Shtojca për Kulturë

Koka e Millosheviqit

Mario Vargas Llosa në shtëpinë e tij në Madrid, i fotografuar më 24 janar 2023. Foto: (El Pais/Gianfranco Tripodo)

Mario Vargas Llosa në shtëpinë e tij në Madrid, i fotografuar më 24 janar 2023. Foto: (El Pais/Gianfranco Tripodo)

Dëshmitë e mbledhura përmes refugjatëve kosovarë në Maqedoni dhe Shqipëri tregojnë për një planifikim gjakftohtë, të ekzekutuar me precizitet shkencor. Në fshatrat e pushtuara, të rinjtë ndahen nga fëmijët, pleqtë nga gratë, dhe ekzekutohen, ndonjëherë duke i bërë që të hapin varret e tyre së pari. Të mbijetuarve u jepet një afat i shkurtër për të ikur jashtë vendit, për t’i privuar më pas nga dokumentet personale

NATO-ja nuk duhet të qortohet për ndërhyrjen e saj në Jugosllavi, por për ndërhyrjen me dhjetë vjet vonesë dhe për gabimin e bërjes publike të lajmit për përjashtimin e të gjitha ndërhyrjeve ushtarake tokësore, gjë që i dha dritë jeshile diktaturës së Beogradit për ta jetësuar planin për spastrim etnik në Kosovë, një nga krimet më të tmerrshme të këtij shekulli kundër njerëzimit, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo për nga numri, me holokaustin hebraik të kryer nga Hitleri, ose me çrrënjosjen e popujve që u ndërmor nga Stalini, në përpjekjen e tij për ta rusizuar Bashkimin Sovjetik.

Siç ka shkruar Alen Finkelkroi, lufta e Kosovës filloi në vitin 1989, atëherë kur Sllobodan Millosheviqi, duke nisur fushatën e tërbuar të ekzaltimit nacionalist serb, që i dha pushtet absolut (dhe, në të njëjtën kohë, përshpejtoi shpërbërjen e Federatës Jugosllave), shfuqizoi statusin e autonomisë së kësaj province, ua ndaloi kosovarëve shqiptarë shkollat e tyre dhe çdo përfaqësim publik dhe, megjithëse përbënin nëntëdhjetë për qind të popullsisë, i ktheu në qytetarë të dorës së dytë, në raport me dhjetë përqindëshin e mbetur (minoritet serb).

Nëse, në atë moment, vendet perëndimore do t’i kishin mbështetur demokratët, të cilët në Jugosllavi i rezistonin aparatçikut të fortë (i cili, në mënyrë që të konsolidohej në pushtet, ndërroi ideologjinë e tij marksiste me nacionalizmin dhe provokoi sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe kosovarët, me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën, po ashtu krijoi klimën e ndarjes dhe ksenofobisë, me qëllimin për ta ndaluar demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që do t’i kishte dhënë fund karrierës së tij politike), Europa do t’i kishte shpëtuar dyqind mijë të vdekurit e Bosnjës dhe vuajtjet që prej atëherë i pësoi Ballkani, duke përfshirë, natyrisht, vuajtjet e vetë serbëve.

Problemi nuk është Kosova, siç nuk ka qenë edhe më parë ai i kulturave të tjera që përbënin Federatën Jugosllave – Sllovenia, Bosnja dhe Kroacia – dhe që tani janë republika të pavarura. Problemi ishte dhe është diktatura e Millosheviqit, burim kryesor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste që ia ka vënë flakën Ballkanit. Nëse në Beograd do të kishte demokraci, ndarja e atyre regjioneve do të kishte qenë kaq pacifiste, si divorci mes Sllovakisë dhe Republikës Çeke, që u realizua pa shtënë asnjë plumb. Por, më e mundshmja është që, me një regjim demokratik, shpërthimi i Federatës Jugosllave nuk do të kishte ndodhur dhe do të mbijetonte brenda një sistemi fleksibël të bashkekzistimit të kulturave, besimeve dhe traditave të ndryshme, sipas modelit të Zvicrës dhe Belgjikës.

Se kjo do të ishte një zgjidhje e arsyeshme, tashmë e pranojnë edhe shumë nga udhëheqësit e papërgjegjshëm europianë, të cilët, për të fituar zona të ndikimit politik dhe ekonomik, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe madje subvencionuan dhe armatosën lëvizjet lokale nacionaliste.

