Shtojca për Kulturë

Konferenca e Bujanit dhe qëndrimi i pjesëmarrësve joshqiptarë në vitet e mëvonshme

Tani u mbushën 79 vjet nga mbajtja e Konferencës së Bujanit. Të kujtojmë se prej 31 dhjetorit 1943 e deri më 2 janar të vitit 1944 në organizimin e Komitetit Krahinor të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit në Bujan në pjesëmarrjen e 49 delegatëve u aprovua rezoluta në të cilën para së gjithash thuhej: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të populluar me shumicë shqiptare, e cila si në të kaluarën edhe sot dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Rruga e vetme për t’u bashkuar me Shqipërinë, për shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, është lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë”. Njëri ndër pjesëmarrësit e këtij tubimi, por njëherësh edhe nënkryetar i Konferencës së Bujanit, Pavle Joviçeviq, në dyzetvjetorin e mbajtjes së këtij tubimi, më saktësisht më 11 dhjetor 1983 në një bisedë në të përjavshmen beogradase “NIN” i ka shpalosur arsyet dhe rrethanat e mbajtjes së konferencës, por edhe qëndrimin e tij në lidhje me këtë tubim të rëndësishëm të historisë së Luftës së Dytë Botërore në Kosovë

Kolonisti malazias – njëri ndër figurat kryesore të Luftës së Dytë Botërore në Kosovë

Pavle Joviçeviq u lind në vitin 1910 në një fshat në afërsi të Cetinës në Mal të Zi. Ai rridhte nga një familje kolonistësh malazezë, që ishin vendosur në Pejë. Madje, Joviçeviq aty edhe e kishte kryer gjimnazin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, ai ishte i njohur me nofkën “Paloku”. Në vitin 1937 u zgjodh sekretar i Komitetit Lokal të Pejës. Gjatë vitit 1942 ai qe shumë aktiv në viset e Ferizajt dhe të Gjilanit. Në fund të viteve të Luftës së Dytë Botërore, Joviçeviq mori pjesë aktive në luftë kundër trupave të Muharrem Bajraktarit në krahinën e Lumës. Pas luftës ishte zyrtar i lartë i Jugosllavisë së Titos. Vdiq në Beograd në vitin 1985. Autorët e bisedës, Velizar Zeçeviq dhe Millan Millosheviq, fillimisht e kanë hapur bisedën me pyetjen drejtuar Joviçeviqit lidhur me formimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit dhe pse heshtet apo nuk flitet sa duhet për aprovimin e vendimeve në Konferencën e Bujanit. Pra, bëhet fjalë për vitin 1985, atëherë kur nacionalizimi serb gjithnjë e me tepër po kalonte në agresivitet gjithnjë e më të madh, në radhë të parë kundër Kosovës dhe shqiptarëve e më pastaj edhe kundër kombeve të tjera të ish- Jugosllavisë.

“Unë i jam përgjigjur ftesës suaj që si dëshmitar i gjallë i formimit të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit dhe mbajtjes së Konferencës së Bujanit dhe se nuk ka nevojë që për ato ngjarje të flasim si për tabu tema” – ka pohuar Joviçeviq, duke vazhduar “për mbledhjen e parë të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, duhet thënë të gjitha ato gjëra që do t’iu ndihmonin historianëve që asaj ngjarjeje t’i qasen në mënyrë të gjithanshme kritike, për aq më tepër që tanimë është rrënjosur praktika që për disa ngjarje të pakëndshme, për gabimet dhe huqjet gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, me qëllim të caktuar nuk flitet në mënyrë të hapur. Për veprime të tilla, pra anashkalimin e qëllimshëm që të flitet hapur, gjenden arsyetime se disa kombe dhe kombësi janë të ndjeshëm, dhe se akoma nuk ka arritur koha se ‘faktet në fjalë mund të shfrytëzohen nga pala e tretë’ se mund të rrënohet ‘Bashkim – Vëllazërimi’ etj. Është e qartë se frika e tillë ekziston, por kur flitet për të vërtetat, atëherë ato duhet të thuhen në mënyrë të hapur, pra siç është rasti tani, për një ngjarje prej së cilës na ndajnë plot dyzet vjet, dhe kur flitet për gjithçka dhe në rrethanat dhe kushtet e kohës së sotme, nuk ka vend për frikë se biseda e sotme do ta dëmtonte bashkësisë tonë socialiste dhe ‘Bashkim -Vëllazërimin’. Për Mbledhjen e Bujanit do të flas si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë dhe assesi si gjykatës apo si historian, por ashtu siç unë e kam përjetuar atë mbledhje dhe ashtu siç e përjetoj sot. Është afruar rasti që edhe pjesëmarrësit e tjerë të gjallë t’i paraqesin pikëpamjet e tyre, kështu që do të mblidhen shumë detaje dhe të dhëna të cilat do të plotësojnë lëndën e kësaj ngjarjeje”.

