Mungesa e parimeve morale e intelektuale, në njërën anë, dhe, nga ana tjetër, kundërthëniet logjike e teorike, si tregues të mungesës së premisës epistemologjike – si koncept themelor , falsin për mungesën e qartësisë së qëllimit të dijes dhe të vetë qëllimit të Enciklopedisë, si përfaqësim i vullnetit të një shoqërie për dijen. Mungesat e tilla pasqyrojnë mungesën e vullnetit dituror për krijimin e një mendimi të organizuar për “botën shqiptare”. Për rrjedhojë, nga projekti “Enciklopedia shqiptare” nuk mund të priten efekte për krijimin e veprimeve të organizuara shqiptare
Kultura epistemike e mendjes autokratike-klanore bazohet në përvojën shqisore, si burim i informacionit, por jo në arsyen, si burim i të kuptuarit. Mendja autokratike-klanore, me kulturën e vet epistemike, është e aftë të mendojë për praktikën tash dhe këtu, por jo edhe për mendimin. Kriteret e jashtme metodologjike, në kulturën epistemike të mendjes autokratike-klanore, përbëjnë vetë modelet teorike për praktikën e dijes. Kjo është situata kur veprimet praktike nuk paraprihen nga mendimi dhe të menduarit. Si mundet një praktikë e të menduarit të prodhojë mendim kur vetë është e pamenduar?
Kriteret e jashtme metodologjike, për shkak se janë të bazuara në kategoritë sasiore, janë instrumente të lehta për t’u hartuar dhe për t’u vënë në zbatim, por kur janë të pambështetura në një kuadër të qartë konceptual teorik, (që është kusht për përcaktimin e kritereve ontologjike dhe epistemologjike), ato vetëm sa do të krijojnë kaos logjik e material në organizimin e lëndës enciklopedike. Në pikën “9.1. Kritere të përfshirjes së ESH (personalitetet)” thuhet: “Shenjat publike vlerësuese për personalitete, ngjarje apo dukuri (mirënjohjet zyrtare publike, dekoratat dhe medaljet, titujt e nderit, diplomat, trofetë dhe çmimet) përbëjnë kritere pranuese në ESH (Enciklopedia shqiptare). Këto kritere nuk kanë karakter të vetëmjaftueshëm”. Cili është kriteri tjetër që kriterin e “shenjave publike”, si kriter tipik i mendjes përtace, e bëka të plotë dhe të vetëmjaftueshëm? Me një kriter të tillë formal-ceremonialist, hartuesit e kritereve të përfshirjes në ESH sovranitetin e mendjes së vet ua delegojnë instancave të tjera vlerësuese paraprake.
Heideggeri thotë: “Thelbi i së vërtetës e zbulon veten si liri” Për vetëdijen aksiologjizuese përtace, përballja me faktin e ndërlidhjes ontologjike që ekziston midis të vërtetës dhe lirisë, është sfidë e papërballueshme dhe krejtësisht çorientuese për ta zotëruar kuptimin e konfliktit që ekziston midis vetëmohimit, si entitet ontologjik i lirisë, dhe efekteve, si materializim në praktikën shoqërore të vetëmohimit. E lidhur me zinxhirët e mesikinitetit, vetëdija aksiologjizuese shqiptare konfliktin e tillë do ta “zgjidhë” duke u përqendruar në vlerësimin e efekteve anësore, të shfaqura në momente të izoluara, kalimtare, të ndara nga vetëmohimi, e jo në ato thelbësore-strukturore që ka prodhuar vetëmohimi. Efektet thelbësore do të krijonin hapësira vepruese aksiologjizuese për ndriçimin e vlerës së vetëmohimit, si kusht për konsolidimin e vetëdijes për lirinë; të vetëdijes për rolin që ka vetëmohimi për vazhdimësinë dhe rritjen e mundësive për praktikën historike, ekzistenciale e (vetë)njohëse në procesin e realizimit të qenies së njësishme kombëtare shqiptare. Duke u marrë me efektet e izoluara e kalimtare, të ndara nga substanca e tyre – vetëmohimi; vetëdija meskine aksiologjizuese shqiptare, për kënaqjen e nevojave parciale, grupore e krejtësisht egoiste, ka dëshmuar vullnet të pashoq për të shkelë mbi vetëmohimin si mbi një pistë të reklamimit.
