Shtojca për Kulturë

Konferenca e Londrës, 17 dhjetori i 1912-s dhe fati i Shqipërisë

Më 17 dhjetor 1912, në orën katër e gjysmë të pasdites, në Zyrën e ministrit të Jashtëm anglez, Eduard Grey, u mblodhën ambasadorët e Fuqive të Mëdha evropiane, të cilët ishin të akredituar në oborrin anglez. Ky ishte një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes evropiane. Gjatë çajit të përbashkët, të gjashtë ambasadorët diskutuan për të ardhmen e Ballkanit, përkatësisht të Shqipërisë. Konferenca e Londrës vulosi lindjen e Shqipërinë si një principatë autonome, sovrane dhe trashëgimtare nën garancinë e fuqive të mëdha, edhe pse gjysma e territoreve të saj mbetën nën pushtimin serb deri me shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet e nëntëdhjeta

Konferenca e Londrës e 1912-1913, e njohur edhe si Konferenca e Paqes në Londër ose Konferenca e Ambasadorëve, ishte një samit ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Austro-Hungaria, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Rusia) që u mblodh në dhjetor të vitit 1912 për shkak të sukseseve të ushtrive të Lidhjes Ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Konferenca në veçanti synonte të arbitronte midis fuqive ndërluftuese për ndarjen e territoreve të pushtuara, si dhe të përcaktonte të ardhmen e Shqipërisë, e cila sapo kishte shpallur pavarësinë. Konferenca e Ambasadorëve e njohu Shqipërinë si një principatë autonome, sovrane dhe trashëgimtare nën garancinë e fuqive të mëdha.

Konstatimi i profesorit të historisë në Universitetin e Potsdamit, Gjermani, Manfred Gortemaker se “pa njohuri themelore të ngjarjeve të rëndësishme të shekullit XIX, nuk mund të arrihet një kuptim i thellë i botës sonë bashkëkohore”, vlen gjithashtu për rëndësinë e Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912/13. Edhe sot, kur politikat kombëtare, si dhe ato evropiane dhe ndërkombëtare përballen me sfida të mëdha në Evropën Juglindore, Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk ka humbur asgjë nga rëndësia e saj historike, veçanërisht për rajonin e Ballkanit. Disa nga problemet e sotme në këtë rajon të Evropës kanë lidhje të drejtpërdrejta me Konferencën e Londrës, megjithëse ngjarja daton 111 vjet më parë.

Përveç kësaj, Konferenca e Ambasadorëve në Londër është njëra nga ngjarjet e pakta në fillimshekullin XX në të cilin një fuqi e madhe e Evropës – Austro-Hungaria, e mbështetur vazhdimisht nga Gjermania – kishte arritur të realizonte idenë e krijimit të një shtetit shqiptar në kohën kur shtetet ballkanike të mbështetura nga Rusia kishin shënuar një fitore të madhe kundër një fuqie tjetër të madhe – kundër Perandorisë Osmane në fund të vitit 1912.

Image
Ambasadorët e Konferencës në Londër

Më 2 dhjetor 1912, u nënshkrua një armëpushim midis Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi me Perandorinë Osmane. Në ndërkohë, Fuqitë e Mëdha u pajtuan që Londra të ishte një vend negociues për bisedimet e paqes. Në atë kohë Greqia nuk donte të bashkohej me një ndërprerje të armiqësive dhe vazhdoi të bënte luftë kundër Kostandinopojës.