Në pyetjen e radhës se “prej kujt, kur dhe si lindi ideja për formimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit dhe kush dhe si e realizoi këtë ide?” – Joviçeviq është përgjigjur: “Ideja që të formohej Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit për herë të parë me shkrim u formulua në Rezolutën e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, në nëntor të vitit 1943. Atëherë u tha se duhet vazhduar me formimin e Këshillave Nacionalçlirimtare dhe menjëherë duhej paraparë edhe thirrjen e mbledhjes për formimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës dhe Metohisë (apo Rrafshit të Dukagjinit ashtu siç atëherë shënohej në vend të emërtimit Metohi vërejtje e Joviçeviqit) – mirëpo ky emërtim u zhduk në intervenim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, sikurse edhe emërtimi ‘Komiteti Krahinor (Pokrajinski)’ që njëkohësisht u përdor në vend të ‘Komitetit Krahinor (Oblasni) i Partisë Komuniste të Jugosllavisë të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit’. Për këtë detyrë, pra Mbledhjen e Bujanit, u precizua që në punimet e saj të merrnin pjesë njerëzit kyç, por edhe të gjithë përfaqësuesit e tre popujve dhe përfaqësuesit e të gjitha rrymave që qëndrojnë në pozicionet e luftës kundër okupatorit. Krijimi i Këshillit të përbashkët Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, e ka pasur për qëllim – thuhej më tej në Rezolutën e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë dhe Rrafshit të Dukagjinit, që ta krijojë trupën unike të përfaqësuesve politikë që do ta përgatitnin dhe udhëhiqnin luftën e armatosur kundër okupatorëve dhe shërbëtorëve të tyre. Pra, një mbledhje e tillë e planifikuar u mbajt më 31 dhjetor deri më 2 janar të vitit 1944 në fshatin Bujan të Malësisë”.

Image

Nënshkruesit e Rezolutës së Konferencës së Bujanit (Burimi: Robert Elsie)

Çka kërkuan përfaqësuesit joshqiptarë të konferencës në tokë shqiptare në Bujan?

Vlen të theksohet se gjatë tërë bisedës së botuar në të përjavshmen beogradase “NIN”, bashkëbiseduesit e Pavle Joviçeviqit duket sikur e kanë vendosur atë në bankën e të akuzuarve dhe kërkojnë prej tij se si ishte e mundur që ai si joshqiptar të merrte pjesë në një tubim ku vendosej që Kosova t´i bashkohej Shqipërisë. Edhe pyetja e radhës është në këtë frymë dhe Joviçeviq duhej të afronte argumente se “për çka konferenca në të cilën u formua Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit u mbajt mu në Bujan, në territorin që atëherë, sot por edhe në kohën e Jugosllavisë së midis luftërave botërore ka qenë pjesë e Shqipërisë fqinje?”.

“Në atë kohë, por edhe përpara në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, nuk kishte territor të lirë” – ka shtuar Joviçeviq, duke vazhduar se “kohë më parë u shkrua se në vjeshtën e vitit 1943 në Kosovë ‘kishte zonë të lira rreth Pejës, Gjakovës, por edhe në treva të tjera. Kjo nuk është e saktë dhe autori i shkrimit në fjalë nuk ka afruar asnjë argument për qëndrimet e tij. Ne që kemi luftuar kundër okupatorit fashist në atë kohë në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit e dimë më së miri që ato informacione janë të pasakta. Në radhën e specifikave të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, përveç prapambeturisë ekstreme ekonomike dhe kulturore, shtypjen e rëndë kombëtar, eksploatimin e egër e të shumëllojshëm dhe shkeljen e të gjitha të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, nga ana e regjimit të Jugosllavisë së vjetër bëjnë pjesë edhe specifikat e rrethanave shumë të rënda në të cilat u zhvillua Lufta Nacionalçlirimtare në atë pjesë të Jugosllavisë. Kundër një gjendjeje të vështirë siç e përmenda më lart, ne luftuam dhe me angazhime politike duke i zbuluar bashkëpunëtorët e okupatorit që u vunë në shërbim të tyre, prandaj edhe pareshtur e potenconim se okupatorët nuk i kishin çliruar shqiptarët, iu bënim thirrje shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve që bashkërisht të luftojnë kundër okupatorit, formuam aradhe partizane, në veçanti aradhe shqiptare të cilat me këmbëngulësinë e tyre u sakrifikuan dhe me guximin e tyre dëshmuan se edhe në kushtet më të rënda mund të zhvillohet qëndresa e armatosur kundër okupatorit dhe ndihmësve të tij. Krahas luftës ne i përmirësonim edhe gabimet që na shfaqeshin në punën tonë dhe këtu në veçanti na ka ndihmuar delegati i Komitetit Qendror të PKJ dhe Shtabit Suprem të LNÇ dhe Ushtrisë Jugosllave – Svetozar Vukmanoviq – Tempo”.