Kjo miopi favorizoi regjimin e Millosheviqit, i cili, i shndërruar në simbol të nacionalizmit serb dhe i ndihmuar nga një fushatë demagogjike viktimizuese, para se t’ia niste me Kosovën, realizoi një spastrim të vërtetë politik të brendshëm, duke eliminuar çdo formë serioze të opozitës dhe të kritikës.

Nuk ka dyshim se bombardimet që i vuajti popullata jugosllave nga NATO-ja ishin përfitimi jashtëzakonshëm për Millosheviqin, pasi në vendin e tij, tashmë, kushdo  që  i  kundërvihet,  akuzohet për tradhti ndaj atdheut.

Por, nga ky realitet, nuk është e nevojshme të nxjerrim argumentet që përdorin disa shpirtra kandidë kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, duhet të arrijmë në përfundimin se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, nëse ajo dëshiron që spastrimi etnik dhe krimet kolektive në Ballkan të marrin fund njëherë e mirë, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviqit dhe krijimi i një qeverie të lirisë dhe ligjshmërisë në Beograd.

Për sa kohë që koka e hidrës mbetet e paprekur, nuk ka rëndësi sa tentakula i priten, këto do të riprodhohen dhe do të vazhdojnë ta helmojnë Jugosllavinë dhe konturet e saj.

Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj, të cilët Daniel Kon-Benditi, në një ndër artikujt më të mirë që kam lexuar për Kosovën, i quan “sovranistë”. Kush janë ata? Disa zotërinj të matur, shumë respektues ndaj ligjit, për të cilët ndërhyrja aleate në Jugosllavi është një monstruozitet juridik, sepse duke qenë Kosova pjesë integrale e atij kombi dhe problemet kosovare një çështje e politikës së brendshme, komuniteti ndërkombëtar kur sulmon një komb sovran, vë në rrezik gjithë rregullin juridik ndërkombëtar.

Sipas këtij kriteri, në emër të sovranitetit abstrakt, Millosheviqi duhej t’i kishte duart e lira për ta spastruar Kosovën përmes vrasjes ose dëbimit të dhunshëm të dy milionë kosovarëve që bllokojnë planet e tij, diçka që, për më tepër, filloi ta bëjë para bombardimeve të NATO-s, me të njëjtën bindje me të cilën Hitleri spastronte Europën nga çifutët. 

Sovraniteti ka disa kufij dhe nëse një qeveri i shkel të drejtat më elementare njerëzore dhe kryen krime kundër njerëzimit, me vrasje kolektive dhe me politika të purifikimit etnik siç bën Millosheviqi, vendet demokratike (që, për fat, sot, janë gjithashtu më të fuqishmet dhe më të suksesshmet) kanë obligim për të vepruar, për t’u vënë fre këtyre krimeve.

I gjithë sulmi i armatosur është i tmerrshëm, sigurisht, sepse në të gjithmonë bien të pafajshëm. Por, pacifizmi ekstrem favorizon vetëm tiranët dhe fanatikët që asnjë skrupull moral nuk i ndal në veprimet e tyre dhe, në fund, shërben vetëm për t’i vonuar   intervenimet ushtarake që  përfundojnë duke shkaktuar shkatërrime më të mëdha dhe më të rënda sesa ato që donin t’i shmangnin me mosndërhyrje.

Nëse Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin kur Çërçilli [Churchill] e kërkonte, njëzet milionë të vdekurit e Luftës së Dytë Botërore do të kishin qenë shumë më pak dhe holokausti nuk do të kishte pasur vend. Nëse, gjatë Luftës së Gjirit, presidenti Bush do ta kishte përmbushur detyrën, duke rrëzuar Sadam Huseinin dhe duke i lejuar Irakut emancipimin nga autoritarizmi, ndoshta do të ndodhte atje, ajo që ndodhi në Panama pas rënies së tiranisë së Noriegas: krijimi i një regjimi civil, që nuk i kërcënon fqinjët e vet, që qeveriset nga ligji dhe respekton liritë publike.

Megjithatë, nuk bëhet fjalë për promovimin e intervenimeve ushtarake sistematike të demokracive të avancuara kundër të gjitha regjimeve autoritare që shumohen nëpër botë. Ky është iluzion. Dhe, për më tepër, nuk është e sigurt që një demokraci e ardhur përmes pushkëve të përshtatet dhe të japë rezultate (edhe pse kështu ka ndodhur në rastet më të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë dhe Japonisë).

Por të pretendohet një rregull ndërkombëtar ku nga të gjitha regjimet do të kërkohej një minimum respekti i të drejtave të njeriut dhe një sërë sanksionesh të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër atyre që i kapërcejnë këto të drejta në mënyrë flagrante, me persekutime religjioze, raciale apo etnike dhe vrasje apo dëbime të minoriteteve. Këto sanksione mund të jenë ekonomike dhe politike (të cilat kishin sukses në Afrikën e Jugut dhe në Haiti) ose, përjashtimisht ushtarake, kur, si në rastin e Kosovës, bëhet fjalë për ta ndaluar shfarosjen e të gjithë popullit për shkak të delirit nacionalist të një tirani.

Në këtë pikë, tashmë është e dukshme që përdorimi i fjalës “shfarosje” i shkon si këmishë për trupi operacionit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Operacioni filloi në mes të negociatave të Rambujesë, me mobilizimin (kundër kompromiseve të dakorduara në tetorin e kaluar) e 40 000 njerëzve të Ushtrisë Jugosllave kundër Kosovës, dhe izolimin hermetik të provincës përmes dëbimit të shtypit ndërkombëtar.

Dëshmitë e mbledhura përmes refugjatëve kosovarë në Maqedoni dhe Shqipëri tregojnë për një planifikim gjakftohtë, të ekzekutuar me precizitet shkencor. Në fshatrat e pushtuara, të rinjtë ndahen nga fëmijët, pleqtë nga gratë, dhe ekzekutohen, ndonjëherë duke i bërë që të hapin varret e tyre së pari. Të mbijetuarve u jepet një afat i shkurtër për të ikur jashtë vendit, për t’i privuar më pas nga dokumentet personale.

Regjistrat publikë zhduken duke i djegur, ashtu si i gjithë dokumentacioni që vërteton se ata kosovarë ishin pronarë të shtëpive, tokave, apo se njëherë e një kohë jetuan atje, apo ekzistuan. Etapa e fundit e operacionit (sipas UNHCR, më shumë se një gjysmë milioni kosovarë janë larguar jashtë vendit dhe rreth 250 000 janë zhvendosur brenda Kosovës) ka qenë mbyllja e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur brenda t’i shndërrojnë në mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake tokësore të aleatëve.

Në çfarëdo rasti, është e dukshme se objektivi i Millosheviqit është spastrimi etnik: ta bëjë Kosovën një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, pa asnjë gjurmë të myslimanëve dhe të shqiptarëve. A ka ndonjë lidhje vonesa e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar kundër Millosheviqit, me faktin se viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, siç ndodhi edhe në rastin e Hitlerit, kur aleatët u vonuan për ta shpallur luftën, pasi viktimat e holokaustit ishin hebrenjtë.

Jam i bindur se, nëse komuniteti që përjetoi vuajtjet dhe dhunën që duruan boshnjakët, ose që po e vuajnë tashmë kosovarët, do të kishte qenë i krishterë, reagimi i opinionit publik dhe i qeverive perëndimore do të kishte qenë shumë më i shpejtë, dhe në Perëndim nuk do të kishte pasur kurrë segmente kaq të gjera të përkushtuara për t’i mbajtur duarkryq qeveritë e tyre përballë këtyre krimeve.

Kjo është diçka që nuk thuhet, ose që thuhet me zë të ulët dhe mes njerëzve të besuar: a nuk po krijojmë një Moloh mes nesh? A duam një regjim islamik fundamentalist aleat të Gadafit, Sadam Huseinit dhe ajatollahëve në zemër të Europës? A mos vallë, në njëfarë mënyre,  Millosheviqi dhe serbët po luftojnë tani (siç bënë princ Llazari dhe serbët e asaj kohe më 28 qershor 1389) në Kosovë, kundër Gjysmëhënës barbare dhe fanatike, armike e përhershme e Europës së krishterë dhe të civilizuar?

Edhe pse duket gënjeshtër, ka demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe për këtë arsye sondazhet tregojnë se segmentet kundër ndërhyrjes ushtarake që do t’i shpëtonte kosovarët nga asgjësimi, i tejkalojnë shifrat elektorale që zakonisht arrijnë partitë komuniste dhe neofashiste, të binjakëzuara tani, edhe një herë, si në kohën e Paktit Molotov - Ribbentrop, në fushatën pacifiste kundër NATO-s.
11 prill 1999


Përktheu nga spanjishtja: Orjela Stafasani

Marrë nga libri “Çështja e Kosovës”, botoi “OM”, Tiranë 2019.