Shtojca për Kulturë

Kureshtja për tjetrin

Çerek shekulli pas luftës, njerëzit në Evropë akoma e shohin Kosovën si “ai vendi i luftës”.

Çerek shekulli pas luftës, njerëzit në Evropë akoma e shohin Kosovën si “ai vendi i luftës”. Sepse, ky është imazhi i vetëm në kokat e tyre, e asgjë tjetër nuk ka depërtuar tek ata që nga ajo kohë. Fotografia e tyre e vetme për Kosovën është lufta (Foto: Alban Bujari)

Përse një luftë duhet të na kujtojë ekzistencën e Ukrainës, Sirisë, Bosnjë e Hercegovinës, Palestinës…? Përse njohjen me një shoqëri duhet ta bëjmë vetëm në një kohë e në një moment krize, kur ajo shoqëri, në përpjekjen për mbijetesë, është e reduktuar, e zhveshur nga cikli i saj normal social e kulturor

Çdo herë kur një shoqëri a një vend ka një krizë, është në një luftë, në një konflikt a ngjashëm, vëmendja jonë drejtohet andej, natyrshëm, do të thoshim. Tragjedia, kudo e kurdo që ndodh, e mobilizon edhe empatinë tonë, kureshtjen, vëmendjen e nevojën për solidaritet. Dhe, në këtë lloj “procesi ndërveprimi” përfshihet domosdo edhe teatri, sado që për shkak të politikave programore të planifikimit afatgjatë, këtë gjë e bën më me shumë vonesë, shpesh madje, kur një krizë, një tragjedi njerëzore a një konflikt tashmë është mbuluar e “harruar” nga tragjedi e kriza të tjera më të freskëta.

Megjithatë, teatri zakonisht është aty, bëhet pjesë e kësaj “kureshtjeje të shtuar”, përpiqet të jetë “akter” dhe pjesë e “trendit”. 

Kur Rusia sulmoi Ukrainën, vëmendja e teatrove në Evropë u kthye andej, kah Ukraina, ai vend për të cilin dinin aq pak deri atëherë. S’kishte më rëndësi kurrfarë procesi kuratorial, kurrfarë nevoje për të kuptuar më thellë e më përmbajtjesisht. Çfarëdo do që kishte lidhje me teatrin dhe vinte nga Ukraina, ishte e vlefshme. Asgjë e keqe, do të thoshim, solidariteti i këtillë, në të tilla raste, është i rëndësishëm.

Megjithatë, a s’do të duhej teatri ta mirëmbajë këtë lloj kureshtjeje e ndërveprimi teatror me shoqëritë, me vendet, pavarësisht krizave, pavarësisht luftërave? Përse një luftë duhet të na kujtojë ekzistencën e Ukrainës, Sirisë, Bosnjë e Hercegovinës, Palestinës…?  Përse njohjen me një shoqëri duhet ta bëjmë vetëm në një kohë e në një moment krize, kur ajo shoqëri, në përpjekjen për mbijetesë, është e reduktuar, e zhveshur nga cikli i saj normal social e kulturor! 25 vjet pas luftës, njerëzit në Evropë akoma e shohin Kosovën si “ai vendi i luftës”. Sepse, ky është imazhi i vetëm në kokat e tyre, e asgjë tjetër nuk ka depërtuar tek ata që nga ajo kohë. Fotografia e tyre e vetme për Kosovën është lufta. 

Kureshtjen teatri duhet ta ketë përtej kufijve nacionalë, gjuhësor e kulturor. Por edhe përtej asaj “emergjencës” që na e dikton një luftë a një krizë në një periudhë specifike. Teatri duhet, në vazhdimësi, natyrshëm e pa kufizime, ta zgjasë kokën e të shfaqë kureshtje për tjetrin “përtej”, sepse kështu e pasuron vetveten, bëhet më human, më gjithëpërfshirës, dhe më me peshë. E më human, më gjithëpërfshirëse bëhet edhe shoqëria ku vepron ai teatër. Para së gjithash shoqëria. Teatri nuk mund të reduktohet në një libër gjeografie, a historie, që skanon vende e regjione, por duke vënë në skenë një dramë turke, duke ftuar një trupë teatri nga Uzbekistani, e duke bashkë-prodhuar një shfaqje teatri me një trupë teatri nga Sudani, ne mësojmë, ndërveprojmë, thellohemi e kuptojmë për atë vend, për atë shoqëri, shumë më tepër se sa mund ta imagjinojmë. Ky ndërveprim teatror, kulturor, na ndihmon ta shkundim perden e paragjykimeve, të ndotur nga mediat, politika e agjentë të tjerë të shumtë, por po ashtu, na mundëson ta shohim tjetrin, jo me dioptrinë tonë të mjegulluar, por si është ai në të vërtetë – dhe siç ai vet dëshiron të na prezantohet.

Ky tekst fillimisht është botuar në “Novosti” të Zagrebit 

Botohet në shqip me leje të autorit.

© KOHA Ditore