“T’i kthehemi vetë tubimit. Është interesante përbërja e Konferencës. Si ndodhi që struktura e pjesëmarrësve në Konferencën e Bujanit të mos i përgjigjej strukturës nacionale të popullsisë së Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit?”. Pra, siç vërehet është një pyetje mjaft provokative për dëshmitarin e Konferencës së Bujanit.

“Për shkak të situatës që e përshkrova më lart, as përgatitjet për një konferencë të gjerë, në të cilën duhej zgjedhur Këshilli i parë Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, nuk kanë mundur të bëheshin ashtu siç ishte planifikuar. Përzgjedhja e njerëzve që do të merrnin pjesë në konferencë, iu la në dorë komiteteve të rrethit, por edhe atyre lokale të PKJ apo Këshillave Nacionalçlirimtare në nivel komunash atje ku ata edhe ekzistonin. Paraprakisht nuk pati kushte që të zhvilloheshin debate të gjëra për temat që do të diskutoheshin në punën e Konferencës së Bujanit, apo për qëndrimet që do të merreshin aty. Përbërja nacionale e delegatëve nuk i përgjigjej përbërjes etnike të popullsisë së krahinës sonë. Kjo përbërje nacionale u rrënua në mënyrë të dyfishtë: në Konferencën e Bujanit morën pjesë delegatët shqiptarë, që jo vetëm se nuk ishin shtetas jugosllavë, por ata as që jetuan në territorin jugosllav. Ata ishin prej zonës në të cilën u mbajt Konferenca, të zonës së Malësisë që ishte pjesë e Shqipërisë. Prej 51 delegatëve – të tillë ishin 10 sosh (një delegat ishte nga Plava, gjithashtu jashtë territorit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit). Ju po më pyesni pse ata morën pjesë në Konferencën e Bujanit? Për këtë në atë kohë nuk është menduar edhe aq shumë, por edhe planifikimi parësor i Konferencës nuk e pengonte pjesëmarrjen e tyre, sepse në radhë të parë ata ishin njerëz që e kishin organizuar strehimin dhe mikpritjen e delegatëve të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit që ishin përkrahës të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Se sa ndikim ka pasur rrethana që disa pjesë të Malësisë dhe Plavës sipas ndarjes administrative kanë qenë të lidhura me Gjakovën dhe Pejën – mundemi vetëm të hamendemi. Por, prezenca e tyre si dhe përfaqësimi i shqiptarëve midis delegatëve nga Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, edhe më shumë e rrënoi përfaqësimin e disa popujve të caktuar, kështu që prej gjithsej 51 delegatëve nga radhët e serbëve dhe malazezëve ishin vetëm 7, që assesi nuk i përgjigjet strukturës së atëhershme nacionale të krahinës sonë. Qysh prej fillimit të okupimit, ne e kishim një mori çështjesh të pazgjidhura me disa shokë komunistë, të cilët bashkë me patriotët e tjerë – shqiptarë me origjinë nga Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit e nga Shqipëria u kthyen në krahinën tonë menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë. Këto çështje të pasqaruara ishin të ndërlidhura me copëtimin e Jugosllavisë që e bënë okupatorët, apo me bashkimin e pjesës më të madhe të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me zonën okupuese italiane – të ashtuquajturës ‘Shqipëri e madhe’. Kjo rrethanë e manifestuar konkretisht në çështjen se a duhet festuar apo jo Dita e Flamurit Shqiptar, që më herët nuk ishte festuar dhe që në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit fitoi karakter antiserb dhe antimalazez; më pastaj a duhej që shqiptarët e ardhur nga Shqipëria në Kosovë të ishin anëtarë të PKJ-së; më pastaj edhe rreth qëndrimit që disa prej atyre e mbronin se duhej që me çdo kusht të shmangej çdo përmendje e nocionit Jugosllavi, bile edhe parullat e forumeve partiake nuk duhej firmosur me ‘Partia Komuniste Jugosllavisë’, por vetëm me ‘Partia Komuniste’. Në një mënyrë apo tjetër, të gjitha këto çështje kryesisht kanë qenë të ndërlidhura me çështjen e kufijve midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. E kemi ditur se mosmarrëveshjet e tilla kryesisht vinin për shkakun se shokët kishin jetuar nën rrethana të tjera dhe ndryshe i shihnin shumë çështje, që para së gjithash kishte të bënte me moskuptimin e politikës sonë, sesa që ishte fjala për ndonjë opozitë të vetëdijshme dhe mirë të organizuar. Ne besonim se këto moskuptime do të tejkaloheshin me kohën, por edhe për faktin se ata ishin të angazhuar shumë në organizimin e masave shqiptare në Kosovë, ngase gëzonin autoritet dhe reaksion shqiptar nuk e merrnin guximin që t’i akuzonin se “ishin shlirue te serbët dhe malazezët” siç i akuzonin komunistët shqiptarë, që para luftës kishin jetuar në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit dhe bashkë me ne luftuan krahë për krahë me ne kundër regjimeve jopopullore. Për shkak të qëndrimit të tillë të tyre dhe angazhimeve kundër okupatorit, komunistët shqiptarë dhe shqiptarët e tjerë – patriotë që erdhën prej Shqipërisë ishin të përfaqësuar më së shumti në Konferencën e Bujanit. Por, përkundër situatës faktike, çështja e kufijve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë edhe më tej qëndronte në ajër para syve të disave prej atyre shqiptarëve – komunistëve dhe aktivistëve të LNÇ- së”.

