësht, miell e sheqer të bardhë. 

Kur e pata shijuar për herë të parë, shumë ma pati kujtuar “kajmakqinën” që e gatuante gjyshja ime. Dallimi qëndron te brumi që e mban masën dhe me të cilën piqen së bashku. Sidoqoftë, është ëmbëlsirë “trademark” e Lisbonës, e cila prodhohet në masë dhe gjendet kudo në qytet. Megjithatë, dyqani më i njohur i këtyre ëmbëlsirave gjendet pranë Mosterio dos Jeronimos – dallimi është se aty quhen “Pastel de Belém”, ngase ishin pikërisht murgjit e kishës, në vend të së cilës u ndërtua manastiri, të parët që nisën me prodhimin e tyre. 

Kjo ëmbëlsirë nuk “ndien” për dietë.

Pastel de nata

“Bashkëjetesë” këmbësorësh e vozitësish

Pas pauzës së ëmbël, radhiten sheshet dhe rrugët e gjera. 

Në të dalë nga Rua Augusta, përpara do të shtrihet një shesh i madh që njihet si Rossio (sipas stacionit hekurudhor që gjendet në afërsi), edhe pse zyrtarisht quhet Sheshi i Pedro IV. Tradicionalisht njihet si sheshi i protestave, por edhe i vendit prej nga nisen autobusët turistikë për shkak të pozitës shumë të favorshme, afër stacionit të trenit dhe të metrosë.

Stacioni hekurudhor Rossio (Foto: KOHA)

Nga Rossio, nja 400 metra më larg, vjen sheshi i radhës: Restauradores – i cili iu kushtua atyre që e bënë të mundur ndarjen e Portugalisë nga Spanja. Nja 60 vjet, mes shekujve 16 dhe 17, Portugalia i ishte nënshtruar Spanjës dhe monarkëve të saj që rridhnin nga dinastia e Habsburgëve. Plasi lufta dhe Portugalia ia doli ta rikthente pushtetin dhe dinastinë e saj të re: Braganza. 

Në këtë shesh, në vend të ndonjë statuje mbreti, dominon obelisku, që në Egjiptin e lashtë simbolizonte rilindjen, përkatësisht ringjalljen e të vdekurve. 

Ajo që lë përshtypje gjatë gjithë ecjes nëpër Lisbonë është harmonia mes këmbësorëve dhe vozitësve – sheshet janë të rrethuara me rrugë të gjera – pra nuk ka fare ndërprerje trafiku pos në semaforë, si dhe me trotuare që çojnë në drejtimet e tjera nëpër qytet. Ka shumë rend e disiplinë; nuk ka bllokada në trafik dhe ndotja duket të jetë nën kontroll – madje edhe autobusët e kuq janë eko dhe qarkullojnë pasi mbushen me rrymë. 

Sheshi Restauradores (Foto: Faqja zyrtare e Lisbonës)

Dhe Lisbona nuk do të ishte kjo që është, po qe se pika e ardhshme e ecjes të mos ishte edhe një shesh. Por, për të mbërritur deri aty, kalohet nëpër bulevardin kryesor të qytetit, Avenida da Liberdade (Avenyja e Lirisë), i gjatë rreth 1.5 kilometra dhe e ndërtuar në tri korsi, me aletë në mes. Në kohën e de Pombalit, ky kishte qenë park i rezervuar për fisnikët dhe kishte qenë i rrethuar me mure të larta.

Por në shekullin 19, dhe duke e marrë për mostër Parisin, u vendos që parku të shndërrohej në bulevard, duke i ruajtur aletë me drunj qindravjeçarë. Bulevardi është zona më e shtrenjtë e qytetit dhe seli e një numri të madh përfaqësish diplomatike të akredituara në Portugali. Me të kaluar andej, të duket thuajse je futur në një park për shëtitje të shtendosur nën hijen e drunjve. Veturat që kalojnë pranë, thuajse nuk janë – thjesht shkojnë rrugës së tyre. 

Pamje panoramike: Parku “Eduardo VII”, sheshi “Marques de Pombal” dhe bulevardi “Avenida Liberdade” në drejtim të lumit Tejo  (Foto: Alexander Svensson)

Sheshi i ardhshëm është i fundit para se të mbërrihet te parku Eduardo VII – pamja e të cilit mbase më së shpeshti ka shërbyer si kartolinë e Lisbonës. 

Praça do Marquês de Pombal, iu kushtua njeriut që e rindërtoi Lisbonën pas tërmetit, por mbase duhet përmendur se kjo përmendore iu ngrit vetëm nga fillimi i shekullit 20. 