Nisma gjermane për një konferencë paqësore

Paralelisht me negociatat e paqes midis Perandorisë Osmane dhe shteteve të Ballkanit, me sugjerimin e sekretarit gjerman të Shtetit, Kiderlen-Wächter, i cili në këtë mënyrë pengonte ambiciet luftarake austro-hungareze në nëntor 1912, lindi nisma për një konferencë ambasadore e fuqive të mëdha evropiane. Në gjysmën e dytë të nëntorit 1912 u dëgjuan për herë të parë ata oficerë dhe këshilltarë ushtarakë që bënin thirrje për veprim ushtarak të Austro-Hungarisë kundër Serbisë. Disa vendimmarrës në Monarkinë e Danubit tani filluan ndërhyrjen ushtarake seriozisht. Veçanërisht në këtë kontekst bie në sy kthimi i trashëgimtarit të fronit Franz Ferdinand, i cili deri atëherë kishte përfaqësuar një qëndrim paqësor. Ai tani madje u përpoq të fitonte mbështetjen e aleatit të tij gjerman për veprime ushtarake, edhe nëse kjo do të kishte shkaktuar një luftë kundër Rusisë dhe fuqive të tjera të mëdha evropiane. Në këtë situatë, udhëtimi i trashëgimtarit austro-hungarez në fron në Berlin më 22 nëntor 1912 mori një rëndësi edhe më të madhe. Të nesërmen “Reichspost” publikoi një raport mbi rezultatet e vizitës marrë “nga një burim i veçantë”. Autori raportoi se ishte siguruar nga një prej “njerëzve kryesorë” se Rajhu Gjerman donte të ruante paqen (“Erzherzog Franz Ferdinand in Berlin“, “Reichspost” 19/546 (24 nëntor 1912) f. 1). Në fakt, në këtë bisedë, perandori gjerman fillimisht kishte deklaruar besnikërinë e tij ndaj Austro-Hungarisë në rast se “nderi” i Monarkisë së Danubit vihej në rrezik, edhe nëse kjo do të nënkuptonte luftë me Rusinë. Pas këtij qëndrimi gjerman, perandori austro-hungarez, Franz Ferdinand, u çimentua në pozicionin e tij të miratuar tani që favorizonte një zgjidhje ushtarake. Më 23 nëntor 1912, gazeta “Reichspost” në një editorial shkruante se mobilizimi rus mund t’i drejtohej vetëm “Austrisë dhe aleatit të saj gjerman” (“Rußland mobilisiert“, ”Reichspost” 19/544 (23 nëntor 1912, f. 1-2). Një ngjarje tjetër që mund të çonte në luftë midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë ishte rasti i sulmit serb mbi konsullin austro-hungarez në Kosovë, Oscar Prochaska, e cila ndezi edhe më shumë rivalitetin ndërmjet Vjenës dhe Beogradit.

Siç raportonte anëtari i Reichsratit dhe profesori i drejtësisë, Joseph Redlich, i cili konsiderohej ekspert i rajonit, në atë kohë ka pasur edhe thashetheme se edhe Rajhu gjerman i rekomandoi Austro-Hungarisë “përdorimin më të madh të çështjes Prochaska kundër Serbisë”. (Tagebucheintrag Redlichs vom 29 November 1912 in: Fritz Fellner (HG), Doris A. Corradini (HG): Schicksalsjahre Österreichs. f. 515-516). Mbi të gjitha, konfuzioni rreth sigurimit të aleancës gjermane, u vu në pikëpyetje në një artikull nga Sekretari Gjerman i Shtetit, Kiderlen-Wächter

Megjithatë, Perandoria gjermane nuk shihej të ishte tërësisht pas Austro-Hungarisë. Tani kishte raporte për përpjekjen e Gjermanisë për të ndërmjetësuar midis Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Do të kishte një propozim kompromisi për këtë çështje – porti serb në bregdetin shqiptar të Adriatikut. Në Gjermani, qëndrimi i Austro-Hungarisë shihet si një pengesë për një zgjidhje paqësore. Për më tepër, Austro-Hungaria kishte një qëndrim negativ ndaj idesë për një konferencë paqësore.

Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha Evropiane në Londër

Nisma gjermane u mirëprit nga ministri i Jashtëm anglez, Eduard Grey, i cili u propozoi Fuqive të Mëdha një konferencë ambasadorësh nëpërmjet së cilës fuqitë e Koncertit Evropian nuk dëshironin që, për shkak të Ballkanit, të fillonte një luftë me përmasa evropiane ose botërore, çka do të rrezikonte edhe interesat e Aleancës Trepalëshe, por edhe të shteteve të Antantës. Kështu më 16 dhjetor 1912, ambasadorët e atyre vendeve që kishin nënshkruar Traktatin e Berlinit të vitit 1878 – Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia – u takuan për një konferencë në Londër.

Më 17 dhjetor 1912, në orën katër e gjysmë të pasdites, në Zyrën e ministrit të Jashtëm anglez, Grey, u mblodhën ambasadorët e Fuqive të Mëdha evropiane, të cilët ishin të akredituar në oborrin anglez. Ky ishte një hap i rëndësishëm për ruajtjen e paqes evropiane.

Gjatë çajit të përbashkët, të gjashtë ambasadorët diskutuan për të ardhmen e Ballkanit, përkatësisht të Shqipërisë. Veç kësaj, diskutimet kishin edhe një karakter thuajse familjar, meqenëse ambasadorët e Austro-Hungarisë, Rusisë dhe të Gjermanisë, Alberti, konti fon Mendorf, Aleksandri, konti fon Bekendorff (me prejardhje gjermane) dhe Maks princ Lihnovski, ishin të afërm. Krahas këtyre morën pjesë në mbledhje edhe Marchese Gugliemo Imperiali për Italinë dhe Jules Cambon për Francën. Ministri i Jashtëm anglez e drejtori kryesinë e Konferencës së Ambasadorëve.

Image
Rënia e Shkodrës, prill 1913

Për pavarësinë e Shqipërinë dhe një lidhje të Serbisë me Adriatikun

Me 21 nëntor 1912, ministri anglez e pranoi propozimin gjerman. Ai propozoi një program me tri pika për këshillime midis Fuqive të Mëdha.

Sipas kësaj, Fuqitë duhej të diskutonin për:

1. pavarësinë e Shqipërinë;

2. për një lidhje të Serbisë me Adriatikun;

3. për të ardhmen e ishujve grekë të Egjeut.

Ekzistonte konsensusi midis vendeve pjesëmarrëse për të mos lejuar që konflikti në Ballkan të përshkallëzohej në një luftë serioze që do të përfshinte edhe fuqitë e mëdha evropiane. Gjatë bisedimeve pati edhe tensione serioze diplomatike midis fuqive të mëdha evropiane. Ndërkohë, Austro-Hungaria përfaqësoi pozicionet e saj të njohura për Ballkanin, ku në qendër të vëmendjes vazhdonte të ishte kërkesa përpjekja e saj për një Shqipëri të pavarur dhe skicimi i kufijve sipas parimit etnografik. Një çështje tjetër në fillim të vitit 1913 ishte çështja e rrethimit, përkatësisht e pushtimit të Shkodrës nga Mali i Zi, për çka Austro-Hungaria madje mori masa mobilizimi për të ndërmarrë ushtarake kundër Cetinës. Një luftë eventuale ndërmjet Austro-Hungarisë dhe shteteve ballkanike, pa dyshim do të përfshinte edhe Gjermaninë, për çka diplomati i saj në Londër kishte paralajmëruar me kohë se do ta rreshtonte Anglinë në pozicion armiqësor ndaj Berlinit.

Për rëndësinë që kishte Konferenca e Ambasadorëve në Londër, tregon fakti se shteti gjerman riktheu nga pensioni një nga ambasadorët e saj më të mirë, Princin Karl Max Lichnowsky. Perandori Wilhelm II, me gjithë rezistencën e kancelarit të Rajhut dhe Ministrisë së Jashtme, e kishte emëruar Lichnowskyn ambasador në Londër dhe ia besoi detyrën për të “siguruar neutralitetin e Anglisë”. Megjithatë, vetëm dy javë pas mbërritjes së tij në Londër, Lichnowsky raportoi shumë qartë në Berlin mbi parimin bazë të politikës së jashtme britanike: Anglisë do t’i duhet gjithmonë të përpiqet të ruajë ekuilibrin e fuqive në kontinent. Në një luftë midis Gjermanisë dhe Francës e Rusisë, Anglia do të ishte në anën e armikut.