Image

Pavle Joviçeviq

Çështja e kufijve të Kosovës nuk ishte e mbyllur për Komitetin Krahinor të Kosovës

Në bisedën e mëtejshme, Pavle Joviçeviq ka sqaruar se “para Konferencës së Bujanit, shoku Tempo në dy letra (2 tetor 1943 dhe 25 nëntor 1943) na ka tërhequr vërejtjen se edhe Komiteti Krahinor i PKJ-së është nën ndikimin e ‘klikës shqiptaromadhe’ në çështjen e fatit të ardhshëm të kufijve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe në të dy letrat ai e përsëriti qëndrimin tonë se: vetëm me luftën e përbashkët të popullit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit bashkë me popujt e Jugosllavisë kundër okupatorit fashist, popujt e Kosovës do të mund ta arrinin lirinë e tyre kombëtare. Për çështjen e kufijve ne nuk guxojmë të flasim, por ajo çështje do të zgjidhet ‘në bashkëpunim dhe unitet vëllazëror midis KQ të PKJ dhe KQ të PK të Shqipërisë, dhe se si do të bëhet rregullimi i kufirit kjo do të varet prej zhvillimit të situatës politike në Jugosllavi dhe Shqipëri’. Ndërkaq, lidhur me punën e Konferencës së Bujanit, nënkryetari i saj Joviçeviq ka kujtuar se “dokumentet dhe rezultatet e kësaj konference nuk duhet as nënçmuar e as mbivlerësuar. Në të gjitha ato dokumente dhe rezultate duhet parë si në diçka që kanë rezultuar nga rrethanat e caktuara të zhvillimit të LNÇ të Kosovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit, të cilën luftë duhej ndërtuar dhe përsosur. Në këtë frymë vepruan edhe shumica e delegatëve dhe në këtë mënyrë edhe iu qasën dokumenteve dhe rezultateve shumë aktivistë të LNÇ-së në mbarë Kosovën. Dhe në ato dokumente në veçanti në thirrjen drejtuar popujve të Kosovës, u gjet platforma për zgjerimin e LNÇ-së në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit, për mobilizimin e luftëtarëve të rinj nga radhët e shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve – ajo që atëherë ishte më e rëndësishme në Kosovë dhe që në fakt ishte qëllim i Konferencës së Komitetit Krahinor. Nëpërmjet këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të arritura u evitua jokonsekuenca dhe gabimet që ekzistonin në dokumente. A nuk kishte edhe raste të tjera në pjesë të ndryshme të Jugosllavisë ku veprohej në mënyrë identike sikur që ne vepruam në Kosovë – pra iu bënte ftesë nacionalistëve dhe çetnikëve dhe elemente identike për t’iu bashkuar LNÇ-së. Është e vërtetë se pjesën e Rezolutës së Konferencës së Bujanit që kishte të bënte me çështjen e kufirit midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, që gjithnjë po publikohet në mënyrë të veçantë kohëve të fundit në shtypin e ndryshëm – u inkorporua në programet e organizatave ilegale irredentiste shqiptare që u formuan pas çlirimit të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, kah fundi i viteve të dyzeta dhe përgjatë viteve të pesëdhjeta”, ka përfunduar Pavle Joviçeviq, njëri prej pjesëmarrësve të Konferencës së Bujanit dyzet vjet pas kësaj ngjarjeje.