Shtojca për Kulturë

Kallogjerët analfabetë serbë, mbrojtësi shqiptar i kishave e manastireve

Siç është e njohur, në kuadër të mbrojtjes së kishave dhe manastireve ortodokse gjatë sundimit osman por ndoshta edhe më herët në Kosovë, ishte ngritur edhe institucioni i “vojvodëve” apo i rojeve të objekteve kishtare, detyrë kjo e cila jo vetëm që eksluzivisht u besohej shqiptarëve por ata ishin të përfshirë edhe në procesin e përzgjedhjes së individëve që duhej ta kryenin këtë detyrë me besnikëri dhe me nder. Një dëshmi autentike rreth zgjedhjes, funksionimit dhe veprimit të rojeve shqiptare në praktikë, e ka afruar ithtari i zgjerimit të Serbisë drejt jugut, historiani dhe diplomati serb Stojan Novakoviq (1842 -1915) i cili kishte qëndruar në Pejë në vitin 1889. Ndërsa në këtë trajtesë lexuesve fillimisht do t’u shpaloset tabloja e plotë e rilindjes, veprimit dhe e pasojave të një nacionalizmi agresiv serb, që nuk ka pushuar së vepruari deri në ditët e sotme duke filluar nga paraqitja e Komitetit Sllavofil në Moskë, veprimit të propagandës së Serbisë së Garashaninit në vitet 1840 – 1860 dhe veprimtarinë e armatosur së Lëvizjes Çetnike në Vilajetin e Kosovës dhe në viset tjera shqiptare. Rilindja e këtij nacionalizmi nis në vitet e tridhjeta të shekullit të XIX dhe se ai nuk pushoi kurrë së vepruari, dëshmi janë edhe ngjarjet e zhvilluara rreth Manastirit të Banjës më 24 shtator 2023

Komiteti Sllavofil i Rusisë dhe riciklimi i nacionalizmit mesjetar

Se Kisha Ortodokse dhe pjesëtarët e besimit ortodoks në Ballkan ishin të privilegjuar përgjatë sundimit të Perandorisë Osmane, dëshmojnë beratet e shumta të sulltanëve, por edhe dokumente të tjera që në çfarëdo forme janë të ndërlidhura me organizimin e kishës ortodokse brenda kësaj perandorie. Mirëpo, me fillimin e dobësimit të vetë perandorisë, nisën edhe aktivitetet në radhë të parë të Rusisë, e cila i “zgjati duart” për t’u dalë në ndihmë satelitëve të saj në Ballkan e të tjera.

Rol vendimtar që marrëdhëniet ndërfqinjësore të pësojnë edhe më keq në Ballkanin e atëhershëm pati Komiteti Sllavofil rus që kishte marrë mbi vete realizimin e idesë së pansllavizmit. Ishte avokati çek, Jan Herkel, i cili madje publikisht për herë të parë në vitin 1826 e përdori dhe e promovoi nocionin – pansllavizëm. Komiteti Sllavofil në Rusi, që ishte i interesuar t’u dilte në ndihmë “vëllezërve” sllavë në Ballkan, qysh në fillimet të veprimtarisë e instaloi aktivitetin e furnizimit me informacione të ndryshme nga qarqe bullgare e serbe dhe njëra prej mënyrave aktuale të asaj kohe, që vazhdoi të praktikohej deri në largimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, ishte përpilimi i hartave të ndryshme ku në secilën prej tyre parashihej copëtimi i tokave shqiptare dhe zhbërja e shqiptarëve. Pra, shqiptarët dhe tokat e tyre ishin pengesa kryesore e realizimit të idesë së pansllavizmit por edhe të ringjalljes së projektit të Serbisë mesjetare, jetësimi i të cilit projekt mund të ndodhte vetëm me pushtimin e “Serbisë së Vjetër” alias Kosovës dhe viseve shqiptare përreth dhe më pastaj edhe të vetë Shqipërisë së sotme me qëllimin përfundimtar që shteti i ardhshëm serb të shtrihej deri në Detin Adriatik.

