Filli i ndërtimit të manastirit humb në mugëtirën e kohërave. Ndonëqë një kronikë e vonë bullgare mëton se manastiri qenka ndërtuar më 1020 prej një kleriku dibran të quajtur Gjon, pamja e tij impozante është më tepër fryt i dy shekujve të fundit. Me një jetë të gjallë murgjërore, manastiri i Shën Gjon Pagëzorit “Bigor” është një copëz bizantizme që është shkartisur me botën malësore të Dibrës. Aty nyjëtohen dhjetëra histori që prej aktdhurimeve të Kastriotëve e deri te puna mjeshtërore e artistëve më të shquar ikonografë të Shqipërisë së shekujve 18-të e 19-të. Shën Bigori për disa vjet gjatë Luftës së Dytë Botërore njohu për autoritet të vetin epror Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
Në ditën e parë të shtatorit vetura zhurmëpak po përpinte kilometrat në rrugën panoramike që lë pas Gostivarin dhe lakadredhohet drejt Mavrovës. Udhëtimi është më së paku udhëtim kur bashkërrugëtarët e tu rastisin të jenë gazetari, Shaban Maxharraj e arkeologu, Milot Berisha. Rravgimi i mezipritur për të parë manastirin dibran të Shën Gjon Pagëzorit “Bigor” nuk është përgjigje ndaj një nostalgjie të dikurshme. Në të tilla raste nostalgjia sikur zhdavarit edhe të fundit vizion fëmijërie kur peizazhet e dikurshme, që dikur dukeshin të paskaj, vijnë me përpjesëtime të vogla e dëshpëruese. Me dy bashkërrugëtarë të denjë, udhëtimi drejt manastirit të Bigorit është shkëputje e plotë mes bisedave të pasosura mbi histori mesjetare, mbi Kastriotët, mbi defterët osmanë, mbi ustallarët dibranë, mbi gurët e llojit “bigor”, mbi Sfetigradin e askundvend. Syprina bunacë e liqenit të Mavrovës që nxjerr krye aty-këtu mes kthesash të rrugës dhe faqeve të malit të veshura me lajthi e shkurre, i bën një temena nderimplotë kuvendimit tonë brenda në veturë. Sapo lëmë pas Vrutokun prej të cilit shkulmon Vardari, lumi i Radikës tok me ne gjarpëron nëpër të çarat e luginës mijëvjeçare e cila sipër vete ka kurorat e Korabit, Deshatit dhe Bistrës.
Udhëtimi këndejpari është edhe një heqje kapele, si një përnderim vajtimtar, për krahinëzën e Rekës e për katundet thuajse pa shenja jete. Ato tashmë janë veçse referenca tabelash në rrugë: aty është Dufi, këndej Kiçinica, më tutje Niçpuri, e më pas vargani me Volkovinën, Vërbjanin, Sencën, Zhirovnicën e Boletinin.
Diku e kruspulluar mes malesh të menduara është edhe Nistrova. Ajo njëherë e një kohë përmes vjershëtorit të saj zemërplastë Josif Bageri e kishte gërricur gurëvarrin e këtyre anëve me këtë jetëshkrim: “Tetëmbëdhjetë copë / katunde ka në Rekë/ Po gjindja e kësaj/ jan gjyku për me hjek”.
Udhakimi në këtë pjesë do të ishte i mangët po ta anashnxirrte këtë histori të arkivuar thuajse askund e po të mjaftohej vetëm me udhërrëfimtarë turistikë e resorte turistike që pikëzojnë parkun e Mavrovës.
“Unë mëkatari Gjon Kastrioti...”
