Shtojca për Kulturë

Kodi i Dushanit përballë çrrënjosjes së katolikëve të qendrave shqiptare

Padyshim se Kodi i Dushanit nuk ia doli që t’i çrrënjosë besimtarët katolikë të qendrave të ndryshme shqiptare që ranë nën sundimin serb, sidomos të zonave të thella malore. Madje, në shekullin XV u shënua rritje e konsiderueshme e popullatës katolike në tokat shqiptare, pasi që prej kësaj kohe është i njohur fenomeni kur tregtarët dhe vetë qytetarët, banorët e viseve të ndryshme, pra banorët autoktonë bëheshin qytetarë raguzianë sepse Raguza ua jepte atyre shtetësinë

Qarkoret papnore dhe Kodi i Dushanit

Në qarkoren papnore të Klimentit IV të vitit 1346 flitet për manastiret, kishat, pronat dhe fshatrat që sundimtarët e mëparshëm serbë i kishin uzurpuar, por gjykuar sipas kishave katolike të përmendura në këtë qarkore është e sigurt se ajo kishte të bënte me ndryshimet që erdhën në vitin 1219, kur zonat e juridiksionit katolik u ngushtuan me të vërtetë.

E gjithë kjo erdhi si pasojë e zbatimit të disa neneve të Kodit të Dushanit, që janë të drejtuara kundër katolikëve. Duke e pasur parasysh pozitën e kishës katolike dhe të komunave kishtare katolike, sikurse edhe tekstin e saktë të neneve të caktuara të Kodit të Dushanit, me besueshmërinë më të lartë mund të përfundohet se mbreti serb Dushani në mënyrë shumë të vendosur e ka ndaluar konvertimin e banorëve pravosllavë në katolicizëm dhe ai fare nuk i ka pasur parasysh nënshtetasit e tij katolikë apo tregtarët e viseve bregdetare. Nën nenin 6 dhe 7 thuhet se i “krishteri”, që në terminologjinë e Kodit të Dushanit është besimtari ortodoks dhe që është konvertuar në katolik, duhet domosdo të kthehet në ortodoksizëm, prandaj për këtë qëllim “Kisha e Madhe nëpër të gjitha qytetet dhe qytezat ka vendosur kryepriftërinj”.

“Gjysmëbesimtari i martuar me gruan ortodokse duhet të konvertohet në krishterim”

Edhe neni i 9 i Kodit të Dushanit ka të bëjë me katolikët në të cilin thuhet se “besimtari katolik (në origjinal gjysmëbesimtari – S. L.), që është martuar me gruan ortodokse duhet të konvertohet në krishterim. Nëse gjysmëbesimtari refuzon të veprojë kështu, atëherë atij i merret gruaja dhe fëmijët dhe atyre iu jepet një pjesë e shtëpisë, kurse gjysmëbesimtari do të dëbohet prej aty”, thuhet në nenin e 9, me çka lihet të kuptohet se me këtë ndalohej martesa e përzier, apo më saktësisht një martesë e tillë kushtëzohet me konvertimin e bashkëshortit në besimin ortodoks.

Padyshim se Kodi i Dushanit nuk ia doli që t’i çrrënjosë besimtarët katolikë të qendrave të ndryshme shqiptare që ranë nën sundimin serb, sidomos të zonave të thella malore. Madje, në shekullin XV u shënua rritje e konsiderueshme e popullatës katolike në tokat shqiptare, pasi që prej kësaj kohe është i njohur fenomeni kur tregtarët dhe vetë qytetarët, banorët e viseve të ndryshme, pra banorët autoktonë bëheshin qytetarë raguzianë sepse Raguza ua jepte atyre shtetësinë. Njëkohësisht shtetësia raguziane iu ndihmonte atyre edhe në rastet kur ata paraqiteshin para gjykatave, pasi në ndarjen e drejtësisë duhej të zbatohej e drejta sase apo raguziane!