Paaftësia e vetëdijes aksiologjizuese
Përballja e vetëdijes aksiologjizuese shqiptare me idenë e lirisë dhe detyrën e matjes së botës shqiptare përmes dhe në raport me të, për një kohë të gjatë duket se do të jetë mision i pamundur. Paaftësinë e vet, vetëdija aksiologjizuese shqiptare, në kushtet e lirisë së shprehjes, e mbulon me logjikën e të mos parit të gjërave “bardhezi”. Logjika e të parit të gjërave “me ngjyra” e jo “bardhezi” në kontekstin shqiptar, jo vetëm që është relativiste, por është thellësisht konformiste e konjukturale. Pse themi kështu? Në situata të skajshme dramatike e ekzistenciale (veçori dominuese kjo e rrugëtimit të qenies historike të popullit shqiptar) kufizimi i mundësive vepruese imponon edhe kufizime të perspektivave për të vendosur dhe zgjedhur anë: anën e drejtë apo të gabuar të historisë. Shoqëria shqiptare, e paaftë për konsolidimin e vetëdijes së vet aksiologjizuese në raport me lirinë, dramën e të vendosurit dhe të zgjedhjes anë (kulturalisht e gjeopolitikisht) e shijon si përjetim të gjallë edhe sot e kësaj dite, edhe pse juridikisht e konstitucionalisht për Shqipërinë dhe Kosovën, si shtete, ajo konsiderohet si çështje e mbyllur.
Kriteri ontologjik i lirisë, i prejardhur nga intelekti, si fakultet i të menduarit dhe të kuptuarit, është baza prej nga kuptimi dhe vlerësimi i ngjarjeve, i proceseve, i personaliteteve dhe vlerave etike e estetike do të mund të merrte orientimin e dëshiruar koherent dhe do të sillte konkluzione valide për atë se kush, cilat ide, ngjarje e procese kanë krijuar mundësi më të mëdha vepruese koherente për realizimin e qenies shqiptare, si subjekt unik me subjektivitet të njësishëm në botë. Kultura e mendjes aksiologjike shqiptare, në mungesë të kriterit ontologjik të lirisë – për pasojë edhe të eklipsimit të vetëdijes aksiologjizueze – duke filluar nga institucioni i Presidencës (në Kosovë e Shqipëri) e deri te shoqëritë e organizatat civile – është shndërruar në industri të ndarjeve të gradave, titujve, çmimeve e mirënjohjeve.
Hartimi i enciklopedive përfaqëson aspiratat dhe idealet më të larta intelektuale të një bashkësie, të një populli apo të një kombi për dijen. Idealet intelektuale të enciklopedistëve francezë (Jean Le Rond d’Alembert, Denis Diderot) ishin që përmes enciklopedisë, jo vetëm të informonin, por edhe të sillnin një mënyrë të re të të menduarit dhe të të kuptuarit të njeriut dhe të botës. Të frymëzuar nga empirizmi i Jon Lockut dhe Francis Baconit, enciklopedistët francezë kriter ontologjik të mënyrës së re të të menduarit për njeriun dhe botën do ta vendosin lirinë dhe dinjitetin e qenies njerëzore. Projektuesit e “Enciklopedisë shqiptare” nuk flasin për një mundësi trensformuese të mënyrës së të menduarit për veten (tonë shqiptare) dhe botën, si qëllim epistemologjik i “Enciklopedisë shqiptare”. Përkundrazi, ata flasin për “normativizimin” dhe “standardizimin” e dijeve ekzistuese (mbase të standardizimit të njohurive nga gjuhësia shqiptare përmes ç’standardizimit të gjuhës së njësuar!). Detyra dhe funksioni i enciklopedisë nuk duhet të jetë vetëm i karakterit informues, e aq më pak në funksion të “standardizimit të dijeve ekzistuese” – shkencërisht në gjendjen e tanishme ekzistuese tejet të kontestueshme – por i karakterit kritik në funksion të promovimit të idealeve më të larta të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Këtë ideal epistemologjik të kulturës së kritikës mendja autokratike-klanore nuk mund ta imagjinojë, as ta dëshirojë, sepse ajo vetë është antidoti i kulturës së kritikës.
