Shtojca për Kulturë

“Jugosllavia u shemb në Trepçë” nëpër horizontet e kthesës për Kosovën

Libri “Jugosllavia u shemb në Trepçë” i Ana di Lellios

“Në horizontin e tetë e të nëntë ishin miq, mbajtën njëri-tjetrin gjallë, u ndihmuan midis vete. Arritën në Trepçë në momentin kyç sepse ishte fundi i viteve ’80 ku Jugosllavia ishte në krizë të thellë ekonomike, kishte greva kudo të cilat ishin të jashtëligjshme atë kohë”, është shprehur sociologia italiane Anna Di Lellio në përurimin e librit të saj në Prishtinë

U nismua fillimisht për ta thyer mitin për Jugosllavinë te publiku italian por “Jugosllavia u shemb në Trepçë” i Ana di Lellios zbërthen momentet e kthesës së historisë së Kosovës e të ish-Jugosllavisë. Zbërthehet fuqia e minatorëve në rrethanat e vitit 1989 nëpërmjet grevës që ndezi lëvizjet për pavarësimin e shqiptarëve

Në shkurtin e vitit 1989, mbi një mijë e 300 minatorë të Trepçës do të refuzonin të largoheshin nga kompleksi minerar. Kjo do të ndodhte për tetë ditë e tetë net. Greva qe protestë ndaj ndryshimit të Kushtetutës së vitit 1974 ku garantohej autonomia e vendit dhe ndër të tjera e drejta e punëtorëve për vetadministrim. Greva dështoi, por konsiderohet se ndezi lëvizjet për pavarësim. 

Këtë kapitull të historisë së Kosovës, sociologia italiane Anna Di Lellio, e zbërthen që nga ideja fillestare. Ilustrohen momentet e kthesës së historisë së Kosovës e të ish-Jugosllavisë. 

“Jugosllavia u shemb në Trepçë” fillimisht u botua në italisht si nevojë e njohjes së Kosovës nga publiku italian që pak ka njohuri për këtë ngjarje historike. Libri tani flet edhe shqip, përkthyer nga profesoresha Majlinda Bregasi. Pas Mitrovicës të enjten në “7Arte”, të premten mbrëma u promovua edhe në Prishtinë, në qendrën “Barabar”, në prani të publikut të shumtë. 

I pranishëm qe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, minatorë e ish-minatorë që janë edhe protagonistë në librin që rrëfen sesi nisi, mbaroi dhe cilat qenë efektet e grevës së minatorëve, e cila muajin e shkuar shënoi 36-vjetorin e marrjes së hapave konkretë kundër suprimimit të autonomisë nga Serbia.
Autorja Anna Di Lellio ka thënë se vendi i saj ende e njeh Jugosllavinë e dikurshme si parajsë socialiste. 

“E kam shkruar këtë libër së pari në gjuhën italiane, vitin e kaluar, për shkak se Italia nuk e njeh mirë historinë e Kosovës dhe të Jugosllavisë. Ende e kanë mitin e asaj Jugosllavisë si një vend parajsë socialiste e mrekullueshme. Në fakt Jugosllavia ka qenë më e mirë se disa vende të Bllokut Lindor, por jo për të gjithë që kanë jetuar aty. Libri është përkthyer këtë vit dhe jam shumë krenare dhe e kënaqur që tani mund ta lexoni në shqip”, është shprehur ajo. 

Ka thënë se në libër flitet edhe për atë se çfarë i ka bërë minatorët aq të fuqishëm në ato rrethana. 

“Ata ishin të fuqishëm sepse ishin të vetmit që ishin të aftë të rezistojnë në mënyrë të bashkuar dhe solidare sepse si grup, ata rrezikojnë jetët e tyre. Në horizontin e tetë e të nëntë ishin miq, mbajtën njëri-tjetrin gjallë, u ndihmuan midis vete. Arritën në Trepçë në momentin kyç sepse ishte fundi i viteve ’80 ku Jugosllavia ishte në krizë të thellë ekonomike, kishte greva kudo të cilat ishin të jashtëligjshme atë kohë”, është shprehur sociologia italiane Anna Di Lellio në një diskutim për librin me Korab Krasniqin, udhëheqësin e “ForumZFD” në Kosovë, që e ka botuar librin bashkë me “Oral History”. 

Krasniqi ka thënë se minatorët filluan procesin paralel me përpjekjet e Serbisë për të finalizuar amendamentet kushtetuese. 

“E hënë, 20 shkurt 1989, një mijë e 300 minatorë filluan grevën e tyre 600 deri 800 metra nën sipërfaqen tokësore në minierën e Stantërgut. Greva u bë një akt i definimit të rezistencës së klasës punëtore përkundër presionit ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe problemeve politike me të cilat përballej Jugosllavia që më pas ndodhnin edhe arrestime dhe presione politike dhe mbi popullatën shqiptare”, ka thënë ai. 