Ndonëse shqiptarët kishin vazhduar me kryengritjet e tyre dhe ishin në kërkim të rrugëve të realizimit të autonomisë, kryengritja e cila u zhvillua mu në kohën e veprimit të Komitetit Sllavofil dhe paraqitjes të projektit serbomadh të “Naçertanies” siç dihet ishte ajo e udhëhequr prej Dervish Carës që u shtri gjithandej viseve lindore shqiptare.

I përkrahur nga qarqet pansllaviste çeke si pjesë të bërthamës së Komitetit Sllavofil, Ilija Garashanin (1812 – 1874) e promovoi programin tanimë të njohur si “Naçertanie” dhe qysh në vitin 1835 ai me sukses e ngriti rrjetin e bashkëpunëtorëve në të gjitha viset që në të ardhmen duhej të përfshiheshin në “Serbinë e Madhe” që në fakt ishte akti final i programit të “Naçertanies”. Dhjetë vjet më vonë, agjentura e tij arriti që t’i korrë rezultatet e para dhe Garashanini tanimë para vetes në Beogradin e atëhershëm i kishte informacionet rreth “synimeve të popujve të ndryshme që atëbotë akoma ishin pjesë e Perandorisë Osmane, më pastaj të gjendjes ushtarake dhe armatimit që këta popuj e kishin në disponim”. Në vijim agjentët e Garashaninit kishin arritur që t’i siguronin “listat me emrat e njerëzve me ndikim në çdo krahinë përfshirë këtu edhe personalitetet që ishin të gatshëm të luftonin kundër Serbisë dhe në fund kryenacionalisti ishte i informuar mirë se cili ishte mendimi publik në çdo krahinë në lidhje me Serbinë, çfarë priste populli i këtyre krahinave prej Serbisë, çka dëshironin njerëzit dhe për çfarë ia kishin ata frikën Serbisë” ka shkruar Dragosllav Stranjakoviq (1901 – 1966) njohës dhe përkrahës i njohur i projektit serbomadh në trajtesën e tij “Propaganda politike e Serbisë në krahinat jugosllave” të botuar në vitin 1936 në Beograd. Të kujtojmë se ndihmësi kryesor i Garashaninit ishte Jovan Marinoviq, ndërsa në realizimin e propagandës të ndarë në krahina, ishin të mobilizuar Matija Ban dhe Toma Kovaçeviq, një serb i lindur në Bosnjë.

Stranjakoviq më tej ka afruar edhe detaje t[ tjera për veprimtarinë e agjenturës, pasi tanimë ekzistonte edhe kushtetuta e veçantë në të cilën ishin paraparë edhe veprimet më të vogla. “Sipas kushtetutës së organizimit të propagandës politike, veprimtaria propagandistike duhej t’i përfshinte të gjitha krahinat ku jetonin Sllavët e Jugut në Ballkan si ato që gjendeshin nën sundimin turk po ashtu edhe ato nën sundimin austriak.”

Duke u mbështetur në këtë kushtetutë, propaganda duhej të zhvillohej edhe në Kosovë, Serbinë e Jugut, Sanxhakun e Novi Pazarit, Mal të Zi, Shqipëri (në krahinën e Mirditës) dhe në Bullgarinë juglindore.