Vlen të shënohet se Lichnowsky gëzonte respekt dhe besim të madh te autoritetet angleze dhe te vetë ministri i Jashtëm anglez, Grey. Po ashtu, edhe gruaja e tij, shkrimtarja Princesha Mechthilde Lichnowsky, duke qenë një grua e zgjuar dhe intelektuale, kontribuoi në faktin që ambasada gjermane në Londër avancoi në një pikëtakimi për mbretërinë britanike.

Në këtë periudhë, Gjermania kishte në detyrë korpusin e diplomatëve më profesionistë, shumica syresh vinin nga radhët e fisnikërisë gjermane dhe mbanin postet më të rëndësishme diplomatike në Evropë: Në Francë ishte Baroni von Schoen, ish-Sekretar Shtetëror i Ministrisë së Jashtme); Heinrich von Tschirschky dhe Bogendorff në Austro-Hungari; në Rusi, Konti Pourtalès; në Itali Gottlieb von Jagow (më vonë Sekretar Shteti në Ministrinë e Jashtme).

Ambasadori gjerman në Britaninë e Madhe, Princi Lichnowsky, duke poseduar një eksperiencë të gjatë profesionale dhe zotësi intelektuale luajti një rol të rëndësishëm në këtë konferencë ndërkombëtare të paqes, madje shpeshherë ai veproi përtej instruksioneve të Berlinit.

“Menjëherë pas mbërritjes sime në Londër, në fund të vitit 1912, Sir E. Grey propozoi një bisedë jozyrtare për të parandaluar që Lufta Ballkanike të mos shndërrohej në një luftë evropiane... Burrështetasi britanik që në fillim mbajti qëndrimin se Anglia nuk kishte asnjë interes për Shqipërinë dhe nuk kishte ndërmend të hynte në luftë për këtë çështje”, shkruante në memoaret e tij.

Lufta e Parë Ballkanike, e cila rezultoi me kolapsin e Perandorisë Osmane, rrjedhimisht ishte një disfatë për politikën e jashtme gjermane, pasi qe identifikuar për një kohë të gjatë për raportet e ngushta ekonomike dhe ushtarake me Portën e Lartë. Pasi që shteti osman në Evropë nuk mund të ruhej më, kishte dy opsione drejt zgjidhjes së trashëgimisë së tij: ose shteti gjerman të deklaronte mosinteresimin e tij të plotë në skicimin e kufijve në Ballkan dhe popujve ballkanikë t’u lihej rregullimi i tyre, ose ndryshe Berlini të mbështeste “aleatin” e vet Austro-Hungarinë dhe këtë mënyrë të hiqte dorë nga roli ndërmjetësues.

Edhe pse ambasadori Lichnowsky që në fillim kishte mbështetur zgjidhjen e parë, domethënë përfshirjen gjermane në rregullimin e problemeve ballkanike, megjithatë, siç thotë ai, Ministria e Jashtme në Berlin mbajti një qëndrim më të vendosur te pozicioni i fundit, duke shtuar se thelbi i çështjes në Konferencën e Ambasadorëve ishte çështja shqiptare.

“Aleatët tanë dëshironin krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, pasi austriakët nuk donin që serbët të merrnin hyrjen në Adriatik, dhe italianët nuk donin që grekët të arrinin në Valona apo edhe në veri të Korfuzit. Në kundërshtim me këtë, Rusia, siç dihet, po mbështet dëshirat e Serbisë dhe Franca ato të Greqisë”, nënvizonte Lichnowsky.

