Shtojca për Kulturë

Krushq, vrasje e plaçkitje në zemër të Drenicës

Legjenda për “Vorret e Krushqve”, e relikosun anepërtej onomastikës shqiptare, âsht asgjëmangut një pasqyrë e bâmun copë e grimë në dy shekujt e mbramë. Prandaj, ky qëllon me qenë psehu që morfologjisë së saj i mungon triada “i miri, i keqi dhe i shëmtuari”, misioni heroik, por edhe heroi i kallëpit të Joseph Campbellit. Dy palë krushq që grihen deri te ma i mbrami, me një fund edhe ma tragjik e shpresëpremë ku nuset i japin fund jetës, mundet mos me i pasë të ndërkalluna, siç besohet shpesh, konceptet e nderit dhe krenarisë së krisun e kallpe (kenodoksia/κενοδοξία). Një rravgim poshtë e përpjetë Kosmaçit në zemër të Drenicës, prej të cilit si në shuplakë dore shihet krejt Kosova, kthehet në një orvatje për me ecë në ajrin dehës të legjendave e deri te e vërteta e pelimtë e cubnisë dhe plaçkitjeve në të kaluarën

Trokëllima e kuajve në ato dhiare që gjarpënonin shpatit të malit ndigjohej vetëm një grimëherë për t’u vdirrë sakaq nga potera e krushqve plot sevda. Me tupana e dajre, me batare pushkësh që shprazen si t’u teket të zotënve, karvani me dasmorë, me bajrakun në krye, po vazhdon rrugën në atë zabullimë gati të skëterrshme të diellit ku zëzëllima e kërcyllave e zukama e gjithfarë bubash nuk ka të prâjtun me melodinë e panjohun mijëvjeçare. Askërkush, madje as ata që priren me besue në shajni profetësuese ândrrash, nuk e çon ndërmend që ajo poterë gazmore do të kthehej sa çil e mshil sytë në vikama, britma e vërshëllima shpuese plumbash. Në një vend ku rruga kalakryqohet, përskaj zabelit, krushqit zateten papritmas me krushqit e një dasme tjetër. Ora e mbrapshtë, me vdekjen që nënqesh djallëzisht, e kthen gazin në plojë ku të dyja palët i hajnë kryet shoqishojt.

Psehet tona janë thjesht të kota kundrejt kallëzimit të përcjellun në sa e sa brezni. Miti, i cili i shëmbëllen një narratori zevzek që e ka fort bezdi me u ndërpre prej ndigjuesit, vijon me e ritregue për kushedi të satën herë të njëjtën skenë të gjakshme. Janë gjithmonë dy palë krushq që takohen fatalisht në një rrugë që âsht tepër e ngushtë për krenarinë hundëpërpjetë të dasmorëve sedërtorë. Askërkush nuk han arsye me i lëshue rrugë tjetrit, dhe sipas sharteve të pashkruara të logjikës së mujsharit, ata përfyten me shoqishojn derisa vritet edhe ma i mbrami dasmor. Mynxyra e mbyll aktin e fundit të zezonës me dy nuset e vrame.

Poshtë Kosmaçit, aty te zabeli

E tillë shpërvilet fuqia trallisëse e kësaj rrëfenje gjithsaherë rastisim në ndonjë shenjë të prekshme, lëndore, të saj. Një ditë funddhjetori po ecja fikall vetë shpatijeve të malit të Kosmaçit, në zemër të Drenicës. Âsht një nga ato ecjet që na çmagjepsin nga bota e largët e fëminisë: përmasat e livadheve, arave e sukave tani ngjajnë tepër të vogla. Në të djathtë të Krajkovës rruga bigëzohet për në Damanek, një katund në titërr të fushave e arave që valëzohen poshtë bjeshkës së motshme. Shi kjo legjendë ma ngacmoi kujtesën aty ku, skaj rrugës, zabeli dushkajë duket sikur po rropatet me e rifitue shtrirjen e dikurshme si zgjatim i Kosmaçit. Mu nga ai vend buthtonte ky mit me krushq e nuse të vrame, një kairos i njëmendët për me bâ pafund mejtime e vramendje.

Skena me krushq që gazmojnë mespërmes një mali që komploton mister të plotë, ka qenë prej ç’mbahet mend një conditio sine qua non për përfytyrime fantastike në kufij fatamorganash, kur zanat njëherë i kthejnë krushqit në gurë e pastaj mrekullisht i ç’gurëzojnë. Tekembramja, këtë tingëllimë ndjenjësore e tejçon edhe kânga për Martesën e Mujit të cilën rapsodi, Mëhill Prêka e këndonte me lahutë më 1924: “Njerzt prej gurit po i kërkojnë; / Kualt prej cungut po i kërkojnë; / I bâjnë krushqit si janë kénë, / Jau kthejnë gjogat si i k’in pasë / Jau v’ndojnë nusen n’nji koçi”

“Kod Arbanasa tradicija...”

