Përpos ndoshta me filmin, që jam i sigurt ka qarkulluar më shpesh e më kollaj brenda rajonit, gjendje pak a shumë e ngjashme si me teatrin besoj se është dhe me artet e tjera. Bilanci është ky: linja jofunksionale e të këputura kulturore, linja të ngarkuara me paragjykime, me simbolizëm e ngarkesa politike, e linja pa interes për komunikim me njëra-tjetrën
Shkëmbimi e bashkëpunimi kulturor në rajon, për krejt këto rreth 30 e ca vjet ka ndodhur në nivelet më bazike; rrallë, simbolikisht, i ngarkuar politikisht, e dhe më shpesh, ai bashkëpunim nuk ka ndodhur fare. Një shfaqje teatri nga Kosova është shfaqur për herë të parë në Podgoricë vetëm në vitin 2023, e me gjasë një shfaqja teatrore nga Shqipëria është shfaqur për herë të parë në Sarajevë vetëm në vitin 2024. Në anën tjetër, askush nuk mban mend që ndonjë shfaqje e Malit të Zi të jetë shfaqur në Tiranë, e aq më pak që ndonjë shfaqje nga Shqipëria të jetë shfaqur në Zagreb a Lubjanë.
Sa i përket teatrit, këto vitet e fundit, më së shumti ka pasur shkëmbime e bashkëprodhime mes artistëve e organizatave kulturore nga Kosova e Serbia. Për këto bashkëpunime e shkëmbime ka se çfarë të flitet dhe atë në shumë nivele, por ajo që i ka shquar është ngarkesa politike që ka imponuar konteksti dhe vetë akti simbolik i shkëmbimit, që zakonisht e ka mbytur e lënë në hije çdo debat e diskutim tjetër përmbajtësor për vetë produktin artistik. Ky bashkëpunim dhe shkëmbim kulturor shpesh është konfrontuar edhe me banalitetet që kanë shoqëruar raportet Kosovë–Serbi këtyre viteve të pasluftës. Kur para disa vjetësh “Qendra Multimedia” nga Prishtina dhe “Radionica Integracija” nga Bogradi realizuan shfaqjen “Romeo dhe Xhulieta”, me aktorë serbë e shqiptarë, premiera në Teatrin Kombëtar në Beograd qe vënë seriozisht në pikëpyetje. Ajo që doli si çështje sfiduese, seriozisht sfiduese, ishin logot e sponsorëve dhe të atyre që e kishin mbështetur realizimin e shfaqjes. Më saktësisht: si mund të vendoseshin në një poster logoja e Ministrisë së Kulturës të Serbisë dhe ajo Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që njëjtë e kishin sponsorizuar shfaqjen?! Një punë dymujore e mbi 20 artistëve po rrezikohej të zhbëhej me lehtësinë më të madhe.
Përpos ndoshta me filmin, që jam i sigurt ka qarkulluar më shpesh e më kollaj brenda rajonit, gjendje pak a shumë e ngjashme si me teatrin besoj se është dhe me artet e tjera. Bilanci është ky: linja jofunksionale e të këputura kulturore, linja të ngarkuara me paragjykime, me simbolizëm e ngarkesa politike, e linja pa interes për komunikim me njëra-tjetrën. Ajo pak çka është bërë në këtë drejtim, është meritë e disa artistëve indivudalisht dhe e atyre pak organizatave të pavarura kulturore, të cilat megjithatë, e kanë mbajtur me insistim dhe pa frikë flamurin e komunikimit kulturor rajonal.
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit
www.portalnovosti.com/prekinute-linije
Botohet në shqip me leje të autorit.
© KOHA Ditore