Image
Paqja preliminare në Londër, qershor 1913

Gjermania, në vend që të merrte një qëndrim të ngjashëm me atë anglez, ajo mori pozicionin që ishte përshkruar nga Vjena. Konti Mensdorff ishte udhëheqësi i Aleancës Trepalëshe në Londër, ndërsa Lichnowsky ishte “i dyti”. Ashtu siç ishte instruktuar nga Berlini, detyra e tij ishte të mbështesë propozimet e kontit Mensdor. Në fakt, për të gjitha çështjet ai mori anën e Austro-Hungarisë dhe Italisë – për Shqipërinë, për një port serb në Adriatik, për çështjen e Shkodrës, si dhe për përcaktimin e kufijve të Shqipërisë – ndërkohë që Sir E. Grey pothuajse kurrë nuk i kishte mbështetur pretendimet franceze ose ruse.

Çështja e ndërhyrjes ushtarake nga Austro-Hungaria u bë përsëri shumë shpërthyese në prillin e vitit 1913. Për Monarkinë e Danubiane, çështja e qytetit të Shkodrës kishte marrë rëndësinë më të madhe në negociatat midis fuqive evropiane në Londër. Për këtë arsye, diplomacia austro-hungareze u tregua intransigjente në rastin e Shkodrës, pasi kjo çështje nuk ishte vetëm një me rëndësi strategjike për shtetin e ri shqiptar, por edhe një çështje që kishte të bënte me prestigjin e Vjenës, ruajtjen e statusit të fuqisë evropiane. Sipas opinionit austro-hungarez, Shkodra duhej të bëhet pjesë e Shqipërisë së sapothemeluar. Prapa këtij qëndrimi do të vihej edhe ambasadori gjerman, pasi që nga fillimi ishte instruktuar se duhej të ndiqet pozicionin e ambasadorit austro-hungarez.

Ambasadori gjerman pohon se ministri i Jashtëm anglez Grey më së shumti mbështeti grupin e ambasadorëve të Aleancës Trepalëshe. Kështu me ndihmën e ministrit të Jashtëm anglez ishte bërë e mundur që mbreti Nikita të tërhiqej nga Shkodra. Përndryshe, kjo çështje do të kishte shpërthyer në një luftë botërore, pasi sigurisht që gjermanët nuk do të kishim guxuar të linin “aleatin e tyre” të lëshonte pe përballë pretendimeve serbe dhe malazeze mbi qytetin shqiptar të Shkodrës. Ky ishte një sukses i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që shmangu opsionin e një konfrontimi ushtarak.

Në këtë kontekst, ambasadori gjerman dëshmon se pa ndihmën e Gjermanisë do të ishte e pamundur të krijohej një Shqipëri e pavarur, e cila nuk kishte asnjë perspektivë mbijetese, meqë Serbia do të ishte shtrirë deri në det dhe “lufta e tanishme botërore do të ishte shmangur”. Ky angazhim gjerman determinohej edhe për shkak se Berlini ishte kundër mbizotërimit të pansllavizmit në Gadishullin Ballkanik, pasi kjo do të shpinte në humbjen e “mbizotërimit ekonomik” brenda monarkisë danubiane.

Lichnowsky kishte shpërfaqur edhe mjaft qëndrime personale në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe ishte gjithashtu në favor të zgjidhjeve të cilat nuk i mbështeste Berlini. Ai mori qortime të ashpra nga Kancelari, i cili tha se Lichnowsky ishte “një kundërshtar i Austrisë” dhe u instruktua që të përmbahej nga një ndërhyrje e tillë dhe korrespondenca e drejtpërdrejtë. Në fakt kjo situatë dëshmon se prej kohësh në shtetin gjerman ishin etabluar dy qëndrime: ai i Zyrës së Kancelarit dhe Ministrisë së Jashtme që preferonte të qëndronte pranë linjës së Austro-Hungarisë, dhe perandorit Weilhemi II i cili u shqua për një qëndrim të luhatur ndërmjet Aleancës Trepalëshe dhe Antantës.