Në mbramje vonë, me fuqi të përtërime mbas shëtitjes, po e shfletoja avash-avash librin “Drenica” të Tatomir Vukanoviqit me bubërrimet etnografike të bâme në këtë trevë në mesin e viteve ‘30 të qindvjetshit të kaluar. Nëntitulli brutalisht sugjestiv i librit “Druga Srpska Sveta Gora” , i botuar nën siglën e “Muzej i Prištini” më 1998, për një lexues të kujdesshëm âsht mbase paralajmërimi pa ekuivok i një përmbajtje të bâme blozhdë nga ngulmimi i autorit që “arbanasët” janë të ardhun me teshë e koteshë nga “Arbanija” , kurse kusuri tjetër âsht veçse me “serbë të arnautizuar”. Duke i kapërcyer faqet andej e këndej, njësoj siç ndodh me librat fatkeq që janë marrë në qafë nga autori cipëplasun, gjej se në faqet 256-257 Vukanoviqi bân përpjekje me i thanë enciklopedikisht të gjitha për Damanekun (të cilin e shënon si Domanek). Ashtu si n’gjeti, etnologu serb nga Vranja, asobote 30 vjeçar, duhet të ketë shkapuritë kallëzimet e të moçmëve (“kod Arbanasa...tradicija”), pra rrëfimin e banorëve shqiptarë për veten e tyre.

Derisa rrëfimi shqiptar ngjan të jetë mirëfilli autentik, Vukanoviqi në libër kujdesohet dorësëpari që materialin e mbledhun me e përthye me titra që përpuqen me premisat themeltare të librit, me demek që Drenica në meskohë (mesjetë) gjëllinte nga një popullatë serbe të cilin e çrrânjosi popullata e sertë ardhacake. “U staro vreme živeli su tu Srbi” (Në kohërat e moçme aty jetonin serbë), kështu etnologu serb pëlqen me e nis rrëfimin e informatorit të tij vendës. Masandej, rrëfimi shlirohet pakëz nga bezdia e etnologut për me thanë se katundi zanafillon para 300 vjete kur Drenicën e pati pllakosë murtaja. Simbas shënimeve statistikore të 1935-s, katundi kishte 4 familje shqiptare në 11 shtëpi: Spahiovitë (Spaivoviq në tekst), nga fisi Elshan me 8 shtëpi; Orllatët, nga fisi Bytyq me 1 shtëpi, Doshevcët, nga fisi Morinë me 1 shtëpi dhe Hajdarovitë (në tekst Ajdaroviq) nga fisi Berishë me 1 shtëpi.

Edhe toposi i banorëve anas, gjithnjë sipas Vukanoviqit, shfaqej me këtë hartë onomastike: Zolina, Kosmaq, Zabell (duhet të jetë Zabel), Gjunoviq (duhet të jetë Gjinoviq siç është edhe gjetkë ky patronim mesjetar arbënor) dhe Kroni madh.

Image
Në të djathtë të Krajkovës rruga bigëzohet për në Damanek, një katund në titërr të fushave e arave që valëzohen poshtë bjeshkës së motshme

Legjenda pa hero, pa qëllim e pa rikthim

Derisa historiza me Vorret e krushqve në Damanek zor që i ka të ruajtuna mbetëzat e fundit të muranave, ky mikrotoponim pikëzon një kallaballak vendbanimesh për ç’rrok hapësina banimore në arealin veriak shqiptar. Filli përbashkues i tyre është po e njëjta legjendë e shumuar në dhjetëra motërzime. Që të gjitha e kanë syzheun e përngjashëm: diku rrugës takohen dy palë krushq të pamarrëvesh që nuk i lëshojnë se nuk i lëshojnë rrugë njëri-tjetrit. Ky fatalitet prej të marrësh farëzohej nga morali i kohës që e ndjesonte dobësi të pafalshme që t’i lëshohej udha palës tjetër me dasmorë (sipas një kallëzimi popullor me një notë të dukshme qortese “Pej mênës madhe â kanë ligshti me ja lshue rrugën krushqve tjerë”).

Që të gjitha legjendat e vorreve të krushqve me një gojë e pohojnë se krushqit e të dyja palëve u shfarosën ndërvete, saqë në fund edhe nuset e vranë veten. Nuk ka pse të mos vihet në spikamë fakti se kjo lëndë e hapërdarë e po të njëjtës legjendë nuk i përgjigjet me asgjësend modelit të famshëm të folkloristit rus, Vladimir Propp me 31 funksionet e famshme (narratema).

