Shtojca për Kulturë

Koka që do të ndahet nga trupi dhe t’i ngjitet turpit

Skene nga shfaqja "Kamarja e turpit"

Skenë nga shfaqja “Kamarja e turpit” bazuar në veprën e Kadaresë, dramatizuar nga Doruntina Basha, nën regji të Kushtrim Koliqit, e dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 13 mars të këtij viti (Foto: TKK)

“Kamarja e turpit” – premierë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sipas Kadaresë, dramatizim i Doruntina Bashës, nën regji të Kushtrim Koliqit – të lë indiferent dhe sikur na thotë “punë e madhe”. Aq më tepër loja me kokat e derdhura nëpër skenë sikur e legjitimon ushqimin e satrapëve të pushtetit që shtetin e identifikojnë me veten, por që veprimet e tilla për çudi nuk shkaktojnë trandje shqetësuese te spektatori, ndërsa ideja e eksitimit seksual të cilin e shkakton vdekja mbetet qëllim më vete dhe nuk zbërthen tutje raportin e njeriut me jetën

Këto ditë Teatri Kombëtar i Kosovës doli me premierën e shfaqjes “Kamarja e turpit”, sipas Kadaresë, dramatizim i Duruntina Bashës nën regji të Kushtrim Koliqit. Thënë së buti shfaqja assesi nuk i përmbushi pritshmëritë e emrit që mban Teatri dhe të autorit bazë, Ismail Kadare.
E mbushur me eksplicitet krejt të stisur me qëllim të shokojë spektatorin pa kapur dimensione jete, nuk e trajton shqyrtueshëm njeriun, përveçse pretendon të thyejë tabu e të demonstrojë njëfarë guximi, i cilin e çon deri në perversitet.

Masturbimi për një klimaks, i cili jo se nuk mban aromë njeriu, por që nuk ka as ndonjë ide që del si tym i bardhë veçse mbetet brenda vetes si akt pervers që nuk shqetëson, as nuk provokon reagim.
Skena të ndërtuara me zhurma defiste as nuk të bëjnë ta ndiesh, as të kuptosh dramën sado që mundohet të të mbaj pezull me një ritëm forcërisht të konstruktuar, ku skema regjisoriale nuk të bind me shtjellimin dramatik, problemi shkak-pasojë i trajtimit të temës nuk përmban harmoni në disharmoninë e pretenduar, sepse leximi linear i Kadaresë nuk e kap dot problemin pse kamarja e pse turpi, e ku njeriu, shprehje e të cilit është teatri. Gjuha kadariane nuk përfaqësohet në dramatizim dhe për pasojë as në shfaqje, sepse nuk ka arritur të shprushë shtresat e pasurive kuptimore nëntekstuale, nga ku do të duhej dramaturgu dhe regjisori të shtrydhnin materien dramatike për të nxjerrë prej atje shprehjen teatrore në frymën e domethënëshme të autorit. Duke mos pasur një konvertim kritik në raport me kohën në të cilën po jetojmë, e tëra më ngjante në njëfarë himnizimi të së keqes mbushur krejt kuq (lexo gjak) pa kund një gjeth të gjelbër për t’i dhënë oksigjen ambientit të kontaminuar me ambicie satrape të ushqyera me gjak e turp. Në mënyrën si paraqitet e ndodhura del sikur është model, preferencë, apo thënë më butë trajtim oportun, e jo kërcënim, frikë apo alarm që diçkaje të tillë t’i bëhet digë nëse është në proces të të ndodhurit sot, e është.

Personazhet me karaktere të uniformuara, të cilat nuk janë vetvetja, por marioneta të regjisorit sa për të koreografuar skena që duken moderne e ku pretendimi modernist nuk është shprehje, por bëhet strehë mbrojtëse. Lëvizjes nëpër skenë me rolerë nuk ia gjen dot kuptimin as si konvertim kohe a reference për kohën së cilës i flet shfaqja, as si rrotë historie e nëpërkëmbur.

