Shtojca për Kulturë

Kur trazirat tronditën Zürichun dhe italianët braktisën qytetin

Në dekadat e fundit të shekullit të 19-të dhjetëra-mijëra italianë kishin ardhur në Zvicër, e sidomos në Zürich, sepse ekonomia kishte nevojë për punëtorë

26 korrik 1896: trazirat që nisën me një mprehës gërshërësh

Sot Zürichu s’mund të përfytyrohet pa italianët. Ata ia kanë sjellë qytetit lehtësinë e jugut, dëshirën për të jetuar jetën pa gajle, ngrohtësinë ndërnjerëzore dhe – mbi të gjitha – kanë sjellë kuzhinën e pasur italiane. Italianët si komunitet janë shumë mirë të integruar, madje pjesa më e madhe e tyre nuk perceptohen si të huaj, por si pjesë tashmë e pandashme e shoqërisë zvicerane.

S’ka qenë përherë kështu.

26 korriku i vitit 1896 shënohet në historinë e Zürichut si ditë e fillimit të trazirave. Në të vërtetë hataja nisi pas mesnatës, kur mprehësi i gërshërëve Alois Remetter mori shkopin dhe doli në qytet. Ai u nda nga gruaja e tij me këto fjalë: “Qingët (Tschinggen) janë këndej. Nëse takohem me ndonjërin prej tyre, s’shpëton lehtë”. Qingët quheshin me përçmim italianët. Ata luanin një lojë me letra dhe duke shtrirë pesë gishtat e dorës thoshin “Cinque! Cinque!”

Alois Remetter ishte tip problematik. Atë natë ai goditi me shkop dy italianë. Ndërsa po godiste italianin e tretë, situata përshkallëzoi: punëtori i ndërtimtarisë Giovanni Brescianni nxori një thikë dhe e qëlloi në bark mprehësin e gërshërëve.

Lajmi u përhap shpejt. Zviceranët ishin të bindur se Alois Remetter ishte viktimë krejtësisht e pafajshme. Gjatë ditës u bënë bashkë punëtorë fabrikash, punëtorë ndërtimtarie, punëtorë hekurudhash dhe argatë të tjerë. Atyre iu bashkuan edhe qytetarë që jetonin në mirëqenie. Të gjithë ishin të etur të sulmonin italianët. Ata përjetoheshin si prishës të idilit zviceran. Si konkurrentë në vendin e punës. Si persona të zhurmshëm. Si ngatërrestarë.

Në dekadat e fundit të shekullit të 19-të dhjetëra-mijëra italianë kishin ardhur në Zvicër, e sidomos në Zürich, sepse ekonomia kishte nevojë për punëtorë. Ata shtronin vija hekurudhore, ndërtonin shtëpi, hapnin rrugë të reja e çelnin kanalizime. Italianët banonin në lagjen “Aussersihl” të Zürichut, që ende i ngjante një fshati me kondita të mesjetës.

Qiradhënësit zviceranë fitonin shuma të majme nga qiraxhinjtë italianë. Në Aussersihl ishin hapur disa restorante italiane. Aty këta njerëz gazmorë nga jugu hanin e pinin, këndonin e bisedonin deri në orët e vona të natës, e shpesh deri në mëngjes.

Sapo ra terri më 26 korrik 1896, turmat zvicerane atakuan restorantet italiane, të cilat mysafirëve u ofronin verë, rizoto dhe polentë. Kush fliste italisht sulmohej. Banesat e italianëve shkatërroheshin. Policia ishte e pafuqishme të ndalte turmën. Ditën tjetër, ishte e hënë, autoritetet besuan se gjithçka mori fund. Ishte një iluzion. Atë ditë u shkatërruan edhe 14 restorante italiane që kishin mbetur të paprekura një natë më parë. Prijësit e trazirave vodhën rakinë, verën dhe proshutën nga restorantet italiane. Tollovia e dhuna vazhduan gjithë natën, pastaj ditën tjetër, të martën, sërish u përsërit dhuna.

Shumë italianë morën rrugën drejt stacionit të trenit në Zürich për të kapur njërin nga trenat në drejtim të Italisë. Rreth 1000 italianë u fshehën në malet e Zürichut. Protestuesit e tërbuar zviceranë iu vërsulën edhe ushtrisë. Gjendja u qetësua tek të mërkurën, pasi autoritetet mobilizuan forca të mëdha të sigurisë. Shumë italianë ikën dhe shumë punëdhënës zviceranë mbetën pa punëtorë.

Po atë ditë u varros Alois Remetter. Ditën tjetër u arrestua Giovanni Brescianni. Në fillim të tetorit 1896 një gjykatë me porotë në Winterthur e dënoi Bresciannin me tre muaj burg dhe 1500 franga gjobë. Pasi doli nga burgu, Giovanni Brescianni u kthye në Itali. Kjo mund të verifikohet në aktet e policisë së Zürichut. Sepse në këtë vend burokracia mban shënim gati për çdo gjë. Në Zürich mbeti gruaja e tij, në të vërtetë ish-gruaja, sepse Giovanni Brescianni ishte ndarë prej saj pasi doli nga burgu. Në Zürich u rrit vajza e përbashkët e këtij çifti, Lucia. Pasardhësit e saj sot ende jetojnë në Zürich e rrethinë.