Rruga drejt Rostushës i ka gjithnjë e më të rralla ngrehinat e gjithnjë më të dendur masën pyjore. Aty ku në të majtë dredhon rruga për në faqemalin e Bistrës ngrenë kryet edificet e manastirit të Shën Gjon Pagëzorit. Sapo zbret nga vetura dhe ajri i bilurtë i lartësive të mbushë mushkëritë, historia e mesjetës është thuajse e gjallë para nesh, së paku në emra. Në faqet e malit përkundrejt manastirit shquan katundi Trebisht e jo larg tij Velebërda. Në këmbë të malit është Rostusha. Në të largtin mot 1426, një bujar sanguin i këtyre tërthoreve me emrin Gjon Kastrioti kishte bërë diçka sa të ngjallte interes kudo. Në arkivat e manastirit atonit të Hilandarit, një dokument nën numrin 82 paraqet një aktdhurim të lëshuar në vitin 6934 (sipas sistemit bizantinçe të kalendarit ky përkon me vitin 1425-26). Në pergamenë ku është gërricur një tekst prej 25 rreshtash në alfabet cirilik e në sllavishte kishtare, fisniku arbëror vendos t’ia dhurojë manastirit të Hilandarit fshatin Radostushë me kishën e Shën Mërisë së Papërlyer dhe fshatin Trebisht. Karta në fjalë nuk fillon me kryqin, si invokim simbolik, por sall me një deklarim përvutnie: “...unë mëkatari dhe i pamerituari...Gjon Kastrioti me djemtë e mi Stanishin dhe Reposhin, Konstandinin dhe Gjergjin...dhe pasi u këshillova me djemtë e mi i dhuruam manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë....fshatin Radostushë me kishën e Shën Mërisë së Papërlyer që është në atë fshat Radostushë si dhe fshatin Trebisht”. Është një akt fjalëpak ku Gjoni me të bijtë heqin dorë nga të drejtat feudale që gëzonin deri asokohe mbi këto dy katunde. Është bota ortodokse e fisnikërisë arbërore para gjashtë shekujsh. Është një portë e mbyllur me shul gjigand.

Mrekullia prej bigori
Hyrja brenda kompleksit të ngrehave të Shën Gjon Pagëzorit seç ka diçka rrallësisht majestike. Në një qiell të pastër të mesditës, ku farfuritin xixa të manushaqta, rendi i këtushëm manastiror ngjan si i tjetërbotshëm. Është një copëz atemporale që në vete e ka një bizantizëm të përshtatur në një mjedis epik malësor.
Të gjitha edificet madhështore e qarkojnë një kishë me përmasa jo dhe aq të mëdha. Mjeshtëria dibrane dhe mijake i ka dhënë identitet këtij ishulli manastiror me lëndën që përbën kishën dhe të gjitha ngrehat e tjera. Ato janë të ndërtuara me një lloj guri gëlqeror vrima-vrima që në sllavishten lokale njihet si “bigor” e që është bërë prej kohësh edhe pjesë e fjalësit të shqipes së viseve lindore. Si jabanxhi që mësyn papritur në një manastir si ky, e kupton sakaq sa me fat je kur kompleksi i Shën Bigorit ka veçse tek-tuk ndonjë vizitor. Është përparësi në vete të qenit në njëfarë mënyrë “vendës” kur bën këso pelegrinazhi turistik. Je në aso pozicioni “rational flâneur” (bjerraditës racional) siç e kishte quajtur para më shumë se një dekade intelektuali libanezo-amerikan, Nassim Nicholas Taleb. Është një improvizim gjindshmërie për t’i ikur ravës së paracaktuar të udhëtimit si turist; është një varavingo sa andej e sa këndej me ndalesa të papritura e me informacione po ashtu të papritura. Dhe në ç’formacion tjetër mund të ngjajë kjo përveçse kur bashkështegtarë të tu janë gazetarë e arkeologë.

Më i bukur se në film
Përshtypja e parë që ngallmon ecja nëpër kalldrëmin e manastirit është ajo e një hijerore të mbajtur pastër deri në përkryerje. Ngrehat dykatëshe prej bigori janë konakë që thuajse për dy shekuj e kanë fiksuar pahun e manastirit dibran. Sado që tekstura e jashtme e këtyre bujtinave është gjithunji osmane, është prapëseprapë dora e mjeshtërve dibranë e mijakë që i dha gjithçkajes një cergë origjinaliteti. Rindërtimi i fundit vetëm sa e ka hijeshuar edhe më fort kompleksin. Ç’është e vërteta, qetësia e sotme asketike e bën edhe më të bukur manastirin sesa kur në fundvitet ‘50 aty ishin xhiruar disa nga skenat magjepsëse të filmit jugosllav, “Miss Stone”.