Ky është diçka si rrethi i Flamurit i Prishtinës, por për dallim nga ai që çon në Veternik, ky i Lisbonës çon te parku jashtëzakonisht i bukur dhe i mirëmbajtur, që mban formën aktuale që nga 1945-a dhe që është emëruar pas mbretit anglez Edward VII. Në këtë park, që prej disa vjetësh, çdo vit mbahet Panairi i Librit i Lisbonës (ngjarje tradicionale që nga viti 1930).

Parku është maja e njërës nga shtatë kodrat e qytetit dhe fundi i qytetit të vjetër nga ajo anë. 
Por, megjithatë, gjelbërimi nuk përfundon me të. Në të majtën e parkut është Parku Botanik i qytetit i shtrirë në nja dy hektarë tokë, kurse në krye, është një zgjatim, me një sipërfaqe shumë më të kufizuar. Por që mban një emër të madh. 

Në hyrje të tij janë një skulpturë shumë karakteristike e Fernando Boteros dhe një mbishkrim i gdhendur mbi gur: Kopshti Amália Rodrigues (fadiste, 1920-1999). Amália qe e njohur edhe në botë, me këtë emër, si “mbretëresha e fados”.

Mozaiku që pasqyron figurën e Amalia Rodriquesit, përuruar më 2016 (Foto: Faqja zyrtare e Lisbonës) dhe mbishkrimi në gur: “Kopshti Amalia Rodrigues” (Foto: KOHA)

 

Fado

Fado (shqiptohet fadu në portugalishte) është zhanri muzikor popullor që e dallon Portugalinë. Fado dallon për nga stili dhe përmbajtja e këngës, si dhe për nga kitara portugeze, instrumenti kyç me një tingull shumë specifik dhe të pasur.

Besohet se emri rrjedh nga latinishtja “fatum”, pra fati, i zi në këtë rast, ngase shumica e këngëve janë melankolike e që flasin për detin, fatin/dorëzimin apo edhe varfërinë. Mbase përparësia e njerëzve që nuk e flasin portugalishten tek i dëgjojmë këto këngë është se nuk ua kuptojmë tekstin, shpesh, thuhet, pikëllues.

Ky zhanër u shfaq nga fillimi i shekullit 19 në lagjet boheme të Lisbonës, Bairro Alto, Alfama dhe Mouraira, kurse ndërkombëtarizimit të tij më së shumti i kontribuoi Amália Rodrigues, e përcjellë me vite nga Domingos Camarinha, me kitarë portugeze (12 telash) dhe Santos Moreira, me violë portugeze (kitarë 10 telash).

Qyteti ka shumë lokale që e përcjellin darkën me fado, dhe rezervimi është i obligueshëm. Dy kitaristë dhe disa këngëtarë do të luajnë dhe këndojnë 15-20 minuta dhe do të pushojnë diku rreth gjysmë ore për të lejuar që mysafirët të shërbehen me darkë dhe të hanë. Në çastin kur nis kënga, nuk ka shërbim. E gjithë mbrëmja mund të zgjasë deri në 5 orë, varësisht nga numri i mysafirëve. E mysafirë ka plot – rezervimi nuk është aq lehtë i realizueshëm. 

Që nga 2011-a, Fado është në listën e UNSECO-s të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Kitara portugeze (Burimi: artimusica-gpbaselcad-modelo-lisboa-tampo-tilia-fundo-acacia)

Çmimet me të habitë

Llogaritet se Lisbona i ka mbi 5500 hotele dhe banesa që lëshohen me qira për akomodimin e turistëve. Kjo e tregon vëllimin e njerëzve që e vizitojnë kryeqytetin portugez, pjesa më e madhe të cilëve vjen nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar. 

Banesat janë shumë më të përshtatshme dhe ekonomike për grupe më të mëdha turistësh, sidomos për familje. Janë të pajisura mirë kurse vetëshërbimet dhe dyqanet ushqimore janë mirë të shpërndara nëpër lagje.

Dhe përderisa pjesë e pashmangshme e turizmit është edhe gastronomia lokale, megjithatë ndonjëra shujtë mund të konsumohet nëpër banesat e marra me qira. Gjithsesi është e leverdishme, ngase çmimet e artikujve bazë ushqimorë janë, ndonjëherë, edhe deri në 50% më të lira se në cilindo supermarket të Prishtinës, ndërkohë që rroga mesatare në Portugali është diku rreth 1250 euro bruto në muaj. 

Çmimet nëpër kafe e restorante dallojnë nga lagjja, porse mesatarisht një espreso bën rreth 1.50€, birra 3-4€, Coca Cola 1,80€, sandviçët 4-6€. Çmimet gjithashtu dallojnë po qe se shërbimi ofrohet në tarracë – në atë rast çmimet rriten deri në 30%, por kjo gjithashtu varet nga vendi dhe lagjja. 
Por, t’i kthehemi aeroportit. 

