Është hera e parë në historinë e saj që kësaj kulture i bëhet akuza e shovinizmit shqiptaro-madh. Nuk i ishte bërë kjo as në kohërat më të errëta, atëherë kur kultura shqiptare, letërsia dhe artet e saj, merrnin pjesë të drejtpërdrejtë në luftën për pavarësi dhe shkëputje të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Gjithfarë sulmesh i janë bërë kulturës shqiptare, letërsisë dhe arteve të saj nga kritikues të vjetër e të rinj, të cilët s’kanë qenë aspak përkëdhelës me të, megjithatë fakti që asnjëherë në këtë arsenal s’gjendet akuza e shovinizmit shqiptaro-madh tregon se asnjë gjurmë e tillë s’është gjetur dot në të
Në klimën e ashpër dhe nervoze të krijuar në Jugosllavi prej shovinizmit serb, pas ngjarjeve të Kosovës, një pjesë e fushatës është drejtuar kundër kulturës shqiptare, kundër letërsisë, arteve, trashëgimisë kombëtare në përgjithësi, të cilat janë shpallur si nxitëse të turbullirave, të revoltës dhe të irredentizmit në Kosovë.
Në historinë e gjatë shekullore të kulturës shqiptare nuk njihet ndonjë rast tjetër kur ndaj saj të jetë ndërmarrë një sulm kaq i gjerë e gjithë mllef, ku barbaria me injorancën janë në garë me njëra-tjetrën.
Është marrë nëpër gojë tërë kultura shqiptare, e vjetra dhe e reja, është quajtur ajo si përgjegjëse për prishjen e qetësisë në Jugosllavi, është cilësuar si e mbushur me historicizëm, me “romantizëm kombëtar”, me “ideale dhe ide të vdekura”, me mite, heronj dhe idole, që janë tepër të dëmshëm për unitetin e popujve në Jugosllavi, (mbetej vetëm të thuhej se janë krijuar enkas për këtë). Është thënë se e gjithë kjo traditë ushqen shovinizmin e irredentizmin, meqenëse nxit ndjenja të tilla, sipas tyre negative, si kulti i flijimit kombëtar, se kjo kulturë e letërsi i bën të rinjtë kosovarë “të kërkojnë idolet e tejkaluara kombëtare” (kush janë këta, Skënderbeu apo vëllezërit Frashëri?), se “armiku po shfrytëzon edhe pjesë të kostumeve kombëtare”, etj. etj., për të vazhduar me pohimin e Dushan Ristiçit se “kulti i flijimit kombëtar dëmtoi veçanërisht të rinjtë…, por në një varg rrethanash mitologjizimi i kombit çon në paragjykimin se të gjitha sakrificat për atdheun janë patriotike”. Është arritur gjer te pohimi i kryetarit të LK të Serbisë Vllashkaliqit se “lufta kundër vetëdijes kombëtare shqiptare, veçmas te të rinjtë që janë mashtruar, nuk duhet të jetë sektare e burokratike, por duhet të jetë e përhershme, e përditshme dhe e argumentuar në mënyrë marksiste”.
“Po sulmohet tërë kultura shqiptare”
Këto e dhjetëra të tjera si këto kanë mbushur faqet e shtypit dhe eterin e Jugosllavisë. Me një fjalë, siç shkruan edhe shtypi botëror: “U bënë sulme të hapura kundër ndërgjegjes kulturore dhe kombëtare shqiptare… Po sulmohet tërë kultura shqiptare”.
Qortimi kryesor që i bëhet kësaj kulture, historisë, letërsisë e arteve është se ato janë të ngarkuara tepër me ndërgjegje kombëtare, pra duhet të zbrazen prej saj, se kanë bërë shumë histori, pra duhet të zhvishen gjithashtu prej saj, se frymëzojnë ndjenja të tejkaluara, si sakrificat për atdheun, prej të cilave duhet të heqin dorë se përmendin “idole të tejkaluara”, që duhet t’i braktisin ose t’i zëvendësojnë me “idole të reja”, se të tilla siç janë, janë reaksionare dhe të rrezikshme për Jugosllavinë, pra duhet të riformohen për të qenë të pranueshme. Shkurt, kjo është një kulturë me taban të fortë kombëtar dhe me kujtesë të fortë kombëtare, por që duhet ta humbë identitetin dhe ta dobësojë kujtesën, për të mos u quajtur reaksionare, shoviniste dhe irredentiste. Ky sugjerim i bëhet kulturës shqiptare në përgjithësi dhe kjo ftesë – ose më mirë ky kërcënim – i bëhet kulturës që krijohet në Kosovë në veçanti. Nuk është vështirë të kuptohet padurimi për ta shkëputur kulturën që zhvillohet në Kosovë nga kultura në Shqipëri, për të prerë çdo lidhje midis tyre, për t’i shkombëtarizuar dhe amnezuar kështu kulturën, letërsinë dhe artet e Kosovës.