Shkartisje stilesh e qytetërimesh
Kisha i shkërben me të madhe atyre që pikëzojnë shpatijet e Atosit në Kalkidikë, veçmas me dy kupolat tetëkëndëshe, ku më e vogla është afër hyrjes kryesore, kurse ajo më e madhja ndodhet në brendësi të kompleksit. Teksa i afrohemi kishës, shkallët e jashtme të saj më fort janë për të shijuar pamjet marrafrymëse të luginës së Radikës poshtë sesa për t’u ngjitur në naos. Derisa ende e ruan sharmin e restaurimit të fundit, kisha megjithatë ka një staturë mjaft të pazakontë planimetrike. Po të flasim me gjuhë arkitektësh, i gjithë naosi është i mbuluar prej një kupole goxha të madhe (rreth 9 metra në diametër). Narteksi alla-bizantin kurërzohet me një kupolë më të vogël e mbështetur së brendshmi dhe nga shtylla tetëkëndëshe së jashtmi. Porse tekstura e jashtme nuk mund të pikëpyetësojë vlerësimin e bizantinistit Lowell Clucas, sipas të cilit karakteri arkitektonik i kishës nuk lë dyshime për sa i përket lidhjeve me arkitekturat e xhamive turke.
Dhe kjo fundja nuk është larg mendsh sapo të evokohen realitetet historike. Sipas shënimeve, një nga rindërtimet më të njohura të kishës është ai i bërë në vitin 1796 në vendin e një kishe fort më të moçme, nga e cila nuk ka shpëtuar askurrfarë mbijetoje.

“Më 1796, arkidhjaku Stefan u zëvendësua prej igumenit energjik Mitrofan (1796-1807), ku gjatë kohës së tij u ndërtua kisha e sotme”, thuhet në publikimin “Bigorski naučno-kulturni sobiri 1974-1975” të historianit nga Gostivari, Haralampije Polenakoviq.
Një “dobar čovek” nga Prishtina
Me tre qirinj që i ndezim sa për respekt në hajatin e kishës, njëri nga priftërinjtë sakaq shpejton drejt nesh. Është i përzemërt e mikpritës dhe po këtë çehre e ka edhe kur mëson se jemi nga Prishtina. “Pacoli je dobar čovek”, thotë në buzagaz. Na duket paksa e pavend ta pyesim se për ç’arsye politikani nga Prishtina gëzon simpatinë e vëllazërisë murgjërore në Shën Bigor. Mund të jetë edhe ndonjë donacion i tij pas djegies së një pjese të manastirit më 2009, porse kjo ndërdyshje zhdavaritet atypëraty teksa hyjmë në narteksin gjysmë të errët të kishës.
Ikonostasi me qindra motive
Me durim e ndjenjësi, ai na shpjegon në maqedonisht për të kushedi të satën herë për çdo çip të brendisë së kishës teksa ne me pak hapa i avitemi ikonostasit marrafrymës. Është ngashënjyes jo vetëm me përmasat e tij, por edhe me një botë të tërë që jeton e skalitur në dru. Ndaj, fjalët prej kallauzi të priftit nuk duken aspak nervacingëritëse. Aq shumë motive të gjalla jete, aq shumë nuanca nga bota dibrane e mijake, aq shumë skena nga Dhiata e Vjetër dhe e Re! Si çdo përjetësim arti që kërkon një shtysë benefaktori a vullneti të çeliktë, këtë meritë këtu e mban arkimandriti Arsenije në fillim të shekullit të 19-të (në fakt, dora e fundit i është dhënë manastirit në vitin 1835). Grishjes së Arsenijes do t’i përgjigjeshin plot mjeshtër nga Dibra dhe gjithë Shqipëria: ikonografë e drugdhendës.
Ky ikonostas që gëlon me mijëra figurina njerëzore është fryt i punës së mjeshtërve të vyeshëm mijakë Makarije Fërçovski prej Galiçniku dhe vëllezërve Petre e Marko Filipovski (Garkata) nga fshati Gar. Ndalimi i shkrepjes së fotografive brenda narteksit sikur pamundëson të përkapet krejt subtiliteti artistik i shkrirë për kushedi sa vite pune në këtë ikonostas.