Ka përmendur se atë kohë kishin nisur thirrjet për pajtimin e gjaqeve si dhe bashkimi i shqiptarëve të Kosovës për kauza të përbashkëta. 

“Në një projekt tjetër që është bërë ka qenë çështja e pajtimit dhe diskutimi i rëndësisë së kohezionit social. Nga shumë minatorë që i kemi intervistuar, kemi dëgjuar që ndër gjërat e tjera, thirrja për pajtimin e gjaqeve ishte e nevojshme. Një gjë tjetër që do të doja ta përmendja, është që pasi përfundoi greva dhe filloi përndjekja nga sistemi, atëherë shqiptarët filluan të bashkohen sepse me përjashtimin e minatorëve nga vendi i punës, ata filluan të bëjnë lëvizjen ‘Familja ndihmon familjen’”, ka thënë Krasniqi. 

Autorja e librit, Anna Di Lellio, ka theksuar se greva e minatorëve ishte nismë sociale dhe politike. 

“Millosheviqi dhe jugosllavët e përshkruan këtë si grevë e kundërrevolucionarëve e që ishte kundër lidershipit. Gjithçka që kam shkruar këtu, nuk e tregon se ashtu ishte, pra nuk ishte grevë nacionaliste. Ishte një grevë për të pasur të drejtën e shqiptarëve në Kosovë, që ato të drejta të njihen dhe të kenë trajtim cilësor e të mbrojnë autonominë e Kosovës”, është shprehur ajo duke thënë se po kjo ngjarje qe socializëm ideal. 

“Socializmi ideal ishte lëvizja e punëtorëve në Trepçë, mënyra sesi e kanë bërë, sesi e kanë trajtuar dhe menaxhuar protestën e tyre, madje sesi e kanë përballuar edhe shkarkimin. Ata u bënë avangarda e lëvizjes masive për të luftuar, për mbrojtjen e Kosovës dhe autonomisë së saj”, është shprehur Anna Di Lellio, hulumtimet dhe publikimet e së cilës fokusohen në Kosovë. 

Ka punuar si këshilltare politike e kryeministrit, si komisionere për Media nën kujdesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe si analiste hulumtuese dhe këshilltare për programin e riintegrimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Organizatën Ndërkombëtare për Migrim dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar marshin e minatorëve më 17 nëntor 1988. 

“Është interesante se në atë kohë u suprimua me pak rezistencë autonomia e Vojvodinës, por rezistenca që ishte në Kosovë u bë përcaktuese edhe për lëvizjen paqësore të viteve ’90 kur kishim edhe aparteid, edhe për luftën çlirimtare e cila e solli fillimisht qershorin e 1999-s e më pas edhe shkurtin e vitit 2008. Dhunë ka pasur në gjithë Jugosllavinë, por më së shumti në Kosovë”, ka thënë Kurti para të pranishmëve. 

Ai është shprehur se tronditja më e madhe e Jugosllavisë ka ndodhur me grevën e minatorëve. 

“Unë besoj që fakti që minatorët kanë shkuar në grevë në horizontet e thella, ka bërë që policia të mos ketë mundësi t’i heqë prej aty sepse po të bënin diku tjetër grevë punëtorët, intervenonte policia menjëherë. Por minatorët kanë qenë të guximshëm që të shkojnë në ato horizontet e thella. Po ashtu edhe shumë gazetarë që i kanë vizituar e janë solidarizuar. Punëtorët janë pritur mbi tokë, në sipërfaqe, që t’i arrestojnë, siç edhe ka ndodhur pastaj me udhëheqësit e asaj greve”, ka thënë Kurti. 

Në libër theksohet se nuk ka nismëtar specifik për grevën e minatorëve. Aty shkruhet se “nuk kishte bajraktar”, por se greva ishte kolektive. Këtë e ka thënë edhe të premten Burhan Kavaja, ish-drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg në vitin 1988. 

“Nuk kemi dashur të kemi udhëheqës, nuk kemi dashur të kemi shtab të organizimit, as të marsheve protestuese e as të grevave sepse vetëm ajo na mundësonte që të mund të kemi sukses me këto greva”, është shprehur Kavaja. 

Të pranishëm kanë qenë edhe minatorët e tanimë Trepçës, të cilët kanë ndarë mirënjohje për autoren e librit Anna Di Lellio, si dhe për Korab Krasniqin. 

“Jugosllavia u shemb në Trepçë” u botua nga “Oral History Kosovo” dhe “Forum Civil Peace Service” në Kosovë, me mbështetjen e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.