Ftesa është sa e mbrapshtë, aq dhe absurde. Do të pranojnë ta bëjnë këtë njerëzit e kulturës në Kosovë, shkrimtarët, historianët, shkencëtarët dhe artistët e saj? Do të pranojnë ata të humbin vetëdijen kombëtare, siç bën thirrje fare hapur Vllashkaliqi, të harrojnë pjesë të historisë për të mos u akuzuar se kanë rënë në historicizëm, t’i braktisin “idolet kombëtare”, për të mos u akuzuar si “nacionalistë romantikë”, të heqin dorë nga “mitet kombëtare”, për të mos u akuzuar si irredentistë, shkurt t’i këmbejnë kujtimet dhe imazhet që ua ofron një histori e një kulturë me thellësi mijëvjeçare, me kujtesën e shkurtër 40-vjeçare të kohës që jetojnë në bashkësinë jugosllave, siç u sugjeron dikush? Përgjigjen për këto do ta japë koha, por ajo vështirë se do të jetë ngushëlluese për shovinistët.
Le të kthehemi tek akuzat që i bëhen kulturës shqiptare si nxitëse e revoltës në Kosovë. Është hera e parë në historinë e saj që kësaj kulture i bëhet akuza e shovinizmit shqiptaro-madh. Nuk i ishte bërë kjo as në kohërat më të errëta, atëherë kur kultura shqiptare, letërsia dhe artet e saj, merrnin pjesë të drejtpërdrejtë në luftën për pavarësi dhe shkëputje të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Gjithfarë sulmesh i janë bërë kulturës shqiptare, letërsisë dhe arteve të saj nga kritikues të vjetër e të rinj, të cilët s’kanë qenë aspak përkëdhelës me të, megjithatë fakti që asnjëherë në këtë arsenal s’gjendet akuza e shovinizmit shqiptaro-madh tregon se asnjë gjurmë e tillë s’është gjetur dot në të. Dhe e vërteta është ashtu. Shekujt e gjatë të luftës dhe të dramave kombëtare, as e egërsuan, as e çhumanizuan kulturën shqiptare dhe kjo është një nga cilësitë më të admirueshme të saj. Asnjë mesazh shovinist nuk gjendet në këtë kulturë, asnjë frymë armiqësore për popujt e tjerë, përkundrazi gjenden në të me shumicë sinjalet e miqësisë e të mirëkuptimit. Kjo cilësi thelbësore e kulturës shqiptare e ka burimin në konceptimin e jetës, në filozofinë dhe etikën e njeriut shqiptar. Edhe në kodet më të ashpra dhe primitive përherë teprimi i reagimit ndaj së keqes, duke e vënë këtë vetëpërmbajtje si gur themelor të etikës së jetës: (gjaku i njerëzve është i barabartë, një jetë lahet me një jetë). Duke e individualizuar ndëshkimin, këto kode kanë dënuar dhe përjashtuar rreptësisht nga jeta e shqiptarit vrasjet kolektive, masakrat e aq më tepër genocidin. Kjo vetëpërmbajtje e popullit shqiptar ka bërë që edhe në stuhitë shoviniste, midis vorbullës të së cilave ai është gjendur herë pas herë, të mos përfshihet nga histeria, nga tërbimi dhe përgjigjja e shovinizmit me shovinizëm. Ai është përgjigjur rreptësisht, por korrektësisht.