Portretizimi i personazheve mbetet një përpjekje e paarrirë për të kapur ide që assesi nuk përkojnë me shprehjen subtile kadariane, ku gjërat thuhen, por emri nuk u përmendet derisa në shfaqje nuk mbetet kurrgjë prapa asaj që veprohet si me fjalë, po ashtu edhe me veprime fizike eksplicite. Edhe pse prezenca e madhe e gjakut të jep një ide si tendencë nga teatri i vrazhdësisë, por assesi nuk arrin të prekë teatrin e gjakut, pavarësisht kokave të prera si shenja të luftës së pakompromis të autokratëve, një kërcënim permanent i pushteteve të pangopura këtu e atje, gjithkund në botë. Shfaqja nuk arrin të nxjerrë palcën e frikës, as dhembjen e lotit si në teatrin e gjakut të Artos, i cili thërret në reagim, provokon fuqishëm përmes frikës dhe dhembjes derisa “Kamarja e turpit” e Koliqit të lë indiferent dhe sikur na thotë “punë e madhe”. Aq më tepër loja me kokat e derdhura nëpër skenë sikur e legjitimon ushqimin e satrapëve të pushtetit që shtetin e identifikojnë me veten, por që veprimet e tilla për çudi nuk shkaktojnë trandje shqetësuese te spektatori, ndërsa ideja e eksitimit seksual të cilin e shkakton vdekja mbetet qëllim më vete dhe nuk zbërthen tutje raportin e njeriut me jetën, kënaqësinë (vetëkënaqësinë) apo vetëshkatërrimin si pasojë e dehidrimit emocional kur jetën e prek vdekja.

Shfaqjes i mungon përmbajtja derisa personazhet janë pa ndonjë marrëdhënie që nxjerrin në pah mekanizmin e sundimit autoritar.

Si krahasim tematik më vjen drama “1984” e Orwellit, ku parashikimet e eskalimit të dhunës politike futen deri te ndjenjat dashurore për të kontrolluar gjithçka, te kamarja e Koliqit inspektorët e mirëmbajtjes së kokave të prera duken si rëndomësi me një intonim të humorit të zi, por që nuk nxjerr kryet as aty për të na thënë diçka. Duke dashur të kap trendët e afirmimit të lirive seksuale afishon koloritin e dritave në def si shenja të entitetit LGBT ashtu kalimthi, por nuk e prek si nëntemë e as nuk e ironizon stereotipin e dylberizmit të sotëm, përveçse i jep një dorë trendit.

Destrukturimi i rrëfimit apo procesi i asimilimit kombëtar si proces i asimilimit të njeriut

Zërat komandues nga altoparlanti, ngjashëm si në “Big Brotherat” aktualë, prej ku dirigjohet shpërbërja e intimitetit në jetën që zhvillohet brenda mureve të izolimit, lexohet si një aktualizim, por që nuk zbërthehet. Ndrydhja e njeriut nuk e dimë a bëhet për të nxjerrë të keqen apo të mirën e tij apo thjesht për ta zhveshur nga vetvetja duke e shndërruar në objekt të manipulueshëm
Shqipet që bëhen sorra gjahu i krrokamës janë zëri ironik i kumtit për identitetin e humbur apo (vetë)asimilimin kombëtar si proces i asimilimit të njeriut. Përzierja e viteve sot e dikur, dikur e sot do të duhej ndërtuar si marrëdhënie krahasuese me dramë brenda, e jo afishim fjalësh daulle që janë mediatike dhe nuk shkojnë as deri te kafeneja e radhës.

Interpretimi i Adrian Morinës

Në krejt shfaqjen dallon interpretimi i Adrian Morinës, i cili si personazh është më i tipizuar me karakteristika, të cilat i nxjerr me veprime foljore dhe fizike, që pastaj i përkthen në karakter, i cili interpretohet me përmbajtje dhe nuanca artistike.
Gjithashtu mëlmesë njerëzore i jep shfaqjes interpretimi i Bislim Muçajt në rolin e Ali Pashë Tepelenës sado që vendosja e tij skenike në vertikale e hendikepon aktorin dhe idenë e lëvizjes së Ali Pashë Tepelenës në raportin historik “Kokën në Stamboll, trupin në Janinë”.

Kolonat muzikore si ajrosje estetike e shfaqjes

Ajo çka vlente si estetikë e shfaqjes ishin tingujt e bukur në sfond apo partiturat muzikore të kënduara nga kori si një popull i së ardhmes pa profilizim. Kjo zgjidhje i jep një fllad estetik dhe emocion shfaqjes dhe ngjallte nostalgji për zërin e trashëgimisë që po stërkeqet.

Çka pretendon të na thotë shfaqja?

Ndjekja e Pashait, apo pandjenja e pushtetarit absolut, i cili do që ta shuajë llambën e botës, atë të Aladinit, me të cilën Aliu pretendon të ndritë Shqipërinë duke e bërë shtet apo pashallëk jo për nevojën e mëvetësimit, por me të vetmin motiv që ta ketë gjeografinë më të madhe të sundimit.
Sentencës “Dua të më kujtojnë kur nuk do të jem më” thuajse autori i shfaqjes nuk i kundërvihet e as nuk ndez alarmin e rrezikut nga sundimtarët e ambalazhuar me demokraci në kohën që po jetojmë, por thuaja se kjo sentencë bëhet normale, ngase sot është më “in” nëse të kujtojnë për të keq e me stimuj adhurimi, pavarësisht nëpërkëmbjes së palcës njerëzore, ku dhuna bëhet normale në vend se të shkaktojë revoltë brenda rrëfimit e të provokojë shqetësimin si referencë deri tek ajo që e quajmë klimaks apo katarsis.

Tungj Hatai duke qenë i ashpër mizor dhe i pashpirt e ka shndërruar në instinkt despotizmin në dëlir, ngazëllimi këlthet se do që të ndahet nga trupi, sepse koka nuk po i duhet trupit, por turpit. 
Njeriu po e humb njeriun (lexo njerëzoren), nuk ka doktor a doktoreshë qe e shëron nga ambicia e sëmurë e puro sundimit sa për eksitim seksual. Me këtë ngushtim të domethënies shpërbëhet Kadareja dhe drama nuk thotë asgjë që të cyt mendim tutje në kërkim të rrugës së humbur të njerëzores.

Si e tillë shfaqja të lë pa asgjë, nuk të dërgon askund, pa adresë, është e ndërtuar si një videospot i disa rap-këngëve, ku gjithçka është “e lejueshme” sa për një eksitim impotent, pavarësisht se diku e prek farsën.

Mbase shfaqjen e ka kapur virusi i dramës origjinale, e cila assesi nuk ka mundur ta gjejë shoqen binjake në Yutube siç thonë aktorë, regjisorë e dramaturgë për shfaqjet e kolegëve menjëherë pasi t’i kenë uruar ata për shfaqje të suksesshme, “E di ku e ka marrë”.

Aktorët luajnë situata e jo personazhe, me ndonjë përjashtim

Përveç Armond Morinës morën pjesë edhe Armend Smajli, Ylber Bardhi, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi, përfshirë këtu edhe Gresa Pallaskën. Kryen detyra skenike pa e prekur atë që shënjestron teatri: marrëdhënien me veten, tjetrin dhe jetën në përgjithësi, si personazhe.

Personazhet do të duhej të ishin klientë të Frommit dhe Freudit

Erich Fromm sqaron procesin e përfytyrimit të njeriut që u bë zot, shndërruar në përfytyrim ku zoti bëhet njeri. Aty diku mund të pikaste shfaqja, por ja që mbeti te masturbimi dhe fantazia nuk mbërrin te dashuria.

Në këtë sëmundje të kohës sikur po vdes njeriu, i cili po tjetërsohet në robot, që do të thotë rob, e robërit nuk dinë të rebelohen. Koka do priten, por se parfumi i jetës nuk do bëhet, sepse vetë heqja e kokave po bëhet motiv, e pushtetarët po sillen sikur zotin nuk e kanë mbi kokë, por e kanë bërë partner.

Nëse pyesim pse bëhet shfaqja, pse Teatri e ka titullin Kombëtar pse gjithë ky morbiditet si aksent i panevojshëm sado shokues për mentalitetin e pamësuar të pranojë atë që bën tinëz vetes, përgjigjja është te paturpësia dhe humbja e rrugës në foajeun e teatrit.

Dramaturgia dhe regjisori nuk kishin arritur të zbërthenin në veprime skenike metaforën kadariane që shfaqja të na thoshte diçka më shumë, e jo vetëm të vringëllonte nga lëvizjet e sforcuara me një ritëm që nuk të dërgon te shqetësimi dhe nuk prodhon as domethënie farsike.

Duke pasur një mendim të mirë për regjinë e Koliqit në disa shfaqje të tjera, kësaj here nuk ishte rasti.

Pse?

Sepse shfaqja sikur nuk çante kokën për temën, nuk kishte protagonist e as antagonist të denjë për një ballafaqim dramatik. Nuk kishte personazhe me karaktere të ndërtuara që prodhojnë ngjarje skenike, konflikt. Sepse mungonte rrëfimi pa të cilin s’ke ku e var estetikën. Derisa të gjendet rrëfimi, do të duhej ta shfletonim Freudin, i cili na mëson se si pasionet do të duhej t’i nënshtroheshin mendjes e kjo mund të na e gjejë kuptimin e intimitetit, i cili po na mungon e ne po vazhdojmë ta ushqejmë mungesën.