Kur dielli ka nisur të perëndojë dhe kanë nisur të bien nuancat e muzgut, tingujt e muzikës klasike kanë filluar jehonën. “Katër stinët” e Vivaldit ka ardhur e plotë në ambient të hapur, duke u harmonizuar me peizazhin e Prishtinës. E shkruar para tre shekujsh ka ardhur me tisin e saj baroken në një mbrëmje unike që përmbyll kapitullin e shënimit të çerekshekullit të Ditës së Çlirimit
“Nën tingujt e Prishtinës”, festa në kryeqytet ka qenë në tjetër dimension. Me veprën monumentale “Katër stinët” të Antonio Vivaldi, muzika klasike ka shënuar pozicionin e saj në prezantimin e kulturës së vendit në kuadër të aktiviteteve për çerekshekullin e Ditës së Çlirimit të Kosovës. Ka marrë ngjyrat e barokut. Të premten në mbrëmje, skena e muzikës klasike është zhvendosur në ambient të hapur – në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Jo shpesh praktike, por ngjan më se adekuate në kohën kur në sallat në kryeqytet nuk ka zgjidhje madje as për telashet më të vogla, siç është vapa në këtë rast. Kur dielli ka nisur të perëndojë dhe kanë nisur të bien nuancat e muzgut, tingujt e muzikës klasike kanë filluar jehonën. Koncertimi në këtë formë ka ngjarë si një lloj afrimi me publikun me synim që skena e muzikës klasike ta zgjerojë audiencë. Por përtej krejt kësaj, me të është shënuar njëra prej ngjarjeve të historisë së vendit.
Orkestra e përbërë kryesisht prej harkorëve, nën përcjellje të instrumentit unik “clavicembalo”, nga familja e instrumenteve me taste, ka sjellë magjinë e shkëlqimin e “Katër stinëve”.
Paksa destruktive është hapja e veprës. Violina solo fillon lojën me një interval shumë të shkurtër e që më pas përshtatet si standard në formacion. Bashkëveprimi i lojës solo nga violinisti Visar Kuçi, i cili e ka udhëhequr këtë orkestër, bashkë me shumëllojshmërinë e tonit dhe ngjyrave të tingujve e sjell veprën tejet atraktive.
Kuçi, i cili e ka përzgjedhur veprën për ta interpretuar në një rast të tillë, ka thënë se ajo është luajtur në shumë forma e versione të ndryshme, sikurse edhe formacione, por rrallë është sjellë e plotë.
“Është një vepër shumë atraktive dhe diçka që unë si violinist mundem edhe të luaj solo, por edhe t’i dirigjoj. Është një vepër që e njoh shumë mirë. Për shkak të kohës shumë të shkurtër që kemi pasur është dashur të bëjmë kompromis në shumë aspekte, shumë detaje. Kjo ka qenë një prej arsyeve që e kemi zgjedhur”, ka thënë Kuçi, koncert-mjeshtër i Filarmonisë së Kosovës.
Ai e ka bërë përzgjedhjen edhe të pjesëtarëve të ansamblit. Ka thënë se e ka bërë një lloj përzierje të instrumentistëve të rinj dhe ata më me përvojë.
“Prej përvojës që kam me kolegë, por disa prej tyre kanë qenë edhe ish-studentë të mi, disa prej tyre janë kolegë me të cilët punojmë çdo ditë. E kam bërë një përzierje të katër gjeneratave të ndryshme.
Jam munduar ta bëj orkestrën në mënyrë që të ketë më shumë të rinj mbase, por gjithmonë me ata që kanë më shumë përvojë dhe ka funksionuar shumë mirë. Sonte ishte një moment shumë i bukur”, ka thënë Kuçi.
Në pjesën e parë, që është “Pranvera” si stinë e parë, tingujt ngjajnë sikur vijnë më këmbëngulës. Kuçi shpesh thur tinguj të butë në shoqërim të thjeshtë të harkorëve. Ngjan se peizazhi i pranverës është aty. Pjesët kumbuese harmonizohen me ndryshimet natyrore.