Fjalë të bukura, të pavërtetuara, mund të thotë dikush, “nacionalizëm romantik”. Por vërtetimi gjendet në dëshmitë kulturore, në artin oral, në veprat e shkrimtarëve, filozofëve e poetëve të vendit tonë. Ekipi i Rilindjes shqiptare, një nga më të ndriturit në historinë e Ballkanit, e vuri si një nga kriteret e punës së tij përjashtimin e shovinizmit. Poeti i madh Naim Frashëri, që ndodhej në qendër të plejadës, për t’i rikonfirmuar idetë iluministe dhe mesazhet e tij të miqësisë shkroi pjesë të veprës së tij poetike në gjuhë të popujve të tjerë të Ballkanit. Vëllai i tij, Sami Frashëri, u përlesh ashtu si gjithë të tjerët me pushtuesin turk, bëri çmos kundër Perandorisë Osmane për hir të lirisë së Shqipërisë, megjithatë kjo s’e pengoi që, duke qenë militant i tillë, të jepte kontributin e tij të çmuar në kulturën e popullit turk, me dashuri, pa paragjykime dhe pa pikë shovinizmi. Të tilla idole aspak të tejkaluara, por ende tepër të nevojshme, ka tradita kulturore shqiptare.

Tradita e antishovinizmit në socializëm
Ka pasur përjashtime nga ky rregull? Ka pasur një përjashtim, poetin reaksionar dhe shoven Gjergj Fishtën. Dhe ishte pikërisht antiserbomalazez shovinizmi i tij. Por ç’bëri kultura shqiptare me këtë poet? Ajo e quajti atë përherë mish të huaj të saj dhe më 1944 Shqipëria e re e ndaloi veprën e tij. Pas vitit 1948 shumë herë marrëdhëniet me Jugosllavinë u acaruan, por asnjëherë kultura jonë nuk thirri në shërbim shovinizmin antiserb të Gjergj Fishtës dhe as ka ndërmend ta thërrasë kurrë atë. Kurse një akademik kriminel si Çubrilloviqi, autori i doktrinës famëkeqe të genocidit të shqiptarëve të Kosovës, është mbuluar me diploma e nderime në Jugosllavinë e sotme.
Traditën e mrekullueshme të antishovinizmit e trashëgoi dhe e pasuroi edhe më tej kultura socialiste, letërsia dhe artet e Shqipërisë së re. Por, duke mos qenë asnjë grimë shoviniste kultura shqiptare, letërsia dhe artet e saj, të mbështetura në mësimet e marksizëm-leninizmit, të Partisë së Punës dhe të shokut Enver Hoxha, e kanë konsideruar gjithmonë forcimin e identitetin kombëtar si një mision normal, të ndershëm e të natyrshëm, jo si eskluzivitet për kulturën shqiptare, por për çdo kulturë, letërsi dhe art kudo në botë, duke përfshirë këtu dhe kulturën e kombeve të tjerë të RSF të Jugosllavisë. Asnjëherë nuk do të gjejë askush në kulturën shqiptare nervozizëm e shqetësim të shkaktuar nga identiteti i theksuar kombëtar i çfarëdo kulture tjetër, të çfarëdo populli ballkanik, as sulme kundër heronjve e idoleve të popujve të tjerë apo të mesazheve të transmetuara nga arti i tyre. Për ne theksimi i identitetit kombëtar ka qenë përherë një dukuri pozitive dhe, përkundrazi, shuarja e këtij identiteti, zëvendësimi i tij me kozmopolitizëm e me shkombëtarizim, janë luftuar e janë quajtur reaksionare, në çfarëdo forme që janë shfaqur ato.