“Kushdo prej udhëheqësve të propagandës që do të udhëtojë në viset jugore duhet të përpiqet që shpenzimet të mos ia hedh[ qeverisë, por udhëtimi të justifikohet me ndonjë aktivitet shtetëror dhe kur udhëheqësi i propagandës udhëton deri në kufi ai atëherë duhet patjetër të zhvillojë edhe aktivitete propaganduese”, ishte njëri prej neneve të kushtetutës të cilin duhej të respektonin të gjithë agjentët dhe vetëm në vitin 1849 – 1850 ishin “paraparë që në zonë të ndryshme të përfshiheshin 12 udhëheqës të propagandës, 5 prej tyre në zonën jugore dhe i fundit pra i pesti aktivitetin e tij duhej ta zhvillonte në Shqipëri, i cili duhet ta kishte edhe korrierin e tij që e kishte për detyrë mbledhjen e raporteve dhe dorëzimin e tyre te përgjegjësi. Të gjithë agjentët duhej të ishin banorë autoktonë të viseve ku vepronin dhe t’i njihnin mirë rrethanat vendore. Kuptohet se për këtë veprimtari ata merrnin pagë vjetore. Agjenti shqiptar merrte rrogë vjetore në vlerë prej 250 talirëve (10 talirë e kishin vlerën e një dukati). Ndërsa agjenti i Rashkës që gjithashtu ishte e paraparë si zonë e rëndësishme e veprimit paguhej 60 talirë në vit”.

Megjithatë, para se të kalojmë në përshkrimin e gjendjes faktike të objekteve fetare, pra të kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë dhe në tokat shqiptare që do të jenë cak i propagandistëve të agjentëve të Garashaninit, fillimisht do ta paraqesim gjendjen e objekteve fetare por edhe atë të priftërinjve serbë në vetë Serbinë e viteve të tridhjeta të shekullit të XIX.

Image
Manastiri i Deçanit, gravurë e vitit 1976

“Kallogjerët serbë ishin analfabetë...”

Se sa ishin ruajtur objektet kishtare në Serbinë e atëhershme të mbi Nishit të sotëm, dëshmi ka afruar studiuesi i njohur Tihomir R. Gjorgjeviq (1868 - 1944) dhe me plot bindje mund të thuhet se vetë serbët e viseve të Serbisë mbi Nishin, nuk kishin arritur që t’i ruanin kishat dhe manastiret e tyre ashtu siç ato i kishin ruajtur shqiptarët në Kosovë dhe në viset përreth.

“Me largimin e turqve, të gjitha xhamitë nëpër qytetet serbe u bënë rrafsh me tokë... Në vend të tyre u ngritën kishat dhe në to fillimisht nuk pati fare kambana. Për herë të parë kambanat u dëgjuan më 16 shkurt 1830 në Beograd, e më pastaj edhe nëpër vise të tjera”, ka shkruar ai në librin e tij jo edhe aq të popullarizuar ndër qarqet serbe të titulluar “Serbia para njëqind vjetëve” të botuar në vitin 1946.

Përveç tjerash ky autor e ka përshkruar edhe gjendjen e rëndë e cila mbretëronte midis priftërinjve e kallogjerëve (murgjve) serbë dhe kjo as për së afërmi nuk mund të krahasohej me gjendjen e vëllezërve të tyre që jetonin në Kosovën e atëhershme dhe viset e tjera shqiptare.

“Kallogjerët serbë ishin analfabetë... më i dituri prej tyre ishte ai që dinte të lexonte mirë por të tillë kishte shumë pak! Priftërinjtë ishin në gjendje edhe më të mjerë. Ndërsa kallogjerët, përkundër njohurive të pakta e përfaqësonin klasën e njerëzve më të zgjedhur pasi së paku i njihnin rregullat kishtare, ndërsa priftërinjtë edhe në raste kur i kishin kishat e tyre, në to shërbenin vetëm gjatë festave... Në letërkëmbimin e Vuk Karaxhiqit është gjetur edhe ky shënim: ‘O prift i dashur edhe ti i ruan lopët?’, i habitur e kishte pyetur një djalosh serb priftin kur e kishte parë se ai i kulloste disa krerë lopë, ndërsa ai ishte përgjigjur: ‘Eh, biri im, do të isha i lumtur sikur lopët të ishin të miat!’

“Deri në vitin 1831 prej tre peshkopëve të kishës në Serbi, asnjëri prej tyre nuk dinte asgjë përveç se të lexonte dhe të shkruante ngapak. Shkurt e qartë, asnjëri prej tyre nuk dinte gjë” ka përfunduar i dëshpëruar Tihomir R. Gjorgjeviq, një ish – student i Austrisë.