Aty nuk ka as një introduktë për heroin, asnjë dashalig, asnjë mision dhe, ma e randësishmja madje, nuk ka as rikthim ngadhnjyes të heroit. Në literaturën shqipe në lëmin e etnografisë, ky mit që e ngjyros toponominë e arealit shqiptar âsht evidentuar qyshmot, por pa u shpjeguar askurrë. Simbas etnologut Abaz Dojaka, “Toponime si Varret e Krushqve, që gjenden kudo në Shqipëri, tregojnë vrasjet e krushqve në këto vende” (shih “Ceremoniali i dasmës shqiptare” në Etnografia shqiptare 9, Akademia e Shkencave e RPSH, 1978, fq. 131). Ky shpjegim deskriptiv, aspak skjarues, ka qenë me sa duket “paqja” e vetme e studiuesve kundruall misterit shtrëngues të kësaj legjende.

Vorret e krushqve

Edhe një nga librat ma të pasun me thesare etnologjike “Lindja, martesa dhe mortja në malësitë e Tetovës” (Rilindja, 1988), me autor Fadil Sulejmanin, stivon plot vende nga Pollogu e Derveni që njihen me apelativin Vorret e krush(v)e. Në kujtesën e banorëve anas ruhej gjer vonë kujtimi për “vorret e Lisecit” ose “vorret e Gjermës”, ku ndodhen dy bashka me varre të vjetra në një largësi prej 20-30 metrash mes vete në rrugën midis katundeve Sellcë dhe Llacë. Në traditën e përcjellun breznisht jepet ky version sigurisht gjysmak: Lisecasit marrin nuse në Gjermë, kurse gjermasit marrin nuse në Sellcë dhe kështu, duke u kthyer me nuset për në shtëpi, krushqit e këtyre dy katundeve takohen ndërmjet Sellcës dhe Llacës dhe, meqë s’ka dashur asnjëra palë t’i lëshojë rrugë tjetrës, nisin luftën dhe vriten të gjithë, madje edhe vetë nuset. Thuhet se, me qëllim që t’i pritej rruga përsëdytjes së ngjarjeve të atilla, Sellca përkrah Udhës Poshtër hapi edhe një rrugë për në Sellcë e Gjermë, Udhën e Epër, me qëllim që në të ardhmen po të ndodhnin për një ditë dy dasma ndërmjet këtyre dy katundeve, secila palë e krushqve të kishte rrugën e vet.

“Gjint e kqij kanë plaçkitë udhës”

Për aq sa shkojnë njohuritë e leximet e mia, hëpërhë nuk jam në dijeni të ndonjë miti antik a mesjetar që të ketë shërbyer si precedent frymëzues për këtë subjekt shqiptar, ashtu sikurse nuk jam i sigurt nëse legjenda të tilla ndodhen edhe në rrethepërqarkun sllavofon e atë rumun.

Sado që shpjegimi i përgjithshëm, d.m.th. ai sipas të cilit në këtë farë pune ndërkallet puna e krenarisë, është korrekt, ndodhi të tilla duken të jenë tepër të pagjasueshme. Ndër shoqnitë paramoderne, mobiliteti njerëzor nuk e kishte as për së afërmi gjallninë e sotme – pikëtakime të tilla si nga hiçi, pra dy karvane të ndryshme dasmorësh, zor që zinin vend. Megjithatë, një kallëzim që Anton Çetta e mori shënim në katundin Lladrovc sikur jep njëfarë dromce se çfarë fshihet në të vërtetë përtej mitit të krushqve që përgjaken e farohen ndërvete.

Sipas këtij kallëzimi, “N'vakt t’moçëm, kur ishin kanë marrë nuset, kanë dalë gjint e kqij udhës e kanë plaçkitë. Jau kanë marrë nuset, jau kanë marrë teshat e nuk bâjke ma me shkue e me e marrë nusen me pak gjin, se bâjshin plaçkë rrugve. U duhke me thirrë shpi për shpi: ‘Çoma ni mashkull t'mirë me armë t'forta qi t’shtunën me shkue m’e marrë nusen’” (Anton Çetta, Nga folklori ynë, 4, Rilindja, 1983, fq.312).

Duke invokuar raste simotra nga Malësia e Tetovës, edhe Fadil Sulejmani ka një shpjegim që përvijon pak-a-shumë këto hulli. Krushqve në këto visore, kur e merrnin nusen nga një katund dhe e çonin në tjetrin, rruga u binte nëpër male e bjeshkë “ku në të kaluarën, nuk është përjashtuar mundësia që ata të jenë sulmuar edhe nga cubat e malit për t’ua grabitur nusen” (fq.228).