Është pikërisht ky identitet kombëtar i letërsisë, i arteve dhe i gjithë kulturës shqiptare, që u sulmua kohët e fundit nga të gjithë tribunat e shovinizmit serb në Jugosllavi. Dhe u desh të ndodhnin ngjarjet e Kosovës, që kultura dhe letërsia shqipe të dilnin papritur shoviniste e zjarrvënëse. Autori i këtyre radhëve është një nga shkrimtarët që ka trajtuar disa herë në veprat e tij letrare pikërisht ato motive që quhen tani aq të dëmshme në Jugosllavi. Këto vepra janë botuar, midis të tjerash, në të gjitha gjuhët e popujve të RSF të Jugosllavisë dhe kritika letrare jugosllave ka folur në mënyrë pozitive e dashamirëse për to, gjë për të cilën autori i ka qenë mirënjohës. Ajo s’ka gjetur ndonjëherë në to ndonjë shenjë të “nacionalizmit romantik” apo ndonjë mesazh irredentist, ashtu siç nuk ka gjetur të tilla për letërsinë shqipe në përgjithësi, kritika e huaj, e djeshmja dhe e sotmja. Pra, si qenka kështu, që kjo letërsi u gdhi një mëngjes papritur shoviniste e irredentiste? Por një procedim i tillë është normal për shovinizmin. Është gjë normale për të, që ashtu siç cenon popujt e tjerë, të cenojë e të shkelë me këmbë edhe opinionin më të shëndoshë të popullit të vet, mendimin e përparuar letrar, artistik e filozofik.
Arti i pangarkuar i Kosovës
Ashtu si gjithë kultura shqiptare, letërsia dhe artet që janë krijuar në Kosovë kanë qenë të pastra dhe të pangarkuara asnjëherë me ide apo motive shoviniste. Nga ana tjetër, shkrimtarët e RPS të Shqipërisë në kontaktet e tyre me shokët e punës në Kosovë, në dhjetëra artikujt që kanë shkruar për librat e shkrimtarëve kosovarë të botuar në Shqipëri, në takimet e simpoziumet e organizuara në Shqipëri a Jugosllavi kushtuar zhvillimit të letërsisë në Kosovë, në reportazhet, studimet a intervistat e tyre, asnjëherë në asnjë rast, nuk kanë bërë nxitje ose sugjerime për mbingarkim tendencioz me elementë kombëtarë, e aq më pak me motive shoviniste shqiptaro-madhe e irredentiste. Dhe kjo ka ndodhur jo vetëm për arsyen e thjeshtë se të tilla ide janë të huaja dhe të papranueshme për vetë krijuesit tanë, por edhe nga respekti që kemi pasur përherë ne për dinjitetin e shkrimtarëve dhe artistëve të Kosovës, respekt që nuk na ka lejuar kurrë të shfaqim shenjën më të vogël të paternalizmit ndaj tyre.
Në klimën e “gjuajtjes së shtrigave” shovinistët serbë do të përpiqen më kot të gjejnë fakte të nxitjes së irredentizmit nga shkrimtarët e artistët kosovarë. Por kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të shtojë dozën e komicitetit të këtyre kërkesave, që qysh tani është tepër e lartë.
Logjika e shovinizmit është e verbër. Acarimin dhe urrejtjen e brendshme që ndien njeriu shoven, i merr për argumente të mjaftueshme për t’i bindur të tjerët. Në fushatën e tyre arrogante kundër kulturës shqiptare, shovinistët nuk u përmbajtjen të hedhin dhe teza të tilla se lavdërimi i traditës së një kombi (dhe është fjala gjithmonë për kombin shqiptar), dëmton kombet e tjera. Sipas tyre, letërsia, historiografia dhe krejt kultura shqiptare duhet të jenë tepër të kujdesshme që të mos acarojnë, të prekin dhe të fyejnë kombet e tjera, duke përmendur ngjarje dhe personalitete të shquara shqiptare (“idole të tejkaluara”). Mos vallë, sipas kësaj logjike të mbrapshtë, shqiptarët duhet të harrojnë që ata bashkë me grekët janë popujt më të vjetër të Ballkanit, meqenëse një gjë e tillë mund t’i fyejë ardhësit e mëvonshëm, sllavët; se në rrënjët e kulturës shqiptare gjen motive të përbashkëta homerike e eskiliane, dhe ky nuk është aspak një ekzaltim i shqiptarëve nacionalistë, por zbulim i shkencëtarëve e albanologëve të shquar evropianë; se historia e Ballkanit nuk fillon në shek. XIV, shekull që u pëlqen ta përmendin shpesh shovinistët serbë për ta vërtetuar gjoja uzurpimin e Kosovës prej shqiptarëve, por shumë shekuj më parë atëherë kur ata s’kishin ardhur ende në gadishull?