Në “Verë” pjesa vishet me tinguj më të qëndrueshëm. Është një lloj ndjenje e kaosit. Karakterizohet nga disa pauza që përzihen me efektet e zhurmës së natyrës përreth, që e bëjnë edhe më bindëse se ajo i kushtohet peizazhit të verës, në një mbrëmje vere në kryeqytet.
Drama vazhdon në “Vjeshtë” me zvarritjen e tempit teksa “Dimri” është plot efekte emocionuese dhe janë të dallueshme që në hapje. Shumë prej tonaliteteve janë të mbushura me drama të fuqishme, ndërsa kontrastet janë të menjëhershme.
Në koncertin “Nën tingujt e Prishtinës”, violinisti është kujdesur për udhëheqjen e formacionit. Nuk ka pasur dirigjent. Ka thënë se veprës së kohës së barokut i japin ngjyrë e stil baroku me ‘clavicembalo’.
Në këtë instrument ka luajtur pianistja Pranvera Hoxha. E ka konsideruar veprën madhështore, ndërsa sfiduese lojën në ambient të hapur.
“Kjo vepër është kompozuar para treqind vjetësh dhe ne e kemi risjellë në skenë në ambient të hapur që është goxha sfiduese duke e pasur parasysh që ka shumë nuanca dhe efekte muzikore që duhet të vërehen gjatë interpretimit. Në ambient të hapur është shumë më ndryshe të interpretojmë sikurse edhe për publikun. Po shpresoj se mbrëmja sonte ka sjellë frymë krejt të re në kryeqytet”, ka thënë Hoxha.

Lojën në ‘clavicembalio’ e ka vlerësuar sfiduese pasi funksionon ndryshe nga pianoja, por edhe për shkak të teknikës interpretuese.
“Kemi pasur fatin që kur Filarmonisë i janë dhuruar instrumentet është dhuruar edhe ‘clavicembalio’ pasi një kohë ka qenë mungesë në Kosovë. Prej asaj kohe kemi pasur mundësi ta luajmë veprën me instrumentin origjinal për të cilin është shkruar. Natyrisht se është më sfiduese ngase është tjetër teknikë e interpretimit, e shtypjes së tastit, për dallim prej pianos. Po ashtu pjesa e zezë është e bardhë këtu dhe anasjelltas, siç kishte ngjarë me pianot e para dikur. Kjo natyrisht se e bën më sfiduese, por më tepër është te teknika, loja, mënyra sesi interpretohet”, ka thënë ajo më tej.
Bashkë me Komunën e Prishtinës koncertin e ka organizuar organizata “EHO”. Artisti Genc Salihu, udhëheqës artistik i saj, ka thënë se veçantia e koncertit në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit ka qenë muzika klasike. E ka konsideruar mënyrë e bukur dhe të sofistikuar për t’i përmbyllur aktivitetet.
“Një vepër shumë e njohur, njëkohësisht edhe shumë e bukur, por edhe shumë e arrirë. Çfarë është interesante për këtë vepër, është ajo çfarë e quajmë vepër programore, që nuk është thjesht muzikë, por muzikë tematike e bazuar në një ide që është jashtë muzikore. Në këtë rast në përfundimin e katër stinëve. Kjo vepër është ajo që e veçon veprën ‘Katër stinët’”, ka thënë Salihu.
Sipas tij, më të veçantë e bën këtë koncert interpretimi i muzikës klasike në ambient të hapur dhe vepra tejet gazmore.
“Kjo është vepër e muzikës së vjetër, muzikë baroku, që është kompozuar para 300 vjetësh dhe nuk kemi rastin ta dëgjojmë shumë shpesh. Zakonisht luhen vepra më të vonshme klasike”, ka thënë Salihu.
Koncerti “Nën tingujt e Prishtinës” ka sjellë veprën monumentale “Katër stinët” të Antonio Vivaldit duke prezantuar në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Çlirimit pozitën e pazëvendësueshme të muzikës klasike në skenën kulturore të kryeqytetit.