Sipas traditës kujtesore në Bozovcë, në kohë të Turqisë, në vendin e quajtur Mali i Pajshës (Pishës), nja pesëmbëdhjetë krushq, duke e sjellë një nuse në Bozovcë, të cilën e kishin marrë nga Shtreza e Lumës, sulmohen beftas nga cubat. Si zhvillohet një luftë e rreptë, krushqve u vijnë në ndihmë edhe malësorë të asaj ane. Epilogu ishte i gjëmshëm: pesë krushq e tre cuba mbetën të vramë, kurse nusja mori plagë. Shi për këto arsye, në praktikat dasmore në viset e andejanshme, për krushq janë zgjedhur ma të zotët, ma trimat e ma nishanxhinjtë ashtu që me e mbrojtë ma mirë nderin dhe gjakun e tyre, nusen.

Rrotelat

Edhe narratori nga katundi Lladrovc, prej të cilit Çetta e mori shënim kallëzimin e sipërcituar, vë në dukje sesi “pleqnarët” e asaj kohe improvizuan mënyra të reja për me i mpakë rreziqet e përplasjeve violente gjatë itinerarit dasmor.

“Nepër disa vene kanë metë e përmênën edhe sot vorret e krushqve. Pej mênës madhe â kanë ligshti me ja lshue rrugën krushqve tjerë. Qysh me ja gjet çaren ksaj pune? Ja gjetën pleqsija me e qitë ka ni njeri para krushqve. Kta ishin rrotelat. Kur e dajshin vaden miqt me e ba martesën, bje fjala mas ni vjeti, baba i djalit e gjejke ni njeri t’shnoshë e trim. E merrke n’shpi t’vet, e majke me gjitha t’mirat e s’e léjke me punue, sall e majke si gjanë për pastërm”, thuhet në kallëzimin e mbledhun në Lladrovc.

Gjithnjë sipas tij, kur fillonte dasma dhe krushqit niseshin për rrugë me dajre e tupana “rroteli rrike dhetë metra përpara krushqve”.

“Kur ndodhke m’u zatetë dy palë krushqi, u rrokshin rrotelat e dy palë krushqve nërmje veti trup me trup. Krushqve qi iu mujke rroteli, ata krushqi ua Ishojshin rrugën krushqve tjerë. Kshtu marrja i metke rrotelit e jo krushqve. Kshtu edhe fesati e vrasa u paksuen. Rrotelat e mramë janë kanë deri para nja niqin vjete. Mas rrotelave u ba zakon me dalë dy vetë e me i pri para bajraktarit qi mos me i ba kush gja bajraktarit ose mos me i thanë naj fjalë, se bajrakun e kanë majtë dajma djelm t’ri, t’veshun, t’hijshëm, ja nip motre, nip i shpisë, ja nip i kabiles. Mirpo ai â kanë i ri e nuk ka ditë me pri, për qatâ i kanë qitë ata dy adabasha me e msue bajraktarin se kah duhet me ia majtë...”

Përleshje me cuba

Ky rrëfim i ka të brendashkruara disa gjëra fort të rëndësishme. Nëse këto praktika ishin në përdorim “para niqin vjete” (duke pasur parasysh kohën kur Anton Çetta i inventarizoi këto materiale gojore), âsht tejet i pranueshëm sugjerimi se ngjarje të kësofarshme e kanë pasë perëndimin e tyre në dekadat e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Dhe interpretimi që më vjen ma i mbarë e ma i pranueshëm do të shtjellohej kësodore: tregimet sesi krushqit e të dy palëve janë shfarosur deri te ma i mbrami janë kjarisht fantazi popullore e ekzagjerime pa mbulesë.

Më shumë gjasë, konfrontimet kurdo që kanë ndodhur, duhet të jenë zhvilluar sall mes “rrotelave”. Por edhe nëse këto kanë qenë ndodhi prej së vërteti, bindja ime âsht se ato ishin së tejmi të pakta. Më afërmendsh âsht mundësia që karvani i dasmorëve ka qenë përherë pre e lakmuar për cubat që zinin prita e bânin plaçkitje: dasmorët gjithherë mbanin me vete prikën dhe gjëra me vlerë. Rrjedhimthi, kudo që hasen shenja toponimike si Vorret e krushqve, ose alternativisht Gurtë e krushqve, në to duhet me lexue mbijetoja kujtesore të plaçkitjeve të armatosuna ndaj karvanit të krushqve (dhe, vetëkuptohet, kundërvënies së këtyre të fundit), e në raste të tjera edhe përplasje “eskortash” të rrotelave.