Nuk është ndonjë ndërtesë mbresëlënëse dhe duket paksa kaotike në ardhje dhe shkuarje, për shkak të tollovisë që krijojnë shumë fluturime nga dhe në drejtim të Evropës, Afrikës dhe Amerikës Latine. 
Bie në sy larmia e racave – numër i pafund angolezësh e mozambikanësh, dikur të kolonizuar nga Portugalia; aziatikë, evropianë, latinoamerikanë, kryesisht brazilianë. Dhe shumë sish që janë nga territoret dikur të pushtuara, tash punojnë në Portugali, ngase e kanë përparësinë e njohjes së gjuhës. E, edhe të dyshtetësisë.

Në të dalë nga objekti i aeroportit, paraqitet një numër i pafund taksish, autobusësh dhe veturash private që shërbejnë si taksi të porositura për t’i shpërndarë turistët nëpër adresat e tyre të përkohshme. Dhe përderisa transporti me autobusë është diku rreth 4-5€, ai me vetura mund të shkojë deri në 50-60€ varësisht nga rezervimi. Por, ata që tashmë e njohin qytetin, e kanë një mjet shumë më të lirë me të cilin mund të mbërrijnë në thuajse çdo cep të qytetit: metronë. Bileta kushton 1.80€

Metroja e Lisbonës është e vetmja në shtet dhe hapi stacionin e parë më 1955. Që prej atëherë vazhdon të zgjerohet duke mbërritur në pikat më të rëndësishme turistike, përfshirë edhe ato që janë përshkruar në këtë reportazh.

Myslimanët dhe bohemët

Pamje e kështjellës dhe lagjeve “Alhama” dhe “Mouraira” nga sheshi “Rossio” (Foto: KOHA)

Terreiro do Paço është stacioni më i afërt për të mbërritur në Alfama, e Martim Moniz më i afërti për t’iu qasur Mourairas, përkatësisht lagjeve më të vjetra të Lisbonës. 

Në kodrën e radhës së Lisbonës mund të mbërrihet, pos me busin “hyp-zhdryp” edhe me shumë të famshmin tramvaj nr. 28, Kjo, nëse ia del të ngjitesh në të dhe të ndrydhesh brenda si sardele.

Tramvajet u përuruan në Lisbonë më 1914 dhe vagonët janë, me gjasë, ende të njëjtët. I kanë nga 20 ulëse dhe mund t’i zënë edhe po aq njerëz në këmbë. Prandaj rekomandohet që tramvajit t’i hipet herët në mëngjes, kur ka më pak fluks turistësh. 

Tramvaji i famshëm nr. 28

Alfama e ka marrë emrin nga arabishtja, Al-hamma, që në fakt do të thotë hamam. Është lagjja më e vjetër e Lisbonës, dikur vendbanim të cilin e kishin shkelur krejt pushtuesit derisa nuk u vendosën morët për ta pushtuar pesë shekuj. 

Nga shekulli 12, portugezët e morën kontrollin mbi Lisbonën. Në Alhama u vendosën të kamurit, kurse morët ose u zhvendosën në Mourarian fqinje ose u likuiduan. Nga mesjeta, qyteti nisi të zgjerohej andej nga Baixa nga shkuan të pasurit dhe kjo lagje u popullua kryesisht nga peshkatarët dhe shtresës më të varfër të popullsisë.

Alfama i shpëtoi tërmetit katastrofal thuajse pa dëme. Mbase forma e ndërtimit të shtëpive të ngjeshura, me rrugë të ngushta, shumë shkallë dhe tarraca në formë sheshesh do të ketë qenë arsyeja e qëndrueshmërisë.

Pavarësisht numrit shumë të madh turistësh që kalojnë andej, lagjja ishte lënë pas dore shumë gjatë dhe vetëm në dekadën e fundit është punuar në rregullimin e infrastrukturës dhe në pastrimin e fasadave. 

Pamja panoramike e Lisbonës nga Alhama (Foto: KOHA)

Të kalosh nga njëra lagje në tjetrën shkon pavërejtur, ngase stili i ndërtimit nuk ndryshon shumë. Kalldrëmi i shtruar gjithandej çon nëpër labirinte që megjithatë kanë dalje qoftë nëpërmjet rrugicave apo edhe shkallëve që në të shumtën kanë mbajtëse anësore që e lehtësojnë ecjen. 

Mouraria, apo tekstualisht: Lagjja e morëve, është shumetnike, e populluar me njerëz që kanë ardhur në Lisbonë nga kontinentet e ndryshme. Gjithashtu është vendi ku lindën Fado dhe këngëtarja e parë e këtij zhanri, Maria Severa, dikur në shekullin 18. 