Ndihma e ikonografëve shqiptarë në ringritjen e kishave

Por edhe ndikimi dhe ndihma e ikonografëve shqiptarë në ngritjen e kishave në Serbinë autonome, padyshim se kishte qenë me rëndësi jetike. Për këtë dëshmi mund të gjenden te të gjitha kishat që u ngritën duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX, por edhe më herët. “Mjeshtrit në Serbinë e princ Milloshit ishin të thjeshtë, pa imagjinatë, pa shije. Atë që ata mund të bënin ishte të përmirësonin apo t’i shkatërronin në tërësi objektet e kishave të dëmtuara! Mjeshtër të tillë e ndërtuan pjesën dërmuese të kishave nëpër fshatrat e Serbisë. Në të shumtën e rasteve këto ishin kisha të njëjta, të thjeshta dhe shpeshherë të bëra vetëm prej druri! Të njëjtit mjeshtër ngritën shtëpi nëpër qytetet serbe, po ato ishin vetëm të modelit turk! Krejt puna e tyre nuk kishte kurrfarë lidhjeje me ndonjë formë të artit ndërtimor.

Artistët e vërtetë që rregulluan brendinë e kishave ishin dibranët apo dibralitë të cilët punuan nëpër kisha, gjithandej në jug të lumenjve të Savës dhe Danubit”, ka dëshmuar Gjorgjeviq duke aluduar në punën e vyeshme dhe me shumë vlerë të ikonografëve të njohur shqiptarë të Dibrës dhe të krahinës së Rekës së Madhe që ky autor i quan “gurbetqarë”.

Gjendja e objekteve fetare ortodokse në Kosovë dhe viset tjera shqiptare

Për dallim prej Kosovës në viset e tjera shqiptare, sidomos në ato ku numri i shqiptarëve të besimit ortodoks ishte më i madh, ekzistojnë dëshmi se nuk ishte paraqitur nevoja e organizimit të rojave të kishave dhe manastireve të nivelit siç ato ishin të ngritura si institucion në vete në Kosovë.

“Edhe pse në rrethinë jetojnë njerëz mjaft të rrezikshëm (aludohet në shqiptarët) nuk mbahet mend që dikush ta ketë sulmuar manastirin apo pronën e tij. Për ndonjë rast të tillë eventual manastiri i ka edhe dy gavazë – shqiptarë – që e ruajnë atë edhe pse në realitet manastiri nuk ka nevojë për roje”, ka shkruar komediografi dhe diplomati i njohur Branisllav Nushiq në vitin 1892, pasi i kishte kaluar disa net si mysafir në Manastirin e Shën Naumit ku ishte pritur prej kryepriftit, Sotirit. Në vijim vetë Nushiqi e ka paraqitur një rast që domosdo dëshmon për instrumentalizimin e besimtarëve ortodoksë shqiptarë në Ohër dhe rrethinë prej vetë Rusisë zyrtare.

“Vetëdija e popullatës (Ohrit me rrethinë), nuk pati ndikim që këtu të krijohej ndonjë lëvizje e mirëfilltë dhe një gjendje e tillë më së shumti i ndihmoi Patrikanës (së Kostandinopojës) që pas vdekjes së mitropolit të Ohrit, Joakim, ta emëroj njëfarë Melentie, i cili më herët ishte zëvendës i peshkopit në Zvornik! Ohrasit e njihnin mirë Melentien dhe qysh para se ai të vinte këtu, ekzistonte thënia: ‘Se për Melentien kanë qarë dhe gurët e Ohrit dhe hendeqet e Resnjës!’ Edhe pas ardhjen si peshkop, Melentie nuk u përpoq që mos ta justifikojë gjykimin e mësipërm të popullatës vendore për të. Ai nisi të jetonte në mënyrë imorale e të shthurur, filloi të grabisë pa kurrfarë cipe në sy! Ai madje i shiti të krishterët duke i denoncuar te autoritetet (turke) dhe më pas prej të arrestuarve kërkonte shpërblim për t’i liruara ata! Nga zemërimi, popullata u gjet në situatë të vështirë dhe i drejtoi Patrikanës telegram pas telegrami kot së koti!”