Katolikët e viseve të Ballkanit nën pushtetin osman dhe vasaliteti serb

Rrethanat e veprimit të bashkësive kishtare ndryshuan qenësisht me pushtimin osman të viseve ballkanike. Sidomos duhet të tërhiqet vërejtja rreth pasojave që shkaktoi sistemi fiskal që osmanët në Ballkan e lanë në dorë të popëve serbë! Të kujtojmë se në kuadër të organizimit të administrimit osman u vendos sistemi fiskal në bazë të të cilit zyrtarët kishtarë duhej të paguanin taksa për “beratin” dhe taksat vjetore në përputhje me madhësinë e famullisë dhe numrit të besimtarëve (peshqeshin dhe qesimin). Prelatët katolikë nuk u përfshinë në këtë sistem, por për besimtarët katolikë në territoret e reja të sulltanit, përgjegjës për vjeljen e taksave tani ishin argjipeshkvit, mitropolitët apo ipeshkvit të territorit, ku në fakt ndodheshin këta besimtarë. Si pasojë e këtij sistemi, besimtarët katolikë duhej t’ua paguanin taksat e parapara zyrtarëve të kishës ortodokse në shumicë joshqiptare! Krahinat që i hoqën të zitë e ullirit në këto vite ishin sidomos famullitë e shumta katolike që iu mbijetuan konvertimeve të kishës serbe dhe që gjatë sundimit serb u gjetën nën juridiksionin e Patriarkanës së Pejës.

Mbase përveç vjeljes së tatimeve, jo vetëm në territorin e Kosovës së sotme, por edhe në krahinat e tjera shqiptare, priftërinjtë serbë kanë qenë ndihmësit kryesorë në regjistrimet fillestare në defterët osmanë në vitet e para të shtrirjes së administratës osmane në Ballkan.

Linguisti i njohur dhe studiuesi i onomastikës Mitar Peshikan është shprehur se “regjistruesit osmanë, apo përpiluesit e parë të defterëve tanimë të njohur, në të shumtën e rasteve janë shërbyer me dokumente të shkruara në alfabetin cirilik, prandaj edhe në defterët osmanë mund të hasen emra të tillë që në asnjë mënyrë nuk mund t’i përgjigjen shqiptimit popullor! Pra, ka raste kur para se emrat të përfshiheshin në defterët përkatës, ata të jenë arkaizuar!”. Por, ajo për të cilën e tërheq vërejtjen Peshikan dhe që në njëfarë mënyre e vërteton pjesëmarrjen e priftërinjve ortodoks (serbë – S. L.) në regjistrimin e popullsisë dhe të mirave materiale në krahinat shqiptare, konkretisht shihet në rastin “e krahinës së Gjakovës dhe Junikut ku në të dy anët e Erenikut koncentrimi i popullsisë shqiptare është mjaft i madh, por në defterët osmanë, ku është paraqitur gjendja faktike në këto zona, vërehet se emrat e banorëve të zonave të lartpërmendura janë emra të vjetër serbë!”, ka konstatuar Peshikan.

Martesat e bijat të sundimtarëve serbë në oborrin e sulltanit

Faktor tjetër me rëndësi të veçantë të luftimit të besimtarëve katolikë në viset e Kosovës së sotme dhe në fqinjësinë e saj kanë qenë martesat e bijave të sundimtarëve krahinorë serbë me pjesëtarët e oborrit të sulltanit osman.

Përveç përforcimit të vasalitetit serb, këto bija të serbëve në mënyrë automatike e gëzonin të drejtën e garantueseve kryesore të ruajtjes së autonomive fetare të kishave serbe. Mara Brankoviqi, e bija e Gjurgj Brankoviqit e martuar për Sulltan Muratin II, përveçse që si peshqesh ia dhuroi sulltanit krahinën e sotme të Toplicës, ajo njëherësh ishte përgjegjëse dhe mbrojtëse e të gjitha kishave që ndodheshin në territorin e sotëm të Luginës së Preshevës dhe krahinave në fqinjësi. Madje sulltanesha Mara, siç e quajnë disa autorë serbë, angazhoi veprimtarë të kishës ortodokse duke i paguar ata që të shkruanin traktate dhe të vepronin kundër kthimit të besimtarëve të dikurshëm katolikë në besimin e tyre të mëparshëm. Njëra prej këtyre qendrave në gjysmën e dytë të shekullit XV me një aktivitet të bujshëm antikatolik ishte e vendosur në Manastirin e Mateçit që ndodhej disa kilometra në perëndim të qendrës së Kumanovës i rrethuar prej fshatrave shqiptare!

Në fund duhet t’ua bëjmë me dije lexuesve se për përgatitjen e këtij teksti janë shfrytëzuar artikujt studimorë të Sima Qirkoviqit “Ndikimi i mesjetës në formimin e hartës etnike të Ballkanit” dhe “Famullitë katolike në Serbinë mesjetare” të botuara në vitin 1997, artikulli i antropologut Bojan Jovanoviq “Serbët dhe perandori i shenjtë Kostadin”, botuar në vitin 2011 dhe artikulli “Emrat e Zetës dhe Rashës në fillim të epokës turke” të autorit Mitar Peshikan të botuar në vitin 1982.