Të zbresësh nga lagjet është përjetim më vete. Përjetim edhe më i madh është nëse gjen vend në ndonjërën tarracë, dëgjon muzikë live dhe e pi një gotë vinho verde (vinjo verde), apo verë e gjelbër, që pandeh në Kosovë do ta quanim “verë e verdhë”, për “të papjekur”. Është verë e re, e cila ambalazhohet 3 deri në 6 muaj pas vjeljes së rrushit dhe çmimin e ka shumë të kapshëm. Gjithsesi ia vlen të provohet, si qe apo nuk qe ekspert enolog.

   Alhama e Mouraira (Foto: KOHA)

 

Të dyja lagjet “mbikëqyren” nga kalaja e Shën Gjergjit (Castelo de São Jorge), fortifikata e cila u ngrit në kodër në shekullin 1 para erës sonë, kur Lisbona kishte qenë “municipium” romak. Gjatë historisë pësoi ndryshime dhe plotësime, varësisht se kush e mbante pushtetin në qytet. Në shekullin 14, tashmë nën kontrollin e të krishterëve, fortifikata i kishte pasur 77 kulla vrojtimi dhe bile nja 30 porta për t’iu qasur qytezës në qytet. Ishte atëherë që edhe mori emrin që e ka: Shën Gjergji, shenjtërori luftëtar që përherë pasqyrohet duke luftuar kundër dragoit.

Nga shekulli 16 tashmë nisi të braktisej, ngase pallati mbretëror do të zhvendosej në tjetër vend të qytetit. Atëbotë do të ndodhte një tërmet që do ta dëmtonte, kurse dy shekuj më vonë, tërmeti i madh do ta shkatërronte thuajse të tërën.

Monarkia portugeze u shua me revolucionin e dytë që ndodhi më 1910. Gjashtëmbëdhjetë më vonë do të ndodhte grusht shteti ushtarak, dhe do të instalohej diktatura. Më 1933, diktatori Salazar, për nder të “Themelimit të shtetësisë dhe rivendosjes së pavarësisë” sajoi programin e rindërtimit të kalasë që e ka marrë formën aktuale përgjatë intervenimeve që kanë zgjatur disa dekada. 

Kalaja gjendet në kodrën më të lartë të Lisbonës.

Pamja e Castelo de São Jorge (Foto: fulviusbsas)

Të krishterët dhe bohemët

Tri janë mënyrat për të mbërritur në kodrën e radhës përballë kalasë: në këmbë, me teleferik mbi shina që niset nga sheshi Restauradores apo edhe me metro, në stacionin Baixa-Chiado (Baisha-Çiado).

Bairro Alto (tekstualisht; Lagjja e Epërme) është më “e reja” mes lagjeve historike, që nisi të ndërtohet në fillim të shekullit 16. Ishte lagjja e parë e cila u ndërtua me plan dhe shërbeu si lagje tregtarësh e aristokratësh, kurse nga fundi i shekullit 19, u bë edhe qendra e gazetave. Me ardhjen e tyre, nisën të hapeshin lokalet që do t’i shërbenin gazetarët që dilnin në orët e vona, e pas lokaleve pasuan edhe bordelet.

Së shpejti Bairro Alto u shndërrua në qendrën e bohemëve të qytetit, ku dita kalohet në gjumë e nata vlon. Dallohet nga lagjet e tjera për shkak të numrit të madh të restoranteve me Fado dhe bareve si dhe për shkak se ahengjet e festimet shpesh ndodhin nëpër rrugë të premteve e shtunave. 

Bairro Alto (Foto KOHA)
 

Ngjitja deri në majë të lagjes nuk është e lehtë, edhe pse jo e pamundur, për shkak të pjerrësisë. Por edhe për këtë ka zgjidhje. Ka mbi një dekadë që janë shfaqur në qytet. Ka kompani që ofrojnë shërbime transporti me një karrocë me gjashtë ulëse vendosur mbi tri rrota. Por ka edhe të tillë që punojnë në “të zezën”. Tuk-tuku është unikal dhe dëfryes. Dhe ngarendja me të nëpër rrugët krejt kalldrëm, është mbase shpëtim për ata që kanë gurë në veshkë. Por është përjetim fantastik, në veçanti nëse vozitësi, i cili luan rolin e udhërrëfyesit, qëllon simpatik dhe shpjegues i mirë bukurive që shihen në çdo cep të shtegtimit. E nëse qëllon edhe fotograf i mirë, për foto nga pikat panoramike që gjenden gjithandej, pagesën e ka hak.

Tuk-tukët që nuk janë të lidhur për kompani, janë më të lirë, kurse shëtitja me to, varësisht nga lagjet që duan të vizitohen mund të zgjasë nga 1 deri në 4 orë.  

Tuk-tuk

 

                                       * * *

Ky rrëfim për Lisbonën mbaron këtu. Dhe jo pse s’ka çka të thuhet ende për të. Por për shkak se tri ditë nuk mjaftuan për më shumë. E shumëçka mbeti, mbase, për ndonjëherë tjetër.

[email protected]