Natyrisht të përdorësh vjetërsinë e kombit tënd dhe të kulturës tënde për të përçmuar kombet e tjera është një gjë sa e padenjë, aq dhe foshnjarake. Secili komb e secila kulturë kombëtare ka meritat e veta në thesarin e madh të kulturës botërore, merita që s’varen vetëm nga mosha e tyre. Por, nga ana tjetër, të kërkosh të falsifikohet e vërteta në emër gjoja të unitetit dhe mirëkuptimit midis kombeve, kjo është akoma më e padenjë dhe më foshnjarake.
Popujt e Ballkanit, gjatë historisë së gjatë të bashkëjetesës së tyre, në kundërshtim me psikozat shoviniste të nxitura nga kasta e regjime reaksionare, kanë pasur gjithmonë një prirje të mirë drejt njëri-tjetrit. Kjo prirje është vërtetuar në marrëdhëniet kulturore shekullore në këmbimin e thesareve shpirtërore, legjendave e rapsodive të një bukurie të mahnitshme. Populli shqiptar as është prekur, as është fyer ndonjëherë nga madhështia e kulturës së fqinjit të tij mijëvjeçar, popullit grek. Përkundrazi, ai e ka dashur dhe e ka respektuar gjithmonë kulturën antike greke, personalitetet, kulmet dhe idolet e saj. Askujt nuk i ka shkuar mendja në Shqipëri, madje edhe në kohët e acarimeve me shtetin grek, se shkëlqimi i kulturës fqinje do ta dëmtonte Shqipërinë. Njohja e gjerë e letërsisë dhe artit grek, studimi i tyre, krahas letërsisë kombëtare, e dëshmojnë gjerësisht këtë. Këtë zakon të mirë të vjetër, populli shqiptar nuk e prishi as për fqinjët e mëvonshëm, sllavët. Asnjë dëshmi kundër kulturës së tyre nuk do të gjejë dot askush në letrat tona. Dhe të tilla nuk do të gjenden as në të ardhmen, pavarësisht nga këto që po ndodhin.
Tani është e qartë për cilindo se fushata e ethshme e ndërmarrë kundër kulturës, letërsisë dhe arteve shqiptare, ka vetëm një qëllim: të gjejë të gjitha pretekstet për të ndërprerë çdo lidhje midis kulturës shqiptare që zhvillohet në Shqipëri dhe të asaj që zhvillohet në Kosovë, për t’i mbyllur dyert kulturës shqiptare, librave dhe arteve të saj, për t’i izoluar kështu përfundimisht shqiptarët e Kosovës nga gjithçka që krijohet në Shqipëri. Thirrjet e hapëta si ajo e Ristiqit: “Kurrfarë librash s’na duhen nga Shqipëria!”, thirrjet delirante për shkëputje, ndërprerje dhe izolim, kanë mbushur shtypin shovinist. Dhe ky akt i pashembullt në shekullin tonë ndërmerret prej atyre që e kanë quajtur veten gjer tani kampionë të këmbimeve kulturore e të ideve, kampionë të mosizolimit dhe kampionë të hapjes së dyerve. Sipas tyre, çfarëdo lloj kulture ka të drejtë të futet në Jugosllavi, nga çdo kënd i globit, vetëm kultura e fqinjit shekullor, popullit shqiptar, s’paska të drejtë këndej e tutje të hyjë atje. Dhe shovinistët kujtojnë se shqiptarët e Kosovës do të jenë dakord me këtë gjë!
Por shovinistët harrojnë se janë ca gjëra në botë që nuk ndryshojnë aq kollaj sa do të ëndërronin ata. Kombet dhe kulturat kombëtare kanë lidhje me shekujt, e aq më tepër ato të Ballkanit. Gadishulli Ballkanik është një shesh i vjetër ku përvojat kombëtare kanë kaluar nëpër prova tragjike e madhështore njëkohësisht. Nëpër këto prova ka kaluar edhe uniteti i kombit e i kulturës shqiptare, një nga më të vjetrat e gadishullit. Ndaj edhe duken të mjera përpjekjet që bëjnë shovinistët, ca Ristiçër e ca hiçër të tjerë, që nëpër ca mbledhje qesharake kërkojnë ta ndryshojnë rendin e gjërave që e kanë vendosur mijëvjeçarët.
(Zëri i Popullit, 29 maj 1981)