Kjo luftë midis peshkopit dhe popullatës vendore përfshirë edhe shqiptarët ortodoksë të Ohrit dhe të rrethinës, sipas Nushiqit zgjati për një kohë të gjatë, derisa në të u përfshinë edhe krerët e esnafit të lëkurëpunuesve duke u shndërruar vetë në udhëheqës të lëvizjes. Ata iu drejtuan Patrikanës në Kostandinopojë dhe ambasadorit të Rusisë në vitet 1864 – 1877 Ignjatevit (Nikolaj Pavloviç Ignjatev (Никола́й Па́влович Игна́тьев 1832 – 1908) duke e arritur ndarjen nga Patrikana dhe formimin e kishës së pavarur bullgare (Ekzarkisë – S. L.), ka dëshmuar Branisllav Nushiqi.

Padyshim se përzierja e diplomacisë ruse, e ka përshpejtuar “shkrirjen” e ortodoksëve shqiptarë që në Ohrin e fundshekullit XIX, por edhe më herët edhe ashtu u gjetën nën efektet e luftës së pakompromis propagandistike të kishës greke, bullgare dhe së voni edhe asaj serbe.

Modifikimi i së drejtës zakonore shqiptare

Për dallim prej krahinave apo zonave tjera shqiptare, në Kosovën e sotme dhe viset shqiptare rreth saj, në mbrojtjen e kishave dhe manastireve ortodokse emëroheshin vojvodët apo rojet e kishave e të manastireve. Duke u mbështetur nga shembulli i mëposhtëm, mund të thuhet se vetë përfaqësuesit e kishës serbe, sigurinë dhe mbrojtjen e plotë të tyre e gjenin duke u vendosur nën autoritetin dhe mbrojtjen e vojvodëve apo rojeve shqiptare të kishave dhe manastireve ortodokse.

Në njërin prej neneve të Kodit të Dushanit, apo më saktësisht në nenin 29 thuhet “se murgjve nuk u lejohet të jetojnë jashtë manastireve”. Ndërkaq në nenin 129 thuhet se “vojvodët kanë të njëjtat autorizime sikurse perandori, prandaj në qoftë se dikush për çfarëdo qoftë nuk i dëgjon vojvodët, atëherë ata i pret dënimi i njëjtë sikur të mos e kishin dëgjuar perandorin”. Kuptohet se në këtë nen flitet në mënyrë të përgjithshme për rolin e vojvodës në gjysmën e dytë të shekullit të XIV.

Por, me të drejtë mund të shtrohet pyetja se a ishte ngritja e institucionit të vojvodës apo rojës së manastireve dhe kishave në Kosovë por edhe në viset përreth, rezultat i modifikimit të nenit 129 të Kodit të Dushanit me të drejtën zakonore shqiptare pra “e marrjes në besë me qëllim të mbrojtjes së një personi apo të njerëzve të caktuar” dhe a ishte instaluar institucioni i rojës qysh nga ardhja e osmanëve në Ballkan apo ndoshta edhe në kohën e Nemanjidëve? Kjo çështje kërkon një hulumtim të veçantë.

Kështu manastiret dhe kishat e pasura, drithnikët, konakët e tyre, duhej ruajtur dhe mbrojtur. Por, mbrojtësit e kishave apo të manastireve më pastaj duhej t’i kryenin edhe punët shtesë, siç ishte përcjellja e igumenit (kryemurgut) kur atij për ndonjë çështje të caktuar i paraqitej nevoja të dilte jashtë manastireve apo kishave.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë