Shtojca për Kulturë

Letërsia thotë ato që s’duhet të thuhen

Herezia e heraklitit

Herezia e cila nënkupton kundërshtimin e diçkaje apo largimin e plotë nga parimet e një doktrine, rryme fetare a politike, apo qoftë edhe kundërshtimin e një ideje, është marrë si figurë nga Apolloni për të kundërshtuar rendin politik, kulturor e shoqëror të ambientit ku ai frymon

Poema “Herezia e Heraklitit” ngrit një varg çështjesh e preokupimesh për realitetin që jetojmë, politikën që po aplikohet në ditët e sotme dhe nuk lë anash edhe shkrimtarin e intelektualin por nuk përjashton as spektrin arsimor e kulturor në përgjithësi. Ata të cilët janë bërë vegël e pushteteve sa herë që ato ndërrojnë. Brenda poemës janë përfshirë të gjitha elementet negative që përfaqësojnë spektrin politik si: premtimet elektorale; pretendimet kinse situata është duke shkuar kah e mira; thirrjet për drejtësi; maskime dhe dyfytyrësi; aferat; luksi me makina, prostituta, vila dhe pallate. Aty është përfshirë e gjithë e keqja që e karakterizon shoqërinë

Fatbardha Hasi

“Herezia e Heraklitit” nga Ag Apolloni është një poemë alegorike e cila trajton çështje shumë delikate të shoqërisë tonë, konkretisht realitetin e përditshëm nga i cili asnjë njëri me mendje të kthjellët nuk mund të jetë i kënaqur.

Brenda poemës janë përfshirë të gjitha elementet negative që përfaqësojnë spektrin politik si: premtimet elektorale; pretendimet kinse situata është duke shkuar kah e mira; thirrjet për drejtësi; maskime dhe dyfytyrësi; aferat; luksi me makina, prostituta, vila dhe pallate. Aty është përfshirë e gjithë e keqja që e karakterizon shoqërinë tonë duke ju kundërvënë me një pohim të qartë se: “ne të gjitha i shohim dhe se kjo nuk do të vazhdoj kështu përgjithmonë”. 

Figura e alegorisë e ka shtyrë situatën brenda poemës mbrapa në kohë, duke e dërguar në kohën e filozofit Heraklit që brenda poemës personifikohet me vet autorin, i cili përmes elementeve mitike si: Zeusi, zjarri, shpella; i jep poemës së tij kodimin e dyfishtë që i mundëson lexuesit ta perceptoj poemën në dy variante dhe të merr atë që ka aftësi ta kuptoj.

Kur themi që Herakliti është personifikim i autori mbështetemi edhe në shkrimin e dhënë në fillim të librit “Shënime nga shpella”, me titull “Shënim për ‘shënimet’”, ku Apolloni konstaton: “Pse tani e zgjodha Heraklitin?”

“Fjala filozofi domethënë dashuri për dije, e në dashuri me filozofinë kam rënë pikërisht për shkak të Heraklitit, që është filozofi i parë që e kam njohur. Kur isha në gjimnaz, lexova librin e tij ‘Mbi natyrën’, dhe u mahnita. Më vonë, gjithmonë, më ka tërhequr errësira e tij. Edhe sot, banesën time të vogël e quaj shpellë. Shpesh fik dritat, ul roletat, rri në terr dhe, oh tmerr!, mes librash mendoj për zjarrin, mes territ mendoj për dritën, dhe hesht bashkë më hijen time... Të gjitha shënimet janë shkruar në shpellë, ose janë përpunuar dhe sistemuar brenda saj, ose i ka lindur disponimi prej shpellari.  (Apolloni, 2023: ff. 5 – 8).

Apolloni nuk e ka problem të shfaq mendimet hapur e pa drojë nga askush. Ai deklarohet se ka huazuar maskën e Heraklitit dhe fillon ligjërimin e tij thumbues ndaj të keqes e parregullsive që sheh brenda shoqërisë. Ai nuk i trembet askujt ashtu siç e thotë në një strofë:

E di që disa gjëra nuk duhet të thuhen,
se nuk janë politikisht korrekt,
po unë kam kaq guxim
sa terrin e kohës sime ta shoh në sy direkt. (Apolloni, 2023: f. 16).

Herezia e cila nënkupton kundërshtimin e diçkaje apo largimin e plotë nga parimet e një doktrine, rryme fetare a politike, apo qoftë edhe kundërshtimin e një ideje, është marrë si figurë nga Apolloni për të kundërshtuar rendin politik, kulturor e shoqëror të ambientit ku ai frymon. Ai akuzat e tij nuk i shfaq direkt, mirëpo e jep përmes një gjuhe të figuruar duke krijuar argumente filozofike të cilat jo gjithsecili individ mund t’i kuptoj. Siç e thotë edhe vetë mes rreshtash: “me fal, o mik, nëse të shtina në të thella”, pra jo secili mund ta kuptoj antitezën që ka ngritur autori.

Figura e Heraklitit zë vendin meritor sepse ai i lindur mes mbretërish, braktis atë rend dhe mbyllet në tempull duke i bërë herezi rendit që i ka takuar, të njëjtën gjë paraqet edhe autori në poemën e tij. Edhe ai (autori) bën herezi ndaj shumë kujt.

Kjo poemë është ndërtuar duke ju përmbajtur Dialektikës e cila njihet si shkencë që studion ligjet e natyrës, të shoqërisë dhe mendimit. Pikërisht ligjet e këtij të fundit janë aplikuar në poemë.
Dialektika në poemën e Apollonit është përdorur ashtu si e ka etimologjinë që sipas greqishtes së lashtë: διαλεκτική, dhialektiki – nënkupton një lloj kuvendimi përmes pyetjeve – përgjigjeve në përpjekje për të gjetur të vërtetën. 

Edhe Apolloni dialogon me mikun e tij të mjerë. Në poemë zhvillohet një lloj dialogu ku shfaqen pyetjet e shkrimtarit dhe hamendësimet e mikut të mjerë nga i cili merr përgjigje.

Aty janë dhënë argumente dhe kundër argumente që qojnë në një bashkëbisedim me akuza e kundër akuza. Pyetjeve si: pse rri në terr e në të ftohet dhe ti thua se unë s’i dua njerëzit; u janë dhënë përgjigje filozofike si: besomë se as nën diellin tuaj s’është më dritë e më ngrohtë dhe njerëzit nuk i urrej, po më thuaj ku t’i gjej!

Fryma filozofike në poemë është dhënë përmes vargjeve. Po ashtu janë përdorur proverba të cilat janë transformuar duke u sjellë në forma të ndryshme dhe duke përcjell mesazhe kuptimplota.
Vargjet/fraza si:

-    Është më mirë të jesh vetvetja sesa të jesh mbret.;
-    Ju zbuloni mjete për t’u fshehur, unë fshihem për t’u zbuluar.;
-    Njeriu është si llamba, ndizet edhe fiket. Karakteri është fat, e fati s’mund t’i iket.
-    ... shpellat mbesin shpella, pallatet bëhen hi;
-    Në rrjedhën rrethore, s’do mend, fillimi e fundi janë në të njëjtin vend.
-    Unë e shohë se jetojmë në vdekje dhe vdesim në jetë;
-    ... populli ka kohë që është përçarë: në njërën anë – njerëzit e mirë; në anën tjetër – njerëzit fetarë.
-    Unë rri zgjuar në terr, ju flini gjumë. Tani më thoni kush nga ne sheh më shumë!
 

janë fraza të cilat qëndrojnë në vete, të shkëputura nga përmbajtja e poemës dhe mund të përdoren si thënie të mençura për të argumentuar a kundërshtuar një ide a mendim. Janë shprehje të modifikuara të cilat i bëjnë ballë kohës dhe ashtu të shkëputura shndërrohen në mendime filozofike.
Një gjetje tjetër artistike shumë e rëndësishme është komunikimi përmes proverbave të njohura të cilat janë përfshirë mjeshtërisht brenda tekstit si:

-    ... ju sot për sot edhe mund të flini dathë,  po e nesërmja s’dihet se çka pjell.;
-    ... ti i bie patkoit, unë thumbit. Ti qesh e unë qaj për ty, o i mjerë, se e di që qesh mirë ai që qesh i fundit.;
-    Popullin që i zgjodhi, e mjelin si dhentë.;
-    Pse e godet të shtririn? Të mirit pse s’ia zgjatë dorën?
-    ... nëse farën s’e hedh me dashuri, kot pret fruta bujku.

Janë këto vargje të cilat kanë marrë një frazë nga proverba të ndryshme që kanë burimin të populli, ato fraza janë transformuar dhe kanë ardhur në një kuptim tjetër ku mundësojnë një formë tjetër të të menduarit, duke bërë që ato të prekin edhe një aspekt tjetër të logjikës njerëzore përveç asaj me të cilën jemi familjarizuar tashmë.

Poema i përmbahet edhe një aspekti tjetër të Dialektikës e që është triada e procesit të njohjes e shprehur përmes tezës, antitezës dhe sintezës.

Teza që ngrit Apolloni është ajo e një jetë të mirë e të dinjitetshme të cilën miku i tij i mjerë beson që ka ardhur.

Kjo është dhënë përmes vargjeve:

-    Ti e shokët e tu thatë se do të sillni faos...; 
-    Ti që beson që tash kemi dalë në dritë,...;
-    Ti qesh e çuditesh pse s’ më qesh buza mua,....

Më pas ngrihet antiteza në vargjet pasuese që i kundërshtojnë këto pohime, mirëpo antiteza më kuptimplotë bëhet e dhënë në përmbajtjen e një strofe:
 

Mos flisni për mirëqenie,
derisa ende rron më mirë qeni se njeriu!
Qe më fat ai që qëlloi aty kur u nda preja.
Kush erdhi vonë, veç kockat i lëpiu.(Apolloni, 2023: f. 17).

Triada përmbyllet me sintezën e cila përmes argumenteve sjell një përfundim të ri ku Apollonit nënvlerëson intelektin e mikut të mjerë:

Kur do ta kuptosh se bota ndryshon përditë,
e ne bashkë me të?
Kush s’e pa t’ padukshmen,
nuk pa kurrë kurrgjë.(Apolloni, 2023: f. 18).

Kjo poemë ngrit një varg çështjesh e preokupimesh për realitetin që jetojmë, politikën që po aplikohet në ditët e sotme dhe nuk lë anash edhe shkrimtarin e intelektualin por nuk përjashton as spektrin arsimor e kulturor në përgjithësi. Ata të cilët janë bërë vegël e pushteteve sa herë që ato ndërrojnë e që pasqyrohet përmes vargjeve:

Ikën miqtë e mi, ndjesë paçin:
disa i mori lufta,
disa murtaja i korri.
Unë u bëra ujk i shpellës,
kur miqtë m’u bënë qen oborri. (Apolloni, 2023: f. 17).