Inteligjencia shqiptare, marrë në përgjithësi, sidomos pas rënies së murit të Berlinit e këtej, qoftë me heshtjen qoftë me fjalën e vet, ka treguar mungesë të vullnetit të vetëdijes aksioligjizuese për procese, ngjarje, personalitete e transformime politike e historike në raport me idenë e lirisë. Liria është e pandarë nga dija, por nuk është e kufizuar nga ajo. Vlera e lirisë është depozituesja e qenies së dijes, e cila dijes i jep orientim nga e ardhmja. Pa idenë e lirisë, si kriter ontologjik, nuk mund të këtë organizim të qëndrueshëm të njohurive të fushave të ndryshme në një tërësi unike, siç është “Enciklopedia”. Liria, si kriter ontologjik, është letër lakmuesi për matjen e ngjarjeve dhe personaliteteve, të efekteve që ato kanë ushtruar për hapjen e mundësive dhe zgjerimin e horizonteve ekzistenciale për ndërtimin dhe konsolidimin e qenies shqiptare, si një subjekt i tërë (i pandarë) historik në botë. Në mungesë të kriterit ontologjik të lirisë dhe, për rrjedhojë, edhe të mungesës së vetëdijes aksiologjizuese për lirinë, nuk është e çuditshme që në “Enciklopedi” do të zënë të njëjtin vend meritor si Esad Pasha (mbase edhe Sulltan Abdul Hamidi II) ashtu edhe Ismail Qemali; si Ahmet Zogu ashtu edhe Hasan Prishtina, Fan Noli e Bajram Curri; si ballistët, ashtu edhe partizanët e kështu me radhë deri në historinë më të re.
Kriteri ontologjik i lirisë, jo vetëm që është përcaktues e orientues për qëndrueshmërinë e kritereve epistemologjike e metodologjike, por ai është themeli që e përcakton qëndrueshmërinë dhe vetë vlerën e njohurive. Si mund të “standardizohet” e “normativizohet” dija “ekzistuese” brenda një “Enciklopedie”, kur brenda komunitetit “shkencor” shqiptar nuk ekziston as koncensusi minimal për kriteret vlerësuese për lirinë?
Prej përjashtimit të kritereve ontologjike e epistemologjike dhe me fokusimin e vëmendjes vetëm në kriteret e jashtme “shkencore” metodologjike, nuk është e vështirë, pastaj të parashihet se mungesa e një kuadri konceptual teorik do të prodhojë mungesë kriteresh të definuara, të cilat do ta nxisin me prioritet debatin “shkencor” rreth përpilimit të listës së zërave enciklopedikë: kush po hyn e kush po mbetet jashtë enciklopedisë: “kur hyn filan fisteku i mëhallës së tij, pse të mos hyjë edhe filan fisteku i mëhallës sime”.
Etika e qëllimit të kulturës së mendjes autokratike-klanore
Qëllimi i etikës së kulturës së mendjes autokratike-klanore është kontrollimi dhe ruajtja e monopolit mbi dijet. Konceptet universale të etikës përzgjedhëse të përbërjes së redaksive mendja autokratike-klanore i përdor për nevoja praktike të ruajtjes së kontrollit mbi dijet, prodhimin, vlerat dhe shpërndarjen e tyre. Në pikën tre të dokumentit “Udhëzues praktik për hartimin e ESH” thuhet: “Autorët hartues të njësive enciklopedike zgjidhen prej redaksive të fushave nga radhët e studiuesve më të zotë në disiplinën e ekspertizës”. Nga lista e publikuar e autorëve hartues, mund të kuptohet se një kriter i tillë nuk është përfillur. Në funksion të kontrollit të redaksive, në njërën anë, janë përfshirë emra të personave që janë në nismë të “disiplinës së ekspertizës” së tyre, dhe, nga ana tjetër, janë përfshirë emra autoritativë, por të cilët, për shkak të moshës shumë të shtyrë e problemeve shëndetësore, as fizikisht nuk mund të jenë në lartësinë e përgjegjësisë së detyrës për të përcjellë gjithë procesin e hartimit deri në finalizim të projektit “Enciklopedia shqiptare”.