Moshti që bashkon të kërshtenë e muhamedanë
Me zërin kumbues të priftit kallauz në anën e djathtë është një arkë me relikte, që janë thuajse krenaria e bashkarisë bigoriane. Më e rëndësishmja prej tyre është një cifël ashti që thuhet se është prej krahut të djathtë të Shën Gjon Pagëzorit. Në këtë arkë argjendi besohet se janë edhe mbetëza prej dhjetë shenjtorëve të tjerë. Ndërsa kallauzi ynë na tregon për më të mbramën “mrekulli” sesi është shëruar një fëmijë nga leukemia, e përbrendshmja e këtij manastiri është pikërisht ajo që e shqoi teologjinë ortodokse për qindra vjet. Aty përnjihet besimi në reliktet e shenjta, ashtu sikundër edhe në fuqinë mrekullibërëse të ikonave. Te kërshtenimi ortodoks është besojca që trupi i shenjtorit nuk kalbet pas vdekjes, madje çuditërisht erëmon këndshëm. Kësisoj, besimtarët plot përvutni i adhurojnë këto mbetëza e i puthin për të përftuar përdëllimin e tyre. Këto, mbetëza ose siç njihen moshti, zakonisht ruhen ndër manastire. Në të vërtetë, historia manastirore në këto pjesë të Shqipërisë, ashtu sikundër edhe gjetkë në Ballkan, është ajo e një sinkretizmi të vazhdueshëm. Te moshti e te ikonat mrekullibërëse vinin përunjësisht edhe ata që kaluan në muhamedanizëm.
Parakalim artistësh nga Shqipëria
Me të dalë nga kisha, me kallauzin prift që vazhdimisht i përgjigjet kërshërisë sonë për gjithçka, afreskat murale janë së tejmi grishëse për këdo. Thirrjes së vullnetmirit arkimandrit i ishin përgjigjur edhe mjeshtër të dëgjuar nga çdo anë e Shqipërisë. Në vitet ‘30 të shekullit të 19-të në manastirin e Shën Bigorit erdhën edhe zografët nga Samarina: Mihajl Anagnosti me të bijtë Dhimitrin dhe Nikollën. Ata e ormisën me afreske mensën e kishës dhe ikonostastin. Dora e tyre është përjetësuar edhe me afreske të tjera kudo në anë të Dibrës si në kishat e Rajçicës, Bitushës, Trebishtit, madje edhe në Demir Hisar. Kjo traditë ikonografike e Shqipërisë jugore do të përcillej te skioni i fundit i tyre, Diço Zografi prej katundit Tresonçe. Si nxënës zelltar i Anagnostëve, dibrani mijak do të vijonte punën me mbi dy mijë afreske gjithandej Ballkanit qendror.
Në mejtimet që e kishin paraprirë dhe pasuar filmin sovjetik të vitit 1966 “Andrei Rublev”, regjisori Andrei Tarkovsky pati thënë se ikonografi rus i shekullit të 15-të afresket i bënte si detyrim i përvutë ndaj provanisë e jo si indulgim i lirë artistik. Me mendimet gjithfarëshe që reshin në këtë naos ortodoks, edhe afresket e drugdhendjet e bëra nga mjeshtrit e Shqipërisë, duhet të jenë bërë si tribute ndaj hyjnores.