Pavarësisht interpretimeve të njëanshme historiografike, ambasadori gjerman në Londër thotë se gjatë Konferencës së Ambasadorëve Sir E. Grey negociatat i zhvilloi me kujdes, qetësi dhe takt. Dhe sa herë shfaqej ndonjë çështje e komplikuar, ai skiconte ndonjë formulë për marrëveshje e cila ishte e rëndësishme dhe pranohej gjithmonë. Personaliteti i Greyit frymëzoi besim të barabartë te të gjithë pjesëmarrësit.

Në optikën e ambasadorit Lichnowskyt, Gjermania ka dalë përsëri me sukses nga një prej atyre sprovave të forcës që karakterizonin politikën e jashtme gjermane. Rusia kishte qenë e detyruar të hapte rrugën në të gjitha pikat, pasi ajo kurrë nuk kishte qenë në gjendje të arrinte sukses për qëllimet serbe. Shqipëria u krijua si një shtet i ri me Austro-Hungarinë si protektor, ndërsa Serbia nuk ia doli të siguronte dalje në detin shqiptar.

“Prandaj kjo konferencë rezultoi në një poshtërim të ri për vetëvlerësimin rus. Ashtu si në vitin 1878 dhe në vitin 1908, ne kishim kundërshtuar planet ruse, megjithëse nuk përfshiheshin interesat gjermane”, thotë ambasadori gjerman Lichnowsky.

Lufta e Dytë Ballkanike dhe kufijtë e cunguar të shtetit shqiptar

Vetëm pak javë pas marrëveshjes së paqes në Londër, në qershor 1913 shpërtheu Lufta e Dytë Ballkanike. Kjo luftë rezultoi në konflikte të armatosura midis anëtarëve të Lidhjes Ballkanike. Përfundimisht, konflikti rezultoi për çështjet e hapura, përkatësisht lidhur me atë se si duhej të ndaheshin mes shteteve ballkanike territoret e pushtuara të Perandorisë Osmane. Pavarësisht Traktatit të Paqes të Londrës, ndarja territoriale e Maqedonisë në veçanti çoi në konflikt. Sërbisë iu dha si kompensim një pjesë e konsiderueshme e Maqedonisë për shtetin e ri shqiptar, por që në të njëjtën kohë pretendohej nga Bullgaria. Mosmarrëveshja nuk mund të zgjidheshin përfundimisht në Londër.

Por, pavarësisht pritjeve të mëdha, Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk arriti të bënte një hap të duhur për vendosjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan, ashtu siç kishte ia kishte dalë Kongresi i Vjenës, ajo vetëm dha vetëm pak kohë, por nuk arrinte ta mënjanonte Koncertin Evropian nga rruga e rrezikshme, e cila e çoi kontinentin në një greminë me pasoja të mëdha, në Luftën e Parë Botërore, e cila konsiderohet në fakt si vazhdim i luftërave ballkanike.

Sidoqoftë, ajo që mbetet e rëndësishme është se kjo konferencë evropiane vulosi lindjen e Shqipërinë si një principatë autonome, sovrane dhe trashëgimtare nën garancinë e fuqive të mëdha, edhe pse gjysma e territoreve të saj mbetën nën pushtimin serb deri me shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet nëntëdhjeta. Ishte momenti historik kur Shqipëria do t’i bashkohej ansamblit të shteteve evropiane përmes një princi gjerman, Wilhel von Wied.

Po kështu, me këta kufij të cunguar të shtetit shqiptar, të vendosur me insistimin këmbëngulës të Rusisë dhe mbështetjen e Francës, lindi çështja e Kosovës, e cila një shekulli pas arriti të depërtonte në agjendën e kancelarive evropiane, të gjashtë shteteve anëtare të Grupit të Kontaktit, ku me përkrahjen e Francës dhe të vendeve të tjera anëtare u bë e mundur të izolohej Rusia, e cila si një shekull më parë po ndiqte me këmbëngulje agjendën serbomadhe.