Beteja postmortum e Kadaresë tashmë është me kohën, këtë armike të kinse vlerave, por edhe zonjën sublime të përjetësisë. Një javë më vonë, Kadareja po shpëton nga panegjirikët, ndërsa po rrugëton me kujtimin e njerëzve, që e identifikuan veprën e tij me vlerën
Gati një javë pas vdekjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur të shqiptarëve, gjërat kanë shkuar në vend. Rekuizita funebre është hequr pak orë pas varrimit të shkrimtarit, kanë reshtur panegjirikët me shkrimet e fryra dhe bashkë me ta edhe kinset, që përzienin “kujtimet” e Kadaresë me kultin e tyre, kurse kronikat e lajmeve janë mbushur me njoftimet e SPAK-ut dhe arrestet. Gjetja fine e organizatorëve (doli se ishte e kryeministrit) me një strukturë të varur në paretin e sallës së shfaqjeve të TOB-it me simbolikën e Nënë Terezës me bardh-e-blunë klasike dhe me krahët e hapur mbi arkmort e ngërthente bukur mirë sublimitetin e rastit. Protokolli i hutuar, që nuk njihte njerëzit e caktuar në nderim dhe një pjesë që shtyheshin e nguteshin të dilnin në ekrane para mikrofonave të reporterëve konfuzë e plotësuan kuadrin e organizimeve, mbyllur me logjikën e mirë të familjes Kadare për ta përcjellë në banesën e fundit në formën sa më diskrete procesionin, i dha fund një ceremoniali, që parashihej të kishte qenë vërtetë i mundimshëm për organizatorët. Kryeministri i vendit, Rama, e shpjegoi këtë gati detajisht në fjalën e vetme të ceremonisë funebre, duke harruar se fjalimet në të tilla raste janë gati traktate sociale dhe tregojnë cakun e një shoqërie, por jo tollovinë sociale për vend-vdekjen. Në kujtesë harroi se shumë nga personalitetet shqiptare janë rivarrosur nga 2 apo 3 herë me radhë!
* * *
Ceremonitë kushtuar personazheve të mëdhenj apo ngjarjeve epokale zakonisht tregojnë nivelin e një shoqërie. Në 100-vjetorin e kremtimit të Pavarësisë së Shqipërisë, dalldia dhe konfuzioni, që iniciuan organizatorët e asokohe e bëri vendin tonë meme në të gjithë botën për të mos thënë banalizoi një ngjarje aq të madhe kombëtare.
Këtu vjen pikërisht në vëmendje sensi i nderimit të Autorit, atij që kupton dhe respekton realitetet e bashkëkohësve, teksa atij i mbetet t’u paraprijë kohëve me idetë dhe me shqisën, që nuk mund ta ketë kushdo. Kadare arriti ta bënte deri diku me segmente tejet eprore të letërsisë së tij, shoqëruar me një stil tejet poetik dhe me një shpjegim të distopisë shqiptare, ku veç errësirës së regjimit dhe shtypjes, përballë i vendosej paradoksi i bashkëqytetarëve të tij. Ndaj, edhe ai vetë u përshtat në mënyrën më të mirë. Poezia dhe vepra e tij në prozë, të kujtojmë se Kadare erdhi nga poezia dhe stili i tij iu përshtat kësaj lëmie, ama letërsia nuk ishte shprehje e tërësishme e personalitetit të vet. Këtu është gracka që në këto ditë kanë rënë shumica duke e identifikuar Kadarenë me veprën e vet në çdo detaj. Teoria e Eliotit për poezinë pavetore, e hedh poshtë nocionin romantik se poezia është shprehje e personalitetit të poetit, ku ne do të shtonim edhe krijimin në përgjithësi. Elioti besonte se poezia kërkon një traditë dhe kompleksitet objektiv, në vend të thjeshtësisë për ta shprehur siç duhet qytetërimin modern. Veçse ndërsa në letërsinë kombëtare evropiane kur romantizmi paraqet një epokë letrare, në kushtet e zhvillimeve me inerci