Shën Bigori flet edhe shqip në internet
Pyetjet nuk kanë të ndalur e pokaq edhe përgjigjet e priftit kallauz. Nganjëherë kur e gjen veten pak si pisk nga pyetjet e papritura thotë se i vjen keq që nuk ndodhet aty “prifti nga Shqipëria”, të cilin e përmend si Filipi nga Elbasani. Në të vërtetë, që prej vjeshtës së vitit 2022 webfaqja zyrtare e manastirit ka afishuar përmbajtje edhe në gjuhën shqipe krahas asaj në maqedonisht, anglisht e greqisht. Një shëtitje nëpër faqen virtuale në shqip gëlon nga materiale interesante mbi historinë e manastirit të Shën Bigorit, të kaluarës e të tashmes së tij. Madje, në tekstet me moralizime të kërshtena ka edhe të tilla që janë shkëputur prej revistës së dikurshme “Jeta kristiane”, e cila në periudhën gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë organi zyrtar i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Lidhje të këputura
Lidhjet e nduarndurta të manastirit të Shën Bigorit me Shqipërinë e Mesme kanë ekzistuar deri në kohën kur u ravijëzuan kufijtë modernë. Madje rrezja e ndikimit të manastirit mbërrinte deri në Elbasan: faqja e manastirit ende afishon historinë me njëfarë beu mysliman nga Elbasani, i cili ishte në hall me të birin e tij të sëmurë. Duke iu përgjigjur një shajnie prej ëndrre ku me gjasë i ishte paraqitur Gjon Pagëzori, beu shkoi deri në manastir dhe e lau fëmijën me ujin e shenjtë (agiasma). Me mrekullinë që ngjau aty për aty ku fëmija u shërua, beu plot mirënjohje i dhuroi manastirit një ullishtë afër Elbasanit.
Sërish Kastriotët
Ndërsa vazhdon muhabeti, Shabani sakaq e pyet priftin nëse di ndonjë gjë më shumë për historinë e manastirit të Shën Bigorit dhe Gjon Kastriotin i cili kishte dhuruar mjete për meremetimin e tij. “Da, da” – përgjigjet si shpejt e shpejt prifti – manastirot e star iljada godini. Mnogu poedinci doniraa”.
Sado që kjo i përket atyre episodeve që gjenden vetëm në skaje fusnotash të ndonjë studimi specifik, lidhjet e Kastriotëve me manastiret ortodokse ishin të shumënduarta nga ç’kuptohet prej dedikimeve të shumta. Kjo mund të ketë sens edhe kur kihet parasysh rrethana që Gjon Kastrioti në dekadat e para të shekullit të 15-të mund të ketë ushtruar funksionin e subashit të Tetovës. Ndonjë studiues serb, si fjala vjen Nebojsha Gjokiq, thotë se babai i Skënderbeut mund ta ketë ndërtuar manastirin e Shën Bigorit.

Albanisch?
Ç’është e vërteta, në kohën kur shtetit neofit shqiptar po i diskutoheshin kufijtë, manastiri i Shën Bigorit apostrofohej shpeshherë nëpër biseda diplomatike. Në dritën e cakërrimeve se në ç’anë të kufirit duhej të lihej krahinëza e Rekës së Epërme, konsulli austro-hungarez në Shkodër, Theodor Ippen e kishte çikur këtë çështje me konsullin rus, Aleksandr Michajlovič Petraev. Atë e bënte më të ndërlikuar edhe fakti që për dy peshkopë në trevën e Dibrës po rragateshin hem Ekzarkati bullgar, hem Patriarkana. Kur austriaku e kishte pyetur bashkëfolësin nëse manastiri i Shën Gjon Bigorit ishte sllav, diplomati rus ishte gjegjur se ky ishte një themelim bizantin (“eine Byzantinische Gründung”). Njashtu, Ippeni e kishte njoftuar Petraevin se ortodoksët e Rekës ishin shqiptarë, madje burimet e tij i vinin në dukje se prifti dhe mësuesi i fshatit në Galiçnik flisnin një shqipe të kulluar (“vollkommen albanisch sprechen”) dhe që kjo vlente për të gjithë banorët në ato tërthore.

Në harkun vitshkurtër 1941-44, bashkimi i pjesës më të madhe të Kosovës dhe një rripi të Maqedonisë Perëndimore me Shqipërinë kushtëzoi edhe rikonfigurimin e strukturës organizative të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Kështu, qysh në vjeshtën e vitit 1941 në Tiranë ishin dorëzuar plot priftërinj për fshatrat e Dibrës dhe Strugës. Në korrik të vitit pasues, Sinodi i Shenjtë i KOASh-it krijoi edhe dioqezat e Prizrenit, Peshkopisë dhe Strugës që përkonin me tokat e sapoçliruara.