Shtojca për Kulturë

Kaleši: “Prejardhja ilire, tezë qesharake për mua”

“Mua më duket jo vetëm teori e padokumentuar, por edhe qesharake ‘etnogjeneza në vazhdimësi e popullit shqiptar në Kosovë nga substrati ilir’, pavarësisht faktit që kjo teori në njëfarë mase është reagim i kohës”, shkruante Hasan Kalashi. Ky pamflet nuk ishte thënë të mbetej i harruar në faqet e revistës “Obeležja” që vazhdoi të botohej gjer më 1997. Pak muaj pas shtypjes së demonstratave të 1981-s në Kosovë, në ajrin e përgjithshëm të shqiptarofobisë, fantazma e Kalešit do të gjezdiste në shtypin beogradas si “orientalist e albanolog autoritativ” që gjoja iu ishte kundërvënë falsifikimeve shqiptare

Hasan Kaleši me ton ankimtar shkruante se në kontestimin e dyndjes së madhe, historiani Skënder Rizaj nuk ishte protagonist i vetëm, meqë ky kuptim jokritik dhe artificialisht i transplantuar i historisë po ngjante edhe në Shqipëri. Duke e kaluar shënjestrën te Ali Hadri, ai shtronte pyetje retorike edhe sa i përket vazhdimësisë iliro-shqiptare në Kosovë:

“Dhe ç’dokumente ka për faktin se dardanët apo ilirët vazhduan të jetojnë në territorin e Kosovës dhe Gjakovës ç’prej pushtimit romak të Ilirikut deri në pushtimin turk në shekullin e 15-të? Ç’argumente mund të jepen për të ashtuquajturën vazhdimësi ilire të shqiptarëve në Kosovë? Nëse do ta pranojmë si tezë korrekte vazhdimësinë e shqiptarëve në Kosovë prej një substrati ilir deri në ardhjen e turqve e tutje, pyetja që duhet të shtrohet është: çfarë ngjau me këta ilirë e shqiptarë në Kosovë, ku u zhdukën e ku ishin në territorin turk kur në librat kadastralë gjejmë vetëm pak shtëpi shqiptare në disa fshatra të largëta, shumica syresh me mbiemrin ‘Arbanas’, d.m.th ashtu siç quheshin prej sllavëve? Nga po të njëjtat arsye, lind edhe pyetja: cilët janë emrat ilirë në Kosovë që mund të nxirën prej regjistrave turk?”[38]

“...nuk kam lexuar asgjëkundi se shqiptarët e Kosovës morën pjesë në përpjekjet antiturke në kohën e Skënderbeu”

Që të ruante sipërfaqësisht një përshtypje paanshmërie, Kaleši më tej theksonte se nuk ka nevojë të luftohet mbi atë se disa janë të moçëm të përjetshëm e disa ardhacakë, muhaxhirë e emigrantë, për ç’arsye historia duhej studiuar gjakftohtësisht, objektivisht e me argumente. Megjithëkëtë, ai nuk përmbahej nga dufi që t’i rikthehej sërish gverreve me gjithçka të etabluar në historiografinë shqiptare. Në këtë frymë, në një shënim fusnote bënte edhe këtë shkëputje digresive: “Të më falni nëse them që jam mjaft i familjarizuar me burimet në thuajse të gjitha gjuhët sa i përket Skënderbeut, por nuk kam lexuar asgjëkundi se shqiptarët e Kosovës morën pjesë në përpjekjet antiturke në kohën e Skënderbeut”.[39]
Megjithatë, ky artikull shkonte drejt mbylljes vetëm duke përforcuar qëllimet e paravendosura të autorit, sepse siç e përsëriste ai: “Mua më duket jo vetëm teori e padokumentuar, por edhe qesharake ‘etnogjeneza në vazhdimësi e popullit shqiptar në Kosovë nga substrati ilir’, pavarësisht faktit që kjo teori në njëfarë mase është reagim i kohës”.[40]

Marković: “Kaleshi, ky historian i ndershëm shqiptar”