të vonët të shoqërisë shqiptare, ajo përbënte një Rilindje mirëfilli kulturore. Jo me forcën e tij, tre romantikët parakë shqiptarë Jeronim de Rada, Zef Skiroi dhe Naim Frashëri përzienin me natyrshmëri temat personale kombëtare dhe ato të përbotshme. Dy dekada pas Luftës së Dytë Botërore, Kadaresë që po shfaqej si meteor në letërsinë “e re”, i kishin mbetur detyra të tjera. E para t’i mbijetonte duke iu përshtatur Realizmit Socialist (një pjesë e anashkalon këtë sfidë) dhe pastaj të përshfaqte sfidën letrare me lëvrimin e tematikave të mëdha dhe teknikave në stil, falë formimit cilësor dhe angazhimit social. Bashkëkohësia e përbotshme e tekstit të Kadaresë veçon shpesh qytetarin Kadare, ku një pjesë jo e pakët i numërojnë në këtë dimension qasjet pro-regjim dhe pastaj përfitimet (në këto ditë të përshpirtshme të ndjerit iu mblodhën të gjitha, duke harruar kodet e nderit të fundmë), sepse emri i Autorit nuk është kaq e lehtë për t’u marrë, tashmë i takon komunitetit të lexuesve. “Lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e autorit”, na vjen mesazhi kategorik nga eseja e famshme e Roland Bart, që do të thotë se në fund Autori ua lë kumt lexuesve dhe kohës të shikojnë e rivlerësojnë veprën. Autori këtej e tutje hesht duke folur. Diskursi që zotëron emrin e një autori (dhe Kadare e ushqeu në të gjallë me krijimin e tij që kishte elementë të një lloj Realizmit Magjik) nuk duhet konsumuar dhe harruar menjëherë, ashtu si vëmendja që duhet t’u kushtohet fjalëve të përcjella në këto orë të pasvdekjes së Kadaresë, ku shumë kinse dhe njerëz që donin të identifikoheshin e glorifikonin pa e kuptuar. Përmes tij, shumë syresh donin të na tregonin se edhe ata ishin në të njëjtin mjet, që shkonte nga Lindja e errët drejt Perëndimit plot dritë. “Mund të konkludojmë se, ndryshe nga një emër i përveçëm, i cili lëviz nga brendësia e një ligjërimi te personi real jashtë që e ka prodhuar atë, emri i autorit mbetet në konturet e teksteve - duke ndarë njërin nga tjetri, duke përcaktuar formën e tyre dhe duke karakterizuar mënyrën e ekzistencës së tyre“, shpjegon Fuko te eseja e tij “Çfarë është një autor”. Në këto rravgime, duhet të konkludojmë se identifikimi modern i shoqërisë sonë dhe simbolikat në letërsinë e Kadaresë, u bënë pjesë e identitetit, ngaqë letërsia e tij realisht i dha bashkëkohësi letrave shqipe. Me Kadarenë mori fund edhe rrugëtimi i dy brezave shqiptare të para dhe pas viteve ’90 që përçuan me veprën e tij vlera dhe cilësi, ashtu si një pjesë u mundua të marrë e të ç’kodojë mesazhe, humbur në terrin e komunizmit absurd alla-shqiptar. Ndaj, Kadare për një pjesë që janë ushqyer me veprën dhe stilin e tij do kujtohet gjatë, ashtu si do harrohet me gjasë nga panegjirikët bukur të shumtë, që garonin se cili e kishte pasur më afër. Me gjasë, Kadare tashmë do t’u përkasë studiuesve që të punojnë hapur dhe të zbulojnë realisht pse fenomeni “Kadare” e mori disa herë Shqipërinë për dore dhe pse disa herë u struk nën hijen e saj. Beteja postmortum e Kadaresë tashmë është me kohën, këtë armike të kinse vlerave, por edhe zonjën sublime të përjetësisë.
...Një javë më vonë, Kadareja po shpëton nga panegjirikët, ndërsa po rrugëton me kujtimin e njerëzve, që e identifikuan veprën e tij me vlerën.
Tiranë, 5 korrik i vitit 2024