Kurti dhe qeveria e tij në Kosovë e kanë rritur buxhetin për kulturë në mënyrë drastike, si asnjëherë më parë. Më së shumti, për skenën e pavarur kulturore dhe për artistët individualë. Dhe derisa në regjion mbështetja për kulturën ka ardhur duke u tkurrur në shifra të frikshme, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë, kjo vëmendje për kulturën në Kosovë është befasuese
Kur Albin Kurti erdhi në pushtet në vitin 2020, qëndrimi i tij për sa i përket dialogut politik me Serbinë ishte veçse i qartë. Megjithatë, si do të sillej ai me shkëmbimin kulturor që po ndodhte në relacionin Kosovë–Serbi ishte diçka e panjohur, por jo edhe shumë e vështirë për t’u qëlluar. Atë bashkëpunim ai as nuk do ta pengonte e as nuk do ta inkurajonte. Bash siç kishin bërë pararendësit e tij. Komunikimin kulturor Kosovë–Serbi deri atëherë e kishte mbajtur gjallë në mënyrë aktive skena e pavarur kulturore, e cila vepronte e mbështetur financiarisht nga fondet e donatorëve të huaj e qeveritarët në Kosovë edhe sikur të donin nuk do të mund ta pengonin.
Ajo çfarë kemi parë këta katër vjetët e fundit ka qenë një frenim i shkëmbimeve kulturore Kosovë – Serbi, deri në nivelin pakëz mbi zero. Dorën në zemër, jo për mungesë të vullnetit të akterëve kulturorë në Kosovë, apo për shkak të ndonjë presioni politik të brendshëm. Më së shumti kjo gjendje ka ardhur për shkak të dinamikave të brendshme politike në Serbi, propagandës antishqiptare në rritje e për shkak të krijimit të turbo-mitit të ri atje, për “serbët që po persekutohen në Kosovë”.
Kurti dhe qeveria e tij në Kosovë e kanë rritur buxhetin për kulturë në mënyrë drastike, si asnjëherë më parë. Më së shumti, për skenën e pavarur kulturore dhe për artistët individualë. Dhe derisa në regjion mbështetja për kulturën ka ardhur duke u tkurrur në shifra të frikshme, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut apo Shqipërinë, kjo vëmendje për kulturën në Kosovë është befasuese. Organizatat e skenës së pavarur kulturore mund të përfitojnë nga Ministria e Kulturës grante trevjeçare deri në treqind mijë euro. Për kritikët e fushës së kulturës, kjo është një situatë e sikletshme, se nuk është se mund të adresojnë kritika substanciale, jo sa i përket buxhetit së paku. Krejt këto vite të pasluftës shumë nga ne jemi ankuar për buxhetin mizor të kulturës, tani kur buxheti po na jepet, përse duhet të ankohemi, mund të thotë dikush. Paj, ndoshta edhe për hir të mbajtjes së kondicionit kritik!? Apo ndoshta edhe për frikën legjitime nga kjo vëmendje e befasishme për kulturën, nga një qeveri që s’është treguar fort e aftë në politikëbërjen e brendshme e në marrëdhëniet diplomatike ndërkombëtare! Kurti është militant në qeverisje, i pakompromis, brutalisht kokëfortë, shpesh bën veprime politike pa takt e pa i menduar mirë pasojat, ai e ka sjellë Kosovën në atë pikë sa të jetë nën sanksione të BE-së. Por, në anën tjetër, ai është kaq dashamirës, kaq zemërgjerë e kaq vizionar me kulturën! Shumë pikëpyetje e shumë mister. Por, krejt çfarë na mbetet është të shpresojmë që në fund nuk do të na ofrohet fatura për shërbimin. Modeli i faturës është i gatshëm, gjendet në Serbi e qe besa edhe në Shqipëri. Në Serbi sheqerkat kanë qenë të mbështjella me ide madhore, vizionare (e me grante të vogla ndërmjet), si ajo për “Serbinë kreative”, që pati iniciuar Ana Bërnabiq dikur.
Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit https://www.portalnovosti.com/kulturni-kurti
Botohet në shqip me leje të autorit.