Ky pamflet i Kalešit nuk ishte thënë të mbetej i harruar në faqet e revistës “Obeležja” që vazhdoi të botohej gjer më 1997. Pak muaj pas shtypjes së demonstratave të 1981-s në Kosovë, në ajrin e përgjithshëm të shqiptarofobisë, fantazma e Kalešit do të gjezdiste në shtypin beogradas si “orientalist e albanolog autoritativ” që gjoja iu ishte kundërvënë falsifikimeve shqiptare.[41] Kësodore, për të përditshmen serbe “NIN” bënte përshtypje fakti që orientalisti i ndjerë me një letër drejtuar personaliteteve dhe institucioneve kryesore të Kosovës ua kishte tërhequr vërejtjen për “falsifikimet e qarta të së kaluarës historike”.[42] Madje edhe dy emisione në TV Beograd II iu referuan autoritetit të Kalešit për ta marrë si të mirëqenë “dyndjen e madhe” që e paska deserbizuar Kosovën.
Katër vjet më vonë, Dimitrije Bogdanovići do ta ndiqte po të njëjtën hulli si të Kalešit në librin e tij namkeq për Kosovën.[43] Për këto kundërvënie ndaj “falsifikimeve shqiptare”, Kaleši do të merrte fjalë miradije edhe prej profesorit e akademikut serb, Mihailo Marković, sipas të cilit, ai ishte “i jedan čestiti albanski istoričar” (një historian i ndershëm shqiptar).[44] Po të njëjtin jeh vazhdoi t’ia bënte deri vonë edhe pop historiani serb, Dušan Bataković në artikujt e tij. Teksa i numëronte një për një meritat që foli kundër “urrejtjes etnike” që vinte nga Tirana, ai madje e mistifikoi vdekjen e Kalešit sikur paska ndodhur në “rrethana të dyshimta”.[45]


[38] Hasan Kaleši, ‘O seobama Srba sa Kosova krajem XVII i početkom XVIII veka, etničkim promenama i nekim drugim pitanjima iz istorije Kosova’, Obeležja VI/4 (1976), ff. 193-216

[39] Po aty., 212.

[40] Po aty., f. 214: “Takođe mi izgleda ne samo nedokumentovana ve i smešna teorija o ‘kontinuiranoj etnogenezi Albanaca na Kosovu iz kosovskog ilirskog supstrata’, bez obzira što se ova teorija u izvesnoj meri poteže kao reakcija perioda”.

[41] NIN, 1596, 2 gusht 1981, Beograd, 33.

[42] Skënder Rizaj, ‘Mbi të ashtuquajturën Dyndje e Madhe Serbe nga Kosova në krye me patrikun Arsenije Çarnojeviq’, Gjurmime albanologjike, 12, 1982, ff. 81-102.

[43] Knjiga o Kosovu, (Srpska akademija nauka i umetnosti, 1985), f. 79.

[44] Mihailo Marković, ‘Smisao istraživanja porekla albanca i ljihovog širenja po Balkanu’ në Kavkaski Albanci. Lažni Iliri (Beograd, Pešić i sinovi), 2007, f. 6: “Nažalost, i neki savremeni srpski istoričari su dopustili mogućnost da su Albanci starosedeoci na Balkanu. Treba istaći da se i jedan čestiti albanski istoričar Hasan Kaleši već 70-tih godina prošlog veka suprotstavio ovakvim falsifikatima svojih kolega, istoričara i geografa sa Prištinskog univerziteta i iz bivše Kosovske akademije nauka”.

[45] Dušan Bataković, ‘The Comunist Party of Jugoslavia, the Comitern and the National Question: The Case of Kosovo and Metohija’ në (ed. Vojislav G. Pavlović) The Balkans in the Cold War: Balkan Federations, Cominform, Yugoslav-Soviet Conflict, (Institute for Balkan Studies, SANU, 2011), f. 83: “Më i njohuri studiues nga Kosova, orientalisti Dr Hasan Kaleshi, ishte mes të parëve që dënoi në vitet ’70 propagandimin e urrejtjes etnike në tekstet shkollore të historisë dhe shkrimet e tjera historike në Tiranë – dhe Prishtinë. Dr Kaleshi, i bojkotuar prej inteligjencies shqiptare të Kosovës, vdiq pak vjet më vonë në rrethana të dyshimta”.

Lexo edhe: