Pavle Deshpali, kompozitor e dirigjent kroat me prejardhje shqiptare, thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet. “Nuk e kam ndërmend ta lë skenën. Do të doja të vdisja në skenë”, kishte thënë ai në rrëfimin për “Kohën Ditore”, botuar më 27 shtator 2012 e ku fliste edhe për rrënjët arbëreshe e karrierën e suksesshme
Koha nuk ka arritur t’ia luhatë besimin se ende ka shumë për t’i dhënë skenës. I ka sfiduar edhe vitet që s’kanë lënë shumë gjurmë të plakjes në fytyrën e tij. Është më optimist se një 78-vjeçar i zakonshëm, pasi më shumë se gjysmën e dekadave të jetës së tij, ka “bashkëjetuar” me muzikën.
Pavle Deshpali, kompozitor e dirigjent kroat me prejardhje shqiptare, thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet. “Nuk e kam ndërmend ta lë skenën. Do të doja të vdisja në skenë”, thotë ai, teksa rehatohet në kolltukun e njërit nga lokalet e kryeqytetit. I çliruar që një natë më parë arriti të udhëhiqte me sukses koncertin e Filarmonisë – Opera e Kosovës, Deshpali, kthehet mbrapa në kohë, për të gjurmuar rrënjët e familjes së tij me gjak shqiptari.
Në një bisedë për “Kohën Ditore”, dirigjenti me nam botëror, është rrëfyer për familjen gjysmarbëreshe, karrierën e stërmbushur me çmime dhe ka ndarë përshtypjet për vizitën e tretë në Kosovë.
Lidhja e veçantë me shqiptarët
I biri i kompozitorit të njohur, Shime Deshpali, thotë se e konsideron veten kroat, por me rrënjë shqiptare. Historiku i familjes së tij është një rrëfim në vete. “Familja Deshpali ka ardhur nga Shqipëria Veriore dhe ka emigruar në Zarë, Dalmaci. Kanë qenë diku rreth pesë mijë veta dhe gjithmonë janë martuar mes vete. Babai im ka qenë i pari që është martuar me një kroate”, ka rrëfyer Deshpali. Fakti se ka jetuar në Kroaci dhe është rritur nga nëna kroate, i mjafton ta quajë veten kroat.
“Por, me prejardhje shqiptare”, ngutet ta përmirësojë vetveten. Ndërlidhjen më të madhe me shqiptarët e ka trashëguar nga babai i tij. Prej tij, ende i sillen nëpër mend fjalët shqip.
“Kur kam qenë i vogël shpesh kam interpretuar me piano veprat e babait tim që frymëzoheshin nga kultura arbëreshe. E kam dëgjuar shpesh duke folur shqip, por unë asnjëherë nuk kam mësuar të flisja, sepse nëna ime nuk fliste shqip”, ka thënë ai. Udhëtimet nëpër botë kanë qenë pjesë e pandashme e punës së tij. Por, Deshpali thotë se shtëpia e artistit gjithmonë mbetet ajo ku është rritur.
“Kam jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 15 vjet, e po ashtu edhe në Japoni, por gjithmonë kam dashur të kthehesha në shtëpi”, ka thënë Deshpali. Krahas shtëpisë, siç parapëlqen ta quajë Kroacinë, në zemrën e tij ka jetuar edhe dashuria për shqiptarët.
“Për Kosovën dhe Shqipërinë kam pasur gjithmonë ndjenja të veçanta, sepse babai im më ka porositur t’i dua shqiptarët dhe ai gjithmonë ka thënë se Kosova një ditë do të lirohet, por fatkeqësisht nuk jetoi mjaft për ta parë të lirë”, ka thënë Deshpali. “Por, gjithmonë ka besuar se do të ndodhë”, ka shtuar ai.
Paraja dhe arti
Kur pyetet për shtetin me muzikën më elitare në botë, Deshpali nuk mendon dy herë. “Gjermania, pa dyshim”, thotë me plot siguri. Por, kur i duhet të japë përshtypjen për shtetin që nuk ka një sallë të operës, i duhet të mendojë pak.
“Do ta quaja një shtet të pikëlluar. Por, shpresoj që edhe Kosova së shpejti do ta ketë sallën e operës. Deri më tani e di që salla e ka një emër dhe ky është një fillim i mirë”, thotë ai. Sa i përket profesionalizmit të muzikantëve të cilët i ka dirigjuar të dielën mbrëma në koncertin e parë të këtij sezoni të Filarmonisë – Opera e Kosovës, Deshpali nuk tingëllon pesimist.
“Janë shumë solidë, si fillestarë. Po ndihem shumë mirë pas koncertit të mbrëmshëm. Do të doja të kthehesha përsëri këtu”, ka thënë ai. Deshpali është i bindur që vetëm një gjë do ta shndërronte Filarmoninë e Kosovës në institucion elitar. “Paratë, sponsorët”, thotë ai. E mesazhi për muzikantët e rinj kosovarë është shumë i thjeshtë. “Duhet të punojnë shumë. Nëse janë të sigurt që kanë talent, le ta shtyjnë para, nëse nuk janë, le të heqin dorë që në fillim”. Për muzikantin veteran, armiku më i madh i artit është fakti se të gjithë i kanë sytë nga paraja.
“Nuk mund të them se politika e mbyt artin, sepse pa të nuk do të mund të mbijetonim. Por do të doja të kishin më shumë mirëkuptim për neve. Të gjithë brengosen për biznesin dhe as që i mendojnë gjërat e shpirtit”, ka thënë ai.
Muzikanti që nuk do t’i shohë trofetë
Një muzikanti me karrierë si Deshpali nuk është e mundur t’i mungojnë trofetë. Por ndryshe nga artistët e zakonshëm, trofetë nuk i mban në sirtar.
“I kam vënë lart në një vend ku s’mund t’i shoh, ku nuk më pengojnë. Fundja, cili është qëllimi i tyre?”, pyet Deshpali, derisa zbulon vendin ku i mban trofetë. “Shpërblimet i mbaj në zemër”, thotë ai. Deshpali nuk e mban mend numrin e saktë të koncerteve që ka dirigjuar gjatë karrierës disadekadashe, por nuk pranon ta quajë të dështuar ndonjërin prej tyre.
“Nuk do të thosha se kam ndonjë koncert të dështuar. Aksidentet ndodhin, por esenciale është ta kthesh situatën, kam arritur të menaxhoj rrethanat”, thotë me plot bindje. Jeta mes dirigjentit dhe kompozitorit nuk ka qenë e vështirë, pasi të dyja e kanë plotësuar njëra-tjetrën. Por nxitja për të krijuar art, ka qenë gjithmonë e njëjtë. “Një grua me personalitet të fortë”, thotë ai dhe qesh, teksa ngutet të japë përgjigjen serioze. “Të krijosh duhet të kesh inspirim nga brenda. Ai vjen vetvetiu te njerëzit që kanë talent”, ka thënë ai. Kur është fjala për mësimin jetësor që i ka dhënë karriera e tij, Deshpali ka vetëm një përgjigje, që s’bën përpjekje ta deshifrojë më tepër. “Bëhu i mirë me të gjithë, por mos i beso askujt”, porosit ai.