Shtojca për Kulturë

“Kompozitorët e karrierës” në harmoni me trashëgiminë muzikore kombëtare

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë sapo ka hapur kapitullin e parë me “Kompozitorët e karrierës”, koncerti i cili ka ardhur edhe si dëshmi e asaj se veprat marrin frymë kur interpretohen para publikut

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë sapo ka hapur kapitullin e parë me “Kompozitorët e karrierës”, koncerti i cili ka ardhur edhe si dëshmi e asaj se veprat marrin frymë kur interpretohen para publikut

Veprat e tre kompozitorëve ndër më të shquarit e vendit, janë harmonizuar në edicionin e parë të Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë i cili harmonizohet në krijimin e hapësirës e në promovimin e trashëgimisë muzikore kombëtare. “Reverie Quartet” ka sjellë veprat e Mendi Menxhiqit, Valton Beqirit e të Drinor Zymberit, nëpërmjet të cilave shpaloset qasje e ndryshme stilistike por që emërues të përbashkët kanë statusin e tyre si thesare të krijimtarisë vendore

Dardan Mirena

Salla e ndriçuar lehtë, heshtje e cila mbulon ambientin, audienca me pak njerëz që qëndrojnë në ulëset e renditura në harmoni duke ruajtur qetësi që përngjan me frymëmarrje kolektive. Një ndjesi pritjeje e qetë e cila përshkon hapësirën e një salle të vogël, por komode ani pse larg asaj të duhurës për ngjarje të tilla. 

Në skenën e thjeshtë janë instrumentet, dritat ua theksojnë çdo detaj. Instrumentistët e “Reverie Quartet” shkojnë ngadalë drejt skenës të veshur me elegancë që reflekton një lloj respekti ndaj artit i cili pritet të shpërthejë nga duart e tyre. Pas përfundimit të çdo pjese, një heshtje përsëritet për një çast të shkurtër, pastaj shpërthejnë duartrokitjet e përmbajtura në shenjë mirënjohjeje për emocionet e dhuruara. 

Ky ka qenë imazhi i parë i edicionit të parë të Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë i mbiemëruar sivjet “Kompozitorët e karrierës”. Ersan Januzi dhe Laura Kajtazi kanë zgjedhur që programi i këtij festivali të përmbajë veprat e tre kompozitorëve të njohur kosovarë: Mendi Mengjiqit, Valton Beqirit dhe Drinor Zymberit. 

“Reverie Quartet” transmetoi energji pozitive përmes veprave të muzikës klasike të cilat kohë pas kohe qenë dinamike duke krijuar një ekuilibër mes emocioneve të thella dhe gjallërisë ritmike. Interpretimi i tyre nuk përçon vetëm mjeshtëri teknike, por edhe ndjenjë të komunikimit emocional, ku krijohet një urë e  padukshme mes skenës dhe audiencës. 

Kuarteti, i cili u kryesua nga Visar Kuçi në violinë të parë dhe përcjellë nga Rron Bakalli po ashtu në violinë, Vesa Doli në violë dhe Arian Zherka violonçel, ka qenë një kombinim i shkëlqyeshëm, gjë e cila u vërejt me fillimin e koncertit duke nisur me ekzekutimin e veprës së kompozitorit Mendi Mengjiqi, “Kuartet Harkor numër 4” në katër kohë. Kuarteti ka sjellë edhe veprën trikohëshe të Valton Beqirit, “Kuartet Harkor” sikurse edhe atë të Drinor Zymberit “Kuartet Harkor – Puls” në dy kohë. Nëpërmjet veprave dallohen qasjet e kompozitorëve të tri gjeneratave të ndryshme. Të përbashkët kanë tabanin e muzikës shqipe, e të tria bashkë shndërrohen në pasuri të veprave klasike vendore. Kësisoj, “Kompozitorët e karrierës” është hapësirë njohjes dhe e promovimit të trashëgimisë muzikore kombëtare. Ky ka qenë edhe qëllimi që ka udhëhequr themelimin e këtij festivali i cili pasuron repertorin e ngjarjeve kulturore. 

Laura Kajtazi, drejtoreshë artistike e Festivalit të Kompozitoreve Kosovarë, ka thënë se ka filluar si ide e kompozitorit Ersan Januzi për shkak se edhe vetë ai vjen nga një lëmi e njëjtë dhe e ka parë të arsyeshme që të afrohet një hapësirë dhe të promovohen kompozitorët e Kosovës.

“Ne si popull kemi traditë goxha të madhe, kemi kompozitorë instrumentistë, kemi gjithçka, mirëpo ndoshta shumëçka mungon edhe në arkivin tonë dhe ne jemi munduar ta bëjmë një lloj gërshetimi mes ruajtjes se arkivit dhe rikthimit të veprave të kompozitorëve që tashmë nuk janë në mesin tonë, të kompozitorëve të karrierës, edhe kompozitorëve të rinj”, ka thënë Kajtazi, pas koncertit të premten mbrëma në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës. 

Ka thënë se e kanë parë të arsyeshme që edicionin e parë ta fillojnë me “Kompozitorët e Karrierës” pikërisht me kompozitorët Mendi Mengjiqi, Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi. 