Motivimi i fortë i mendjes autokratike-klanore për të vendosur kontroll mbi natyrën, vlerat dhe shpërndarjen e dijeve, radikalisht bëhet i dukshëm kur, në një projekt që formalisht pretendon t’i bëjë jehonë vizionit integralist për botën shqiptare, në listën e redaktorëve përgjegjës të dijeve albanologjike, nuk shihet asnjë nga emra autoritativë, të cilët, që nga gjysma e dytë të shek. XX e deri më sot, konsiderohen themeltarë të vizionit integralist në shkencat albanologjike, sidomos në fushën e dijes së gjuhësisë e të letërsisë. Paradoksalisht, mohuesit e djeshëm dhe të sotëm të vizionit integralist në dijet albanologjike, vihen në ballë të një projekti që, formalisht, synon përbashkimin e botës shqiptare në një tërësi të njësishme.
Në botën shqiptare çdo gjë është e mundur: edhe e paimagjinueshmja, si me magji, shfaqet si realitet!
Përfundim
Hannah Arendt në veprën “Gjendja njerëzore” thekson se një epokë shkence zhvillohet në një epokë organizimi dhe se mendimi i organizuar është baza e veprimit të organizuar. Mjerisht, qenia politike, ekonomike, kulturore e shkencore shqiptare, jo vetëm që është e paorganizuar, por është e parcializuar, e fragmentuar dhe kaotike. Pa një moral të vullnetit të mendjes racionale shqiptare për ta menduar dhe kuptuar seriozisht veten, vendimet administrative-politike, nuk mund ta përmbushin misionin për arritjen e një mendimi të organizuar, dhe rrjedhimisht, të veprimeve të organizuara. Përmbushja e një misioni të tillë bëhet edhe më e pamundur kur ai i besohet dhe i delegohet fuqisë së mendjes autokratike-klanore.
Mungesa e parimeve morale e intelektuale, në njërën anë, dhe, nga ana tjetër, kundërthëniet logjike e teorike, si tregues të mungesës së premisës epistemologjike – si koncept themelor, falsin për mungesën e qartësisë së qëllimit të dijes dhe të vetë qëllimit të Enciklopedisë, si përfaqësim i vullnetit të një shoqërie për dijen. Mungesat e tilla pasqyrojnë mungesën e vullnetit dituror për krijimin e një mendimi të organizuar për “botën shqiptare”. Për rrjedhojë, nga projekti “Enciklopedia shqiptare” nuk mund të priten efekte për krijimin e veprimeve të organizuara shqiptare. Platforma e “Enciklopedisë shqiptare” para se ta tejkalojë realitetin e botës së çorganizuar shqiptare, do të duhej që paraprakisht, me një ideal dhe vullnet moral të lartë dituror, ta tejkalojë gjendjen e çorganizuar të vetë mendimit shqiptar.
Pavarësisht parashikimit për përfundimet jo të qëndrueshme që do të sjellë projekti si rrjedhojë e mungesës së premisave epistemologjike, “Enciklopedia shqiptare” do të realizohet, e para: sepse mendja autokratike-klanore nuk mund ta privojë veten nga uria e dëshirës për monopol financiar ndaj 4 milionë eurove të ndara deri tani nga dy shtete shqiptare për hartimin e Enciklopedisë; dhe e dyta: sepse për mendjen autokratike-klanore, Enciklopedia është hapësira e odës shqiptare, për rritjen e frekuencës së jehonës së këngëve për anëtarët e fisit.
Përballë këtyre dy synimeve, vullneti i mendjes autokratike-klanore është i pandalshëm!