“E kemi parë të arsyeshme ta ftojmë kompozitorin Mendi Mengjiqi sepse është ai i cili ka kompozuar edhe Himnin e Kosovës. Kemi ftuar profesorin Valton Beqiri i cili gjithashtu ka një krijimtari shumë të pasur prej kompozitori dhe kompozitorin e ri Drinor Zymberi i cili ka qenë edhe student i kompozitorit Mendi Mengjiqi dhe momentalisht është duke bërë bujë, si këtu në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit”, ka thënë ajo. 

“Reverie Quartet”, nismuar prej Visar Kuçit ka nisur rrugëtimin e festivalit, por jo domosdo në skenën e tij do të ngjiten vetëm instrumentistë vendorë. 

“Shpresojmë që në të ardhmen, do të mundohemi të përfshijmë instrumentistë prej kudo që mund t’i sjellim, mirëpo ideja është që të interpretohen vetëm veprat e kompozitorëve kosovarë, një hapësirë e dedikuar për interpretimin e veprave të tyre”, ka thënë Kajtazi. 

Mendi Mengjiqi është njëri prej kompozitorëve më të shquar të skenës muzikore klasike në vend dhe gjithashtu është edhe kompozitor i Himnit të Kosovës. Studimet themelore i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistroi në kompozim në Poloni. Ka qenë i pranishëm në koncert, por si rëndom, ai rrallë pranon të prononcohet. Flet nëpërmjet veprave të tij. 

Kompozitori Valton Beqiri ka thënë se kompozitorë të gjeneratë së tij kanë pasur mundësi të interpretojë e të marrin pjesë në festivalet e dikurshme të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës apo në “Ditët e Muzikës Kosovare”, përderisa ka ekzistuar edhe Skena Muzikore e Prishtinës për pak kohë. 

“Kompozitorët kanë pasur mundësi të prezantohen me vepra qoftë të reja, qoftë të dëgjuara, po ashtu edhe në festivalet e tjera si ‘ReMusica’, si ‘DAMFesti’, kemi pasur hapësirë që të kemi ndonjë vepër të caktuar në kuadër të një programit, të ndonjë orkestre apo formacioni muzikor, por janë të rralla ato ngjarje ku kryesisht të pranishëm janë vetëm kompozitorët kosovarë”, ka thënë Beqiri, i cili vjen nga një familje me traditë në fushën e kompozimit, babai i tij tashmë i ndjerë, Fahri Beqiri, ishte një prej pionierëve të muzikës serioze në Kosovë. 

Valton Beqiri u diplomua në UP në drejtimin e pianos dhe kompozimit dhe ka bërë mbi 550 orkestrime për formacione dhe zhanre të ndryshme muzikore. Ka përgëzuar kuartetin për interpretimin e përkushtimin për veprat e atyre që organizatorët i kanë cilësuar “Kompozitorë të karrierës” “natyrisht me një përvojë pak më të gjatë në kompozim”. Festivali edhe në konstatimin e Beqirit: se një vepër muzikore nuk mund të quhet e tillë nëse nuk dëgjohet, në qoftë se publiku nuk e përjeton atë. 
Kompozitori Drinor Zymberi ka thënë se festivalin e kanë pritur mirë si kompozitorë. 

“Nuk është që nuk kemi festivale ku nuk mund t’i shprehim veprat tona dhe t’i interpretojmë ato, por ka shumë rëndësi ta kemi një festival i cili fokusin kryesor e ka krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë në plan të parë”, ka thënë ai. 

Shteti ndan çmimet vjetore për kompozime të reja, por edhe vetë kompozitorët, ka vite që e kanë theksuar se ato nuk mjaftojnë. Muzika kërkon komunikim me publikun.  

“Për ne si edicion i parë ka qenë shumë me rëndësi që të startojmë, sepse edhe ashtu jemi vonë duke pasur parasysh që vendet perëndimore të zhvilluara, pothuajse edhe qytetet e kanë nga një festival për kompozitorë, kurse ne si shtet nuk është që e kemi pasur një festival të tillë që në prioritet e ka krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë”, ka thënë Zymberi, i cili ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e kompozimit dhe nën udhëheqjen e profesorit dhe kompozitorit Mengjiqi.

Zymberi ka thënë se krijimtaria e kompozitorëve kosovarë ka shumë nevojë që të transmetohet para publikut, ka shumë krijues të tjerë përveç tyre që tash konsiderohen si kompozitorë të karrierës. 
“Ka plot kompozitorë të rinj që mendoj se kanë shumëçka për të thënë, kanë shumë vepra jashtëzakonisht të bukura që meritojnë të vihen në skenë dhe shpresoj që në edicionet e ardhshme ky festival të jetë pikërisht adresa e tyre, ku ata do të mund ta shpalosin krijimtarinë e tyre artistike”, ka thënë ai. 

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë sapo ka hapur kapitullin e parë. Pos koncertit përfshin koncerte, “master klasa”, tribuna apo diskutime të hapura, që sipas  organizatorëve paraqesin një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të jetës kulturore dhe artistike në vend.